Komentimi i kaptinës “El-Mulk” (10)


“Thuaj: “Më tregoni, pra, nëse Allahu më merr shpirtin mua dhe atyre që janë me mua, ose na mëshiron, kush do t’i mbrojë jobesimtarët prej një dënimi të mundimshëm?” Thuaj: “Ai është Mëshiruesi, Atij I kemi besuar dhe vetëm tek Ai jemi mbështetur, kurse ju do ta kuptoni se kush është njëmend ai i humburi!”. Thuaj: “Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t’ju sjellë ujë mbitokësor (burimi)”? – (El-Mulk, 28-30)


Lidhmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake 


Këto ajete kanë një lidhmëri të ngushtë me ato paraprake, sepse janë një vazhdim i Thirrjes drejtuar idhujtarëve, që të ndaleshin nga arroganca dhe kryeneçësia e tyre për të pranuar Dritën e Udhëzimit. Allahu xh.sh. në ajetet paraprake u solli shumë argumente lëndore, që ata i vrojtonin për çdo ditë, ndërkohë që edhe këto ajete në vazhdim janë në të njëjtën frymë. Kjo sure përfundon me ajetin, i cili u drejtohet idhujtarëve me një pyetje konkrete: A thua kush do t’ua sjellë ujin që buron nga toka, nëse Allahu e urdhëron atë që të humbasë në thellësitë e saj?! 


Koment: 


28. “Thuaj: “Më tregoni, pra, nëse Allahu më merr shpirtin mua dhe atyre që janë me mua, ose na mëshiron, kush do t’i mbrojë jobesimtarët prej një dënimi të mundimshëm”? 


Idhujtarët mekas, krahas vuajtjeve shpirtërore dhe fizike që u shkaktonin Muhamedit a.s. dhe besimtarëve, për çdo ditë i mallkonin ata, duke shpresuar në shkatërrimin e tyre. Ky ishte niveli i tyre më i ulët njerëzor, sepse ata, në vend që ta pranonin këtë Dritë të Allahut, të cilën ua ofronte Pejgamberi a.s., atë e mallkonin dhe luteshin për vdekjen e tij sa më shpejt. Madje, në një fazë të mëvonshme, pak para hixhretit, ata kishin planifikuar edhe ta vrisnin Resulullahun s.a.v.s., por Allahu ua kishte asgjësuar atë intrigë të tyre djallëzore, duke e urdhëruar Pejgamberin a.s. që po atë natë të komplotit, të merrte rrugën e hixhretit në Medinë. Pikërisht për këtë arsye, Allahu xh. sh. e urdhëroi Pejgamberin e Tij që t’u drejtohej atyre me këto fjalë: Po qe se Allahu do të ma marrë shpirtin e do të më vdesë mua dhe besimtarët që po më pasojnë, a thua kush do t’ju mbrojë ju nga dënimi i tmerrshëm? Çfarë do të përfitonit, o ju të mjerë nëse Allahu i vdes të Dërguarin e Tij dhe besimtarët? A thua kush më do t’ju ftojë në udhëzimin e drejtë? 
Ky ajet, pra, ua bën me dije idhujtarëve se nuk janë të vetëdijshëm se prania fizike e të Dërguarit a.s. në mesin e tyre, ishte mëshirë, sepse ai simbolizon dritën e udhëzimit, paqen dhe qetësinë shpirtërore. 
Në ajetin 33 të sures “El-Enfal”: “Po Allahu nuk do t’i dënojë ata, derisa ti (Muhammed) je në mesin e tyre...”, shohim një mesazh të qartë për jobesimtarët dhe idhujtarët mekas, të cilëve pothuaj u jepej një mundësi e re që të mos e mundonin të Dërguarin e Allahut e as ta mallkonin, duke shpresuar vdekjen e tij, por do të ishte më mirë të logjikonin drejt e ta ndiqnin atë në besimin e vërtetë se Allahu është Një, dhe është Zotërues i vetëm i këtij Universi. 


29. Thuaj: “Ai është Mëshiruesi, Atij I kemi besuar dhe vetëm tek Ai jemi mbështetur, kurse ju do ta kuptoni se kush është njëmend ai i humburi”! 


I Lartmadhërishmi e urdhëroi të Dërguarin e Tij, që t’i vinte në dijeni idhujtarët se e besuan Allahun apo jo, e pranuan të Dërguarin e Tij apo jo, - Ai prapëseprapë është Zot i Vetëm i kësaj gjithësie, është i Gjithëmëshirshëm, Atij I kemi besuar dhe vetëm tek Ai mbështetemi. Por, kur të ballafaqoheni me të vërtetën, u thotë, - atëherë do të jetë vonë për ju, që të riktheni atë që keni humbur. E ajo që kishin humbur ata përgjithmonë, është jeta e përhershme-Ahireti. Më nuk do të ketë rast tjetër për përmirësim. Më nuk ka kthim mbrapa, por ose përjetësi në Xhennet për besimtarët, ose përjetësi në Xhehenem për pabesimtarët. Vetëm atëherë, o ju që mohuat Allahun dhe të Dërguarin e Tij, do ta kuptoni se kush ishte në lajthitje të vërtetë! 


30. Thuaj: “Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t’ju sjell ujë mbitokësor (burimi)”? 


Uji është burim i jetës për çdo qenie të gjallë në Tokë. Uji, krahas ajrit, është një komponent i pazëvendësueshëm për njerëzit, kafshët dhe bimësinë e kësaj toke. 
Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: “...dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi” – (El-Enbija’ë, 30) 
Të përmendurit e ujit në këtë ajet, i cili, me lejen e Allahut mund të humbasë në thellësitë e tokës, nuk është i rastësishëm dhe as pa një qëllim të caktuar. Është i njohur fakti se sa vlen edhe një pikë e vetme uji për banorët e vendeve shkretinore, ku thatësia e madhe mbretëron pothuajse gjatë gjithë vitit. Nëpër vende të tilla, siç është Hixhazi, ku ujë të pijshëm ka pak dhe gjendet me vështirësi, një pikë uji vlen sa ari. Mu për këtë arsye, I Madhërishmi dëshiron që t’ua tërheqë vërejtjen idhujtarëve që të jenë mirënjohës ndaj Tij, sepse u ka dhuruar ujë me bollëk. A nuk ishte në fqinjësi të Qabesë burimi i Zemzemit, i cili për shekuj me radhë ua kishte shuar etjen atyre, një burim që vazhdon edhe sot e kësaj dite të rrjedhë pandërprerë dhe të freskojë haxhinjtë nga tërë bota... 
Tërë këtë mëshirë e begati që Allahu xh.sh. e derdhi mbi banorët e Hixhazit, e bëri për shkak se nga gjiri i atij populli do të lindte më i madhi i pejgamberëve, krijesa më e lavdishme – Muhamedi a.s.. Ndërsa idhujtarët, të cilët pak para lindjes së Muhamedit a.s., Allahu xh.sh. i shpëtoi nga Ebreheja dhe ushtarët e tij, tash ishin pozicionuar ashpër dhe vendosmërisht kundër Pejgamberit të mëshirës. E kjo sure madhështore, në të gjitha ajetet e saj, përmban aq shumë argumente lëndore, të cilat do të duhej të nxisnin mendjet e mjegulluara të idhujtarëve për të besuar në Allahun Fuqiplotë, i Cili krijoi çdo gjë dhe i Cili u premtoi besimtarëve Xhenete, nën të cilët rrjedhin lumenj që gurgullojnë me ujë të pastër, që sjellin qetësi e kënaqësi shpirtërore. 
El-Erzekiu në veprën e tij “Ahbar Mekkeh” përcjell një transmetim se fisi Xhurhum, pasi u kishte mundësuar Allahu për një kohë të gjatë të kishin kujdestarinë mbi burimin e Zemzemit, ata me veprat e tyre të shëmtuara përdhosën shenjtërinë e Qabesë dhe të këtij burimi, kështu që Allahu xh.sh. e humbi për një kohë këtë burim në thellësitë e tokës, e ata u nënshtruan ushtarakisht nga fisi Huza’a. Ky burim i Zemzemit mbeti i fshehur e i pazbuluar nga askush derisa atë, me dëshirën e Allahut, do ta rigjente Abdul Mutalibi, nga fisi Kurejsh, gjyshi i Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s.. 
Megjithatë, le të sjellim disa ajete kuranore që flasin pikërisht për mrekullitë e ujit, mrekulli që lënë gojëhapur edhe mendjet më të ndritura njerëzore.
Allahu xh.sh. thotë: “A nuk e sheh se Allahu lëshon ujë nga qielli dhe atë e shpërndan në tokë nëpër burime, mandej me të mbijnë bimë llojesh e ngjyrash të ndryshme, pastaj ajo thahet dhe ti e sheh të zverdhur dhe pastaj e bën atë të shkrifët. S’ka dyshim se në këtë ka argument për të zotët e mendjes”. – (Ez-Zumer, 21) 
Ky ajet flet për një proces zinxhiror që zhvillohet në natyrë, me lejen e Allahut, duke filluar nga shiu që bie i pastër nga qielli, e i cili gjallëron çdo gjë mbi sipërfaqen e tokës. Ky ujë mbush burimet e tokës, lumenjtë dhe detet. Ndërsa, dihet se më pastaj, nën ndikimin e rrezeve të diellit, një pjesë e këtij uji avullohet dhe ai kondensohet në re për t’u shndërruar sërish në ujë (shi)...
Allahu xh. sh. është ai që e ruan Ujin në këtë tokë me anë të proceseve të ndërthurura: tokë-qiell, sepse, po ta humbiste këtë ujë, atëherë nuk do të kishte më jetë në planetin Tokë. 
Pastaj i Lartmadhërishmi, në një ajet tjetër, thotë: “Ne lëshuam me masë ujë nga qielli dhe atë e përqendrojmë në tokë. Po Ne kemi mundësi edhe ta humbim atë (ujin).” – (El-Mu’minun, 18) 
Nga ky ajet kuranor, mësojmë se Allahu xh.sh. lëshon ujë (shi) nga qielli, në masë, sepse, po të ndodhte ndryshe, do të shkaktoheshin përmbytje përmasash katastrofike, të cilat do ta pamundësonin jetën njerëzore. Pas rënies së këtij shiu në tokë, një pjesë e këtij uji përqendrohet dhe depozitohet në thellësitë e tokës. Është mrekulli në vete edhe filtrimi i këtij uji nëpër shtresat shkëmbore, i cili pastaj me forcë gufon nga shkëmbinjtë, duke krijuar ujëvara dhe burime, që magjepsin syrin dhe kënaqin shpirtin me rrjedhën e tyre. I Lartësuar qoftë Allahu në Madhërinë e Tij! 


Porositë e këtyre ajeteve: 
- Ai që ngrihet kundër Allahut, duke qenë arrogant e mendjemadh, do të ketë përfundim të keq në këtë botë, e përfundim edhe më të tmerrshëm në Ahiret.
- Kufri, as në të kaluarën e as tash, nuk pran së pushuari në luftën ndaj besimtarëve. Ndërrojnë vetëm mjetet e metodat, po qëllimi mbetet i njëjtë. Megjithatë, Imani i paluhatshëm në Allahun, besimtarët i forcon që të durojnë të gjitha vuajtjet e mundimet, për të arritur kënaqësinë e Allahut. 
- Thirrësin në rrugën e Allahut, për asnjë çast nuk bën ta kaplojë pesimizmi e as mendimi se misioni i tij mund të dështojë, përderisa ai mbështetet në Allahun me sinqeritet të plotë. 
- Ai që mbështetet në Allahun xh.sh., ai do të jetë gjithmonë nën kujdesin e Tij. 
- Imani dhe mbështetja në Allahun janë dritë dhe shpëtim. 
- Këto ajete janë një argument i qartë se jobesimtarët-idhujtarët janë në humbje të qartë, kurse Ahireti do të jetë arena ku do të shpërfaqet mjerimi i tyre i përjetshëm. 
- Uji është një prej nimeteve dhe begative më të mëdha që u ka dhuruar njerëzve Allahu xh.sh., prandaj ne duhet t’i jemi mirënjohës Atij duke E falënderuar e madhëruar. 
- Jeta jonë mbi këtë tokë varet nga uji, prandaj - të meditosh rreth këtij fakti dhe t’i përulesh Allahut, është obligim yni njerëzor. 
- Ruajtja e ujit nga Allahu në deponitë shkëmbore, filtrimi i tij dhe gufimi i tij nga thellësitë e tokës, janë një argument i madh për ata që logjikojnë rreth fakteve të krijimit.
- Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë dhe, nëse Ai do, mund të ndërrojë edhe rrjedhjen e ujit apo të lumenjve, ose edhe mund t’i zhdukë në thellësitë e tokës, si pasojë e arrogancës dhe mendjemadhësisë së njerëzve mosmirënjohës. 


Në vend të përfundimit: 
Kaptina “El-Mulk” është vërtet një kaptinë madhështore, e cila, ashtu edhe siç shihet nga shumë hadithe të Pejgamberit a.s., ka merituar interesimin e myslimanëve, dhe sidomos të dijetarëve, të cilët e kanë komentuar. 
Kjo sure që në ajetin e parë fillon me madhërimin dhe lartësimin e Allahut të Plotfuqishëm, i Cili ka krijuar këtë ekzistencë, ka krijuar vdekjen dhe jetën, ka krijuar shtatë qiej ... etj., ndërkohë që fundi i saj flet për një mrekulli tjetër të Krijuesit – Ujin, i cili është burim i jetës për qeniet e gjalla të kësaj toke.
Tërë këtë kaptinë e përshkon një frymë e Thirrjes hyjnore, përplot argumente të pakontestueshme për mendjet e turbulluara të idhujtarëve mekas, ndërkohë që të njëjtat argumente vlejnë edhe sot për të gjithë ata skeptikë dhe mohues të Allahut si Krijues të kësaj gjithësie. Të gjitha këto paralajmërime argumentuese, i gjithë ky rrugëtim nëpër ajete mahnitëse, herë të shpien në horizontet më të largëta të arritshmërisë, e herë të nxisin të thellohesh në greminat më të skajshme të mendimit të arsyeshëm, duke qenë secili ajet kaptinë dhe argument në vete. 
Ajetet e kësaj sureje shpeshherë të rrëmbejnë e të shpien në një botë të panjohur e të padukshme për shikimet tona, e ndonjëherë edhe në botën e dukshme, për të tërhequr vërejtjen se edhe gjërat që i shohim, janë shenja të Allahut për njerëzit, që zemrat dhe mendjet e tyre të shkrihen në këto valë imanore. 
Ajetet e kësaj sureje u ngjajnë shigjetave që synojnë cakun shumë më të largët, duke çarë para vetes pengesat dhe duke zbuluar botë të reja. Këto ajete përmbajnë këshilla të ngrohta e të forta, të cilat janë themele të ngrehinës së fortë islame në ndërgjegjen njerëzore, e në të njëjtën kohë manifestojnë fuqishëm Fuqinë Absolute të Allahut xh.sh.. 
Nga kjo sure kuptojmë se mbizotërimi I takon absolutisht vetëm Fuqiplotit, i Cili na sprovon me vdekje dhe jetë, para ringjalljes dhe marrjes në Llogari. Përsosmëria i takon vetëm Krijuesit, i Cili e ka bërë këtë botë djep tonin, që ne t’i jemi mirënjohës përjetësisht, na ka sjellë rrëskun dhe na ka mundësuar që t’i jetojmë ditën tona në këtë botë duke u shkrirë në ëmbëlsinë e besimit. Lidhmëria jonë me Krijuesin është aq e fortë, saqë çdo vuajtje dhe sakrificë në lartësimin e Fjalës së Tij, është e lehtë dhe e dashur. Zemrat tona pulsojnë me këtë dashuri për Allahun Fuqiplotë e të Gjithëmëshirshëm, sepse vetëm tek Ai është kthimi ynë... Kënaqësia e Tij ndaj nesh është caku dhe synimi ynë përfundimtar... 
(Fund)


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme