Ixhtihadi kolektiv bashkëkohor, rëndësia dhe nevoja

 


Hyrje 


Prej veçorive të fesë islame janë gjithëpërfshirja e mbarë njerëzimit dhe përshtatshmëria me rrethanat e tyre në çdo kohë dhe vend. Kjo për faktin se burimi i saj është Krijuesi i njeriut dhe kohëvendit. Por, pasi koha e revelatës qiellore ka përfunduar, ndërsa ndodhitë dhe situatat rrjedhin vazhdimisht dhe nuk përfundojnë, rruga e ixhtihadit qe dera e hapur para logjikës së shëndoshë, për të nxjerrë dispozitat në përputhje me shpalljen dhe qëllimet e saj. Për t’i trajtuar çështjet dhe sfidat bashkëkohore i është dhënë rëndësi të merituar ixhtihadit kolektiv, i strukturuar në institucione për studime dhe hulumtime të kohës, zhvillimet dhe sfidat e të cilit duhen vlerësuar në mënyrë kritike. Ky punim vë në pah vlerën dhe rëndësinë e ixhtihadit kolektiv, për të sqaruar dhe trajtuar situatat e reja të krijuara, si dhe nevojën e strukturimit të tij në mënyrë metodike, për t’ju përgjigjur nevojave të kohës. 


Kuptimi i ixhtihadit 


Fjala ixhtihad në etimologji rrjedh nga fjala arabe që nënkupton forcën, përpjekjen dhe aftësinë, apo edhe me vokalin “e” mbi shkronjën “xh”, që nënkupton përballje me vështirësitë.(1) Të dyja këto kuptime sikur i referohen një force dhe aftësie, që zotëron njeriu, në përballje me vështirësitë dhe pengesat të cilat mund të hasen. Ndërsa, ixhtihadin në terminologji, usulistët e kanë përkufizuar me përkufizime të shumta, që të gjitha ato synojnë të njëjtin botëkuptim. Kështu dijetari El Kemal ibën el Humam, për ixhtihadin ka thënë: “Të shpenzuarit e tërë forcës dhe potencialit intelektual të muxhtehidit, në përpilimin e dispozitës fetare racionale, qoftë ajo tekstuale, e prerë apo hipotetike.”(2) Që nënkupton se, kur muxhtehidi(3) (juristi i kualifikuar dhe jo dikush tjetër), pasi t’i ketë zotëruar mekanizmat shkencorë të studim-hulumtimit, bën më të mirën e tij, duke u angazhuar maksimalisht nëpërmjet përpjekjeve të tij, së bashku më konsultimin e burimeve të fesë, për të nxjerrë një vendim ligjor, i cili do të konsiderohej një mendim me peshë, edhe nëse i nënshtrohet gabimit dhe rishikimit. Kjo po ashtu nënkupton se fushëveprimi i ixhtihadit është aspekti praktik që ndërlidhet me praktikat e fikhut në lëmin dytësor (fikh el furu), ndërsa aspektet thelbësore të besimit islam (usul ed din), mbeten të vazhdueshme dhe të pandryshueshme, pavarësisht nga koha dhe vendi. 
Ndërsa, ixhtihadi kolektiv, edhe pse në praktikë ishte i njohur qysh në kohët e dijetarëve të hershëm, megjithatë ata nuk e kishin përkufizuar atë me definicion të veçantë, duke u mjaftuar me përkufizimin e përgjithshëm të tij. Prandaj, si përkufizim teorik, konsiderohet modern, i cili daton nga mesi i shekullit të kaluar, pas shfaqjes së nevojës në studimin e hipotezave dhe ngjarjeve të paparashikuara dhe situatave të reja, gjë që bëri dijetarët e mëvonshëm të shtojnë angazhimet e tyre në këtë drejtim. Kështu Abdulmexhid es Sevseve esh Sherefi, duke definuar ixhtihadin kolektiv, ka thënë: “Harxhimi i mundit të shumicës së juristëve, në përfitimin e një gjykimi fetar të presupozuar përmes argumentimit, dhe pajtimi i tyre, pasi të jenë konsultuar, rreth një dispozite të caktuar.”(4) 
Juristët bashkëkohorë e përkufizojnë ixhtihadin kolektiv si proces të bashkërenduar, për zbulimin e një vendimi të ri mbi bazën e një grupi të caktuar parimesh dhe teorish juridike pasi të jenë ushtruar në masën më të madhe të mundshme. Kjo ndërmarrje është e kufizuar në atë fushë në të cilën asnjë vendim i qartë nuk mund të nxirret nga tekstet e qarta burimore dhe përdoret vetëm për të ofruar zgjidhje që janë shumë të mundshme, të cilat rrisin sigurinë si rezultat i përpjekjeve kolektive, për dallim nga ixhtihadi vetanak, siguria e të cilit është në nivel më të vogël për shkak të mundësisë më të madhe të rënies në gabim. Prandaj, “ixhtihadi kolektiv tradicional është të shpenzuarit e tërë energjisë metodike shkencore në mënyrë shumë precize, të cilën e aplikojnë një grup njerëzish që kanë arritur shkallë të lartë shkencore dhe intelektuale, në një kohë të caktuar, rreth në çështjeje të caktuar, për të ardhur deri te një vendim përfundimtar, i cili do të kishte karakter të përgjithshëm që prek jetën e banorëve të një vendi e më gjerë.”(5)
Ixhtihadi kolektiv bashkëkohor përpiqet të trajtojë sfidat bashkëkohore duke thirrur në ndihmë maksima ligjore dhe mjete juridike, duke marrë për bazë precedentët analogë në burimet e shpallura ose në epokën paramoderne, edhe nëse këto janë inekzistente, për t’ju përgjigjur nevojës së kohës në përshtatje me etikën e përgjithshme. 
Së këndejmi, ixhtihadi kolektiv bashkëkohor ndërtohet mbi një mori pikëpamjesh bazuar në atë se çdo jurist i kualifikuar bën më të mirën e tij, nëpërmjet përpjekjeve të tij pas konsultimit të burimeve të ndryshme si dhe mësuesve dhe juristëve të tjerë të shquar, për të nxjerrë së bashku një vendim ligjor që do të mbetej një mendim me peshë, por që i nënshtrohet gabimit dhe rishikimit. 


Ligjësimi i ixhtihadit 


Ixhtihadi si proces dhe veprimtari është i ligjësuar me argumente kuranore, të qarta por edhe ato sinjalizuese, ndër to ajo që qëndron në suren En Nisa, ajeti 83, ku thuhet: “E, kur u vjen atyre ndonjë lajm qetësues ose shqetësues, ata e përhapin atë, e sikur t’ia linin atë (përhapjen e lajmit) të Dërguarit dhe përgjegjësve të tyre, ata do dinin të nxjerrin përfundime...”, i cili flet për gjendjen e luftës, dhe përhapjen e lajmit, qoftë ai në të mirë të besimtarëve apo në dëm të tyre, praktikë kjo e hipokritëve të asaj kohe, ndërsa lavdëron metodën e përpunimit të fakteve nga ana e atyre që janë përgjegjës, në rastin në fjalë të Dërguarin e Zotit, ndërsa pas tij bartësit e dijës së tij. Ngjashëm qëndron në ajetin 59 në po të njëjtën sure: “O ju që besuat, binduni Allahut, të Dërguarit dhe të ngarkuarve me çështjen tuaj. E, nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë atë drejtojuani Allahut dhe të Dërguarit nëse i besoni Allahut dhe ditës së fundit...”, ku qartë përcaktohen burimet e argumentimit dhe rëndësia e dijetarëve, të cilët na mbajnë të informuar për vendimet fetare pas vdekjes së Dërguarit të Zotit. 
Për vlefshmërinë e ixhtihadit dëshmojnë edhe shumë hadithe profetike, ndër to ajo që transmeton Amër ibën Asi r.a., i cili e kishte dëgjuar të Dërguarin e Zotit të thoshte: “Kur vendimmarrësi të gjykojë duke aplikuar ixhtihadin, ai meriton dy shpërblime nëse ia qëllon, dhe një shpërblim nëse gabon (për shkak të përpjekjes së tij).”(6) 
Ngjashëm dëshmohet me hadithin e Muadhit, të cilin kur i Dërguari e kishte dërguar në Jemen, ai e kishte pyetur: “Me çka do të gjykosh?” Muadhi qe përgjigjur: “Me atë që është në librit e Zotit. Po nëse nuk gjen në librin e Zotit?” - e pyeti i Dërguari? Ai tha: “Bazohem në gjykimet e të Dërguarit të Zotit.” “Po nëse edhe aty nuk gjen?” Muadhi i tha: “Bëj ixhtihad sipas mendimit tim dhe nuk anashkaloj.” I Dërguari i Allahut falënderoi Zotin, që kishte inspiruar Muadhin të krijonte një koncept të tillë.”(7) 
Për ligjësimin e ixhtihadit kishin qenë të pajtimit të gjithë shokët e të Dërguarit të Zotit, ashtu siç edhe dijetarët myslimanë pas tyre. Ndërsa, ajo që argumenton ixhtihadin përgjithësisht, e njëjta vlen edhe për atë kolektiv bashkëkohor, pasi imperativi i përmendur në citate është i përgjithshëm duke qenë se në konsideratë merret përgjithësimi i tekstit dhe jo specifikimi i shkakut, siç përmendin usulistët. 


Dispozita fetare e ixhtihadit 


Parimet themelore islame i japin një rol të rëndësishëm arsyes njerëzore duke i dhënë hapësirë për mendim dhe kreativitet, ashtu siç qortojnë ngurtësinë dhe parazitizmin. Në raportin e argumentit dhe përpunimit të tij, Kurani thotë: “Vërtet, në gjithë këtë ka fakte për njerëzit që thellë mendojnë.” (El Xhathije, 13). Ashtu siç vlerëson përdorimin e mendjes “...pra merrni mësim (duke bërë krahasime) o ju të zotët e mendjes.” (El Hashr 2), deri në emërtimin e argumenteve “... udhëzim dhe përkujtim për të zotët e mendjes.” (40:54). Argumenti tekstual nuk do të kuptohej pa logjikën, ashtu siç edhe logjika pa argumentin tekstual nuk mjafton për përcaktimin e dispozitave. Dr. Jusuf Kardavi, në lidhje me këtë qe shprehur: “Muxhtehidi i vërtetë është ai që sheh argumentet tekstuale me një sy, dhe me syrin tjetër analizon aktualitetin dhe modernitetin, dhe përputhë në mes ngarkesës fetare dhe kërkesës aktuale, duke i dhënë secilës nga to gjykimin, të përshtatshëm me vendin, situatën dhe kohën.”(8) 
Duke parë rëndësinë e kësaj, shumë juristë dhe usulistë mendojnë se, nuk duhet lënë hapësirë të ketë mungesë të ixhtihadit dhe muxhtehidëve në asnjë kohë. Madje disa mendojnë se çdo vend është i obliguar të aftësojë muxhtehidë, ashtu siç aftëson pronarë të profesioneve dhe zanateve të tjera, duke e konsideruar këtë si detyrë kolektive (farz kifaje).(9) 
Dhe, nëse kaq i rëndësishëm është ixhtihadi në jetën praktike, strukturimi kolektiv i tij në formë moderne, bëhet edhe më i vlefshëm dhe i domosdoshëm, sidomos në kohën bashkëkohore, atëherë kur gjërat kanë pësuar ndryshim nga kohët e kaluara, veçanërisht pas progresivitetit teknologjik dhe problematikave që lindin në kohë. Ligjet e Sheriatit janë çdoherë në shërbim të njeriut, duke garantuar vazhdimin e jetës dhe lehtësimin e saj, andaj ato duhet trajtuar mbi këtë parim, çdoherë duke i vënë ato në shërbim të jetës sipas kushteve dhe parimeve të përgjithshme sheriatike. Përveç kësaj, gabimi i mundshëm në ixhtihadin kolektiv është më pak i ngjarë, për arsye se “në mesin e shumë mendimeve të kundërta, zakonisht e sakta është ajo e shumicës”.(10) 


Shkaqet dhe kushtet e ixhtihadit 


Moskuptimi i mirë i teksteve fetare, argumentimi me to dhe nxjerrja e dispozitave nga to, dhënia kahje e atyre që në shikim të parë dhe për syrin e njeriut mund të duken si të kundërta, pastaj zbritja e gjykimit mbi çështjet bashkëkohore dhe situatat e paparashikuara, dhe shkaqe tjera të ngjashme, kanë bërë të nevojshme mbase edhe të domosdoshme gjetjen e një komande strukturore dhe ideore, që së bashku me konsultimin e burimeve të fesë, do të shërbente si referencë për shoqërinë islame në orientimin e njerëzve drejt objektivave të fesë dhe dëshirës së Zotit. 
Dhe, që ixhtihadi të jetë i saktë, i vlefshëm dhe i detyrueshëm, ai duhet të plotësojë disa kushte, të cilat përgjithësisht janë të definuar në përkufizimin e ixhtihadit. Kështu, përveç fushës së veprimit, që është aspekti praktik që ndërlidhet me praktikat e fikhut në lëmin dytësor (fikh el furu), ai duhet të kufizohet në një grup njerëzish, ata janë juristët fetarë (muxhtehidët), të cilët zotërojnë mekanizmat dhe aftësitë e kërkuara për studim dhe hulumtim. Vetëm të tillët mund të ushtrojnë këtë detyrë, pasi ata janë të informuar në hollësi me citatet e teksteve fetare (Kuranin dhe Synetin), domethënien e tyre, shkaqet e zbritjes dhe historinë e abrogimit, pastaj njohin parimet themelore (usul), etikën e teologjisë, rregullat e gjuhësisë, praktikën zakonore (urf), mirëqenien publike (maslaha), rregullat e domosdoshmërisë (darurah), urgjencën (idtirar), shmangien e vështirësisë (el usr ve et tejsir), shkakun efektiv të analogjisë (il-let el kijas), pastaj objektivat e Sheriatit, njohin mirë konsensusin dhe llojet e tij (ixhma), dhe kushte të tjera, të cilat janë të detajuara në librat e usulit. Këto tipare, dhe të tjera të ngjashme, kanë bërë që “nga njerëzit, vërtet vetëm dijetarët denjësisht t’i frikohen Zotit.” (Kuran, 35:28), që është kushti bazë dhe themelor. 


Format e ixhtihadit kolektiv bashkëkohor 


Ixhtihadi kolektiv bashkëkohor organizohet dhe manifestohet në forma të ndryshme, dhe kjo në bazë të institucionit organizativ apo sipas programit dhe metodës së ndjekur në hulumtim. Megjithatë barrierat dhe ngecjet mbesin sfidë përpara zhvillimit dhe progresit, gjë që bën të domosdoshëm paraqitjen e ideve të përshtatshme në tejkalimin e këtyre barrierave, në mënyrë që rezultati i ixhtihadit bashkëkohor të japë frytet e tij bazuar në qëllimet fisnike të këtij organizimi. 


Disa nga format e ixhtihadit kolektiv bashkëkohor(11) 


Ixhtihadi kolektiv bashkëkohor, i strukturuar nga këndvështrimi i ndërmarrjes që e organizon atë, dhe i cili është katër llojesh: 
Ixhtihadi kolektiv i drejtuar nga organizata ndërkombëtare. Këto organizata përbëhen nga grup dijetarësh të zgjedhur dhe të kualifikuar, nga të gjitha vendet dhe medhhebet, të cilët mblidhen për të diskutuar në çështjet dhe problematikat bashkëkohore, të cilët pas konsultimit me burimet fetare, me unanimitet apo shumicë nxjerrin gjykime fetare. Disa nga këto organizata janë: Akademia Islame e Fikhut, me seli në Meke të bekuar, dhe ajo e fikhut islam, me seli në Xhide të Arabisë Saudite, Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime. 
Ixhtihadi kolektiv i drejtuar nga grup dijetarësh të një vendi. Këto janë organizatat të cilat kufizohen me pjesëmarrjen e një numri të caktuar dijetarësh të një vendi, apo një medhhebi, siç janë këshillat për dhënie fetva rajonale medhhebore, të përhapura në të gjitha vendet e botës islame. Barrierë dhe sfidë përpara këtyre organizatave mbetet të kufizuarit e tyre në vende dhe medhhebe të caktuara, gjë që bën verdiktet të papranuara për vendet dhe medhhebet e tjera, ashtu siç bën të lehtë refuzimin nëse ato administrohen nga qeveritë e vendeve përkatëse apo dijetarë të emëruar nga qeveritë, gjë që nga disa mund të shihet si jo transparente. 
Ixhtihadi kolektiv i organizuar nga një grup dijetarësh. Është kur një grup dijetarësh të kualifikuar, nga një ose më shumë vende, mblidhen në mënyrë josistematike, për të hulumtuar në ndonjë çështje apo problematikë, duke dhënë verdiktin e tyre për to, siç ndodh në shumë konferenca dhe simpoziume shkencore të organizuar nga universitetet dhe institucione të ndryshme shkencore. Ky lloj ixhtihadi kolektiv, sado që mund të jetë në shërbim të hulumtimit dhe gjurmimit, përveçse dobia e tij mbetet i kufizuar dhe pasimi i tij jo i detyruar. 
Ixhtihadi kolektiv i jashtëzakonshëm. Ky lloj ixhtihadi është i përafërt me atë paraprak, përveçse ixhtihadi kolektiv i jashtëzakonshëm fillon si individual, ku një dijetar kryen hulumtimet e tij rreth një çështje të caktuar bashkëkohore, pastaj atë e paraqet para një grupi dijetarësh, dhe ata pas konsultimit me burimet e fesë, bëjnë miratimin e tij duke firmosur secili nga ta dhe kështu merr formën e ixhtihadit kolektiv. 
Ixhtihadi kolektiv bashkëkohor, i strukturuar nga këndvështrimi i metodikës së ndjekur në hulumtim, i cili është tre llojesh: 
2.1. Ixhtihadi kolektiv normativ, i cili organizohet në formë teknike normative, duke vënë verdiktet fikhore në formë ligjesh. Kjo metodologji për herë të parë qe përdorë në kohën e shtetit osman, i cili pati ngarkuar dijetarët e mëdhenj të kohës të përpilonin një legjislacion në fushën e marrëdhënieve mes njerëzve (muamelat), të bazuar kryesisht në medhhebin hanefi. Legjislacionin e përpunuar e quajtën (mexhelet el ahkam el adlije), i cili u përpunua në vitin 1286h., ndërsa në vitin 1292h., u nxor urdhri dekret që ngarkon të punuarit me të. Një organizim i njëjtë, por i përgjithshëm që mbush hapësirën e situatave të reja dhe bashkëkohore, i mungon sot shoqërive myslimane. 
2.2. Ixhtihadi kolektiv verdiktdhënës, i kufizuar në dhënie të fetvave në raste kur drejtohen pyetjet dhe parashtrohen problematikat, dhe me këtë lloj ixhtihadi merren komisionet e ngarkuara me fetva, fetvatë e revistave dhe buletinet periodike fetare. 
2.3. Ixhtihad kolektiv për studime dhe gjurmime shkencore, i cili manifestohet përmes punimeve apo studimeve të cilat prezantohen nëpër simpoziume të veçanta shkencore, enciklopedi apo disertacioneve, të cilat prezantohen para komisioneve vlerësues nëpër fakultete dhe universitete islame, të përbërë nga një grup dijetarësh, të cilët pas diskutimit dhe hulumtimit vlerësohen dhe aprovohen. 
Për fund, ixhtihadi kolektiv bashkëkohor është domosdoshmëri e kohës, ndërsa strukturimi i tij nga institucionet përgjegjëse është ngarkesë jetike fetare. Ixhtihadi që është në përdorim aktual për t’u marrë me sfidat e sotme, sado që mund të ketë arritur majat e tij, me strukturimin e tij ai është në gjendje të trajtojë situatat e paparashikuara bashkëkohore dhe moderne, duke bërë të jetë ilaçi që me sukses i përgjigjet sfidave të bashkëkohores dhe modernitetit.


 _________________________ 
1. Muhamed bin Mukerrem bin Mendhur, Lisan el arab, (Bejrut, boton Shtëpia Botuese “Sadir”, 1992). B. 1, lënda جهد, v. 3, f. 133- 134. Muhamed bin Muhamed ez Zubejdi, Taxh el arus el munteka min xhevahir el kamus, (Kairo, boton Shtëpia Botuese “El hidaje”), v. 7, f. 534. 
2. Emir Padishah, Tejsir et tahrir, 4/178. 
3. Ai që aplikon ixhtihadin. 
4. Shih Es Sevsere, Abdulmexhid Es Sevseve Esh Sherefi, El ixhtihad El xhami fi Et teshri El islamij, f. 46. 
5. Shih Kutub Sanu, lexim analitik në definicionin e ixhtihadit të kërkuar kolektiv, (revista Kulijet Ed Dirasat el islamije ve el arabije, Dubai), nr. 21, 2001. F. 209. 
6. E ka regjistruar Buhariu, Muslimi, Ahmedi dhe autorët e suneneve, përpos Tirmidhiut nga hadithi i Amër bin Asit dhe të tjerëve. Është hadith mutevatir kuptimor, Xhamiul usul, 10/548; Xhemiul fevaid, 1/683; Mexhmea ez zevaid, 4/195; Telhisu el habír, 2/180; Nasbu err Rrajeti, 4/63. 
7. Muhamed bin Ismail el Buhari, Sahih el Buhari, (Damask-Bejrut, boton Shtëpia Botuese “Ibën Kethir”), 2002, nr. 7352.
 8. Kardavi, Jusuf Abdullah el Kardavi, El ixhtihad fi esh sheriati el islamije mea nedharat tahlilje fi el ixhtihad el muasir, (boton “El Kalem”, Kuvajt), 1996. Botimi i parë, f. 5. 
9. Shevkani, Muhamed bin Ali, Irshad el fuhul ila tahkik el hakk min ilm el usul, 2/211. Sujutiu, Xhelaludin es Sujuti, Takrir el istinad fi tefsir el ixhtihad, 1/29 (boton “Ed Dave”, Iskenderije), Botimi 1. Esh Sheherestani, Muhamed bin Abdilkerim, El milel ve en nihal, (boton “Muesseset el Halebi”), 2/10. 
10. Shih Muhamed bin Ali ebu el Husejn el Basri, El mutemed fi usul el fikh, (boton “El Kutub el Ilmije”, Bejrut) b.1, vell.2, fq. 182. 
11. Shih më hollësisht: Ahmed er Rejsuni, Hulumtim në ixhtihadin kolektiv, në kuadër të studimeve të sumpoziumit “Fetvaja dhe kriteret”, të organizuar nga Këshilli Fikhor, degë e Ligës Botërore Islame, i organizuar në vitin 2009, f. 8


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi