Kurani dhe ne - sa i ngjajmë atij


Çdo njeri është i krijuar me nevoja biologjike e shpirtërore. Njeriu ka nevojë të besojë, të dashurojë, të kuptojë, të pushojë, të argëtohet, të konsumojë ushqime dhe pije të shijshme, të jetojë jetë të qetë dhe të lumtur, etj. Por, shumica e ambicieve dhe ëndjeve që janë të njëanshme, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë, as që do të jenë ndonjëherë, të legjitimuara dhe të pranuara si mekanizma që njeriut do të mund t’i ofrojnë ndonjë model dhe metodë me anë të të cilave ai do ta gjente prehjen, qetësinë dhe lumturinë shpirtërore në të dyja botët, janë të përkohshme dhe fiktive. Megjithatë, ekziston një dashuri, e cila, me siguri, do të jetë e kompensuar shumëfish, e shpërblyer me mënyrën më të zgjedhur dhe më shembullore, e ajo është dashuria e vërtetë, markante, e pakontestueshme ndaj Allahut të Madhërishëm, ndaj të Dërguarit të Tij, ndaj Librit të Tij, ndaj njeriut dhe ndaj krijesave të tjera. Këto dashuri sensibilizojnë dualizmin e njeriut, nëpërmjet të cilave njeriu duhet ta orientojë veten drejt sendërtimit të së ardhmes dhe jetës së tij. 
Veprimi që nuk mbështetet në këtë vijë të shëndoshë hyjnore dhe nuk pasohet nga ndjesia e dashurisë dhe mirëkuptimit, vetvetiu është i ngurtë dhe si rrjedhojë është i pafrytshëm dhe i dëmshëm. Shoqëria myslimane posedon dhuntinë dhe shpërblesën më të madhe, e ka Kuranin, me anë të të cilit siguron dhe garanton mirëqenien globale, ndërton konstitucionet e vetërealizimit të vet, ndërton rendin shoqëror e botëror mbi baza të legjislaturës më të shëndoshë, dhe është e vetmja shoqëri e zgjedhur për ta realizuar misionin e Zotit në tokë, miqësisht, denjësisht dhe drejtësisht, pa shtrembërime e keqinterpretime, ashtu si konceptohet në Kuranin famëmadh.
Allahu i Lartësuar thotë: “...Ne ty të shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët.”(1) 
“...Ai është një libër ngadhënjyes (i pashoq). Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë, është i Zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.”(2) 
Në bazë të kësaj, jo që mund të dyshohet se Kurani është një libër në të cilin mund të gjenden elemente të afatizuara, mësime që s’i përkasin së sotmes, kontradikta dhe të meta, veçse konfirmohet fakti se ai është i vetmi libër që meriton të jetë “udhëheqës” i proceseve njerëzore, burim i mendimit islam, udhëzues elokuent i papërsëritshëm, dhe i vetmi sistem që siguron mundësinë për një organizim të mirëfilltë të njerëzimit në tokë, mbase edhe shpëtim dhe ndërmjetësim në botën tjetër. I dashuri ynë, shkëlqesia e universit, Muhammedi, s.a.v.s., në këtë kontekst, thotë: “Mbahuni fort pas Kuranit dhe njiheni atë për udhëheqës dhe komandant, sepse ai është fjala e bekuar e Allahut, xh.sh., edukuesit të botëve! Erdhi prej Tij dhe tek Ai do të kthehet!”(3) 
Kjo thënie e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., na tregon edhe një qëllim tjetër madhështor që bart ky Kuran me vete. Ai, sipas kësaj thënieje, llogaritet “udhëheqës” dhe “komandant”, i cili erdhi për t’i orientuar dhe organizuar njerëzit në frymën që është, sa hyjnore, aq edhe njerëzore, dhe më pas të kthehet, përsëri, tek Zoti i të gjitha botëve. Andaj, nuk është çudi që Xhemalud-din el-Afgani të jetë inspiruar nga kjo thënie e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., kur ka thënë: “Me këtë qëndrim timin nuk kërkoj që ai i cili u sjell (myslimanëve) urdhra në të gjitha çështjet, të jetë një person, sepse kjo mund të ishte vështirë për t’u arritur, por ajo që shpresoj, është që Kurani të jetë udhëheqës për të gjithë myslimanët, kurse feja modeli i bashkimit të tyre”.(4) 
Duke i pasur parasysh mundësitë dhe përballjet që atëherë i përjetonte Bota Islame, por edhe sot, ky dijetar më së shumti artikuloi idenë dhe theksoi nevojën e organizimit dhe udhëheqjes së myslimanëve në bazë të mësimeve të Kuranit famëmadh. Po kështu shprehet edhe Muzaffer Halim, i cili thotë: “Kurani është një udhëheqës për të gjitha qeniet e gjalla në planetin Tokë dhe është një tekst libri për mësimin e një gjuhe të re - gjuhës shpirtërore.”(5)
Kurani nuk mund të jetë “udhëheqës” fizik i natyrës së krijesës dhe nuk mund të imagjinohet si i tillë. Me këtë që themi, nuk pretendojmë të krijojmë një imazh të ri të Kuranit, porse vetëm të ritheksojmë rëndësinë dhe rolin e tij në shoqërinë myslimane si “komandant”, drejtues dhe mësues shpirtëror i njeriut, për ta orientuar dhe nxitur që të bëjë vepra të mira dhe ta mësojë se si të veshë petkun dhe rolin që ia ka caktuar Zoti në tokë.
Për ta besuar dhe kuptuar këtë rol madhështor që ka Libri i Allahut, Kurani fisnik në jetën tonë do të duhet të konsiderohet i pacenueshëm, i paprekshëm, i përkryer, ideal, i studiuar dhe i praktikuar me ndjenjën e dashurisë së sinqertë. 


Ç’është dashuria e sinqertë 


“Dashuria e sinqertë” nuk është diçka e re, as formulim që nuk përkon me të vërtetën, por një koncept i mbështetur fort në mësimin hyjnor dhe arsyen e shëndoshë. Ky koncept ndihmon shumë në afirmimin e njeriut dhe shoqërisë me gjithçka i rrethon. Nuk mund të imagjinosh një dashurues të madh të Librit të Allahut, e nga ana tjetër të jetë injorant në aspektin e praktikimit të mësimeve dhe urdhëresave të tij, e aq më pak, të mund të të shkojë mendja të mendosh për njeriun që e do Kuranin, kurse raporti ndaj dashurisë së Allahut, të Dërguarit të Tij, njeriut dhe krijesave të tjera - të jetë i shpërfillshëm, indiferent, i zbehtë dhe i pasinqertë. 
Të besuarit dhe të kuptuarit e Kuranit në bazë të këtij koncepti, duke u mbështetur fillimisht në boshtin dhe forcën e të gjitha dashurive të tjera, pra në dashurinë ndaj Krijuesit tonë, pasi që teuhidi, respektivisht Allahu, xh.sh., konsiderohet si burimi i vetëm i ekzistencës dhe Islamit, mundëson që ai të jetë i kuptuar dhe i zbatuar më lehtësisht. Gjallëria dhe funksionaliteti, që arrihet nëpërmjet forcës që prezanton mësimi kuranor, nuk mund të kuptohen dhe të manifestohen, nëse raporti ynë me Kuranin nuk është si rezultat i kësaj dashurie. Kjo dashuri e sinqertë arrihet kur e njohim mirë atë. Sepse, përndryshe, zhgënjehemi rëndë nëse themi që e duam Kuranin pa e lexuar, kuptuar dhe studiuar mirë, aq më pak mund të pretendojmë se i ngjajmë atij. 


Kurani, burimi i paqes dhe dashurisë 


Në ditët e para kur shpallej Kurani, shoqëria, në mesin e së cilës ai zbriste, jetën dhe sistemin e organizimit shoqëror e konstituonte në bazë të injorancës, konflikteve, luftërave dhe urrejtjeve të pandërprera. Fillimisht Kurani bënte thirrje për një besim të vetëm, gjegjësisht për njohjen dhe adhurimin e një Zoti. Allahu, me Fjalën e tij, i promovuar nga Kurani si Zoti i vetëm, që nuk ka shok e as rival, i palindur nga askush dhe që nuk ka lindur askënd, Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, Furnizuesi i çdo gjëje, - u bë simboli dhe burimi i paqes, dashurisë dhe harmonisë. Vërtetësia dhe elokuenca e Kuranit sensibilizonte qenien njerëzore, çlironte shpirtrat e fundosur në injorancë, i theu të gjitha besëtytnitë dhe i lëshoi filizat e parë të ndërtimit të një shoqërie religjioze, e orientuar dhe e thelluar në paqe, dashuri dhe harmoni ndërnjerëzore. Janë të pavërteta opinionet islamofobe, të dala edhe kohët e fundit, nga personalitete dhe institucione të ndryshme, gjoja se Kurani nxit luftën, urrejtjen dhe disharmoninë ndërfetare, ndërkulturore dhe përgjithësisht ndërnjerëzore. 
Natyra e Kuranit është paqësore dhe mëshiruese. Kurani zbriti për ta sjellë rendin e ri në faqe të tokës, për ta sjellë paqen dhe për t’ia kthyer njeriut dinjitetin dhe karakterin e pastër, respektivisht kthimin e tij nga Zoti i vërtetë. Kurani u bë referencë e kohës për unitet, paqe dhe zhvillim. Sa kohë që është kështu, atëherë si është e mundur që ne të dallojmë kaq shumë nga ky libër yni? Nga këto mësime të pastra dhe përherë të dobishme. Nëse analizojmë realitetin tonë shoqëror, së pari si myslimanë e më pastaj si njerëzim, jemi shumë larg konceptit të paqes dhe dashurisë globale që ofron Kurani. Paqja dhe dashuria kuranore është origjinale, e zhveshur nga maska, urrejtja dhe qëllimet e errëta. Është ideale, e pazëvendësueshme, që i përfshin të gjitha sferat e jetës! 


Sikur të ishim një fjalë e Kuranit që ecën mbi tokë 


S’ka dyshim se largimi ynë nga Kurani ka shkaktuar mosrespektimin dhe moskuptimin e tij dhe të normave që burojnë nga ai, dhe kështu kemi filluar të bëjmë një jetë jashtë udhëzimeve madhështore dhe të pashembullt. Sa prej nesh sot zgjohemi në mëngjes dhe kapemi për Kuranin; sa jemi nga ata që përnjëmend zgjidhjet dhe shërimet i kërkojmë po aty; frymëzimet dhe mendimet tona sa janë që burojnë prej tij; ku është jeta jonë e ndërtuar në parimet dhe kod ekset e tij fisnike; ku shfaqet morali ynë islam i nxjerrë po nga ky Kuran? Cili është raporti ynë me Kuranin? Sa e ndjekim ne synetin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., në shndërrimin e qenies sonë në një Kuran të gjallë që ecën?! Në transmetimin që vjen nga Hisham bin Hakem, thuhet se kur pyetën Aishen r.a., se cili ishte morali i të Dërguarit, s.a.v.s., ajo pati thënë: “Morali i tij ishte Kurani”.(6) 
Po, ai ishte Kurani i gjallë! Po ne sa jemi të gjallë me Kuranin; sa jemi Kurani që ecën?! Po nëse nuk jemi të tillë, a jemi një sure, një ajet apo një fjalë e tij që ecën mbi sipërfaqen e tokës?! Sa dashuri e madhe dhe e sinqertë kultivohet në të, e ne jemi të prekur pak nga ajo dashuri. Pak na rrëqethet lëkura, pak na rrah zemra e pak na shpërthen loti për të. Dashuria për Zotin, dashuria për familjen, për atdheun, për njerëzimin, për natyrën, kafshët, gjallesat, etj., mbetet në qendër të përkushtimit të tij. Sa jemi ne të përkushtuar ndaj këtyre? 
Sot mund të hasësh në njerëz që e lexojnë Kuranin, por prej tij kuptojnë pak. Mund të gjesh njerëz që flasin shumë për të, por pak punojnë sipas tij. Është një kohë e vështirë, e alarmuar nga Muhammedi, a.s. 
Në një rast Muhammedi, a.s., i pati thënë Ibn Mes’udit, r.a., kështu: “Ti jeton në një kohë në të cilën ka shumë prej njerëzve që i kuptojnë dispozitat e Kuranit, ndërsa të paktë janë ata që e lexojnë. Shumë njerëz jetojnë sipas Kuranit dhe i ruajnë dispozitat e tij, kurse të paktë janë ata që kujdesen për shkronjat e tij. Të paktë janë fukarenjtë, ndërsa të shumtë janë ata që japin lëmoshë. Njerëzit në namaz rrinë gjatë, ndërsa flasin pak. Më shumë punojnë sesa flasin. E do të vijë një kohë, kur do të ketë më pak nga ata që e kuptojnë Kuranin, e më shumë nga ata që e lexojnë atë. Atëherë dispozitat e Kuranit do të shuhen (së zbatuari), e më shumë do të kujdesen për shkronjat e tij. Të shumtë do të jenë fukarenjtë, e të paktë ata që japin. Koha do të harxhohet më shumë në fjalime, e pak në lutje. Pak do të punohet, e më shumë do t’i kënaqin epshet e tyre.”(7) 
Në një hadith tjetër, ku Muhammedi, a.s., e përshkruan gjendjen tonë, thotë: “Do të vjetrohet Kurani në zemrat e disa njerëzve, ashtu siç vjetrohet rroba, dhe do të shpërbëhet. Do ta lexojnë dhe nuk do të ndiejnë kënaqësi.”(8) 
Të parët tanë Kuranin dhe mësimet e tij i ndienin thellë në zemra dhe me përkushtim të plotë i zbatonin ato. Tregohet nga shokët e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., se kur i shpallej ndonjë ajet që fillonte me fjalët: “O ju që keni besuar...”, ata heshtnin dhe dëgjonin me vëmendje se çdo të merrnin: ndonjë urdhëresë apo ndalesë,(9) e më pastaj ta jetësonin menjëherë në praktikë. Dallimi midis nesh dhe gjeneratave të para është se ato jetonin për ta zbatuar Kuranin, kurse ne e lexojmë për të jetuar. Ata jepnin dhe sakrifikonin, për t’i vënë në funksion ligjet e tij, kurse ne shfaqim indiferentizëm ndaj mësimit të tij. Ata nga Kurani nxorën idetë dhe shkencat e reja, kurse ne nga shkenca dhe idetë mësojmë për Kuranin. 


Kthimi tek Kurani është shpëtimi i vetëm 


Po të ndryshonim raportet dhe qasjet tona ndaj Kuranit, realiteti ynë do të ndryshonte. Ky libër, siç thotë dijetari J. Kardavi, është “libër i njeriut”,(10) dhe si i tillë njeriu aty e gjen veten. Trajtimi i Kuranit, ose raporti ynë me të, nuk duhet të jetë i kufizuar vetëm në fushën e kodeksit të tij moralo-etik, veçse duhet të jetë gjithëpërfshirës, i gjithanshëm dhe koherent, si p.sh., në aspektin e organizimit politik, ekonomik, social, kulturor, etj. 
Kthimi tek Kurani duhet të nënkuptojë, së pari, kthimin nga Allahu i Lartmadhërishëm, kthimin në njohjen e Tij, kthimin që do të ndryshojë bindjet e gabuara ndaj Zotit dhe Atributeve të Tij. Pas kësaj, duhet të ndodhë solidarizimi i plotë me normat dhe mësimet kuranore, në mënyrë që të shpëtojmë vetveten, familjen dhe shoqërinë mbarë. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë ndodh e kundërta – shkatërrimi! 
Allahu i Lartësuar thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjall të verbër.”(11), dhe “...
E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.”(12) 
Ky kthim nuk duhet të jetë formal, i pashpirt, i pavullnetshëm, veçse duhet të jetë i vetëdijshëm, me plot gjallëri, pa mëdyshje, për të shfaqur bindjen se ky libër është ligj, kushtetutë, sistem jete, det i thellë për spiritualitet, rrugë për të fituar fuqinë, epitetin e ngadhënjimtarit, burim i ideve dhe vizioneve më të bukura. Gjithashtu, kthimi tek Kurani nuk nënkupton mbylljen dhe kufizimin vetëm në të, por si një burim nga i cili mësojmë edhe t’i vjelim dhe t’i vlerësojmë vlerat dhe të arriturat e të tjerëve. 
Pra, fati dhe perspektiva jonë do të varen nga fakti sesi do të jetë përkushtimi ynë ndaj Librit të Allahut, Kuranit të madhërishëm. 


___________________ 
Fusnotat: 
1. En-Nahl, 89. 
2. Fussilet, 41-42. 
3. Jakub Memiq, Hadithe të zgjedhura të Pejga mberit a.s., Tetovë, 2004. 
4. Cituar sipas: Enes, Karic, tumacenje Kur’ana i ideologije XX stoljeca, Bemusut, Sarajevë, 2002., fq 7. 
5. Cituar sipas: Murad Hofmann, Kur’ani, Tiranë, 2007., fq 116. 
6. Buhari, Muslimi. 
7. Imam Maliku. 
8. Cituar sipas: Amër Halid, Përmirësimi i zem rave, Furkan ISM – Shkup, 2007., fq. 358. 
9. Ibid. 
10. Dr. Jusuf el-Kardavi, Veçoritë e përgjithshme të islamit, Furkan ISM – Shkup, 2001., fq., 71. 
11. Ta-Ha, 124. 
12. Muhammed, 38.


 


Dituria Islame 218


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi