Medreseja “Alauddin” në Prishtinë dhe rrugëtimet e saj

 


Fillet e medresesë gjatë historisë


Medrese është fjalë arabe me kuptimin: vendmësim, vendudhëzim, vendkëshillim. Institucioni ku mësohen shkencat fetare islame, për brezat e rinj dhe më të vjetër. Në fillim medresetë ishin rezultat i bamirësive të myslimanëve të caktuar dhe ndërtoheshin brenda xhamive, por me rritjen e nevojave të myslimanëve, medresetë filluan të ndërtohen si institucione të veçanta. Medresenë e parë e kemi qysh në Xhaminë e Muhamedit a.s., të quajtur Suffa. (1)
Medreseja e parë në Botën Islame u ndërtua në vitin 457 (1064) në Nishabur (Irak) nga ana e vezirit Nizamulmulk, nga ku edhe kjo medrese e mori emrin dhe u bë e njohur, i cili e emëroi imam Gazaliun si myderriz (profesor)  i parë i saj. Kurse, medreseja e parë osmane u ndërtua në Iznik (Nikea) nga Orhan Gaziu, i cili këtë medrese e ndërtoi posa e pushtoi këtë qytet më 1330-1331 dhe për myderriz i saj e emëroi dijetarin e shquar të kohës, Davud Kajseriun (vd. 1350-1351), i cili kishte mbaruar studimet në Egjipt.
Si institucione klasike të arsimit islam, medresetë, që prej themelimit të Perandorisë Osmane e deri në fund të saj, kanë ofruar arsimimin dhe përgatitjen e një lloji dhe niveli të caktuar të dijetarëve, i cili përputhej me nevojat e shtetit dhe të shoqërisë në çështjet fetare, juridike e shkencore. Në botën osmane burimi kryesor dhe më i rëndësishëm i aktiviteteve shkencore fetare ishin, pa dyshim, medresetë.(2)


Medresetë në trojet shqiptare


Trojet shqiptare patën shumë medrese, të niveleve të ndryshme, nga fillestare e deri te ato të specializuara, për Kuran, hadith, etj. Edhe sot në trojet shqiptare shkollat fetare islame njihen me këtë emër dhe funksionon një numër i tyre.(3)
Në bazë të vakëfnameve dhe burimeve të tjera të publikuara deri sot, mund të konstatohet se medresetë e para në trojet shqiptare janë ngritur në fillim të shekullit XV. Medreseja më e vjetër e ngritur në këto troje është Medreseja e Ishak Beut në Shkup, e hapur para vitit 1411. Kurse Medreseja më e vjetër në Kosove është ajo e themelua ne Vushtrri brenda viteve 1444-1455 nga Gazi Aliu beu, pastaj para vitit 1516 ne Pejë nga Mehmet Beu, pastaj e Gazi Mehmet Pashës në Prizren e vitit 1537, Medreseja e Besharet Begut ne Prishtinë, e ngritur para vitit 1566 etj.(4)
Të përmendim edhe disa nga medresetë tjera të njohura në trojet shqiptare: Medreseja “Alauddin” në Prishtinë, “Medreseja e Madhe” e Shkupit, “Medreseja e Naltë” në Tiranë, Medreseja “Isa Beu” në Shkup, Medreseja “Medah” në Shkup, Medreseja e “Myderris Ali Efendiut” në Prizren, Medreseja e “Mahmud Pashë Rrotullës” në Prizren, Medreseja e “Emin Pashë Rrotullës” në Prizren, Medreseja e “Javus Mehmed Efendiut” në Prizren, Medreseja e “Sofi Sinan Pashës” në Prizren, etj.   
Shumë nga myderrizët dhe nxënësit e medreseve kanë marrë pjesë dhe kanë luajtur rol konstruktiv në të gjitha lëvizjet politike shqiptare, si në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës “Besa Besë” etj. Mirëpo, kontributi i Medresesë për popullin, për Kosovën dhe për shqiptaret ishte edhe më i madh gjatë viteve të 90-ta e këndejmë.(5)
Krijimi i rrethanave të reja shoqërore politike në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së sistemit socialist – komunist dhe mbetjes së Kosovës dhunshëm në kuadër të ashtuquajturës Jugosllavia Federative, imponoi domosdoshmërinë që prijësit fetarë shqiptar dhe ulemaja në përgjithësi që të organizoheshin për mbarëvajtjen e jetës dhe të institucioneve fetare islame në kuadër të hapësirës dhe mundësive të lejuara në kuadër të sistemit që ishte vendosur. (6)
Nga të dhënat e dokumenteve, raporteve dhe kronikave të kohës, shihet se paria e BIK-ut, pas konsolidimit të BIK-ut, çështjen e medresesë, përkatësisht arsimimin e kishte një ndër objektivat më parësore. Për këtë ndërmarrje i gjejmë të angazhuar prijësit e BIK-ut, duke filluar prej hfz. Bajram ef. Aganit - kryetar i Kryesisë së BI-së, pastaj hfz. Mustafa Canhasit (anëtar i Kryesisë së BI-së)(7), i cili ka qenë i angazhuar dhe i autorizuar nga Kryesia për përgatitjen e dokumentacionit dhe ndjekjen e procedurave tek organet kompetente të shtetit, si në nivelin krahinor, ashtu edhe në nivelet më të larta, për hapjen e medresesë në fjalë. (8)


Medreseja e Ulët në Prishtinë


Pas mbylljes së medreseve në Jugosllavi dhe në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, Këshilli ekzekutiv i Këshillit Krahinor për Kosovën e Metohinë, sipas kërkesës së Bashkësisë Islame të Kosovës, me Vendimin nr. 29503, të datës 26.06.1949, dha pëlqimin e hapjes së Medresesë së Ulët në Prishtinë. Megjithatë, për shkaqe teknike (për shkak të mungesës së lokalit), medreseja nuk ia filloi punës deri në vitin shkollor 1951-1953 (më saktësisht më datë 01.11.1951).(9)
Medreseja e Ulët e Prishtinës “Alauddin” filloi punën në lokalet e një ish mejtepi në oborrin e Xhamisë Alauddin në Prishtinë(10), mbi bazën e plan-programi të miratuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame. Pranë medresesë ishte ndërtuar edhe konvikti. Kohëzgjatja e shkollës ishte tre vjet.(11)
Medreseja e Prishtinës gjatë dekadave të punës dhe veprimtarisë së saj, ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut të jashtëzakonshëm në përgatitjen e ulemave të rinj, të kuadrit fetar e të drejtuesve shpirtëror të popullit tonë, në formimin e përgjithshëm kulturor të popullit, në edukimin moral, qytetar e atdhetar të brezave të rinj dhe në rrënjosjen e dashurisë për dije e përparim. Po ashtu, dihet fakti se medresenë e Prishtinës nuk e kanë kryer vetëm nxënësit nga Kosova, por aty kanë mësuar edhe nxënësit nga Maqedonia, Mali i Zi, Sanxhaku, Kosova Lindore, e më vonë edhe nga Shqipëria.(12)
Pas kryerjes së medresesë së ulët, nxënësit e kësaj shkolle vazhdonin mësimet e shkollës së mesme, ose inkuadroheshin në punë në organizatat e fesë islame apo gjetiu. Ata që dëshironin të vazhdonin shkollimin, duhej të shkonin në Sarajevë, në Medresenë e GHB (Gazi Husrev Beut). Një numër tjetër vazhdonin nëpër shkolla të tjera të mesme, si në gjimnaz, shkollë normale, shkollë ekonomike etj. (13)
Ne fillimet e saj, u mësuan këto lëndë: Kuran, gjuhe shqipe, matematikë, akaid, fikh, ahlak, histori islame, gjeografi, botanikë, vizatim, bukurshkrim, gramatike arabe, edukatë fizike, gjuhë serbe, imamat, fizike, kurse me kalimin e kohës u bënë ndryshime dhe reforma në plan-programin e medresesë, sidomos pasi qe ajo u bë nga e ulët në të mesme. Kështu që u shtuan edhe lëndët: tefsir, hadith, pedagogji, husnihat, retorikë etj.(14)


Medreseja e mesme “Alauddin” në Prishtinë


Në vitin shkollor 1962-63 Medreseja e mesme “Alauddin” në Prishtinë hapi dyert e saj në kohëzgjatje prej pesë vitesh. Ajo u hap në bazë të Aktit nr. 759-65 të Kryesisë Supreme Islame për RSF të Jugosllavisë në Sarajevë.  Me qëllim reforme, e për të ndjekur dinamikën e zhvillimeve shoqërore, Kryesia e Bashkësisë Islame në Prishtinë, më 1983 mori vendim që medreseja të bëhet shkollë e mesme katërvjeçare.(15)  Nga viti 1961 e deri me 1983, mësimi ne Medrese ka zgjatur pesë vite, kurse nga viti 1983 do të ulet në katër vite shkollore.(16)
Pas një angazhimi të vazhdueshëm dhe një punë intensive afro gjashtëvjeçare tё Bashkësisë Islame tё Kosovës ndërtohet objekti i ri i Medresesë, përurimi solemn i tё cilit u bë me 14. Shtator 1985.
Në vitin 1993, sipas kërkesës së Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Kryesia e Bashkësisë Islame vendosi që kjo medrese të hapte paralelen e saj në Prizren dhe një vit më vonë edhe në Gjilan. Kurse, në vitin shkollor 1997-1998 në kuadër të Medresesë “Alauddin” u hapën edhe dy paralele për femra, njëra në Prishtinë, ku u pranuan 38 nxënëse, dhe tjetra në Prizren, ku u pranuan 25 nxënëse.(17)
Ministria e Arsimit, në vitin shkollor 2013-2014, merr vendimin që shkollave të mesme në Republikën e Kosovës t’iu ndërrohet statuti nga 4 vjeçare në 3 vjeçare. Ajo që vlen të theksohet është se medreseja, që nga paslufta, në kuadër te Ministrisë llogaritej si Gjimnaz i Përgjithshëm 
Kurrikula e shkollës sa vjen dhe bëhet më tërheqëse, cilësore dhe bashkëkohore, pasi që në ketë shkollë mësohen, veç lëndëve fetare, edhe shkencat ekzakte dhe shkencat e tjera. Mësimi i gjuhëve të huaja ka një rëndësi të veçantë në Medresenë “Alauddin”, andaj mësohen tri gjuhë të huaja, angleze, arabe dhe turke.(18)
Disa nga drejtorët e medresesë “Alauddin” ishin: Ahmet Mustafa, Bajram Agani, Muharrem Adili, Shemsi Salihu, Rashit Osmani, Sherif Ahmeti, Resul Rexhepi, Naim Tërnava, Ekrem Simnica, Bahri Simnica, Jakup Çunaku, Fadil Hasani (drejtori aktual). 



__________________
  1. Nexhat Ibrahimi, Fjalor enciklopedik islam, Logos-A, Boton: Fjala, Shkup, 2017, f. 532.
  2. Sadik Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kosovë 1830-1912, Instituti albanologjikë, Prishtinë, 2019, f. 231-233.
  3. Nexhat Ibrahimi, op. cit., f. 532.
 4. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Medreseja “Alauddin” e Prishtinës (Përmbledhje kumtesash nga sesioni shkencor), Prishtinë, 2018, f. 5.
  5. Ibid., f. 14-15.
 6. Ramadan Shkodra, “Zhvillimi i institucioneve edukative-arsimore islame në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore”, Edukata Islame, Nr. 127-128, Prishtinë, 2022, f. 117.
  7. Arkivi i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Kutia nr. 22. Raport për punën e Kryesisë supreme për RPS në Prishtinë për periudhën nga themelimi i saj, 16 korrik deri më 23 maj 1951.
  8. Ramadan Shkodra, op. cit., f. 117.
  9. Nexhat Ibrahimi, op. cit., f. 532-533.
  10. Xhamia "Alauddin" (Emir Alaeddin) u ndërtua në gjysmën e parë të shekullit XVI. Kjo xhami gjendet pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës në një nga lagjet më të vjetra të Prishtinës, lagjen 'Vellusha'. Kjo lagje dikur emërtohej në bazë të emrit të xhamisë, si lagjja "Alauddin". Për shkak të vjetërsisë së ndërtimit të saj, xhamia "Alauddin" ndër vite është restauruar disa herë. Për herë të parë u rinovua në vitin 1987, e më pas në vitin 1997. Ndërsa pas luftës së fundit është restauruar dhe ngjyrosur nga jashtë si dhe është ngjyrosur ambienti brenda xhamisë. Pas restaurimit katër vjeçar të nisur në vitin 2020, kjo xhami u rifunksionalizua për besimtarët e saj para muajit Ramazan të këtij viti (2024). Informacionet e marra nga fb profili i BIK-ut me datë 07.03.2024.
 11. Nexhat Ibrahimi, op. cit., f. 532-533.
  12. Ramadan Shkodra, “Zhvillimi i institucioneve edukative-arsimore islame në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore”, Edukata Islame, Nr. 127-128, Prishtinë, 2022, f. 122-125.
 13. Nexhat Ibrahimi, op. cit, 2017, f. 532-533.
  14. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, op. cit., f. 188.
  15. Nexhat Ibrahimi, op .cit., f. 532-533.
  16. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, op .cit., f. 188-189.
17. Nexhat Ibrahimi, op. cit., f. 532-533.
  18. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, op. cit., f. 29.


Artikulli i kaluar
Dita e Ashures

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi