Komentimi i kaptinës “El-Mulk” (9)

 


E ata po thonë: “Kur do të jetësohet ky premtim, po qe se jeni të vërtetë?” Thuaj: “Atë e di vetëm Allahu, e unë jam vetëm një qortues që ju bëj me dije!” Kur ta shohin atë (Xhehenemin) se po u afrohet, fytyrat e atyre që nuk besuan u shëmtohen dhe u thuhet: “Ky është ai që ju e kërkonit sa më shpejtë! (El-Mulk, 25-27)


Koment: 


25. “E ata po thonë: “Kur do të jetësohet ky premtim, po qe se jeni të vërtetë?” 


Inati dhe arroganca e idhujtarëve mekas, shprehet më së miri në këtë ajet, në të cilin Allahu xh.sh. paraqet ironinë e tyre ndaj të Dërguarit të Zotit, të cilët e pyesnin me sarkazëm se kur do të vjen momenti i ringjalljes për të cilin ti po flet. 
Ja kjo është fytyra e vërtetë e kufrit. Kjo është mendjemadhësia e tyre e paskrupullt dhe provokative, e cila do t’ua shkatërronte jetët e tyre në Ahiret. Mbase, edhe kjo është arsyeja kryesore që pothuajse në të gjtha suret mekase, Allahu i Lartmadhërishëm vë në spikamë tri çështje thelbësore: Njëshmërinë, vërtetësinë e pejgamberisë së Muhamedit a.s. dhe ringjalljen.
Edhe ajeti në fjalë, në një formë dëshiron t’i vetëdijesojë idhujtarët se ndonëse jeni duke pyetur me ironi për ringjalljen dhe Ditën e Gjykimit, ai moment gjithsesi do të vijë, dhe ju do të merreni në Llogari para Krijuesit tuaj. Momenti i Fundit i kësaj bote është vetëm në Dijen e Allahut, ndërkohë që askush prej krijesave nuk mund të pretendojë se di diçka rreth tij. Madje as melekët e afërt e as Pejgamberët e Allahut nuk kanë njohuri rreth tij. Këta të fundit vetëm se kanë përcjellë nga Allahu tek njerëzit lajmin se ky moment gjithsesi do të vijë, duke paralajmëruar për shenjat që do t’i paraprijnë këtij momenti të vështirë për çdo njeri. 


26. Thuaj: “Atë e di vetëm Allahu, e unë jam vetëm një qortues që ju bëj me dije!” 


Kureshtja për ta ditur momentin e mbramë e përcolli njerëzimin brez pas brezi qysh nga përçapjet e para të tij në këtë botë. Shumë prej popujve të mëparshëm nuk besuan se mund të ketë fare ditë të mbramë e as ringjallje, por kjo bindje e tyre e mbrapshtë qe shkak që të pasojë intervenimi hyjnor për ndëshkimin e tyre edhe në këtë botë. Këtë fat e përjetuan popujt e Nuhit, Salihut, Hudit, Lutit a.s. e shumë të tjerë, të cilët mohuan Allahun xh.sh. dhe Ditën e Gjykimit. 
Në shumë ajete kuranore është folur rreth kësaj çështje, për të na bërë me dije se ky ekskluzivitet i njohurisë së çastit të Kiametit është vetëm në kompetencën dhe Dijen e Allahut xh.sh.. 
Megjithatë, kur tallja dhe ironia e idhujtarëve ishte bërë e padurueshme, Allahu i Madhërishëm e urdhëron Pejgamberin e Tij që t’u thoshte troç këtyre skeptikëve të pabindur se momenti i kësaj ndodhie është vetëm në dijen absolute të Allahut xh.sh.. Asnjë prej krijesave, as engjëjt e as pejgamberët, përfshirë këtu edhe më madhështorin prej tyre Muhamedin a.s., nuk kanë dijeni për momentin e saktë të Kiametit, sepse detyrë e të dërguarve ishte vetëm tërheqja e vërejtjes për ardhjen e pashmangshme të këtij çasti të tmerrshëm për pabesimtarët. 
Në këtë ajet kuranor Allahu xh.sh. Ia kujton kufijtë e misionit të tij, Muhamedit a.s. duke e porositur që t’ua përcillte idhujtarëve se dijen për ndodhinë e saktë të këtij momenti e ka vetëm Krijuesi Absolut i kësaj ekzistence dhe askush tjetër, ashtu siç është sqaruar në shumë ajete kuranore të cilët do t’i cekim në vazhdim: 
“Të pyesin ty për Kiametin: “Kur do të ndodhë ai?!”. Po në çfarë gjendjeje je ti t’ua kujtosh atë? Kur vetëm tek Zoti yt është dijenia për të. Kurse ti je vetëm përkujtues (këshillues) i atyre që i frikësohen atij (çasti të Kiametit).” (En-Naziat, 42-45) 
“Të pyesin ty (Muhamed) për çastin (katastrofën e përgjithshme) se kur do të ndodhë ai. Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im, kohën e tij nuk mund ta zbulojë kush pos Tij (e sjell kiametin pa e hetuar asnjë nga krijesat). Çështja e tij (se kur do të ndodhë) është preokupim i rëndë (për krijesat) në qiej e në tokë. Ai (Kiameti) nuk ju vjen ndryshe, vetëm befas. Të pyesin ty sikur ti di për të. Thuaj: “Për të di vetëm Allahu, por shumica e njerëzve nuk dinë (pse është e fshehtë)” (El-A’raf, 187) 
Momentin e mbramë të kësaj bote, ashtu siç e cekëm më parë nuk e dinë as melekët e afërt, e madje as edhe meleku më i madh-Xhibrili a.s., transmetuesi i të gjitha Shpalljeve hyjnore. Në një hadith të cilin e transmeton Omer ibnul Hattabi, kur Xhibrili i erdhi Pejgamberit a.s. në formë të njeriut dhe pasi që ia kishte shtruar disa pyetje rreth Imanit, Islamit dhe Ihsanit, në fund i kishte bërë edhe pyetjen rreth momentit të Kiametit në çka Pejgamberi a.s. ishte përgjigjur: “As i pyeturi nuk di gjë më tepër për këtë çështje sesa pyetësi”.


27. Kur ta shohin atë (Xhehenemin) se po u afrohet, fytyrat e atyre që nuk besuan u shëmtohen dhe u thuhet: “Ky është ai që ju e kërkonit sa më shpejtë!” 


Pas Ringjalljes, pabesimtarët do të shtangen nga pamjet trishtuese të Xhehenemit, i cili shumë shpejt do t’i përpijë e gllabërojë në flakët e tij përcëlluese. Vetëm në këto momente, pabesimtarëve do t’u bëhet plotësisht e qartë se ç’përfundim të tmerrshëm do të kenë. Atyre tash do t’u thuhet, ashtu siç na e përshkruan edhe ky ajet që jemi duke e komentuar: “Ky është ai që ju e kërkonit sa më shpejtë!”. 
Në Kur’an, po ashtu në shumë ajete të tjera përshkruhen fjalët që do t’u thuhen qafirave në këto momente si: 
“Ky është ai zjarr, që ju e keni përgënjeshtruar” (Et-Tur, 14) 
“Ky është xhehennemi që juve u premtohej. Hyni tash në të, për shkak se mohuat çdo të vërtetë!” (Jasin 63-64) 
“E ata që nuk e respektuan Allahun, skutë e tyre është zjarri. Sa herë që të tentojnë të dalin nga ai, kthehen në të dhe atyre u thuhet: “Shijoni dënimin e zjarrit që ju e konsideronit rrenë”. (Es-Sexhd, 20) 
Ky pra është fundi i çdo mëkatari i cili nuk iu bind urdhrave të Allahut dhe këshillave plot ngrohtësi të pejgamberëve, të cilët Allahu xh.sh. i dërgoi për t’i përudhur njerëzit në rrugën e drejtë. Këta njerëz me zemra e mendje të errësuara nuk deshën të pranonin dritën e Allahut dhe të shpëtonin, por u tallën me udhëzimin e drejtë, ironizuan e madje edhe e luftuan në çdo kohë, duke mos zgjedhur mënyra e as metoda për të shkatërruar farën e besimit të drejtë. Ata përveç vuajtjeve që u shkaktuan besimtarëve në këtë botë, nuk arritën diç tjetër, sepse ky besim i drejtë ishte më i fortë së ata, më i pathyeshëm se reprezaljet e tyre. Drita dhe feja e Allahut nuk mund të fiket e as të shkatërrohet sepse atë e karakterizon qëndrueshmëria dhe përjetësia. Kjo fe dhe ky besim i drejtë ishte marrë përsipër në mbrojtje nga Pronari i Arshit Madhështor- Allahu xh.sh., i Cili ishte betuar se do ta plotësojë Dritën dhe Fenë e Tij, edhe nëse këtë e urrejnë pabesimtarët. 
Çastet kur femohuesit do të hidhen në skëterrat e Xhehenemit, do të jetë një satisfaksion dhe qetësim shpirtëror për të gjithë ata besimtarë të përvuajtur nëpër shekuj e mote nga duart e këtyre gjakatarëve, sepse do të shohin në vepër Drejtësinë e Allahut e njëkohësisht edhe Mëshirën e Dashurinë e Tij ndaj atyre që i qëndruan besnik udhëzimit të drejtë, përkundër vuajtjeve e mundimeve që i përjetuan në këtë botë. 


Porositë e këtyre ajeteve: 


- Përqeshja, tallja dhe ironia e pabesimtarëve i ka përcjellë të gjitha revelatat hyjnore. Sidomos në spikamë ishte tallja e tyre me ardhjen e momentit të Ditës së Kiametit apo fundin e kësaj bote dhe ringjalljen.
 - Momenti i Ditës së Gjykimit është i pashmangshëm, por atë nuk e di askush prej krijesave, përveç Allahut të Madhërishëm, i Cili këtë moment e ka lënë të fshehtë nga Urtësia e Tij si shenjë mëshire ndaj krijesave 
- Në këto ajete konfirmohet edhe njëherë se pejgamberët e Allahut, e në këtë rast edhe Muhamedi a.s., megjithatë janë njerëz dhe ata nuk i dinë të fshehtat e Allahut, por janë vetëm përcjellës e transmetues të Shpalljeve. 
- Dita kur pabesimtarët do të ballafaqohen me Gjykimin e madh dhe me Xhehenemin do të jetë ditë e zezë për ata. Çdo iluzion i tyre do të zhdavaritet në momentin kur do ta shohin Xhehenemin në të cilin do të shijojnë dënimet e dhimbshme e të tmerrshme, për shkak të ligësive dhe paudhësive të tyre. 



- vijon -


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme