Xhamia është njëri prej institucioneve të para dhe më të rëndësishme, që paraqitet në historinë islame si institucion i imamit, madje shfaqet krah për krah me misionin e Pejgamberit të Zotit, Muhammedit a.s.
Xhamia, në historinë islame dhe në jetën e myslimanëve, kishte një rëndësi të madhe, kishte rol që nderohej dhe përshtatej. Ishte vend i mësimit shumë profesioneve dhe të funksioneve. Duke filluar nga dedikimi i saj themelor, falja e namazit me xhemat, deri te funksionet e tjera, siç janë: shkolla, spitali, gjykatorja, vendi i zhvillimit të veprimtarive politike, madje-madje disa herë ka shërbyer edhe si burg. Xhamia ishte institucioni i parë shoqëror në historinë islame, që u ka shërbyer të gjithë myslimanëve dhe nga ky fakt bëhet shumë i kuptueshëm roli i saj i shumëfishtë. Sot roli dhe funksioni i xhamisë kryesisht ka të bëjë me faljen e namazit dhe marrjen e njohurive themelore nga fëmijët.
Definicioni i xhamisë
1. Definicioni “xhami” ose mesxhid te ne ka shumë kuptime dhe shpjegime të ndryshme, në bazë të kontekstit që është përmendur. Fjala xhami (gjami në gjuhën arabe, ndërsa cami në gjuhën turke) na jep të kuptojmë shtëpinë ku i lutemi Zotit. Fjala xhami, mesxhid ka shënuar vendin ku falemi dhe ku i bëhet sexhde Zotit.
2. Ka prejardhje armene dhe në gjuhën arabe ka hyrë para shpalljes së Kuranit nëpërmjet hebrenjve ose të krishterëve.
3. Nocioni xhami është vështirë të definohet me një shpjegim, sepse roli dhe përdorimi i saj është i shumëfishtë.
4. Xhamia është vend në të cilin tubohen myslimanët, bashkërisht e falin namazin dhe ajo përfaqëson gjithmonë shenjën e jashtme të bashkësisë islame.
Thuhet se xhamia, gjithashtu, paraqet jo vetëm shenjën e jashtë të kultit islam, por ajo njëherësh është edhe universiteti më i madh, ku kultivohet shkenca, e cila është shpërndarë në të gjitha shtresat popullore. Kishte një rol me rëndësi për zhvillimin e islamit dhe të shoqërisë, kështu që ajo është definuar si një institucion shoqëror islam. Xhamia praqet edhe qendrën ku takohen dy lloje të artit islam. Me kalimin e kohës ka pasuar ndryshimi i kushteve shoqërore dhe roli i xhamisë ka mbetur vetëm në ruajtjen e jetës fetare. Mbi rëndësinë e xhamisë dhe ruajtjen e saj është konstatuar se xhamitë janë institucionet më të rëndësishme nga të cilat varet bashkësia islame. Definicionin e plotë të xhamive e ka dhënë Hasan Shkapur. Sipas tij, ”xhamia është vend tubimi i të gjithë myslimanëve dhe vend për zgjidhjen e
të gjitha problemeve të bashkësisë, ndërsa ne, për fat të keq, e kemi kthyer vetëm në tempull të lutjes dhe ziqrit.
Xhamia duhet të jetë shtëpi e të gjithë myslimanëve të mirë, përparimtarë dhe fisnikë, tempull nga i cili do të shndrisin rrezet e dashurisë ndërmjet myslimanëve, vend i mirëbesimit, fidanishte e arsimit, e shkencës dhe e progresit, tempull i shpirtit monolit, ideja dhe aksioni i veprave të dobishme për bashkësinë tonë dhe për bashkësinë në të cilën jetojmë”. Është vërejtur se dy decenie nga dhënia e këtij definicioni, roli i xhamisë nuk ka ndryshuar shumë dhe se ai ka ardhur kryesisht në minimum.
Kur ’ani dhe hadithi për xhaminë
Në Kur’an më shpesh është përmendur fjala mesxhid për xhematë në gjithsej 28 vende, pastaj bejt (bujut) në kuptim të tempullit të shenjtë në 17 vende. Kaba përmendet në dy vende. Kibla në kuptim të tempujve të shenjtë në një vend. Në ajetin 96 të sures Ali Imran flitet për ndërtimin e xhamisë së parë, gjegjësisht shtëpisë së Zotit, e cila shërben për nevojat e njerëzve.“Tempull i parë, që është ndërtuar për njerëzit, është ai në Mekë, i bekuar, sepse është udhërrëfyes i botëve. Bekka është emër i vjetër i Mekës, e sipas tij emërtohet tërë lugina e Mekës. Në transmetimin e Imam Ahmedit nga Ebu Zerra, r.a., thuhet “Kam pyetur, o Pejgamberi i Zotit se cili tempull është ngritur i pari, ndërsa më është përgjigjur se është tempulli i shenjtë Kaba; pastaj kam pyetur se cili është ndërtuar pas saj, më është përgjigjur tempulli i shenjtë “Mesxhidul Aksa”: kam pyetur prapë se sa është distanca kohore ndërmjet këtyre, ndërsa më është përgjigjur se është 40 vjet; pastaj e kam pyetur se cili është pas tyre, kurse më ka thënë: Ali ti falu ku të zërë koha e namazit, sepse e tërë bota është xhami, është mesxhid”.
Në një vend tjetër Allahu xh.sh. është shprehur: “…e ne ua kemi dedikuar të gjithë njerëzve, si vendasve, ashtu edhe ardhacakëve (El Haxhxh 25)”, duke e lidhur universalitetin islam për Kuben, por edhe si institucion i tempullit të Zotit, për secilën xhami dhe mesxhid. Në ajetin vijues, Allahu i Lartmadhërishëm na i cakton marrëdhëniet e njerëzve që vijnë në xhami dhe thotë : O ju që besoni, mos i shkelni simbolet e Allahut, as muajin e shenjtë (mos e lejoni luftën) as kurbanin (mos e pengoni ) as atë me qafore (të caktuar për kurban), as (mos pengoni) ata që, duke kërkuar begati nga Zoti i tyre dhe kënaqësinë e tij, kanë mësyrë për (vizitë) shtëpinë e shenjtë (Qabenë). E kur ta hiqni ihramin atëherë gjuajeni. Urrejtja ndaj një populli që ju pati penguar nga xhamia e shenjtë, të mos ju shtyjë të silleni në mënyrë të padrejtë ndaj tyre …”(Elmaide 2).
Nëpër xhamia patjetër duhet të dominojnë paqja, rendi, siguria dhe për xhaminë të kemi kujdes të posaçëm, sepse Allahu xh. sh. thotë: Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit dhe kush hyn në të ai është i sigurt …” lidhur me këtë është edhe hadithi i Pejgamberit a.s., të cilin e transmeton Ebu Katade, ku thotë: Me një rast kam hyrë në xhami dhe e kam takuar Pejgamberin e njerëz të ulur. U ula edhe unë dhe pejgamberi më pyeti: Çka po të pengon e nuk po i fal dy reqate, para se të ulesh. Iu përgjigja se ju pashë se ishit ulur ti dhe njerëzit e tjerë. Pejgamberi a.s. tha: Kur dikush prej nesh hyn në xhami mos të ulet pa i falur dy reqate”. Gjithashtu, besimtari duhet të ketë kujdes se si vjen në xhami, sepse Allahu i Madhërueshëm thotë: O bijtë e Ademit, vishuni bukur kur doni ta kryeni namazin. Kjo është e arsyeshme, duke e pasur parasysh shpërblimin për atë që shkon në xhami, rri në të dhe e fal namazin. Ebu Dhere pohon se Pejgamberi a.s ka thënë: “Sa herë që dikush shkon në xhami në mëngjes ose në mbrëmje, Allahu ia përgatit vendin në xhenet. Ka shumë hadithe që bëjnë fjalë mbi vlerën e pastrimit e të mirëmbajtjes së xhamive, ndërsa në kohët e sotme kjo gjë po materializohet, megjithëse shumica e besimtarëve nuk kursehen kur është fjala për xhaminë.
Nga Enesi r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: janë paraqitur shpërblime për ymetin tim, ndërsa njëri prej tyre është për pastrimin dhe mirëmbajtjen e xhamive.
Roli dhe zhvillimi i xhamive gjatë historisë
Xhaminë e parë e ka ndërtuar Pejgamberi a.s. me shokët e tij në vendbanimin Kuba afër Medinës, në ditët kur po kryhej me sukses shpërngulja (hixhra) prej Mekës në Medinë. Kjo xhami e parë që u ndërtua i plotësonte nevojat e një numri të madh të besimtarëve për kryerjen e përbashkët të namazit, për arsimim islam dhe për zhvillimin e një jete të begatshme shoqërore. Kështu, kjo xhami ofronte hapësirë për namaz, për banim, për mësim, për gjykime, për pranimin e parisë së fiseve që vinin për t’i shprehur gatishmërinë e fisit të vet për ta pranuar Islamin, ose për të kërkuar sqarime për çështje të islamit, ose për të bërë kontrata me marrëdhëniet ndërmjet fiseve dhe myslimanëve.
Në këto xhami të para nuk kanë ekzistuar gjëra që mbaheshin në xhami si shtëpi e zotit, me elementet e saja përbërëse, kibla te xhamitë e para është shënuar me një gur në mur, ndërsa mihrabi klasik është ndërtuar më vonë si edhe mimber. Na është njohur se Muhamedi a.s. gjatë hytbeve ka hipur në dy apo tri shkallë, ose në gurë, gjë që i nxiti besimtarët për ndërtimin e mimberit. Ndërtimi i minares, si pjesë përbërëse e xhamisë, bëhet më vonë. Na është e njohur e dhëna se xhamia e parë është ndërtuar në Damask nga kalifi El Velid. Përveç namazit të përbashkët në xhami, asaj i është dhënë edhe një rol shumë i rëndësishëm në sistemin e arsimimit Islam, ndaj, si e tillë, është më e vjetër se institucionet shkollore.
Arsimimi, shkallët e arsimimit dhe sistemet e arsimimit gjatë historisë së xhamive
Disa xhami i kishin mësuesit e vet, të cilët i mësonin fëmijët. Këtë mësim të fëmijëve e quanin mësim fillestar. Kur nxënësi përparonte në dije, i arrinte rezultatet e para fillestare, mësonte shkrim-leximin dhe mësonte përmendsh diçka nga Kurani, sipas mundësisë që kishte, ai transferohej në shkallë më të lartë, ku mësoheshin disa libra me përmbajtje më të lehtë, me një zgjerim të lehtë, ndërsa ky sistem i arsimit i përgjigjej sistemit të mesëm të arsimit në shkollat e sotme zyrtare. Pas mbarimit të këtij sistemi, nxënësi kalonte në mësimin dhe studimin më të thuktë të librave, në të cilët disa lëndë zgjeroheshin më imtësisht, studioheshin dhe zhvilloheshin diskutime e debate shkencore. Secilin libër e shpjegonte profesori ekspert i lëndës. Ky sistem i arsimimit i përgjigjej shkallës universitare të arsimimit. Xhamia i zhvilloi këto metoda dhe drejtime në arsim. Metoda e arsimimit në rreth (hallkë). Në rreth të pranishmit e formojnë një grup monolit me anëtarë të barabartë, pa ndonjë dallim klasor apo racial.
Secili vend në rreth është i mirë, sepse nxënësi asnjëherë nuk ia kthen shpinën shokut. Ligjërimi është njëra prej metodave të sistemit të arsimit në xhami. Profesori apo arsimtari ua transmeton dëgjuesve atë që ka mbajtur në mend, qoftë nga lëmi i traditës islame, të drejtës së sheriatit, letërsisë artistike, apo poezisë. Një prej metodave të arsimimit në xhami është edhe dëgjimi. Kjo metodë, në të kaluarën, ishte baza kryesore e arsimimit për shkak të arsimimit të ulët, mungesës së letrave, vështirësive gjatë regjistrimit dhe shkrimit, mungonte shtypi etj.. Leximi bëhet kur profesori ose mësimdhënësi u lexon dëgjuesve diçka nga disiplinat shkencore nga librat e autorëve të tjerë. Debati është një metodë tjetër arsimore. Secili nxënës në debat orvatet që të dalë fitimtar. Kështu asnjë nxënës nuk do të kursejë mundin në debat për të dalë fitimtar.
Xhamia paraqet institucionin më të rëndësishëm në kulturën islame. Me vetë shpalljen është theksuar roli i rëndësishëm dhe i shenjtë i xhamisë – shtëpisë së Zotit . Xhamia, në të kaluarën, ishte nismëtare e arsimimit dhe e lirimit të
myslimanëve nga mosdija. Lidhur me këtë mund të themi se roli më i rëndësishëm, më i suksesshëm ishte pikërisht në procesin e arsimimit, sidomos kur marrim parasysh faktin se ajetet e para kishin për bazë dijen, atëherë do ta kuptojmë roli e xhamisë si institucion i parë në islam. Kur islami u përhap gradualisht dhe shoqëria myslimane u zhvillua, ndërsa për zhvillimin e vet përqafoi metoda më të lehta, roli i xhamisë filloi të reduktohej në funksionin që e kanë xhamitë sot, përkatësisht në faljen e namazit.
__________________________
Shukri Nijaz, “Mesxhidi i xhamija”, Glasnik IVX, 1976, nr. 5, faqe 470. Hajredin Morina, “Xhamia”, Islamska Misao, 1982, nr. 39, f 5. IBD, faqe 10. Hasan Shkapur, “Rëndësia dhe roli i xhamive”, Takvimi 1969, f 64,
Rrustem Spahiu
Dituria Islame 236