Për nga natyra e krijimtarisë së tij, njeriu është krijesë me aftësi për të përzgjedhur në mes të mirës dhe të keqes. Për shkak të kësaj aftësie, historia njerëzore, në përputhje me rrethanat dhe rrjedhën e jetës shoqërore, tregon ndryshime periodike në luftën midis monoteizmit dhe politeizmit. Përderisa gjatë kohës kur vinin profetët me shpallje, mbizotëronte e mira në aspektin e monoteizmit, moralit dhe sjelljes, pas një kohe, me fillimin e lënies anash të mësimeve të shpalljes, fillonte kthimi mbrapa në shumë aspekte, si politeizëm, skllavëri, imoralitet dhe vepra të liga në përgjithësi. Në një gjendje të këtillë ishte edhe besimi i arabëve kur filloi zbritja e Kuranit, që duke i vënë theks të veçantë monteizmit (teuhidit) filloi të kthejë gjithçka në origjinën dhe fisnikërinë e tij, rregulloi besimin e devijuar dhe jetën shoqërore. Në lidhje me këtë parim si dhe me parimin e bujarisë, na flet kaptina Keuther, ku shprehet begatia dhe të mirat e pakufishme që Zoti i dhuroi të dërguarit të Tij, Muhamedit a.s. në të dy botët, i kërkoi që të bëjë mirë nga mirësitë që i ishin dhënë, dhe që t’i lutej Atij sinqerisht. Kjo kaptinë, e zbritur në Mekë,(1) pas kaptinës El Adijat, përbëhet nga tri ajete të shkurtra, që janë në harmoni me njëra-tjetrën, me një përmbajtje të pasur dhe të larmishme. Është emërtuar “Suretu’l-Kevtheri” - kaptina e Keutherit, e të gjitha të mirave.
Lidhshmëria e kësaj kaptine me kaptinat e tjera
Sa i përket lidhmërisë së kaptinës Keuther me kaptinat e tjera kuranore, kjo kaptinë, përkundër numrit të vogël e të shkurtër të ajeteve që ka, përmbajtja e saj është si një plotësim për të gjitha kaptinat e tjera paraardhëse dhe si një gurthemel për kaptinat që vijnë pas saj. Si rrjedhojë, burimet, më së shumti e përmendin lidhjen e fuqishme që përmban kjo kaptinë me kaptinën paraardhëse në renditjen kuranore, kaptinën El Maun, ngase, përderisa në kaptinën El Maun, flitet për dy grupe njerëzish, për jobesimtarin mohues të të mirave të Zotit dhe të Ditës së Gjykimit në botën tjetër, dhe për hipokritin, që veprat e tij nuk kanë si qëllim kënaqësinë e Allahut, por, si në vepra ashtu edhe në adhurime është artificial – muraijj, kaptina El Keuther, flet rreth besimit në jetën tjetër dhe cilësive pozitive, si lëmosha, ndihma, bamirësia. Kuptimet që rrjedhin nga shprehja “keuther” theksojnë faktin se Allahu i Madhërishëm, përballë cilësive të hipokritëve dhe jobesimtarëve, manifeston bujarinë dhe të mirat e Tij ndaj të Dërguarit dhe pasuesve të tij. Përderisa në kaptinën El Maun, qortohet falja e namazit për syfaqësi, si një cilësi tjetër negative e hipokritëve, kaptina El Keuther, udhëzon besimtarin të mos adhurojë të mirat që i jepen, të mos jepet pas tyre, por përkundrazi të orientohet nga Dhuruesi i tyre, nga Zoti i Madhëruar duke i bërë të gjitha adhurimet dhe flijimet vetëm për hir të Tij.(2) Njashtu theksi i monoteizmit sikur në kaptinën Keuther përfshihet edhe në kaptinën pasuese El Kafirun, e cila vërteton njëherë e përgjithmonë se adhurimi është meritë vetëm e një Zoti, dhe se propozimi i idhujtarëve që Muhamedi a.s., t’i adhurojë një vit zotat e tyre, kurse vitin tjetër ata të adhuronin Zotin e Muhamedit a.s., është i papranueshëm për sa të jetë jeta.(3)
Shprehja “Keuther” dhe kuptimi i saj
Kjo kaptinë kuranore fillon me një fjali përgëzuese për Muhamedin a.s. nga ana e Krijuesit duke thënë: “Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira.”(4) Ky ajet, aq sa përmban kuptim domethënës, po aq është edhe gjithëpërfshirës. Shprehja “keuther”, e cila në aspektin linguistik shpreh “bollëk, bereqet”(5) në kuptim të përgjithshëm përdoret për objekte që janë të mëdha në numër dhe konsiderohen me vlerë dhe rëndësi në këndvështrimin e njerëzve.(6) Ndërsa, sipas komentatorit të njohur, Kurtubiut, me shprehjen “keuther”, arabët përshkruajnë çdo gjë që është me vlerë dhe rëndësi për ta dhe ka një sasi ose numër të madh.(7) Megjithatë, në kuptimin kuranor të kësaj shprehjeje, në mesin e dijetarëve ekzistojnë shumë mendime, ndër to: Keuther mund të jetë një lum në Xhenet, që kush pi prej tij nuk e kap më etja, ose një krua i posaçëm për Muhamedin a.s. dhe ymetin e tij, por më gjithëpërfshirësi nga këto mendime mund të konsiderohet qëndrimi i Ibën Abbasit, sipas të cilit “keuther” janë të mirat e shumta që iu dhanë Pejgamberit, si: grada pejgamber, libri, urtësia e përsosur, shefati, kroi, pozita e lavdishme (mekami mahmudi), shumë ymet, shumë çlirime të vendeve etj..(8)
Njëshmëria e Zotit në kontekstin e kësaj kaptine
Zoti i Madhërishëm pas përgëzimit të Pejgamberit a.s. për të mirat dhe për bujarinë ndaj tij, në versetin e dytë të po kësaj kaptine duke urdhëruar: “Prandaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!”,(9) vë në theks faktin se namazi, sakrifica, flijimet dhe çdo adhurim tjetër, duhet të jenë thjesht vetëm për hir të Zotit të Lartësuar për të përfituar kënaqësinë e Tij.(10) Komentatorët e Kuranit japin disa mendime rreth qëllimit të shprehjes “fesal-li” – “fal namazin”. Thuhet se në këtë ajet ka për qëllim namazin e falënderimit ndaj ndonjë mirësie (salatu’s-shukr),(11) pesë kohët e namazit, namazin e sabahut ose namazin e bajramit, namazin e falur në Hudejbije.(12) Megjithatë rrjedhimisht kuptohet e shprehja “fesal-li” nuk nënkupton një namaz të veçantë, por ibadetin e namazit në përgjithësi (adhurimin e namazit).(13) Në këtë këndvështrim thuhet se në këtë ajet kuranor nuk është për qëllim specifikimi i ndonjë namazi apo adhurimi, por sjell në pah qëllimin që duhet të ketë një besimtar gjatë kryerjes së një vepre, ku besimtari bashkon sinqeritetin me besimin, duke besuar bindshëm se Allahu është Një dhe i pashoq, dhe se vetëm Ai meriton flijimet e tij. Në këtë kontekst, kuptimi i ajetit do të ishte: “Kur t’i veproni këto, veproni për hir të Zotit”(14), ngase është i njohur fakti se para shpalljes së fundit hyjnore, ishte traditë e idhujtarëve që gjatë tavafit rreth Qabesë t’u luteshin idhujve duke fishkëlluar dhe duke ecur lakuriq. Pastaj për hir të tyre flijonin kurbane të ndryshëm që gjoja të arrinin bekimin e tyre.
Vënia e shprehjes “li Rabbike” në mes shprehjes “fesal-li dhe ve’nhar” po ashtu përforcon faktin se adhurimi duhet t’i përkushtohet vetëm Krijuesit, larg politeizmit dhe hipokrizisë. Në këtë kontekst komentatori Er Raziu, shprehet se: “Namazi është bindja e trupit, ndërsa zekati bindja e mallit. Ndërsa bindja e zemrës është që të gjitha këto vepra të bëhen për hir të Allahut.”(15) Po ashtu me përgëzime dhe paralajmërime shpreh edukimin dhe zhvillimin e njeriut në drejtim të besimit në Njëshmërinë e Zotit, dhe largimin e tij nga veprat e liga e të kota për në përsosmëri duke thënë: “Përqendro veten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote...”(16) Kaptina Keuther urdhëron faljen e namazit dhe flijimin për hir të Zotit duke iu bindur Njëshmërisë së Tij, kundër mentalitetit politeist që adhuronin idhuj të bërë në emër të disa “shenjtorëve” përveç Allahut dhe mendonin se ata do të jenë ndërmjetësues në praninë e Tij. Njëkohësisht në këtë ajet kuranor, vihet re një nxitje për seriozitet, përkushtim dhe vendosmëri në faljen e namazeve të detyrueshme dhe atyre vullnetare. Akoma më tej, ky ajet sinjalizon për të mos u vetëmjaftuar me falënderim vetëm në namaz, por falënderimet të shprehen edhe duke bërë sakrifica materiale, siç është therja e kurbanit. Në fund, të gjitha këto porosi hyjnore kurorëzohen ashtu siç urdhërohet në kaptinën En’am: “Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve, Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i myslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!”(17)
Rrëfimi në këtë kaptinë vazhdon me mbështetje dhe përkrahje nga ana e Krijuesit të Lartëmadhëruar ndaj të Dërguarit a.s: “E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur.”(18) Transmetohet se njëri nga idhujtarët i quajtur As bin Vaili, armik i përbetuar i Muhamedit a.s., kur Pejgamberit a.s., sipas vetë urtësisë së Allahut xh.sh., i vdisnin djemtë, të ketë thënë: “Largohuni prej atij, se ai është farë e sosur!” E Zoti i Madhërishëm pasi ia rikujton të Dërguarit të tij se ia ka dhënë të gjitha të mirat, ia rikujton edhe atë se armiku i tij është i pa përkujtuar, farësosur. Kurse djemtë e tij (Pejgamberit a.s.) janë i gjithë ymeti dhe se djemtë e armiqve do ta përkujtojnë atë e jo baballarët e vet, si rasti i djalit të Ebu Xhehlit e shumë të tjerë. Pra, përkujtimi ndaj të Dërguarit do të vazhdojë sa të vazhdojë jeta në këtë tokë, kurse armiku i tij nuk do të përkujtohet, as prej djemve të vet, pra ai është farësosur, i harruar ose do të përkujtohet emri i tij vetëm si sinonim i së keqes dhe i errësirës. Në këtë rast shprehja “ebter” nuk përshkruan vetëm humbjen e trashëgimtarit, por përmban edhe kuptimin e shuarjes së kujtesës, famës dhe kauzës së një individi.
Reflektimi i harmonisë kuranore në përfundimin e ajeteve të kaptinës Keuther
Harmonia në mes vargjeve, renditja, uniteti i formulimit dhe kuptimit, si dhe qëndrueshmëria në mesazhet e dhëna brenda fjalive nuk gjenden në asnjë fjalë tjetër përveç se në Kuranin fisnik. Përmbajtja dhe tematika që trajton ai, janë të një natyre të tillë që mahnitë lexuesit dhe e bën të pamundur krijimin e diçkaje të ngjashme me të. Të këtilla janë edhe përfundimet e ajeteve të kaptinës Keuther me shprehjet “keuther”, “ve’nhar” dhe “ebter”, të cilat kanë një harmoni të fuqishme me njëra-tjetrën sa i përket tingullit dhe përmbajtjes koncize. Këto shprehje në një mënyrë shumë të fuqishme dhe harmonike përcjellin mesazhin e teuhidit, i cili synohet t’u jepet ndërgjegjeve të verbuara nga politeizmi. Shprehja “keuther”, për sa i përket tingullit dhe kuptimit, është plot me konotacione lajmesh të mira që ngrenë moralin e atyre që besojnë në njëshmërinë e Allahut. Ashtu si pellgu i Keutherit, që shpreh kuptimin e një lumi me një gjerësi të caktuar, por që rrjedh në pafundësi, dhe kaptina “Keuther” ofron një kuptim të shkurtër shpirtëror, i cili përqendron besimtarin drejt mirësisë dhe bukurisë së pafund. Shprehja “ve’nhar” ashtu siç është një urdhër që ndërpret lidhjen e politeizmit me Teuhidin, ngjashëm si një mjet i mprehtë apo një thikë kurbani, e drejton njeriun të arrijë bekimin e Keutherit, duke e pastruar atë nga elementet e politeizmit. Nga ana tjetër, ky urdhër thekson faktin se ata që nuk shkëputen nga politeizmi, do të mbeten në ngërçin e “ebterit”.
Tematika e kaptinës Keuther është në harmoni me procesin e largimit nga politeizmi dhe të jetuarit në monoteizëm, si e vetmja rrugë e shpëtimit. Kjo rrugë arrihet me adhurim të sinqertë dhe me përkushtim ndaj Zotit të Madhërishëm, si dhe falënderim ndaj Tij për të gjitha mirësitë e panumërta që i dhuroi njeriut.
_________________________
1. Në anën tjetër, Hasan el Basriu, Ikrimja, Muxhahidi dhe Katadeja, janë të mendimit se kjo kaptinë ka zbritur në Medinë. këtë mendim e përkrah edhe Ibën Kethiri. (Ez-Zuhajli, Et-Tefsiru’l -Munir, XXX/428).
2. Razi, Et Tefsiru’l-Kebir, I/4851.
3. Razi, Et Tefsiru’l-Kebir, I/4852, 4867.
4. Keuther, 108/1.
5. Ibën Durejd, Xhevheretu’l-Xhemhere, II/1174.
6. Shevkani, Fethu’l-Kadir, V/614.
7. Kurtubi, El Xhami li Ahkami’l-Kur’an, XX/216.
8. Taberi, Xhamiu’l-Bejan, XXIV/647; Begavi, Mealimu’t-Tenzil, VIII/554.
9. Keuther, 108/2.
10. Taberi, Xhamiu’l-Bejan, XXIV/654.
11. Ibën Abbas, Tenviru’l-Miḳas, I/520.
12. Ibën Abbas, Tenviru’l-Miḳas, I/520; Taberi, Xhamiu’l-Bejan, XXIV/653.
13. Tahavi, Ahkamu’l-Kur’an, I/183-184.
14. Maturidi, Tevilat, XVII/ 346.
15. Razi, Et Tefsiru’l-Kebir, I/4864.
16. Rrum, 30/30.
17. En’am 6/162-163.
18. Keuther, 108/3