Si çdo obligim tjetër, edhe agjërimi i muajit Ramazan i ka rregullat dhe konditat e caktuara, të cilat agjëruesi është i obliguar që t’i zbatojë. Nëse agjëruesi nuk e respekton ndonjërën nga këto rregulla, atëherë agjërimi i tij prishet dhe konsiderohet i pavlefshëm.
Agjërimi i muajit Ramazan është një nga pesë shtyllat, mbi të cilat ndërtohet Islami. Ai është bërë obligim nga Allahu i Madhëruar në ajetin e sures El-Bekare, ku thuhet: “O ju që keni besuar, u është bërë obligim agjërimi, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare, 183).
Po ashtu, për agjërimin e muajit Ramazan, gjejmë edhe argumente të shumta nga hadithet e Pejgamberit a.s., ndër të cilat edhe transmetimin e Ibën Umerit r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla, dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimin e Ramazanit dhe haxhi.”(1)
Si çdo obligim tjetër, edhe agjërimi i muajit Ramazan i ka rregullat dhe konditat e caktuara, të cilat agjëruesi është i obliguar që t’i zbatojë. Nëse agjëruesi nuk e respekton ndonjërën nga këto rregulla, atëherë agjërimi i tij prishet dhe konsiderohet i pavlefshëm. Me rastin e prishjes së një dite të agjërimit, agjëruesi gjendet përballë dy rasteve, apo situatave të ndryshme:
1. Rastet në të cilat prishet agjërimi dhe kërkohet që të bëhet kompensimi, apo të bëhet kaza ajo ditë;
2. Rastet në të cilat prishet agjërimi dhe kërkohet që të bëhet kompensimi, apo të bëhet kaza dhe të bëhet kefaret (shpagimi) i asaj dite.(2)
Kazaja (kompensimi)
Kaza quhet kompensimi i një dite të agjërimit të prishur me arsye, e të cilën e agjëron në një kohë tjetër. Pra, aq ditë sa kanë mbetur pa i agjëruar, duhen agjëruar në një tjetër kohë, ditë për ditë, ky veprim quhet kaza.(3)
Si argument të cilin e marrim se lejohet të prishet agjërimi me justifikim sheriatik, është ajeti kuranor, i cili thotë: “... nëse jeni të sëmurë ose në udhëtim (e nuk agjëroni), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë...” (El-Bekare, 184).
Nga ky ajet nxjerrim mësime se Allahu xh.sh. ka dashur që të na e lehtësojë prishjen e ndonjë dite të agjërimit, e cila bëhet me arsye të justifikueshme, siç është në këtë rast sëmundja apo udhëtimi. Por, ekzistojnë edhe arsye të tjera të justifikueshme, siç është harresa, apo prishja e agjërimit pa qëllim, e për të cilat detyrohemi me kaza. Për këtë, Allahu xh.sh. ka thënë: “... Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” (El-Bekare, 185)
Në rregullat e agjërimit janë shumë gjëra të cilat kërkojnë kompensimin e një dite të prishur të agjërimit me ndonjë arsye. Por, ne do t’i përmendim vetëm disa prej gjërave, me të cilat obligohet kazaja e asaj dite të prishur të agjërimit:
• Agjërimi prishet nëse personi ha ose pi diçka nga gjërat të cilat nuk përdoren zakonisht si ushqime, p.sh. ngrënia e dheut, orizit të pagatuar, brumit të papjekur, etj. Ngrënia e tyre e prish agjërimit dhe me të obligohet kazaja.
• Nëse ha syfyr duke menduar se akoma nuk është koha e imsakut, apo bën iftar duke menduar se ka perënduar dielli. Nëse vërtetohet e kundërta, qoftë në rastin e parë apo të dytë, njeriu obligohet me kaza të asaj dite.
• Kalimi në grykë i ujit të marrë me gojë ose të tërhequr me hundë gjatë marrjes së abdesit.
• Nëse ha, pi apo kryen marrëdhënie intime me qëllim, pasi që ka ngrënë, pirë apo ka bërë marrëdhënie intime nga harresa, duke pandehur se i është prishur agjërimi.
• Përjetimi i ekstazës seksuale (derdhja e lëngut të mashkullit dhe kulmi i kënaqësisë te femra – orgazma) me anë të puthjes, përqafimit ose përkëdheljes (kuptohet pa kryer marrëdhënie seksuale).
• Nëse personi detyrohet në marrëdhënie seksuale me përdhunë.
• Hedhja e ilaçit në hundë.
• Hyrja e tymit në fyt, nëse bëhet me dëshirën e agjëruesit, ngase nga një gjë e tillë mund të ruhet.
• Vjellja qëllimisht me gojën plotë, etj. Po ashtu, me kaza (kompensimin e një dite për një ditë të caktuar) obligohet edhe femra gjatë periudhës së saj të menstruacioneve, shtatzënisë, gji dhënies dhe lehonisë. Menstruacionet dhe lehonia janë dy gjëra të cilat e lirojnë gruan nga namazi dhe ia ndalojnë agjërimit. Mirëpo, ato obligohen ta bëjnë kaza agjërimin, por jo edhe namazin.4 Për këtë, Aisheja r.a., ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit, kur ndonjëra prej nesh (grave të Pejgamberit) pastrohej nga menstruacionet dhe lehonia, e kompensonim agjërimin, por jo edhe namazin.”(5)
Koha e kazasë (kompensimit)
Plotësimi i ditëve të lëna mangët nga Ramazani është një obligim që nuk është i detyruar që të kryhet menjëherë pas Ramazanit, pasi që koha për plotësimin e tyre është mjaft e gjerë.
Transmetohet se Aisheja r.a. i plotësonte ditët e mbetura të Ramazanit gjatë muajit Shaban dhe këtë nuk e bënte menjëherë, edhe nëse kishte mundësi.(6)
Por, preferohet që ky kompensim të kryhet sa më parë që njeriu të ketë mundësi, për shkak të situatave të ndryshme që mund t’i ndodhin gjatë jetës së tij, siç mund të jetë edhe vdekja.
Agjërimi kaza ndryshon nga ai i rregullt. Në rastin e parë, nëse dikush plotëson ditët e lëna mangët, ai nuk është i detyruar ta bëjë këtë duke agjëruar rresht. Kjo, pasi Allahu xh.sh. ka thënë: “Ai që është i sëmurë apo në udhëtim (ka detyrë të agjërojë) aq ditë nga ditët e nevojshme.” Kjo do të thotë se kushdo që është i sëmurë apo në udhëtim dhe e prish agjërimin, duhet të agjërojë të njëjtin numër rresht ose jo. Allahu e ka urdhëruar agjërimin në një mënyrë të përgjithshme, pa e kushtëzuar mënyrën se si do të agjërohet.(7)
Gjithashtu, transmetohet nga Ibën Umeri r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse do, i plotëson duke agjëruar në ditë të ndara, e nëse do i plotëson duke agjëruar rresht.”(8)
Në qoftë se dikush e vonon plotësimin e ditëve të lëna mangët deri në Ramazanin tjetër, ai duhet ta agjërojë atë Ramazan dhe më pastaj t’i plotësojë ditët e lëna mangët.
Kefareti (shpagimi) i agjërimit
Kefaret do të thotë një veprim i posaçëm, që konsiston në lirimin e një robi, ose agjërimin dy muaj, ose ushqimin gjashtëdhjetë të varfër, për shkak të prishjes së një dite ose më shumë të Ramazanit, pa ndonjë justifikim fetar.(9)
Kefareti (shpagimi) nuk është ndëshkimi për mos mbajtjen e agjërimit, por është një ndëshkim për prishjen me qëllim të agjërimit. Mos agjërimi në Ramazan pa ndonjë justifikim është mëkat, për të cilin duhet të pendohemi, e ndërsa ata që e prishin agjërimin pa ndonjë shkak të justifikueshëm për këtë, meqë me veprimin e tyre shkelin respektueshëmrinë e muajit Ramazan, ndëshkohen me shpagimin e mëkatit të tyre, e që në terminologjinë përkatëse emërtohet kefaret.
Nuk obligohet me kefaret personi i cili e prish agjërimin jashtë Ramazanit, siç mund të jetë agjërimi vullnetar, apo agjërimi i betimit.(10)
Argumentet për kefaret
Si argument për kefaretin, kemi veprimin e Pejgamberit a.s., të cilin na e transmeton Ebu Hurejre r.a., i cili thotë: “Një ditë, teksa ishim ulur me Pejgamberin a.s., erdhi një njeri dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë u shkatërrova!” Pejgamberi a.s., e pyeti: “Ç’është ajo që të shkatërroi ty?” Ai iu përgjigj: “Kam bërë marrëdhënie intime me gruan time duke qenë agjërueshëm.” I Dërguari i Allahut a.s., i tha: “A ke mundësi ta lirosh ndonjë rob?” Ai tha: “Jo.” Pejgamberi a.s., i tha: “A mund të agjërosh dy muaj rresht?” “Jo, madje kjo fatkeqësi më ndodhi sepse nuk durova sa duhej”- tha ai. Pejgamberi a.s., e pyeti prapë: “A mund t’i ushqesh 60 të varfër?” “Jo”- tha ai. Më pas, Pejgamberi a.s. u ulë derisa atij ia sollën një shportë me hurme, e i tha: “Merri këto hurma dhe shpërndajë sadaka.” Ai tha: “A ka më të varfër se ne, o i Dërguari i Allahut?! Për Allahun, nuk ka ndërmjet dy viseve familje më të varfër se imja.” Pejgamberi a.s. qeshi aq sa iu dukën dhëmballët, pastaj tha: “Shko dhe ushqeje familjen tënde.”(11)
Po ashtu, transmetohet nga Ebu Hurejre r.a., se ka thënë: “Vërtet Pejgamberi a.s., e urdhëroi një njeri i cili e kishte prishur agjërimin e Ramazanit, ta lirojë një rob, ose të agjërojë dy muaj, ose t’i ushqejë gjashtëdhjetë të varfër.”(12)
Kur dhe kush obligohet me kefaret
Ashtu siç e kemi përmendur më lart, kefareti është shpagimi për prishjen me qëllim të një dite të caktuar të Ramazanit. Për dallim nga kazaja, kefareti ka kushte dhe norma të tjera, të cilat duhen plotësuar për shpagimin e asaj dite të prishur.
Duke marrë për shkas nga hadithi i sipërpërmendur, dijetarët e shkollës hanefite janë të mendimit se duhet respektuar renditja e tri alternativave të përmendura në hadithin e Ebu Hurejres r.a..
Pra, fillimisht kërkohet që të shikohet se a ekziston mundësia që të lirohet ndonjë rob, skllav, pastaj të kalohet në agjërimin e 60 ditëve apo në ushqimin e 60 të varfërve, apo një të varfëri për 60 ditë.
Meqenëse në kohën tonë nuk ekziston skllavëria, atëherë duhet kërkuar mundësia e agjërimit të dy muajve hënor rresht, pa ndërprerje. Kjo ua pamundëson të pasurve që ditët e prishura të agjërimit, t’i shpaguajnë me para, andaj ata fillimisht duhet ta zgjedhin alternativën e dytë, pra të agjërimit të 60 ditëve.
Rreth asaj se kur duhet të fillohet me kefaret, shkelësi i normës së agjërimit, pra, ai i cili e ka prishur me qëllim një ditë të agjërimit, duhet të ketë parasysh, që ky shpagim të mos përkojë në ndonjë nga ditët, në të cilat është i ndaluar agjërimi, siç janë ditët e bajrameve, apo dita e dytë, tretë apo katërt e Kurban Bajramit. Kjo ngase kefareti duhet të bëhet rresht për dy muaj, pa ndërprerje. E nëse e ndërpret ndonjë ditë, atëherë duhet filluar nga fillimi.
Sa u përket gjërave të cilat e prishin agjërimin dhe për to jemi të obliguar me kompensim dhe kefaret, janë ato gjëra të cilat nëse agjëruesi, i cili e ka obligim agjërimin, i bën qëllimisht, pasi që ka filluar natën me nijet për ta agjëruar Ramazanin, duke mos qenë i detyruar ta bëjë këtë dhe nuk ka ndonjë justifikim për të mos agjëruar atë ditë, siç mund të jetë sëmundja apo udhëtimi. Në këtë pikë, hyjnë këto raste:
• Nëse agjëruesi kryen marrëdhënie intime me qëllim, edhe në qoftë se është pa ejakulim. Këtë e argumentojmë me hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre r.a..
• Të ngrënit dhe të pirit, edhe në qoftë se është pak, me kusht që ushqimi dhe pija të jenë prej atyre që zakonisht hahen apo pihen për ushqim, shërim apo ëmbëlsim.
• Që prishjes së agjërimit, të mos i paraprijë ndonjë prej llojeve të harresës.
• Të mos jetë i detyruar për ta prishur, gjë që e refuzon kefaretin.
• Nëse prishjes i ka paraprirë ndonjë akt, me të cilin agjëruesi konsideron se me atë veprim e ka prishur agjërimin, por një gjë e tillë nuk e prish përnjëmend agjërimin, ngase kjo konsideratë e tij nuk është me vend. Për këtë, ai obligohet ta kompensojë atë ditë dhe të bëjë kefaret. P.sh. nëse agjëruesi ha pas dhënies së gjakut dhe mendon se një veprim i tillë e prish agjërimin, etj.
• Nëse personi përgojon dikë dhe mendon se me këtë e prish agjërimin, ose ndonjë dijetar i thotë se e ka prishur, ndërsa pastaj prish me qëllim dhe me vetëdije, obligohet edhe kompensimi edhe kefareti, etj.
Pika të rëndësishme sa i përket kefaretit
- Kur dikush agjëron duke qenë i detyruar me shpagim, duhet ta llogarisë mirë se atë, agjërimin, duhet ta bëjë dy muaj rresht, pa ndërprerje, kështu që në mes të këtij agjërimi ose në mes të kësaj kohe nuk duhet të hyjë Ramazani, por as ditët kur është i ndaluar agjërimi. Në të kundërtën, duhet ta rifillojë agjërimin nga fillimi.
- Në qoftë se gjatë kohës sa është duke agjëruar për kefaret, i duhet të udhëtojë, me këtë rast duhet ta vijojë agjërimin e filluar, sepse, nëse e prish, atëherë duhet filluar nga e para.
- Kur femrës që është duke agjëruar për kefaret i paraqiten të përmuajshmet femërore ose ndodhet në periudhën e lehonisë, kjo nuk ia prish kushtin e pandërprerjes, prandaj, kur t’i kalojë ato ditë, do të vazhdojë aty ku ka mbetur dhe nuk ka nevojë të rifillojë nga e para.
- Me një kefaret mund të mbulohen më shumë se një ditë e prishur me qëllim të agjërimit të Ramazanit. Nëse qëllimisht nuk i ka agjëruar tri ditë gjatë Ramazanit, ai duhet t’i agjërojë 63 ditë. Përjashtim nga ky rregull bën personi, i cili nuk e ka agjëruar një ditë dhe menjëherë i ushqen 60 të varfër, dhe vazhdon të agjërojë, por prapë nuk agjëron një apo më shumë ditë. Ky person detyrohet prapë me kefaret, ngase dënimi i parë nuk mund të vlejë për ditët e prishura më vonë.(13)
_____________
1. Buhariu, nr. 8, 1/11; Muslimi, nr. 16, 1/45.
2. Ilmihal i zgjeruar, tema: “Çka e prish agjërimin?”, fq. 375, 2018.
3. Po aty.
4. El-Hidajetu sherhi bidajeti el-Mubtedi, fq. 39, Bejrut - Liban.
5. Transmetojnë Buhariu, 20, Muslimi, 262, Ebu Davudi, 263.
6. Transmeton Muslimi, Muhtesar el Mundhiri, 604.
7. Sejid Sabik, Legjislacioni i traditës profetike, vëllimi I, fq. 487, 2011.
8. Temamul Minneh.
9. Abdulhamid Mahmud Tuhman, Fikhu Hanefi, fq. 496, 2011.
10. El Hidaje, Kitabu Saum, fq. 150, Bejrut - Liban.
11. Transmetojnë Buhariu, 3/32, Muslimi, 3/138, Ebu Davudi, 2/313.
12. Muslimi, nr. 11111, 2/782.
13. Ilmihali i zgjeruar, tema: Kefareti, fq. 379, 2018