Islami është një fe, e cila përmirësimin e raporteve ndër njerëzore e ka moto të përhershme. Zhdukjen e ndasive klasore e shtresore dhe luftimin e gjërave që krijojnë kushte të disharmonisë shoqërore, Islami e ka patur prioritet qysh nga ditët e para. Sa bukur ka thënë Allahu i Madhëruar:
“Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur'anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së xhehennemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu All-llahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju ta gjeni të vërtetën e lumtur”. (Ali Imran, 103)
Islami si program, veçohet nga programet tjera me tri elemente thelbësore:
1. Hyjnor për kah origjina dhe burimi, dhe, nëse Allahu i Madhëruar është i pa te meta, atëherë edhe Islami si ligj prej Tij është i tillë.
2. Gjithëpërfshirës për nga aspekti i zgjidhjes për problematikat e jetës së njeriut, që do të thotë se ligjet tjera nuk na duhen, dhe
3. Aktual, me kuptim të vlefshmërisë për çdo kohë dhe vend.
Meqenëse bota është përfshirë nga kriza të mëdha ekonomike dhe varfëria vazhdon të trishtojë qindra miliona njerëz anekënd botës, në këtë punim ekskluzivisht do t’i qasemi kësaj problematike nga këndvështrimi islam.
Si e zhduku Islami varfërinë?
Metodat dhe mënyrat që përdori feja islame në luftimin e varfërisë janë të shumta, megjithëse ato mund të përmblidhen në dy më kryesoret:
1. Luftë ideore në fushën e mendimit dhe perceptimit.
Angazhimi islam në këtë aspekt ishte i fokusuar në zbehjen e imazhit të varfërisë, ani pse ajo nuk paraqet problem në aspektin fetar. Njeriu edhe nëse është i varfër, mund të jetë shumëfish më i mirë se sa një i pasur, gjë që zakonisht edhe ndodhë. Ajo që Islami mëton këtu është zhdukja e varfërisë në mënyrë që muslimanët të mos dobësohen e më pas të nënshtrohen nga ata, që sot në emër të vlerave, shkatërrojnë vlerat, në emër të lirisë, shkatërrojnë popuj, në emër të ndihmave, japin kamatat, dhe ja, si rezultat i këtyre “virtyteve” të kanibalëve, bota përjeton tmerrin më të madh ekonomik brenda dekadash.
Bindjet se “varfëria është e shenjtë”, “varfëria i duhet besimtarit”, “besimtari nuk duhet të ketë pasuri”, Islami i konsideron besëtytni dhe bindje të gabuara. Si mund të cilësohen të tilla kur ato ummetit i sjellin vetëm fatkeqësi. Në një hadith kudsijj qëndron se Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Ne e kemi zbritur pasurinë për faljen e namazit dhe për dhënien e zekatit. Njeriu sikur të kishte një luginë me pasuri, do ta dëshironte tjetrën. Sikur të kishte dy, do të dëshironte të tretën. Barkun e tij nuk e ngop asgjë përveç dheut kurse Allahu i Madhëruar ua pranon pendimin atyre që pendohen”(1).
Në këtë hadith janë dhënë instruksione shumë të qarta për pasurinë. Ajo duhet të destinohet në dy rrugë kryesore:
a) Fetare, me kuptim të ndërtimit të objekteve fetare, xhami, shkolla, apo universitete fetare.
b) Shoqërore, me kuptim të solidarizimit duke dhënë zekatin për ata të cilët nuk kanë.
Pjesa tjetër e hadithit flet për ata që pasurinë nuk e kanë mjet por qëllim, jetojnë për të dhe vdesin për të.
Si mund të ketë statut varfëria kur Islami u forcua pikërisht me kontribute të njerëzve që kurrë më njerëzimi nuk do të shohë të tillë?! Dhënia e tërë pasurisë së Ebu Bekrit, dhënia e gjysmës së pasurisë së Omerit, dhënia e dhjetëra herë e pjesëve të mëdha të pasurisë nga Uthmani e AbduRrahman b. Aufi, etj. Madje vet Muhammedi, alejhi’s selam ka deklaruar:
“Asnjë pasuri sikur ajo e Ebu Bekrit nuk më ka bërë dobi”(2).
Si mund të konsiderohet e tillë varfëria, kur Islami:
- Pasurinë e cilësoi si dhuratë prej Allahut të Madhëruar(3),
- Nxiti që të lutemi për pasuri mëngjes e mbrëmje(4),
- Pasurinë e bëri si shenjë edhe të besimit të sinqertë(5) ndërsa varfërinë si shenjë të mohimit, mëkateve dhe kryeneçësisë(6),
- Nxiti për sadaka(7) dhe lejoi zilinë(8) vetëm në pasuri që jepet për Allahun e Madhëruar.
Pra, kështu Islami, duke urryer në njërën anë varfërinë dhe duke nxitur në anën tjetër për pasuri të ndershme, apo thënë më mirë duke vetëdijesuar besimtarin karshi kësaj dukurie, ofron këtë alternativë psikologjike, ndikimi i së cilës është mjaft i madh.
2. Lufte praktike në rrafshin e veprimit dhe menaxhimit.
Islami nuk është imagjinar dhe nuk kufizohet vetëm në teori, por, krahas kësaj, ai sjell edhe hapa praktik në zgjidhjen e problemeve. Ai i ngjan një are, që nga djerrina shndërrohet në tokë të pëlleshme, e në këtë kontekst, nga varfëria shndërrohet në një vend progresiv. Hapat që Islami i vuri për luftimin e varfërisë janë:
1) Puna dhe angazhimi. Gjënë e parë që mund ta vërejmë në këtë kontekst është mishërimi i dy parimeve, atij teorik dhe këtij praktik. Islami lufton bindjen e gabuar përkitazi me punën në dy aspekte:
a) Mbështetjen e gabuar në Allahu e Madhëruar ngase po nuk punove, mbështetja konsiderohet false. Omeri transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“Sikur ju të mbështeteshit në Allahu e Madhëruar ashtu siç duhet mbështetur, do t’iu furnizonte ashtu siç furnizon zogjtë; gdhijnë të uritur ndërsa kthehen barkun plot”(9).
Dëshmi është fjala: “gdhinë...kthehet”, që nënkupton lëvizjen dhe angazhimin.
b) Inferioritetin ndaj llojeve të punëve. Turp është të shtrish dorën(10) apo të bësh punë të paligjshme ndërsa të punosh punë të ndershme, çfarëdo qofshin ato, nga të cilat fiton bukë, është nder sipas Islamit. Kështu, tërë atyre që favorizojnë varfërinë ndaj disa punëve që qenkan të thjeshta për ta, Islami ua përkujton se edhe te dërguarit e Allahut, pejgamberët, alejhimu’s selam, ushtruan funksione nga më të ndryshmet. Musai dhe Muhammedi, alejhima’s selam, dy prej pejgamberëve më të zgjedhur, në veçanti, dhe të gjithë pejgamberët tjerë, në përgjithësi, ishin barinj(11) derisa Davudi, alejhi’s selam ishte edhe farkëtar(12).
Të kthehemi tek puna. Islami njeriut i la në dispozicion mundësi të shumta për të arritur tek pasuria e ndershme. Ndër to:
a) Mbizotërimi mbi pasuritë tokësore dhe nëntokësore. Thotë Allahu i Madhëruar:
“Ne ju vendosëm në tokë dhe ju mundësuam jetesën (mjetet për të jetuar), e pak prej jush po falënderoni”. (El A’rafë, 10)
“Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja”. (El Mulk, 15)
Pra, punoni, zbuloni, mbillni, përfitoni, qoftë mbi qoftë nën tokë, në det e edhe në sipërfaqet më të thella të tij, ndërsa varfërisë si opsion mos i lëni vend fare. Punimi i tokës me të mbjella, zbulimi i naftës dhe nxjerrjes së diamanteve dhe xeheve e gurëve tjerë të çmuar nga toka, në njërën anë, dhe peshkimit, kripës dhe nxjerrjes së margaritarëve të çmuar nga deti, në anën tjetër, janë vetëm disa nga aspektet që dëshmojnë këtë epitet dhe mundësi që iu dha njeriut.
b) Tregtia. Feja nuk bie ndesh me punën. Ato janë të lidhura ndërmjet vete në atë mënyrë që njëra plotëson tjetrën. Feja mbikëqyr anën legjislative ndërsa puna ndikon në zhvillimin e saj. Këtë ndërlidhje e vërejmë, tërthorazi, edhe në këto ajete:
“O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejtë për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini. 10. E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut, por edhe përmendeni shpeshherë All-llahun, ashtu që të gjeni shpëtim”. (El Xhumuah, 9-10.)
c) Mbjellja e tokës. Meqenëse më lart aluduam në këtë, ajo që këtu synojmë është një buqetë parimesh të arta islame përkitazi me tokën, të cilat do i përmbledhim në pikat vijuese:
c.1. Toka nuk mbjellët që vetëm ti të përfitosh prej saj. Edhe nëse nuk të jepet rasti që drejtpërdrejte të fitosh prej saj, materialisht, duhet ta mbjellësh atë që të jetë një lëmoshë rrjedhëse për ty(13).
c.2. Toka e papunuar kalon në pronësi të atij që e punon. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“Kush e ngjall një tokë të vdekur, ajo bëhet pronë e tij”(14).
Në koment të këtij hadithi janë dhënë kuptime të mrekullueshme. Është quajtur tokë e vdekur ngase punimi i saj është jetë për të derisa e kundërta është vdekja. Kurse mbi pronësinë, janë dhënë këto mendime:
- Shumica dërrmuese e dijetareve: Ajo behet prone e tij, pa marre parasysh lejen e pushtetit dhe afërsinë e saj me shqepi (me kuptim që banorët që janë afër kanë nevojë për atë tokë).
- Ebu Hanife: Leja e pushtetit duhet patjetër.
- Maliku: Nëse është afër shtëpive, që kanë nevojë për atë tokë, lihet, ndryshe merret(15).
Në kuadër të ndërmarrjeve praktike për luftimin e varfërisë, Islami ka krijuar edhe dy organe të fuqishme, e cilat janë faktorë kyç në mbylljen e derës së varfërisë.
1. Solidarizimi shoqëror.
Ky organ për të dhënë efektin e vet, duhet të jetë i kombinuar patjetër edhe prej dy pjesëve bazike:
1. a. Solidarizimi me njerëz që nderi nuk i lë të lypin edhe pse kanë nevojë(16).
1. b. Mosdhënia atyre që janë të shëndoshë për të punuar por janë dembelë. Imam Ahmedi transmeton nga Ibni Omeri dhe Ebu Hurejre se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“Sadakaja nuk i lejohet pasanikut dhe as atij që është i aftë për punë”(17).
Nëse kihen parasysh këto dy parime, atëherë neve duhet të kuptojmë se tërë njerëzit nuk janë të njëjtë. Allahu i Madhëruar caktoi sprovën në mënyra të ndryshme. Dikush humb pasurinë, dikush humb kujdestarin e familjes, dikush humb prindin, dikush për shkaqe shëndetësore nuk mund të sigurojë kafshatën e gojës, kështu që Islami nxiti njerëzit për ndihmë njëri tjetrit duke ua bërë me dije se ata janë të gjithë pjesë e një trupi që quhet Islam, për të cilin ua solli këtë shembull. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“Shembulli i besimtarëve ne dashuri, mëshirë dhe butësi reciproke është sikur shembulli i trupit; nëse një gjymtyrë rënkon, atëherë rënkon tërë trupi nga pagjumësia dhe ethet”. (Muslimi).
Ky solidarizim ndahet në dy pjesë:
- Solidarizim me farefis dhe të afërm, dhe
- Solidarizim me të tjerët.
Programi islam për solidarizimin me të afërmit është i pashembullt në botë. Është e pamundur të gjendet ndonjë ligj a mësim që nxit e stimulon për këtë ndihmë reciproke ashtu siç nxit Islami. Aq e ka lidhur me gjëra madhështore saqë njeriu sikur të mos kishte motiv tjetër për punë vetëm këtë do t’i mjaftonte. Atë e cilësoi si:
- Paralel me adhurimin për Allahu e Madhëruar(18),
- Urdhër prej Allahut të Madhëruar(19),
- E kushtëzoi me besim në Allahun e Madhëruar dhe Ditën e Llogarisë(20),
- Shans për shtim të pasurisë(21), etj.
Kurse kur jemi tek solidarizimi i gjerë, Islami na mëson se ai gjithnjë synon shpirtin e njeriut për të koordinuar më pas sjelljet e gjymtyrëve me direktivat e tij. Meqë ekzistojnë njerëz të shumtë, që për shkaqe të ndryshme nuk ua dimë gjendjen, Islami la burime tjera, që tërthorazi paraqesin solidarizimin me ta. Prej këtyre burimeve do të veçonim:
- Zekatin, i cili derdhet në shumë fonde(22),
- Shpagimet për disa mëkate, si: për betim(23), për marrëdhënie seksuale të qëllimshme gjatë ditës në muajin Ramazan(24), shpërfillje të disa ritualeve të haxhit(25), shpagim për mos agjërim me arsye(26), pastaj kurbani në Haxh, kurbani për Bajramin e Madh, akika (kurbani për lindjen e fëmijës), etj.
2. Përkujdesi shtetëror.
Do theksuar se pozitat në Islam më shumë janë përgjegjësi se sa privilegje. Sa herë që një njeri merr një post, përgjegjësitë e tij shtohen edhe më shumë. Nga këtu, udhëheqësia e shtetit janë të obliguar që maksimalisht të kujdesen për popullin e tyre.
Përkujdesi shtetëror ndahet në dy degë:
- Përkujdesje me kuptim të krijimit të kushteve të punës për ata që janë të gatshëm të punojnë por që nuk kanë mundësi. Shteti duhet të intervenojë me ndihma dhe kredi pa kamatë, sidomos për ata që duan të hapin ndërmarrje apo të punojnë tokën. Ebu Jusufi, njëri nga Gjykatësit Suprem të shtetit islam, kishte lejuar huazimin e të hollave nga Arka e Shtetit për qëllimet që i përmendëm sipër.
- Përkujdesje nga të ardhurat e shtetit për ata që kanë nevojë.
Fondit i Arkës së Shtetit, nga i cili bëhet përkujdesja, mblidhet nga:
- Zekati(27),
- 1/5 e presë së luftës(28),
- Fi’ji, pasuri të cilën muslimanët e marrin nga pabesimtarët pa luftë(29),
- Haraçi(30),
- Xhizja(31),
- Ushuri(32),
- 1/5 e Rikazit, thesarit të gjetur nën dhe. Kjo nëse është prej periudhës paraislame, ndryshe, nëse është pas paraqitjes së Islamit, konsiderohet si send i gjetur, për çka vlejnë rregullat përkatëse.
- Gjësendet e mbetura, të cilave nuk iu dihen pronarët.
- Ndëshkimet materiale për ata që shkelin ligin.
- Trashëgimia e atyre që nuk kanë trashëgimtarë.
- Taksat shtesë, të cilat shteti, në rast se nuk mund t’i mbulojë nevojat nga burimet e përmendura, ua obligon të pasurve.
Përmbyllje
Islami, tani kur sa shtohen armiqtë e tij shtohen edhe miqtë e tij, madje shumëfish më shumë, nëpërmjet ofrimit të këtyre programeve madhështore për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore, na fton që programin e tij mos ta marrim si imagjinar por si praktikë të mundshme, e cila nëse ka dhënë efektet në kohën kur burimet e të ardhurave kanë qenë shumë të kufizuara, sot kur këto janë shumuar mund ta dëshmojë prapë atë madje edhe me më shumë sukses.
Nëse shtete të zhvilluara, siç f.v. kishim rastin me Japoninë kohëve të fundit, e cila ka përvetësuar sistemin islam në pjesë të sistemit të saj financiar, atëherë përse të mos e përvetësojnë atë muslimanët kur ai është i tyre.
____________________
(1) Hadithi është autentik. Shih: Sahihu’l xhami’, nr. 2662.
(2) Transmetojnë Imam Ahmedi dhe Ibni Maxheh, ndërsa Albani në Silsiletu’s sahihah, 2718, e ka cilësuar autentik.
(3) “Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi.” Kur’ani, Ed Duha, 8.
(4) Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam: “O Zoti im! Unë të lus për udhëzim, devotshmëri, nder (largim nga gjerat e ndaluara) dhe pasuri”. Transmeton Muslimi.
(5) Ka thënë Allahu i Madhëruar: “E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t'ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan”. Kur’ani, El A’rafë, 96.
(6) Thotë Allahu i Madhëruar: “All-llahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e All-llahut. Atëherë All-llahu, për shkak të sjelljes së tyre, ua veshi petkun (ua ngjeshi) e urisë dhe të frikës”. En Nahl, 112.
(7) “...sadakaja (lëmosha) është dëshmi (e besimit)...” (Muslimi) Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Dora e sipërme (që jep) është më e mirë se dora e poshtme (që lyp). Fillo prej familjes tënde. Sadaka më e mirë është ajo që bëhet duke qenë i pasur (pasi t'i ketë plotësuar nevojat e familjes), kush bëhet dinjitoz, All-llahu ia ruan dinjitetin dhe kujt i mjafton ajo që ka, All-llahu do t'ia mjaftojë”. (Buhariu)
(8) Nga Ibni Mes'udi r.a. transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Nuk lejohet zilia, përveç për dy njerëz: njeriut të cilit All-llahu i ka dhënë pasuri dhe e ka udhëzuar që atë pasuri ta shpenzojë në rrugën e së vërtetës, dhe njeriut të cilit All-llahu i ka dhënë urtësi, dhe sipas urtësisë së tij gjykon dhe i mëson të tjerët”. (Muttefekun alejhi)
(9) Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani në verifikimin e haditheve të Sunenit të Tirmidhiut e ka cilësuar autentik.
(10) Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam: “Më mirë është për njeriun të bartë dru me krahë e t’i shes se sa ta shtrij dorën për të lypur prej dikujt, i dha apo jo.” Buhariu.
(11) Për Musanë, alejhi’s selam, na mëson Kur’ani: “Ai (Shuajbi) tha: Unë dëshiroj të martoj ty me njërën prej këtyre dy vajzave të mia, me kusht që të më shërbesh tetë vjet...”. El Kasas, 27. Ndërsa për të tjerët na flet ky hadith: “Nuk pati Pejgamber që u dërgua e të mos ketë qenë bari. Edhe unë isha bari i mekasve; ua ruaja bagëtinë për disa kararit (pjesë dinari).” Buhariu.
(12) Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Davudi alejhi’s selam nuk është ushqyer përveç nga puna (fitimi) me dorë të vet”. Buhariu.
(13) Xhabiri r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Asnjë musliman nuk do të mbjell një fidan e të mos ketë për çdo fryt që hahet prej tij sadaka, e edhe për atë që i vidhet ai ka sadaka, edhe për atë që i humbet ka sadaka”. (Muslimi) Në një transmetim tjetër të tij thuhet: “Secili musliman që mbjell një fidan (pemë) e prej saj hanë njerëzit, kafshët dhe shpezët, do t'i jetë kjo sadaka deri në Ditën e Gjykimit”. Kurse në një transmetim tjetër po ashtu të Muslimit thuhet: “Për çdo pemë apo bimë që mbjell muslimani e prej tyre ushqehen njerëzit dhe kafshët, ai ka sadaka”.
(14) Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani në Sahihu ve Daifu Suneni’t Tirmidhijj, 1379, e ka cilësuar autentik.
(15) Shih: Tuhfetu’l Ahvedhijj Sherhu Suneni’t Tirmidhijj.
(16) Këtë grup Allahu i Madhëruar e ka përmendur ne Kur’an: “(Jepni) për të varfërit që janë të angazhuar në rrugën e All-llahut dhe nuk kanë mundësi të gjallërojnë me tokë, duke qenë se ata nuk lypin, prandaj ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur. Ata i njeh nga vetë pamja e tyre (të rraskapitur), por nuk kërkojnë e as nuk i mërzitin njerëzit. Pra çkado që të jepni nga pasuria, s'ka dyshim se atë All-llahu e di shumë mirë”. El Bekare, 273.
(17) Albani në Sahihu’l xhamii, 7251, e ka cilësuar autentik.
(18) “Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve…”. En Nisa, 36.
(19) “All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim”. En Nahl, 90.
(20) Ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le t’i mbajë lidhjet familjare”. Buhariu.
(21) Transmetohet nga Enesi, r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush dëshiron që t'i shtohet furnizimi dhe t'i zgjatet jeta, atëherë le të kujdeset dhe le t'i mbajë lidhjet farefisnore”. (Muttefekun alejhi)
(22) Thotë Allahu i Madhëruar: “All-llahu caktoi obligim që lëmosha (zeqati etj.) t'ju takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s'kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve), në rrugën e All-llahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. All-llahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet”. E Teube, 60.
(23) “All-llahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet e juaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni zotuar qëllimisht. E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është duke i ushqyer dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (të dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t'i bëjë këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është shpagim për betimet tuaja kur i theni ato. Ruani betimet tuaja. Kështu All-llahu ju sqaron dispozitat e veta, ashtu që të jeni mirënjohës”. El Maide, 89.
(24) Buhariu transmeton rastin e nje burri qe erdhi tek Muhammedi, alejhi’s selam dhe iu ankua për këtë ndalesa qe kishte kryer. Pejgamberi, alejhi’s selam i tha: A ke mundësi ta lirosh një rob? A ke mundësi te agjërosh dy muaj rresht? (Jo-ishte përgjigja) Atëherë ushqe 60 skamnore”.
(25) “…Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është: agjërim, sadaka ose kurban…”. El Bekare, 196.
(26) “(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.” El Bekare, 184.
(27) Thotë Allahu i Madhëruar: “Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t'i pastrosh me të dhe t'u shtosh (të mirat)…”. Et Teube, 103.
(28) Thotë Allahu i Madhëruar: “Ju (besimtarë) ta dini se një e pesta e asaj që e fituat, nga ndonjë send, i takon (përkujtuesve të) All-llahut, të dërguarit të Tij, të afërmve të tij (të dërguarit), jetimave, nevojtarëve dhe atyre në mërgim, (ky është përcaktimi i Zotit), nëse keni besuar All-llahun, dhe atë (Kur'anin) që ia zbritëm robit Tonë (Muhammedit) ditën e furkanit (ditën e Bedrit, kur u dallua e vërteta nga e shtrembëra), ditën e konfrontimit të dy grupeve. All-llahu është i fuqishëm për çdo gjë”. El Enfale, 41.
(29) Thotë Allahu i Madhëruar: “Atë që All-llahu nga banorët e vendeve (jobesimtare) ia dha pa luftë të dërguarit të vet, ajo i takon All-llahut, të dërguarit të afërmve, jetimëve, të varfërve, kurbetçinjve. (Kështu veprohet) Që ajo të mos ndahet ndërmjet pasanikëve tuaj. اka t'ju japë Pejgamberi, atë merrnie, e çka t'ju ndalojë, përmbanju dhe kini frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër”. El Hashr, 7.
(30) Haraçi emërton tokat e çliruara me forcë, të cilat iu janë mbetur në pronësi dhe shfrytëzim pronarëve por që për to japin një taksë materiale.
(31) Taksat që i merren një dhimmiu (rezidenti në shtetin islam) për ruajtjen dhe kujdesin për të.
(32) Taksa tregtare të cilës i nënshtrohen rezidentët në shtetin islam për mallrat e përgatitura për tregti.
Dituria Islame 223