Komentimi i kaptinës “El-Mulk” (7)


A nuk i shikuan shpezët përmbi ta krahëhapur dhe kur krahët i palosin, ato nuk i mban kush në ajër, pos Fuqiplotit. Ai sheh çdo send. Kush është ajo ushtri juaja që do t’ju ndihmojë, pos Mëshiruesit? Është e vërtetë se jobesimtarët gjenden në një mashtrim të madh. Kush është ai që ju ushqen, po qe se Ai ua ndërpret furnizimin? Jo, askush, por ata vazhdojnë me arrogancë e kundërvënie. (El-Mulk, 19-21)


Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake


Allahu xh.sh. sërish thërret jobesimtarët t’u kthehen arsyes dhe logjikës së shëndoshë që duke vështruar e analizuar argumentet e panumërta lëndore përreth tyre, të kuptojnë që nuk janë idhujt e tyre, ata që kanë në dorë proceset e kësaj gjithësie, por është vetëm Allahu, Sovrani i këtij Universi madhështor. Ai fton idhujtarët që t’i shikojnë shpezët në qiell teksa fluturojnë, dhe të pyesin vetveten - athua kush i mban në ajër pos Fuqiplotit? Këto janë argumente hyjnore që njerëzit t’i kthehen besimit të drejtë, sepse askush përveç Allahut nuk i ushqen dhe nuk u sjell rrëskun, prandaj të mos vazhdojnë më me arrogancën dhe mendjemadhësinë e tyre në mohimin e Dritës hyjnore... 


Koment: 


19. “A nuk i shikuan ata shpezët përmbi ta krahëhapur dhe kur krahët i palosin, ato nuk i mban kush në ajër, pos Fuqiplotit. Ai sheh çdo send.” 


I Lartmadhërishmi vazhdon të sjellë argumente të tjera shtesë që argumentojnë për Njëshmërinë e Tij, si dhe për Fuqinë e Tij absolute në këtë gjithësi. Argumenti i radhës ka të bëjë me një botë tjetër të gjallesave, që vërehen prej njerëzve për çdo ditë. Bëhet fjalë për shpezët që fluturojnë mbi ne, duke shtrirë krahët e tyre dhe duke i palosur me elegancë e madhështi.
Të përmendurit e shpezëve në këtë ajet, sipas disa mufesirëve ndërlidhet edhe me faktin se jo fort larg nga aspekti kohor, Allahu i Madhërishëm i kishte shpëtuar kurejshët nga ekspedita e Ebrehesë, m’u me tufa zogjsh, të cilët i kishin shkatërruar ushtarët e tij, duke hedhur nga qielli gurë të zjarrtë mbi ta.
Thirrja e Allahut drejtuar idhujtarëve për të medituar rreth shpezëve që fluturojnë mbi ta është një thirrje tjetër drejtuar mendjeve të errësuara, që t’i binden fuqisë së Allahut. Po t’i analizojmë këto shpezë paksa më thellë, do të shohim që vërtet ato paraqesin një mrekulli mahnitëse të Krijuesit fuqiplotë.
Të marrim shembull zogjtë shtegtarë, që duke u shpërngulur prej një vendi në një vend tjetër, kalojnë mija e mija kilometra nëpër hapësirën qiellore. Distancat që ata përshkojnë janë aq të largëta, por ato, duke qenë të pajisura me një navigacion dhe “busullë” natyrale, dhunti e Allahut të Madhërishëm, për asnjë çast nuk devijojnë nga trajektorja e tyre, të cilën e dinë instinktivisht. 
Te këta zogj shtegtarë janë bërë eksperimente të shumta shkencore, dhe rezultatet kanë dalë gjithnjë fascinuese. Këto eksperimente kanë dëshmuar që shpendët kanë sisteme tejet të avancuara të vëzhgimit, nëpërmjet të cilit instinkt, duke shfrytëzuar fushën magnetike të tokës më lehtë e gjejnë rrugën e tyre. Ky sistem efikas u ndihmon shpendëve që gjatë shtegtimit të tyre të përcaktojnë drejtimin, duke vëzhguar ndryshimet në fushën magnetike të Tokës, dhe po ashtu është vërtetuar se gjatë fluturimit nuk orientohen vetëm në bazë të vrojtimit të terrenit, por edhe falë instinktit të tyre të lindur. Në anën tjetër, shtrohet pyetja, athua si mbahen në ajër aq gjatë pa pushuar, dhe ky fluturim a u shkakton ndonjë lodhje?
Përgjigjja qëndron në faktin se shumë prej këtyre shpezëve, Allahu xh.sh. u ka dhuruar mundësinë e shfrytëzimit edhe të erërave të ndryshme që fryjnë mbi tokë. 
P.sh. është vërtetuar që lejleku duke shfrytëzuar erërat e ngrohta të rrymave ajrore, fluturon deri në 2000 metra lartësi, e pastaj vetëm shtrin krahët dhe shfrytëzon këtë bartës natyral-erën, deri në rrymën tjetër të ngrohtë ajrore, pa u lodhur fare. 
I Plotfuqishmi në lidhje me këtë, flet edhe në ajetin 79 të sures “En-Nahl”: “A nuk i shohin ata, shpendët fluturues në ajrin e qiellit, të cilët nuk i mban kush, përveç Allahut. Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë.” 
Disa shpendë të tjerë, që fluturojnë në lartësi shumë të mëdha deri në 8.000 metra, ku realisht atmosfera është më e rrallë sesa në nivelin e detit, kanë mushkëri të atilla, që edhe në këto rrethana të pafavorshme ku oksigjeni është më i rrallë, arrijnë të shfrytëzojnë edhe atë oksigjen të paktë, duke e shndërruar në energji të mjaftueshme, për të udhëtuar e përshkuar distanca të largëta. 
Sot, në botë ekzistojnë qindra lloje dhe specie të shpendëve, si, shqiponja, sokoli, skifteri etj., si dhe zogj të vegjël, disa prej të cilëve kanë pupla që mahnitin me koloritin e tyre, ndërsa ka prej tyre që me cicërimat e tyre magjepsëse të lënë pa frymë, dhe te njerëzit ngjallin ndjenja të admirimit dhe të besimit në Allahun fuqiplotë, i Cili i ka krijuar të gjitha këto krijesa. Për njerëzit që logjikojnë, ky fakt do të ishte i mjaftueshëm që t’i përulen e bien në sexhde Krijuesit të tyre, sepse çdo krijesë në mënyrën e vet i bën tesbih-madhërim Allahut xh.sh., qofshin ata njerëz në tokë, engjëj në qiell, gjallesa në tokë dhe shpezë në qiej. I Madhërishmi në Kuranin famëlartë thotë: “A nuk e di për Allahun se Atij i lutet çka ka në qiej e në tokë, madje edhe shpezët krah-hapura... ” – (En-Nur, 41) 


20. “Kush është ajo ushtri juaja që do t’ju ndihmojë, pos Mëshiruesit? Është e vërtetë se jobesimtarët gjenden në një mashtrim të madh.” 


Ky ajet është një qortim, kërcënim dhe përçmim i drejtpërdrejtë, drejtuar jobesimtarëve mekas, që nuk po arrinin të zgjidhnin në mes të Vërtetës Absolute dhe imagjinatës iluzore, në vorbullën e së cilës ishin futur nga injoranca e tyre e shtresuar për shekuj me radhë. Idhujtarët ishin të bindur se “zotat-idhujt” që i adhuronin, kishin fuqi për të dirigjuar jetët e tyre, prandaj përpiqeshin që me dhurata të ndryshme dhe sakrifica të arrinin bekimin e tyre, e të shmangnin hidhërimin e tyre. Por, ja që Allahu dëshiron T’ua zhdavarisë nga mendjet e mykura këtë besim të tyre të kotë dhe të pavlerë, sepse këta “zota”, nuk ishin gjë tjetër vetëm se gurë dhe drunj të skalitur, të pajetë dhe të pafuqi. Prandaj edhe I provokon mendjet e tyre që t’i kthehen arsyeshmërisë, duke i pyetur se cila është ajo ushtri e rreme që ata po i bindeshin, e që mund t’i shpëtojë nga ndëshkimi i Sovranit të vetëm të Gjithëpushtetshëm të këtij Universi. A nuk u kishin arritur lajmet e popujve të mëparshëm sesi Allahu i madhërishëm i ndëshkoi me rrebeshe gurësh nga qielli, apo me dridhje të tokës nën këmbët e tyre? Si nuk e kuptojnë se nuk ka ushtri tjetër pos ushtrisë së Allahut, e cila është e shpërndarë gjithandej në këtë ekzistencë dhe që vepron me lejen e Allahut? 
A nuk thotë i Lartmadhërishmi në Kur’an: “Edhe ushtritë (ndëshkuese) e qiejve e të tokës janë vetëm të Allahut...” 
Kur është fjala për ushtritë e Allahut, komentatorët e kuranit kanë dhënë disa mendime: 
1. Këto ushtri të padukshme të Allahut janë melekët e ndëshkimit, të cilët me urdhrin e Tij shkatërrojnë popujt e pabindur dhe zullumqarët. Raste të tilla përgjatë historisë ka pasur përplot. 
2. Ushtri të Allahut janë edhe erërat dhe shtrëngatat e fuqishme, që herë pa here godasin tokën. Në të kaluarën kishte popuj që u shkatërruan nga këto erëra të forta. 
3. Ushtri të Allahut janë edhe zogjtë, të cilët kishin shkatërruar Ebrehenë dhe luftëtarët e tij. 
4. Ushtri të Allahut janë edhe ushtritë e besimtarëve, të cilët duke mos pasur tjetër preokupim në zemrat e tyre pos lartësimit të Fjalës së Njëshmërisë, shpërndajnë në tokë dritën dhe fenë e Allahut,... 
5. Ushtri të Allahut janë të gjitha krijesat e kësaj ekzistence, qofshin melekë, njerëz, exhinë, kafshë, shpezë, toka, detet, oqeanet, qielli së bashku me yjet, planetët dhe galaktikat e zjarrta...
Që të gjitha këto mendime mund të merren si të sakta, ndërkohë që mendimi i fundit është më i pranuari, meqë është gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë, sepse çdo gjë në këtë gjithësi i nënshtrohet fuqisë së Allahut. 
Në këtë ajet, së bashku me kërcënimin që Allahu xh.sh. u bën kurejshëve për shkak të arrogancës së tyre dhe mosbindjes, përmend edhe emrin e Tij “Er-Rrahman” – Mëshirues mëshirëplotë, në mënyrë që idhujtarëve T’u lë gjithmonë të hapur derën e pendimit për t’u kthyer tek mëshirëploti, sepse, herët a vonë, vetëm tek Ai është kthimi i të gjitha krijesave. Allahu xh.sh. sikur u thotë atyre që të mos ia mbyllin vetvetes derën e mëshirës hyjnore me çelësat e kufrit e të mosbesimit, por t’i besojnë Atij dhe të Dërguarit të Tij-Muhamedit a.s., e të përudhen në Dritën e Amshueshme të besimit... 


21. “Kush është ai që ju ushqen, po qe se Ai ua ndërpret furnizimin? Jo, askush, por ata vazhdojnë me arrogancë e kundërvënie.” 


Në këtë ajet, Allahu xh.sh. po ashtu u drejtohet me një pyetje tjetër, e që ka për qëllim kthjellimin e mendjeve të errësuara të idhujtarëve. Athua prej kujt do të kërkonit rrëskun tuaj, po qe se Allahu, i Cili është Furnizuesi i çdo gjallese në këtë ekzistencë, do T’ua ndalonte furnizimin? A thua do të kërkonit furnizim prej gjërave të ngurta, të cilat as flasin e as kanë fuqi për të bërë diçka nga vetvetja?! Sigurisht që pa ndihmën dhe rrëskun e Allahut, idhujtarët nuk do të ishin në gjendje ta përpinin dot as një kafshatë buke që e mbajnë në dorë. Prandaj, për ta do të ishte më mirë që t’i hapnin sytë e të shikonin të vërtetën, ta shijonin jetën e tyre nën hijen e besimit të drejtë, sepse pa këtë besim, nuk ka të ardhme, por vendbanim i tyre i përjetshëm do të jetë vetëm skëterra e Xhehenemit, e cila do ta gllabërojë pa mëshirë dhe përjetësisht çdo qafir dhe mohues të Allahut e të ahiretit.. 
Allahu xh.sh. ua bën me dije të gjitha krijesave, përfshirë këtu idhujtarët mekas dhe njerëzit e sojit të tyre, që pavarësisht kohës në të cilën kanë jetuar ose do të jetojnë, se vetëm Ai është Furnizuesi i Përjetshëm: “Allahu është furnizues i madh. Ai, Fuqiforti.” – (Edh-Dharijat, 58) 
I Lartmadhërishmi nga mëshira e Tij e pakufishme i furnizon të gjitha krijesat pa dallim, sepse është “Mëshirëplotë”. Ai në këtë botë nuk bën dallim në mes të besimtarit dhe qafirit në çështje të rrëskut, ndërkohë që dhuntitë e Tij të pakufishme në botën tjetër janë të rezervuara ekskluzivisht vetëm për besimdrejtët, të cilët për asnjë çast nuk u shmangën nga e vërteta.
Besimtarët, gjithnjë duhet të jenë falënderues dhe mirënjohës për rrëskun dhe furnizimin e Allahut ndaj tyre. Ai i di nevojat e çdo krijese dhe vetëm tek Ai është kthimi. I lartësuar qoftë Allahu, Furnizuesi më i Mirë… 


Urtësia e këtyre ajeteve:


- Allahu i Madhërishëm, përveç njerëzve ka krijuar edhe krijesa të tjera, të cilat e madhërojnë dhe e lartësojnë Atë. Prej këtyre krijesave janë edhe shpendët, që janë argument i përsosmërisë krijuese të Allahut xh.sh.. 
- Po t’i vrojtonin idhujtarët këto shpezë sesi f luturojnë në ajër me flatrat e tyre të hapura, do të ishte argument i mjaftueshëm i ekzistimit të Krijuesit të tyre, sepse ato nuk do të mund të fluturonin pa ndihmën e Allahut xh.sh..
- Allahu xh.sh. u drejtohet jobesimtarëve, me pyetjen se cila ushtri do t’ju ndihmojë përveç të Gjithëmëshirshmit, kur ju, idhujtarë të Mekës i konsideroni ushtri, ata gurë dhe drunj të skalitur, që nuk kanë mundësi të bëjnë as dëm e as dobi. Arsyeja e këtij kërcënimi hyjnor ka të bëjë me kthimin e idhujtarëve në arsyeshmëri, që të hapnin sytë e “verbuar”, me të cilët nuk po shihnin të vërtetën e ekzistimit të vetëm Një Fuqie absolute – Allahun xh.sh..
- Ushtritë e Allahut janë të panumërta, të dukshme dhe të padukshme. Nëpërmjet tyre, Allahu i madhëruar ka ndëshkuar dhe ndëshkon popuj të ndryshëm. Këto ushtri të Allahut janë melekët, njerëzit, uji, zjarri, toka, qielli dhe gjithçka që ka në mes tyre...
- Allahu është i Vetmi Furnizues, prandaj njerëzit duhet të jenë mirënjohës ndaj kësaj dhurate hyjnore, sepse rrësku është në kompetencën absolute të Krijuesit fuqiplotë.
- Ata që mohojnë argumentet e Allahut në këtë gjithësi dhe nuk përudhen në të Vërtetën, përfundimi i tyre do të jetë Xhehenemi, në të cilin do të ndëshkohen përjetësisht... 
– vijon-


 


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme