“E kur Allahu i shpëton ata, ja, ata përnjëherë, pa kurrfarë të drejte, bëjnë turbullira në tokë. O Njerëz! Vërtet, padrejtësia që bëni për t’u kënaqur në jetën e kësaj bote, vetëm ju dëmton. Pastaj ju do të ktheheni tek Ne dhe Ne do t’ju njoftojmë për atë që keni punuar”. (Junus, 23)


Njerëzit, me gjithë mirësitë hyjnore, vazhdimisht shpërfillës


Allahu xh.sh., në ajetin paraprak sjell shembullin e njerëzve të cilët, kur janë në vështirësi, I premtojnë Atij dhe zotohen se, nëse mbijetojnë atë situatë, do të besojnë dhe do jenë falënderues ndaj Tij, mirëpo, pikërisht në këtë ajet Fuqiploti paraqet shpërfilljen këtij premtimi nga ana e tyre. Madje, të tillët jo vetëm që nuk janë mirënjohës, po edhe bëjnë padrejtësi, turbullira dhe të këqija mbi tokë. Njeriu, sa mohues që është!!! Kur është në rrezik, drejtohet i përulur tek Zoti, e kur e tejkalon atë, bëhet kryelartë, vepron keq dhe harron të kaluarën e bëhet përbuzës ndaj mirësive. “E kur Allahu i shpëton ata, ja, ata përnjëherë, pa kurrfarë të drejte, bëjnë turbullira në Tokë”, - tërë kjo ndodh për çudi dhe për habi të madhe, prandaj përdorimi në origjinal i shprehjes “idha” – ‘ja, (ata) përnjëherë’, e tregon këtë nga dy aspekte: Shpejtësia në veprimin e së keqes, që dëshmon se ajo është thellë e ngulitur në shpirtrat e tyre dhe se përulja në situatën e vështirësisë ishte vetëm formale. E dyta, se ata duhej të vepronin të kundërtën, sepse zotimi i tyre që, nëse do të shpëtonin, do të ishin falënderues, këtë sjellje do ta bënte një fakt të domosdoshëm për ta. Nga kjo del se ata (njerëzit) duhet të jenë mirënjohës ndaj Zotit të gjithësisë, të kujtojnë fuqinë dhe pushtetin e Tij dhe ta kuptojnë se Ai do t’i ringjallë patjetër ashtu siç u mundësoi të përballojnë vështirësinë.(1) Shprehja e përdorur “turbullira”, sipas Ibni Abasit, ka për qëllim: shkatërrimet dhe çrregullimet e ndryshme (fesadin), kryeneçësinë dhe përgënjeshtrimin e argumenteve hyjnore të Allahut xh.sh., prandaj kjo nënkupton shkallën më të lartë të padrejtësisë që bëjnë.(2) D.m.th. kjo paraqet kapërcimin e çdo kufiri të padrejtësisë, siç konfirmon Krijuesi kur sjell shembullin e padrejtësive të Karunit: “Me të vërtetë, Karuni ka qenë nga populli i Musait, por i shtypte ata”. (El Kasas, 76)(3) Kjo përfshin të gjitha mëkatet e njerëzve si: adhurimin e zotave të trilluar, prostitucionin, alkoolin, padrejtësitë ndaj njerëzve dhe të gjitha llojet e armiqësive e dëmit ndaj dikujt tjetër. Meqë Allahu xh.sh. ka përmendur edhe shprehjen “tokë”, kjo nënkupton se këto turbullira e shkatërrime përfshijnë tokën në përgjithësi. Ndërkaq, shprehja e përdorur “pa kurrfarë të drejte” aludon faktin se ata që veprojnë. punët e këqija, nuk kanë kurrfarë arsyetimi.(4) Shumica e njerëzve janë të tillë, prandaj, në shumicën e rasteve, pas mbijetimit të vështirësive, nuk janë falënderues fare, madje vazhdojnë veprimet e këqija!! Kjo është e çuditshme shumë, ngase për këso veprimesh nuk mund të gjejnë asnjë justifikim logjik, përveç kryeneçësisë dhe përgënjeshtrimit.


Veprimet e këqija pasoja ndëshkuese edhe në këtë botë


Në pjesën e parë të ajetit, Fuqiploti sqaroi gjendjen faktike të shumicës së njerëzve, ndërsa tash u tërheq vërejtjen të gjithë njerëzve në përgjithësi me fjalët: “O Njerëz! Vërtet, padrejtësia që bëni për t’u kënaqur në jetën e kësaj bote, vetëm ju dëmton”. Pavarësisht nëse bëhet padrejtësi mbi një njeri apo ndaj shumë njerëzve, në të dyja rastet, autorët marrin ndëshkimin edhe në këtë botë. Padrejtësia më e madhe ndaj vetvetes është adhurimi i ndonjë zoti të trilluar përveç Zotit të Vërtetë – Allahut prandaj, ata marrin ndëshkim edhe në këtë botë, para ndëshkimit në botën tjetër. Njerëzit ose adhurojnë Allahun xh.sh., ose adhurojnë zota të trilluar, por është veprimi i vetëm i drejtë që njerëzit duhet të angazhohen me çdo kusht, për të përhapur adhurimin e Allahut, sepse kjo nënkupton angazhim për njerëzi, liri, ndershmëri e fisnikëri dhe e shpëton njeriun nga injorimi, humbja e ndershmërisë dhe shkatërrimi i shoqërisë(5). Ja, Allahu xh.sh., nga një shembull i njerëzve që solli, tash u drejtohet vepërkëqijve drejtpërdrejt, për të tërhequr vëmendjen gjithandej nga rreziku i tyre dhe e keqja që shkaktojnë. Thirrja: “O Njerëz!” nënkupton këtë tërheqje të vërejtjes për njerëzit, si masë parandaluese nga rreziku i veprimeve të këqija të tyre, duke sqaruar gjithashtu pasojat që do të jenë një përfundim i keq. Padrejtësitë që bëni, ju dëmtojnë ju dhe vetëm ju bartni përgjegjësinë, e jo të tjerët.(6) Ju, o njerëz çrregullues, që veproni padrejtësisht ndaj të tjerëve me mendjemadhësinë tuaj, ta dini se kjo ju dëmton ju dhe është kundër jush, pasojat i bartni ju vetë, ngase ju përjetoni kënaqësitë e tilla vetëm në këtë botë kalimtare, e cila përfundon shpejt, ndërsa ndëshkimi ndaj jush mbetet përherë në Botën tjetër.(7) Nëse ti, o njeri, krahason kënaqësinë që rezulton nga veprat e këqija me ndëshkimin që pason, atëherë do ta kuptosh se ajo është shumë e vogël dhe e shkurtër, sepse, qoftë të jetosh edhe njëzet milionë vjet në këtë botë, kjo do përfundojë gjithsesi, prandaj Allahu xh.sh. tha: “Thuaju: kënaqësitë e kësaj jete janë të vogla”. (En Nisa, 77)(8) Lidhur me këtë, Muhamedi a.s. thotë: “Nuk ka mëkat më të madh për të cilin Allahu të shpejtojë ndëshkimin për autorin (vepruesin) e tij, se turbullirat dhe këputja e lidhjeve farefisnore”(9) Allahu xh.sh. nuk vonon ndëshkimin ndaj personit që bën turbullira dhe këput marrëdhëniet farefisnore, madje nuk e lë vetëm për botën tjetër, por e ndëshkon edhe në këtë botë, në mënyrë që të balancojë jetën shoqërore. Kjo sepse, nëse sheh një njeri vepërkeq, i cili jeton me plot begati e mirësi dhe vdes në këtë gjendje, atëherë çdo njeri që i di të këqijat e tij, duke ditur se për to një vepërimkeq nuk është ndëshkuar në këtë botë, atëherë inkurajohet për të bërë edhe ai vetë të këqija. Për këtë arsye Allahu xh.sh. njeriun çrregullues e ndëshkon edhe në këtë botë, në mënyrë që njerëzit e tjerë të shohin përfundimin e tij të keq dhe nga kjo të marrin mësim e të mos bëjnë të këqija.(10) Prandaj, Muhamedi a.s. transmetohet të ketë thënë: “Vepra më e mirë që meriton menjëherë shpërblim, është ruajtja e lidhjeve familjare, kurse veprat që më së shpejti meritojnë ndëshkim, janë turbullirat dhe betimi i rrejshëm. Nga ato për të cilat Allahu shpejton ndëshkimin në këtë botë, janë: turbullirat dhe sjellja e keqe me prindërit”.(11) A nuk meritojnë edhe në këtë botë ndëshkim ata që ndërpresin lidhjet familjare e farefisnore?! Po edhe ata që veprojnë keq e bëjnë turbullira dhe vepra degjeneruese?! Pa dyshim, mënyra më e përshtatshme për t’u ballafaquar me to, është qasja hyjnore nëpërmjet ligjit të Tij absolut. Kjo metodë balancon rrjedhën e të gjitha shtresave të shoqërisë, të të gjitha gjeneratave deri në Kiamet, duke reflektuar mësim e përvojë për të gjithë.


Kthimi doemos tek Krijuesi për llogaridhënie


Mbase ai që bën të këqija, mendon se po përjeton kënaqësi, ndonëse, në të vërtetë, një gjë e tillë është kalimtare dhe shumë e shkurtër, prandaj Krijuesi dëshmon: “Pastaj ju do të ktheheni tek Ne dhe Ne do t’ju njoftojmë për atë që keni punuar”. Kur të ringjallemi tek Allahu xh.sh., nuk ka padrejtësi asnjëherë, askush nuk mund të bëjë padrejtësi dhe askujt t’i bëhet padrejtësi, secili merr shpërblimin a ndëshkimin, në varësi nga besimi dhe veprat e tij. Ka ardhur njoftimi hyjnor mbi llogarinë në Botën tjetër, para se të ndodhë, në mënyrë që ta dinë të gjithë se çdo vepër ka llogarinë dhe përgjegjësinë në Botën e amshueshme. Gjithashtu, ky njoftim është përmendur për të qortuar dhe kritikuar fuqishëm ata që i bëjnë vetes së tyre padrejtësi duke kryer vepra të këqija.(12) Përdorimi në origjinal i “thumme - pastaj” nënkupton se vepërkëqijtë kërkojnë zgjatjen e jetës në këtë botë dhe dëshmon mbi çrregullimet (fesadin) e mëdha që bëjnë ata. Gjithashtu, mënyra kuranore e theksuar në pjesën e ajetit “do të ktheheni tek Ne” dëfton për “veçimin” që do të thotë se kthimi i të gjithëve është vetëm tek Allahu - Zoti i botëve.(13) Premtimi hyjnor mbi llogarinë dhe përgjegjësinë e njerëzve për veprat e tyre, përmban zotimin hyjnor mbi ndëshkimin e vepërkëqijve në Botën tjetër.14 Zoti i gjithësisë, pasi me ligjin dhe rregullat e vendosura balancoi jetën e kësaj bote, tash, me këtë pjesë të ajetit, balancon përfundimisht dhe në mënyrë absolute, çdo gjë. Kjo maksimë bëhet funksionale me rastin e ringjalljes së të gjithë njerëzve dhe daljes para Allahut xh.sh. për llogaridhënie dhe përgjegjësi. Në këtë mënyrë pason shpërblimi a ndëshkimi i amshueshëm për njerëzit, në varësi nga besimi dhe veprat e tyre të kësaj bote. A nuk është kjo drejtësi absolute? Patjetër se - Po! 



_______________________
1. Muhamed Ebu Zehra, Zehretu Et-Tefasir, f. 3545, v. i bot. 1987, Kajro.
2. Tefsir El-Fahru Er-Razi, Mefatihul-Gajb, v.17, f. 74, v. i bot. 1981, Bejrut.
3. Muhamed Muteveli Esh-Sharavi, Tefsiri i Sharaviut, v. 9, f. 5854, pa vit bot. Kajro.
4. Zehretu Et-Tefasir, f. 3546. 
5. Sejjid Kutub, Fi Dhilalil Kuran, v. i 3, f. 1774, v. i bot. 1996, Bejrut. 
6. Zehretu Et-Tefasir, f. 3546.
 7. Ahmed Mustafa El-Meragi, Tefsir El-Meragi, f. 91, v. i bot. 1946, Kajro.
8. Tefsiri i Sharaviut, f. 5856. 
9. Ed-Durru El-Menthur fi Et-tefsiri bil Me’thur, Xhelaludin Es-Sujutijj, vëll i shtatë, f. 646, v. i bot 2003, Kajro. Hadithin e transmeton Imam Bejhekiu (6670). Hadithi është vërtetuar edhe nga Albani (918). 
10. Tefsiri i Sharaviut f. 5854. 
11. Zehretu Et-Tefasir f. 3547, hadithi: Te’rih Et-Taberijj, nga Ebi Bekre r.a., kështu afërsisht e transmeton edhe Tirmidhiu dhe Ibni Magje, gjithashtu edhe Ebu Ju’ala nga Aishja r.a.. Shiko si ka ardhur në Fejdul Kadir (xh 1/299). 
12. Tefsiri i Sharaviut, f. 5858. 
13. Zehretu Et-Tefasir, f. 3547. [14].Tefsir El-Fahru Er-Razi, f. 75.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi