Si filloi frymëzimi hyjnor – dërgata (4)

 


Ndërprerja e frymëzimit hyjnor kishte ndodhur në mënyrë që Profeti a.s. të përgatitej për frymëzimet e tjera, të cilat do të vinin njëra pas tjetrës, sepse ajo ishte një detyrë shumë e rëndë dhe e madhe


Shprehja – Hatixheja i tha atij: “O biri i xhaxhait tim! Dëgjo pak se ç’thotë ky djali i vëllait tënd”! 
Formulimi i komunikimit në këtë mënyrë i bën ata që të ndiejnë afërsi. Ky komunikim me një edukatë të lartë, e bën atë të përgatitet për t’i dëgjuar fjalët e Profetit a.s., Nga ky komunikim duhet marrë mësim në ndërtimin e raporteve në mes atyre që merren me arsimimin e gjeneratave. Cilësimi i Profetit a.s. si djali i vëllait të Verekës nuk ka të bëjë me afërsitë e gjakut a farefisit, por këtu kemi një ekuilibër në prejardhjen apo origjinën ndërmjet Verekës dhe Abdullahut. (Shih tab.) Pastaj Vereka e pyeti me kureshtje: “Ç’ka biri i tim vëllai? Çfarë ka parë”? Profeti a.s., e lajmëroi për atë që i kishte ndodhur dhe i përshkroi atë që i kishte ngjarë. Sytë e Verekës, që rroku në fjalët e tij të vërtetën më të lartë, në fillim shkëlqyen, pastaj, duke u zhytur në mendime të thella, ai tha:“Ky është i nderuari i madh, që Zoti ia pat dërguar edhe Musait.” 
Nocioni – en-namus ka disa kuptime: bartësi i së fshehtës, meleku, i cili nuk paraqitet, përveçse për diçka të mirë; bartësi i së fshehtës në përgjithësi, si për të mirë ashtu edhe për të keqe; bartësi i së fshehtës për të mirë, ndërsa spiuni është bartës i së fshehtës për të keqe. 
Pra, me fjalën – en-namus nënkuptohet Xhibrili a.s., i deleguari special i dërgatës dhe i së fshehtës, ku nuk ka qasje askush nga melekët. 
Pse Vereka veçoi Musain a.s. dhe nuk e përmendi Isain a.s., edhe pse ishte i krishterë? Përgjigjja është me sa vijon: 
- Libri i Musait a.s. është legjislacion që përfshin shumicën e dispozitave, ndryshe nga libri i Isait a.s., që ka fare pak dispozita. Ndërkaq, libri i Profetit Muhamed a.s., Kur’ani famëlartë, përfshin të gjitha dispozitat e fesë dhe të jetës. 
- Musai a.s. është dërguar nën presionin e faraonit dhe ushtrisë së tij, ndryshe nga Isai a.s.. Po ashtu edhe Profeti a.s. është dërguar nën presionin e faraonit të këtij Ymeti, Ebu Xhehl bin Hishamit dhe përkrahësve të tij në Bedër. Dërgimi i Xhibrilit a.s. tek Musai a.s. është i pranueshëm për ithtarët e librave, tek hebrenjtë dhe të krishterët (ehlil kitab). Profetësia e tij është e vërtetuar, ndryshe nga profetësia e Isait a.s., të cilin e mohojnë pjesa dërmuese e hebrenjve, kurse të krishterët e lartësuan në shkallën e hyjnisë. 


...Ah, sikur (në ditët e ftesës sate) të isha i ri! 
Kjo shprehje është përdorur në formën metaforike, që nënkupton – të riun energjik. Ndërsa fjala – el-xhedh’u në aspektin leksikor ka kuptimin e kafshës së re. Tek devetë, me fjalën (el xhedh’u) nënkuptohet deveja që ka mbushur katër vjeç dhe ka hyrë në vitin e pestë. Tek lopët (el xhedh’u) është lopa që ka mbushur dy vjeç dhe ka hyrë në vitin e tretë. Tek delet (el xhedh’u) është delja që ka mbushur një vit dhe ka hyrë në vitin e dytë. Vereka shpresonte të ishte i ri dhe energjik, që të ishte në gjendje ta ndihmonte në misionin e tij, në ditët kur Profeti do t’i ftonte njerëzit në besim. 


...Ah, sikur të isha në jetë kur fisi yt të të largojë (nga atdheu)! 
Së pari, Vereka shpresonte të ishte i ri dhe energjik që të ishte në gjendje ta ndihmonte Profetin a.s. në mesazhin e tij. Pastaj, kur e pa se ishte e pamundshme të ishte i ri për shkak të dobësisë dhe të moshës së madhe të pleqërisë, ai shpresoi tjetrën, që ishte më afër realitetit, të ishte gjallë që ta përkrahte Profetin a.s. me gjuhën dhe forcën e besimit. Profeti a.s. i tha me çudi: “Mos, vallë, kanë për të më përzënë ata (prej atdheut)”?! Mos, vallë, ata do të më keqtrajtojnë në atë masë, sa të arrijë armiqësia në kulm dhe të më përzënë nga atdheu?! 
Profetit a.s. një gjë e tillë iu duk e pakapshme, ngase më parë ai ishte përshkruar nga Hatixheja me moral dhe cilësi të larta, që sjellin vetëm të mira dhe afërsi në mes njerëzve e jo ftohje marrëdhëniesh dhe largim. Pastaj Vereka i tha: “Po! Sepse ndër ata nuk ka njeri si ti, që t’i ketë ardhur dërgata e të mos jetë përballur me armiqësi”. Në një version tjetër ka ardhur shprehja të mos jetë përballur me persekutime, keqtrajtime. Shkaku ishte se Profeti a.s. do të kërkonte t’i largonte nga ajo gjendje, nga adhurimi i idhujve, por ata ishin mësuar në atë klimë pagane dhe politeiste. Vereka kishte njohuri paraprake nga librat e mëparshëm dhe e dinte që populli nuk do t’i përgjigjej me lehtësi ftesës së tij. Si rezultat i kësaj, Profeti a.s. do të ndeshej me armiqësi, persekutime dhe tortura të ndryshme. Vereka nuk i tha – përveçse do të të largojnë, ngase forma e shprehjes së tij nuk nënkupton përzënie nga fisi Kurejsh, por ai është bazuar në tekste të mëhershme nga librat qiellorë. Pastaj Vereka tha: – Po qe se do të më arrijë dita jote (do të fillosh ftesën), do të të ndihmoj gjer në fund. Në një version tjetër thuhet: – “Po qe se do ta arrij atë ditë”, kur të fillosh ftesën e profetësisë dhe të thirrjes së popullit tënd, do të të përkrah fuqishëm dhe pa rezerva. Fjala – muezeren rrjedh nga paskajorja (el ezru), që nënkupton forcën, ndërsa (et-tezijr) nënkupton përforcim. Pra, Vereka e kishte konsideruar veten e tij si përforcim në radhët e Profetit a.s.. Ebu Shame thotë: “Kjo fjalë ka mundësi që ta ketë prejardhjen prej (el izaru) , që nënkupton veshjen e poshtme dhe shtrëngimin e rripit. Thuhet – populli kur lufton, shtrëngon rripin”. Në një hadith autentik thuhet: “Profeti a.s., kur futej në dhjetëditëshin e fundit (të Ramazanit), e mblidhte dhe e shtrëngonte veshjen e poshtme (me rrip)”. Këtë e bënte që trupi i tij të ishte më i shtrënguar dhe të ngrihej me lehtësi për namazin e natës. Ai që shtrëngon rripin në trupin e tij, përforcon muskujt dhe mban drejtpeshimin e trupit. 


...pas këtij takimi, pa shkuar shumë kohë, Vereka vdiq 
Fjala (lem jensheb) – d.m.th. (lem jelbeth) – Vereka bin Nevfel nuk qëndroi gjatë dhe vdiq. Ky ishte takimi i fundit i Verekës për ndonjë çështje. Kjo shprehje është alegori që nënkupton se ai nuk kishte më jetë pas atij takimi, ngase i gjalli, si do që të jetë, duhet të bëjë diçka. Kjo pjesë e hadithit dhe shprehjet e mëhershme tregojnë më së miri se Vereka kishte vdekur besimtar i Muhamedit a.s., ashtu siç kishte besuar Musain dhe Isain a.s.. Ndoshta ky u takon besimtarëve që i kanë shpërblimet të dyfishta. Vini re! Ibn Haxheri thotë: “Kjo pjesë e hadithit bie në kundërshtim me atë që Ibn Is’haku ka cekur në librin e tij “Es-Sire”. Ai thotë se Vereka ka jetuar deri në kohën e thirrjes dhe në kohën kur disa njerëz kishin pranuar Islamin dhe ka qenë dëshmitar i vuajtjeve të Bilallit r.a.. Nëse mundohemi t’i japim përparësi njërit nga këto dy mendime, atëherë mendimi që vjen nga libri autentik, Es-sahih, mbizotëron ndaj mendimit tjetër, pasi nuk mund të themi se ka më autentik se autentiku i Buhariut .(16) Pra, mendimi se Vereka ka vdekur menjëherë pas atij takimi, ka përparësi ndaj çdo mendimi tjetër, sepse ka mbështetje në “Sahihun e Buhariut”. 


...dhe iu pre frymëzimi hyjnor. 
Pas zbritjes së pesë ajeteve të para, Profetit a.s. iu ndërpre dërgata për një kohë të gjatë, që nënkupton diçka që nuk është e afërt dhe gjëra që nuk vijnë njëra pas tjetrës. Kjo tregon se frymëzimi ishte ndërprerë për një kohë të gjatë, aq sa Profeti a.s. dëshironte shumë të fillonte sërish, e priste me padurim. 
Ibn Haxheri thotë: “Në librin “Et-Te’rih” të Ahmed bin Hanbelit thuhet se ndërprerja e dërgatës kishte ndodhur për tre vjet. Këtë e thotë në mënyrë të qartë edhe Ibn Is’haku, ndërsa Bejhekiu thotë se faza e ëndrrave besnike ka zgjatur gjashtë muaj”. Pra, ëndrrat besnike dhe faza e ndërprerjes së dërgatës kanë zgjatur tre vjet. Kjo ishte faza e profetësisë në të cilën Profeti a.s. nuk ishte urdhëruar për predikim dhe komunikim. Ata që këtë fazë trevjeçare e llogarisin si qëndrim të Profetit a.s. në Mekë, thonë se ai kishte qëndruar aty për trembëdhjetë vjet, kurse ata që nuk e llogarisin fazën e ndërprerjes së frymëzimit, thonë se Profeti ka qëndruar aty vetëm dhjetë vjet. Ndërprerja e frymëzimit hyjnor kishte ndodhur në mënyrë që Profeti a.s. të përgatitej për frymëzimet e tjera, të cilat do të vinin njëra pas tjetrës, sepse ajo ishte një detyrë shumë e rëndë dhe e madhe, tepër e vështirë për t’u përballuar dhe përvetësuar. (Fund) 


______________
(1) “Sahihul Buharij”, vëll.1, f. 18, nr. 3, “Fet’hul Bari”, vëll. 1, f. 30, nr. 3. “Sahihu Muslim”, vëll. 2, f. 197. “Musned Ahmed”, vëll. 6, f. 153. “Sunen Et-Tirmidhij” /3711.
(2) “Sahihu Muslim bi sherh En-Nevevij”, vëll.2, f. 197.
(3) “Tuhfetul ahvedhij, bi sherh Et-Termidhij”, vëll. 10, f. 109; Ibn Hisham Fis-Sire, vëll. 1, f. 251.
(4) Dr. Ramadan Butij, “Fikhus-sire”, f. 84; Dr. Diraz, “El-Muhtar min kunuzis-sune”, f. 12.
(5) Ky është Muhamed bin Muslim bin Ubejdilah bin Abdilah bin Shihab Ez-Zuhrij Ebu Bekr. I njohur si hafidh dhe fekih. Nga ky kanë regjistruar hadithe autorët e gjashtë koleksioneve të hadithit. Ka vdekur më 125h (Ibn Haxher, “Takribut-tehdhib”, f. 506, nr. 6296.
(6) Në hadith kjo ndërhyrje quhet el-idraxh, d.m.th. fjalë që nuk është nga teksti apo origjinali i hadithit, por është futur nga transmetuesi i tij.
(7) Muhamed Ibn Is’hak El-Vakidij, i njohur si autor kyç në transmetimin e luftrave të Profetit a.s. – sahibul megazij dhe autor kyç në transmetimin e biografisë së Profetit a.s. (Ibn Haxher, “Tehdhibu tehdhib”, vëll. 9, f. 42; Ez-Zejleij, “Nasbu Rraje”, vëll. 1, f. 107).
(8) “Siretu Ibn Hisham”, vëll. 1, f. 253.
(9) Pas Hatixhesë, Profeti u martua me Sevdijen (Sevde bint Zem’a). Ai bashkoi në shtëpinë e tij dy gra vetëm pas emigrimit, pas një viti e gjysmë, kur u martua edhe me Aishen r.a.
(10) “Fet’hul Bari”, vëll. 1, f. 32; “Muslim bi sherh Nevevij”, vëll. 2, f. 199.
(11) “Sahihu Muslim bi sherh En-Nevevij”, vëll. 2, f. 199.
(12) “Fet’hul Bari”, vëll.1, f. 33.
(13) “Sahihul Buharij”, nr. 5989.
(14) “Sahihu Muslim, bi sherh En-Nevevij”, vëll. 2, f.202. 
(15) “Fet’hul Bari”, vëll.1, f. 34.
(16) “Fet’hul Bari”, vëll. 1 f. 37.


Artikulli i kaluar
Reflektime kuranore (3)

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi