Komentimi i kaptinës “El-Mulk” (8)



“A është më i udhëzuar ai që ec i përmbysur me fytyrë në tokë, apo ai që ec në pozicion qëndrues rrugës së drejtë? Thuaj: “Ai është që ju krijoi, ua dhuroi të dëgjuarit, të parit dhe mendjen, kurse pak po e falënderoni” Thuaj: “Ai është që ju krijoi e ju shumoi në tokë dhe vetëm te Ai do të tuboheni!” (El-Mulk, 22-24) 


22. “A është më i udhëzuar ai që ec i përmbysur me fytyrë në tokë, apo ai që ec në pozicion qëndrues rrugës së drejtë?” 


Allahu i Lartmadhërishëm, në këtë ajet kuranor sjell krahasimin në mes qafirit dhe besimtarit, që të na qartësojë dallimin ndërmjet atij që e mohon Zotin e kësaj ekzistence, dhe të atij që i nënshtrohet, duke respektuar urdhëresat e Tij. 
Shëmbëllimi i jobesimtarit me atë që ecën fytyrë përmbysur në tokë, shpërfaq më së miri realitetin e mjerë të çdo femohuesi, sepse të mos shohësh Dritën e udhëzimit të Allahut, do të thotë të jesh i verbër e i pandjenja, të kesh një zemër të ngurtë e mendje të turbullt. 
Jobesimtari është përshkruar si një i përmbysur, i cili gjatë jetës së tij nuk ka ndonjë qëllim të caktuar, por është i hutuar, ndërkohë që besimtari është përshkruar si një njeri krenar dhe i papërkulur në besimin e tij të drejtë. 
Në lidhje me jobesimtarët, dhe verbërinë e tyre jo vetëm në sy, por edhe në zemra e mendje, f lasin shumë ajete kuranore, ndër të cilat do të veçonim:
“Allahu ua mbylli atyre zemrat, veshët e tyre dhe në të pamurit e tyre ka një perde, e ata kanë një dënim të madh.” (El-Bekare, 7) 
Të vulosurit e zemrave dhe veshëve të tyre, nënkupton pamundësinë e ndjesisë së të Vërtetës hyjnore, kurse me perden që e kanë para syve, dëshmohet se ata nuk janë në gjendje të shohin e as të marrin mësim prej argumenteve lëndore për ekzistimin e Zotit, të cilat i kanë pranë dhe para vetes, gjithandej. 
Kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton që Allahu i ka krijuar të tillë, që të jenë banues të zjarrit, por nënkupton se zemrat e tyre i ka mbërthyer ndryshku i kufrit, dhe më nuk “shohin” e as janë në gjendje ta kuptojnë të vërtetën. 
Këtë gjendje të tyre të mjerë, e sqaron Allahu xh.sh. edhe në këtë ajet kuranor: 
“... Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur...” (El-A’raf, 179) 
Zemrat e jobesimtarëve mohojnë Imanin besimin, meqë ato në Kuran përshkruhen herë si të vulosura me ndryshk, herë me verbëri e herë-herë me sëmundje. Kjo gjë ua pamundëson atyre që tek ta të depërtojë drita e udhëzimit. Në zemrat e tyre më nuk ka asnjë shpresë se mund të rrezatojë ndonjë shkëndijë e mëshirës hyjnore, sepse ata vetë i kanë mbyllur këto dyer të shpresës. Madje, ato nuk i zbut as përkujtimi i Allahut, përkundrazi vetëm se u shtohet kufri dhe inati. Allahu xh.sh. këtë soj të njerëzve të pabindur i përshkruan në Kuran si të vdekur, të zhytur në errësirat e injorancës. Ja se çfarë krahasimi bën i Lartmadhërishmi për besimtarët dhe jobesimtarët kur thotë: 
“Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë (dalë) nga ajo?” (El-En’am, 122) 
Nga ky ajet shohim se besimtari i vërtetë para besimit të tij i ngjason po ashtu një të vdekuri, por Allahu e ka gjallëruar me Imanin e tij, duke i dhuruar dritë e udhëzim, për t’ia ndriçuar rrugën e jetës, ndërsa idhujtari dhe qafiri, mbesin përjetësisht në “vdekjen” e tyre, dhe në errësirën shpirtërore e fizike e cila i rrethon nga të gjitha anët, kështu që mbesin të hutuar dhe nuk gjejnë mënyrë për të dalë nga kjo errësirë, sepse zemrat e tyre të ngurta, nuk janë në gjendje të përthithin as aromën e as dritën e Imanit, prandaj ata konsiderohen të vdekur për së gjalli. 
Transmeton Imam Ahmedi nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Njerëzit do të ringjallen tre llojesh: Një lloj (grup) do të ringjallen duke ecur, një tjetër duke kalëruar, kurse një grup do të ringjallen duke ecur (zvarritur) me fytyrat e tyre.” I thanë: O i Dërguar i Allahut, a thua si do të ecin me fytyrat e tyre?, ndërsa ai tha: “Ai i Cili i ka bërë që të ecin në këmbë, ka fuqi që T’i detyrojë të ecin (zvarriten) me fytyra...”: 


23. “Thuaj: “Ai është që ju krijoi, ua dhuroi të dëgjuarit, të parit dhe mendjen, kurse pak po e falënderoni” 


Allahu xh.sh. nga mëshira e Tij e pakufishme, e porosit të Dërguarin e Tij-Pejgamberin e mëshirës për të gjithë njerëzit, që sërish, t’ua përcjell idhujtarëve dhe jobesimtarëve mesazhin e Dritës hyjnore, që t’i kthehen logjikës së shëndoshë, duke ua përkujtuar e thënë: A nuk është Allahu Ai që Ju krijoi dhe Ju pajisi me të gjitha shqisat: të dëgjuarit dhe të pamët, dhe Ju dalloi nga gjallesat e tjera me mendje e arsye? A nuk Ju krijoi Ai etapë pas etape në barqet e nënave tuaja duke Ju sjellë në këtë botë, që të jeni mirënjohës dhe falënderues? A nuk Ju përsosi në formën më të bukur, duke ju dhënë bukurinë njerëzore, prandaj si mund të jeni kaq pak falënderues e mosmirënjohës?!
Ky ajet, ua bën të ditur idhujtarëve se Allahu i madhërishëm ua ka dhënë tri dhunti të mëdha, por ju nuk i përfillët dhe madje ishit shumë mosmirënjohës dhe indiferentë ndaj tyre. Ju me të dëgjuarit tuaj, nuk deshët të dëgjonit udhëzimin e Pejgamberit a.s., me sytë tuaj, nuk patë argumentet e shumta të Krijuesit por i mbyllët ata para së të Vërtetës, ndërkohë që me zemrat dhe mendjet tuaja, nuk logjikuat e as medituat rreth fakteve në të cilët u thirrët të besonit - në Allahun si Krijues dhe në pranimin e Muhamedin a.s. si të dërguar të Tij. Pjesa e fundit të ajetit “pak po e falënderoni”, në fakt nënkupton se ju aspak ose hiq nuk jeni falënderues për shkak të arrogancës në zemrat e juaja, andaj përgatituni që të shijoni dënimin e dhembshëm në Ahiret. 


24. “Thuaj: “Ai është që ju krijoi e ju shumoi në tokë dhe vetëm te Ai do të tuboheni!” 


Ky ajet sikurse edhe ata paraprak, ka ardhur si përforcim i ajetit të dytë të kësaj kaptine: “...për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë....”, sepse çdo proces në këtë botë, është një sprovë për njeriun, për të parë se ç’rrugëtim do të ndjekë në gjurmimin e së Vërtetës. Ky ajet është po ashtu përforcim i argumenteve të Fuqisë së Allahut, sepse Ai ka fuqi që pas vdekjes të na ringjallë e të na tubojë në Ditën e Gjykimit. 
Një prej argumenteve më madhështore të fuqisë së Allahut është fakti se Ai na krijoi prej një mashkulli dhe një femre, na ndau në popuj e fise që ta jetojmë këtë jetë, por në fund, do të na marrë në Llogari për veprat tona, në të cilat ishim të lirë.
Fjala “Dhere’ekum fil erdi” nënkupton se Allahu Ju shumoi në tokë, duke Ju siguruar rrëskun furnizimin, pavarësisht nëse i besoni Atij apo jo, por në Ahiret, ata që mohuan Njëshmërinë e Tij, nuk kanë se çfarë të kërkojnë nga mirësitë e Tij. 
Ky ajet, njëkohësisht dëshiron t’i vetëdijesojë idhujtarët se Ringjallja është e vërtetë, meqë ata, mu në këtë pikë, më së shpeshti polemizonin me të Dërguarin e Allahut, duke e tallur e përqeshur se si mund të ketë ringjallje, pasi që trupat të kenë vdekur e të jenë bërë hi e pluhur. 
Zaten, shumë prej ajeteve kuranore janë për qendruar mu në këtë vetëdijesim të jobesimtarëve, se ashtu siç Allahu na ka krijuar për herë të parë, Ai sërish do të na rikrijojë duke na ringjallur, sepse është Krijues dhe është i Plotfuqishëm. 
Në këtë kontekst vjen edhe ajeti kuranor: “Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë...” (El-Enbija’ë, 104) 


Porositë e këtyre ajeteve:


- Meditimi rreth argumenteve dhe shembujve që Allahu ka sjellë në Kur’anin fisnik rreth besimtarëve dhe jobesimtarëve, duhet të na shërbejnë në forcimin e Imanit.
- Dallimet në mes besimtarit dhe jobesimtarit janë të shumta dhe aq të dukshme, ashtu siç është dallimi në mes dritës dhe errësirës.
- Allahu e ka lënë njeriun të lirë në vepra; nëse do, përudhet, e nëse ndjek intrigat djallëzore, do të jetë i humbur në të dyja botët.
- Është obligim i çdo muslimani ta kërkojë udhëzimin nga Allahu i Plotfuqishëm.
- Pejgamberi a.s., është nderuar nga ana e Allahut xh.sh., duke bërë që nëpërmjet gjuhës së tij, t’ua shpaloste idhujtarëve dhe jobesimtarëve në çdo vend e kohë, argumentet bindëse për ekzistimin e Zotit.
- Mirësitë e përmendura në këto ajete, janë aq të mëdha, saqë patjetër duhet të meditohet thellë rreth tyre.
- Ajetet në të cilat i Madhërishmi e ka urdhëruar të Dërguarin e Tij për të thirrur në Islam dhe besim, janë urdhëresa imediate edhe për të gjithë thirrësit islamë.
- Fuqia e Allahut nuk shfaqet vetëm në shumë llojshmërinë e krijesave, por edhe në krijimin e pashoq dhe rregullimin e përkryer të kësaj ekzistence.
- Të dëgjuarit, të pamaturit dhe mendja, janë mirësi të mëdha për krijesën njerëzore, prandaj i mallkuar është ai njeri që nuk i është mirënjohës allahut për këto dhunti.
- Mëkëmbësia e njeriut në tokë është e afatizuar, dhe kjo do të përfundojë me shkatërrimin e kësaj gjithësie dhe daljen para Allahut xh.sh.
- Ringjallja dhe tubimi i të gjitha krijesave para Allahut xh.sh. është manifestim i Fuqisë Absolute, i Cili ashtu siç na ka krijuar herën e parë, ka mundësi edhe të na ringjallë e të na marrë në Llogari.


– vijon –


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme