Ç’është jeta? A nuk ju duket një pyetje paksa e çuditshme?! Të gjithë ndoshta do të nguteshim të konstatonim se ç’është jeta në të vërtetë, por pak njerëz do të kishin mundësi ta përcaktonin atë, madje përkufizimi i jetës ka shtyrë shumë kimistë, biologë, fizikanë, psikologë, filozofë, sociologë dhe gjeologë - të bëjnë hulumtime të ndryshme rreth asaj se ç’është jeta. Ata kanë dhënë shumë përkufizime rreth jetës, shumë prej të cilave ishin të kundërta nga njëri-tjetri. Kjo pyetje e thjeshtë e kishte shtyrë edhe fizikanin modern, Ervin Shrëdinger (Erwin Schrödinger), njëri prej nobelistëve të Fizikës, që t’i përvishej punës dhe, nga kërkimet e bëra, të konstatonte ç’është jeta?! “Ç’është jeta - What is life?” - është libri i tij i titulluar kështu, një libër që mahniti shumë njerëz, por më shumë ata të shkencave ekzakte. Z. Shrëdinger në librin ‘Ç’është jeta?’ jep sqarime se ç’është jeta, por nga këndvështrimi i tij, nga ligjet e fizikës, që për shumë njerëz mbeten ilustrime të pazbërthyera dhe të pakuptuara. Sidoqoftë, kjo është një punë e mirë nga këndvështrimi i tij.
A është libri i tij jeta e njeriut që duhet ta jetojë atë? Nëse po, atëherë atë libër duhet ta lexojë çdokush për të parë se si është jeta! Sa libra janë shkruar për jetën e njeriut, e sa të ndryshme janë ato thënie, këshilla, sugjerime, nga një libër tek tjetri! Sa shumë njerëz kanë shkruar për jetën, dikush-di kush vetëm sa ka mbushur faqet e librit pa ndonjë dobi për jetën e njeriut, e dikush tjetër me ato faqe të shkruara u ka nxirë jetën lexuesve. A nuk ishte romani “Vuajtjet e Verterit të ri” i Gëtës (Goethe) shkaktar i një serie vetëvrasjesh?!
Dikush ka thënë se jeta i ngjan librit, ballinat e të cilit tregojnë lindjen dhe vdekjen; në atë libër shkruhen veprat e tua të mira, për të cilat shpërblehesh, dhe veprat e tua të këqija, për të cilat meriton ndëshkimin. Mundohu që në atë libër të shkruhen gjërat që janë për të mirën tënde. Dije se çdo fletë që mbyllet, të afron drejt fundit dhe, me mbylljen e saj, mbyllet edhe një pjesë e jetës sate, prandaj përpiqu që fletën e mbyllur ta mbyllësh me punë dhe vepra të mira. Dije se çdo ditë e jetës sate është një faqe e jetëshkrimit tënd. Kujdesu që atë ta shkruash mirë, ngase një faqe e atij jetëshkrimi e ndyn gjithë librin. I mirënjohuri ynë, Sami Frashëri, kishte thënë: “Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate, kujdesu ta shkruash mirë, sepse një faqe e keqe e ndyn gjithë librin.”
Jeta i ngjan një libri, të cilit, nëse nuk i shfleton faqen tjetër, kurrë nuk do ta zbulosh se çfarë do të ndodhë më pas - kishte thënë një i ditur.
Jetën, njerëzit e shohin në mënyra të ndryshme: disa e shohin si realitet, ëndërr e zbrazët, gjëra që nuk janë ashtu siç shihen, në mes pikëllimit e gëzimit, ku fundi i destinuar i njerëzve përfundon në fushën e betejës së madhe dhe sfidës së vdekjes.
Jeta është ardhmëria e koduar, ku nuk di se çfarë të pret; shpesh ajo që pritet nuk ngjan, e ajo që s’pritet, edhe ndodh; ajo që ëndërrohet, ka mundësi të mos realizohet, e ajo që nuk imagjinohet, mund të realizohet me lehtësi.
Beteja në mes njeriut dhe jetës është e vështirë, por nuk duhet dorëzuar para pikëllimit e dëshpërimit! Ajo çfarë ndodh në të, nuk është e lehtë të pranohet, por është e përballueshme, dhe asaj që shihet si e përhershme, një ditë do t’i vijë fundi.
Jeta duhet parë si brendësia e dhomës, që, nëse qëndron shumë brenda saj, ndihesh i mërzitur, por duhet ta hapësh dritaren dhe të shikosh bukuritë fantastike dhe peizazhin e bukur të natyrës, në mënyrë që ta thyesh atë monotoni e mërzi.
Mundohu të ëndërrosh, të kesh dëshira dhe vendosi ato në vizionin tënd për ta jetuar jetën në mënyrën më të bukur, ngase, nëse i humbim qëllimet tona, atëherë ne kemi humbur vizionin tonë dhe u jemi dorëzuar sfidave ballafaquese.
Jeta është mësuesi ynë më i madh. Jetoje jetën pa marrë parasysh se çfarë vjen, sepse nëpërmjet saj mësojmë se si të jetojmë, dhe ne mundohemi që jetën ta jetojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Nëse s’mund ta përkufizojmë se çfarë është jeta, atëherë mund ta kuptojmë duke e jetuar dhe shijuar atë!
Dituria Islame 234