Ramazani dhe zhvillimi i njeriut në fokus
Muaji i shenjtë Ramazan, përfaqëson një periudhë të mbushur me motive dhe frymëzime për njeriun. Jo vetëm aq, por ai shërben edhe si një furnizues i fuqishëm energjisë që sjell te njeriu një mori ndryshimesh dhe përmirësimesh që doemos të reflektojnë në sjelljet e tija. Allahu Fuqiplotë ua bëri obligim myslimanëve agjërimin e këtij muaji me ajetin kuranor: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të arrini devotshmërinë." (El Bekare, 183). Për të vijuar në ajetet e mëposhtme qartësimin, ku ndër të tjera thotë: "Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El Bekare, 185). Nga kjo urdhëresë e Krijuesit të Gjithëdijshëm, myslimanët kuptojnë se qëllimi kryesor i agjërimit të Ramazanit, po edhe të gjitha adhurimeve që kryhen brenda tij, është arritja e devotshmërisë dhe kësisoj si agjërimi i ditëve të tija po edhe falja e teravive, që janë një adhurim i posaçëm i netëve të këtij muaji, janë mjete për të arritur këtë qëllim.
Përbërja e qenies njeri
Njeriu përbëhet nga katër komponentë kryesorë dhe madhështia e Islamit qëndron në faktin se për secilin nga këto komponentë ka trajtimin dhe ushqimin e duhur. Aspekti material i njeriut është vetëm një nga këto katër komponentë. Shpirtërorja, intelekti dhe emocionet përfaqësojnë tri komponentët e tjerë.(1)
Shpirtërorja brenda njeriut dhe Ramazani
Materialja dhe shpirtërorja brenda njeriut janë gjithmonë në proporcion të kundërt, ngritja e njërës nënkupton uljen e tjetrës. Nga udhëzimet profetike që përshkruajnë gjendjen e haxhiut që viziton vendet e shenjta, shohim neglizhimin e qëllimshëm të anës së tij materiale, gjithmonë duke mos kaluar në papastërti, ngaqë ky anashkalim i materiales ngrit aspektin e tij shpirtëror duke e çuar atë në një nivel të lartë që rezulton me hapjen e dyerve të Qiellit. Ramazani, në radhë të parë, shërben për këtë qëllim, fokusimin në anën shpirtërore dhe forcimin e saj. Nga Muhamedi a.s. përcillet se “shejtani rrjedh brenda damarëve të birit të Ademit siç rrjedh gjaku”(2), e Imam Gazaliu, ekspert i spiritualizmit, përmend një transmetim që, edhe pse ka pasaktësi në zinxhirin e transmetuesve, është kuptimplotë dhe i saktë në porosinë që jep. Kjo pjesë e shtuar që mund të llogaritet edhe si udhëzim në luftën kundër shejtanit dhe djallëzive thotë: “andaj, ngushtoni rrjedhat e tija nëpërmjet urisë”.(3)
Definicioni terminologjik i Ramazanit është abstenimi nga haja, pija dhe kontakti gjinor, që prej agimit deri në perëndimin e diellit. Megjithatë, agjërimi arrin vlerën e tij të plotë kur nga e keqja abstenojnë edhe të gjitha gjymtyrët e njeriut nga të vepruarit keq. Ngushtimi i rrjedhave të së keqes brenda njeriut nëpërmjet urisë, që është kuptimi i parë i agjërimit, e ngrit nivelin shpirtëror të myslimanit dhe i hap rrugën atij për të arritur qëllimin tjetër, atë të abstenimit të veprimit keq në të gjitha format, me të gjitha gjymtyrët. Nisur nga kjo strategji e ngritjes së shpirtërores, myslimanit në Ramazan i ofrohet një mjedis unik i favorshëm për vetëreflektim, duke i lejuar të rivlerësojë prioritetet e tija, të kërkojë falje për gjynahet e së shkuarës dhe të zhytet valëve të së panjohurës me siguri dhe shpresë, me bindje dhe kurajë, me mbështetjen në më të Fortin, Siguruesin. Ishulli i materiales në detin e spiritualizmit "Ne i dhamë atij (Isait) Inxhilin (Ungjillin), kurse në zemrat e pasuesve të tij mbollëm butësi dhe mëshirë. Sa për murgërinë, Ne nuk ua urdhëruam atë, por ata e shpikën vetë për të arritur kënaqësinë e Allahut. Megjithatë, nuk u kujdesën siç duhet për të ..." (El Hadid, 27).
Allahu Fuqiplotë si Krijues i njeriut e njeh çdo imtësi të qenies së tij dhe ka dije të përsosur edhe për skutat më të errëta të çdo elementi të ekzistencës së tij. Prandaj nuk ka urdhëruar asnjë popull në historinë njerëzore, e as myslimanët, në diçka që bie në kundërshtim me harmoninë në të cilën rrjedh qenia njerëzore. Nganjëherë, historikisht, njerëzit i kanë bërë obligim vetes disa veprime që prishin këtë harmoni funksionale të qenies së tyre, me të vetmin qëllim të kënaqin Madhërinë e Tij. Kështu kanë vepruar edhe besimtarët e Isait a.s. që shpikën murgërinë pas vdekjes së tij, por nuk mundën ta plotësojnë atë siç duhet. Murgjit e krishterë në Mesjetë stimulonin papastërtinë me qëllim të ngritjes së shpirtërores. Islami, për dallim, në çdo adhurim të tijin stimulon mbajtjen e baraspeshës mes të dyjave. Namazin, që është kontakti më i lartë shpirtëror për besimtarin gjatë të cilit ai i drejtohet Krijuesit të vet, e fillon me abdes, pra me pastrim, veprim ky që është fokusim në anën materiale të qenies njerëzore.
Edhe Ramazani, në këtë kontekst, ka ruajtur këtë harmoni të komponentëve të njeriut dhe nuk e ka neglizhuar plotësisht anën materiale. Pas një fokusi në anën shpirtërore nëpërmjet agjërimit, vjen koha e iftarit dhe fokusimit në anën materiale. Si pasojë, Islami nuk ka ndaluar asnjë nga ushqimet që janë të lejuara jashtë Ramazanit.
Megjithatë, është e pakontestueshme se vëmendja, në masën më të madhe, gjatë Ramazanit është në anën shpirtërore dhe kjo nuk e prish harmoninë e përgjithshme, ngase qëllimi i Islamit është të sigurojë baraspeshën në qenien njerëzore përgjatë gjithë vitit dhe ky fokusim në anën shpirtërore gjatë tërë muajit formon baraspeshën e përgjithshme mes këtyre dy komponentëve në periudhën njëvjeçare.
Nga ana tjetër, nuk gabojmë nëse themi se, Ramazani largon fokusin nga ana fizike e njeriut për ta forcuar atë. Janë të njohura dobitë e shumta shëndetësore të agjërimit dhe trajtimet për sëmundje të ndryshme që bëhen me të në klinika me renome botërore, si klinika Buhinger.
Pra, në trajtimin shpirtëror që Ramazani i bën besimtarit të sinqertë, nuk ka lënë pa ndërtuar në këtë det plot dobi një ishull të materiales. E ka bërë këtë i Urti, i Mirinformuari.
Nuk ka fe ai që nuk ka mendje
Shpallja e fundit e Zotit, Kurani është shpallur në Ramazan. Allahu Fuqiplotë thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)..." (El Bekare, 185) Kurani përfaqëson mrekulli, është i papërsëritshëm, niveli më i lartë dhe i sofistikuar që mund ta ketë një libër dhe nuk e ka të shoqin. Ai nëpërmjet përzgjedhjes së duhur të fjalëve, radhitjes së tyre në fjali dhe kuptimit të thellë dhe të plotë që përçon te lexuesi është mrekullia më e madhe e Muhamedit a.s., nëpërmjet të cilës ka sfiduar gjithë poseduesit e intelektit.
Muhamedi a.s. çdo Ramazan përsëriste Kuranin me Xhibrilin, në një formë interaktive.(4) Ky theksim i fokusimit në leximin, meditimin dhe interaktivitetin me Kuranin nuk ka qenë i rastësishëm në Ramazan, ashtu siç nuk është e rastësishme përzgjedhja e këtij muaji për ta zbritur atë. Nga praktika e Muhamedit a.s. mësojmë se është sunet të lexohet një herë Kurani, të paktën, gjatë këtij muaji. Kjo praktikë tregon se Muhamedi a.s. ushqente mendjen, krahas ushqimit të shpirtit dhe trupit gjatë këtij muaji të bekuar.
Ndjenjat dhe emocionet nën llupën e Ramazanit
Nga aspekti i emocioneve, ndjenjave dhe sjelljeve njerëzore të ndërlidhura me emocione, Ramazani i agjëruar me sinqeritet bën një reformë rrënjësore te njeriu, ose të paktën i dynd themelet e sjelljeve njerëzore të gabuara. Agjërimi gjatë Ramazanit kërkon abstenim nga ushqimi, pijet dhe nevojat e tjera fizike gjatë orëve të ditës. Ky akt i vetëdisiplinës dhe vetëkontrollit shkon përtej sferës fizike dhe shtrihet në aspektet psikologjike dhe emocionale të jetës së një individi. Praktika e agjërimit gjatë Ramazanit ka një ndikim të thellë në karalcterin dhe personalitetin e myslimanëve, pasi nxit cilësi të tilla si durimi, ndjeshmëria dhe mirënjohja.
Një nga ndikimet kryesore të agjërimit në Ramazan është zhvillimi i durirnit. Agjërimi teston aftësinë e një individi për të kontrolluar dëshirat e tyre dhe për t'i rezistuar tundimeve. Gjatë gjithë ditës, myslimanët përballen me sfida të ndryshme, si ndjesia e urisë dhe etjes. Duke praktikuar përmbajtjen dhe duke i duruar kao sfida, individët rritin gradualisht nivelin e durimit të tyre. Ky durim i sapo gjetur shpesh shtrihet përtej muajit Ramazan, duke kontribuar në një personalitet më të kompozuar dhe më flelcsibil në jetën e përditshme.
Për më tepër, agjërimi gjatë Ramazanit gjithashtu kultivon ndjeshmëri brenda individëve. Gjersa myslimanët përjetojnë shqetësimin fizik të urisë dhe etjes, atyre u kujtohet gjendja e atyre me më pak fat. Kjo ndjenjë e rritur e ndjeshmërisë inkurajon aktet e bamirësisë dhe dhembshurisë ndaj të tjerëve. Myslimanët janë të motivuar për të ndihmuar dhe mbështetur ata në nevojë, duke nxitur një mirëkuptim dhe lidhje më të madhe me të tjerët. Kjo natyrë empatike rrit aftësitë e tyre ndërpersonale, duke i bërë ata individë më të dhembshur dhe më të kuptueshëm. Përveç saj, agjërimi gjatë Ramazanit ngjall edhe mirënjohje tek agjëruesit që nëpërmjet abstenimit bëhen të vetëdijshëm për bekimet që shpesh i marrin si të mirëqena në jetën e tyre të përditshme. Kjo ndjenjë e shtuar e mirënjohjes u mundëson myslimanëve të vlerësojnë bollëkun në jetët e tyre dhe të zhvillojnë një këndvështrim më pozitiv, duke rritur si pasojë mirëqenien e tyre të përgjithshme që rezulton në një personalitet më optimist dhe më të kënaqur.(5)
Ndikimi i agjërimit në Ramazan shtrihet përtej nivelit individual dhe përshkon të gjithë komunitetin mysliman. Përvoja e përbashIcët e agjërimit nxit një ndjenjë uniteti dhe solidariteti mes myslimanëve. Përpjekja kolektive promovon një ndjenjë të fortë përkatësie dhe zhvillimin e një komuniteti koheziv. Praktika e faljes së teravive në bashkësi me imam, që janë një adhurim sunet, forcon ndjenjën e përkatësisë dhe përafron anëtarët e komunitetit. Individët fitojnë një ndjenjë krenarie në praktikat e tyre të përbashkëta fetare, gjë që forcon më tej identitetin e tyre dhe zhvillimin e përgjithshëm të personalitetit.
Ndër dobitë e shumta që Ramazani ia sjell besimtarit në aspektin emocional është edhe guximi për të thyer rutinën dhe të zakonshmen. Ky guxim, krahas faktit që e mëson myslimanin si të menaxhojë me situatat e jashtëzakonshme, bile edhe të adaptohet me to dhe të krijojë një stil të ri jetese varësisht prej nevojave dhe rrethanave, me nxjerrjen tonë prej zonës së komfortit, na bind praktikisht se sendet e mëdha dhe të rëndësishme në jetë, si ruajtja e harmonisë brenda qenies sonë, vijnë çdoherë pas përpjekjeve dhe sforcimit nga ana jonë. Megjithatë, nga përvojat individuale, asnjë agjërues nuk e mohon se i tij është vetëm hapi i parë dhe se vazhdimësia karakterizohet me një forcë të brendshme, burimin e së cilës nuk e njohim dhe nuk mund ta definojmë. Kjo do të na thotë zëshëm të gjithëve se ashtu siç në lcëtë muaj, edhe në jetë, në çdo nismë tonën, po u fokusuam dhe e dhamë përpjekjen tonë në formë serioze, vazhdimësia dhe suksesi do vijnë natyrshëm nga burime që nuk do mund t'i definojmë prej perspektivës sonë njerëzore. Prej nesh, sot dhe çdoherë, është kërkuar hapi i parë, me zemër të sinqertë.
Përfundim
Koncepti i devotshmërisë që kërkohet nga ne gjatë këtij muaji, nga ajo që përmendëm më lart, del të jetë më gjithëpërfshirës nga ajo që tradicionalisht kuptohet nga ky term. Duke u fokusuar në të gjitha aspektet e qenies njerëzore, devotshmëri përfshin ngritje shpirtërore, forcim fizik, përmirësim të brendshëm emocional dhe ngritje intelektuale për myslimanin gjatë Ramazanit, “që të bëheni të devotshëm" - që përmendet në ajetin e ligjësimit të agjërimit nënkupton të gjitha këto. Neglizhimi i ndonjërit nga këto aspekte gjithsesi se e bën personalitetin model të myslimanit të çalë dhe poshtë nivelit të ideales. Ramazani është ligjësuar që ne të dalim të ndryshëm, më të mirë, më të arritur në të gjitha këto aspekte.
____________________
1. Ndarja e qenies njerëzore në katër komponentë është teori e prof. dr. Azmi Taha. Shih: Azmi Taha, Islamic Culture. (Aman: Kuds Open University, 2017) 2. Muhamed Ismail el Buhari, "Sahih el Buhari". (Damask, Ibën Kethir Publishing, 1993), v. 6, fq. 2623,
3. Ebu Hamid el Gazali, "Ihja Ulum el Diin", (Bejrut, Marifah Publishing), v.3, f. 82.
4. Shih: Buhariu, v. 3, fq. 1177, hadithi numër 3048.
5. Ahmed, M. A. (Përfitimet psikologjike dhe fizike të agjërimit), Journal of Religion and Health, (2015), 54 (2), 424-434.