Në një periudhë të shkurtër kohore, jo më shumë se tridhjetë vjet pas vdekjes së Pejgamberit a.s., udhëheqjen e shtetit islam dhe të myslimanëve e morën në dorë katër halifët myslimanë, të njohur në burimet dhe në literaturën islame me emërtimin El-hulefau Rrashidin (udhëheqësit apo sunduesit e drejtë). Katër halifët myslimanë janë quajtur udhëheqës të drejtë për shkak se patën ecur rrugës së vërtetë të Pejgamberit a.s., rrugës së drejtë, me të cilën është i kënaqur Allahu xh.sh. për të gjithë robërit e Tij. Periudha udhëheqëse e Katër halifëve, për nga drejtësia, toleranca, barazia dhe perspektivat e tjera, ishte e ngjashme me atë të kohës së Pejgamberit a.s., që krijoi stabilitet, paqe dhe mirëqenie të përgjithshme. Vlerat shoqërore njerëzore, fetare e morale, që ishin krijuar në shtetin islam që nga emigrimi i myslimanëve dhe i Pejgamberit a.s. në Medinë e deri në vrasjen e halifit të katërt myslimanë, Aliut r.a. në vitin e 40 h., nuk ishin përsëritur më asnjëherë në periudhat e mëvonshme të shtetit islam.
Këtë gjeneratë Allahu xh.sh. e ka lavdëruar në shumë vende në Kuran, si në ajetin: “Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (emigruesve) dhe ensarëve (mikpritësve) dhe prej atyre që i pasuan ata në mirësi! Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Atë”.(1)
Pejgamberi a.s., për brezin e tij të ashabëve ka thënë: “Ata janë shembulli më i mirë, pastaj ai që vjen pas tij, pastaj ai që vjen pas tij”!(2)
Periudha e hulefau Rrashidinëve kishte filluar nga muaji Rebiul Evvel i vitit 11 h., kur kishte vdekur Muhamedi a.s. dhe kur të gjithë myslimanët i kishin dhënë betimin Ebu Bekrit r.a. duke e njohur për udhëheqës të myslimanëve dhe ajo periudhë kishte zgjatur për tridhjetë vjet të plotë, derisa u shfaq dinastia e Emevinjve.(3)
Jeta në periudhën e injorancës
Ebu Bekri është i biri i Abdullah Ibni Uthmanit Ibni Amrit, Ibn K`abit ibn S`adit Ibn Tejmit. Ai ishte quajtur edhe me disa nofka, si: Es siddik (përkrahës i së vërtetës), El Atik (i çliruar, i shpëtuar nga zjarri i Xhehnemit) dhe El-Ewah (i mirë, i butë ose i urtë).
Nëna e Ebu Bekrit quhej Ummul Hajr Selma bint Sahar, gjithashtu nga Beni Tejmit, njëkohësisht e bija e axhës së babait të Ebu Bekrit r.a.(4)
Ebu Bekri r.a. ka lindur në vitin 51 para hixhretit dhe ishte pak më i ri se Pejgamberi a.s. (për 2 vjet e 2 muaj). Në periudhën e Xhahilijetit, Ebu Bekri r.a. ishte martuar me dy gra, me Kutejletu bint Abdul Uza, me të cilën e kishte djalin Abdullahun dhe vajzën Esmën, si dhe me Umu Rrumman bint Amër El-kenanije, me të cilën e kishte djalin Abdu Rahmanin dhe vajzën që quhej Aishe. E kishte edhe Muhamedin nga Esma bint Umejs, dhe Um Kalthumin nga Habibe bint Harixhe bint Zejd.(5) Ebu Bekri r.a. ishte prej figurave udhëheqëse më autoritative në mesin e kurejshëve. Ibni Hishami, në siren e tij, për Ebu Bekrin ka thënë: “Ebu Bekri r.a. ishte figura më e lartë në mesin e kurejshëve, me karakter të dalluar dhe kurejshët për shumë çështje, vinin dhe kërkonin mendimin e Ebu Bekrit”.(6) Ebu Bekri r.a. ishte tregtar i suksesshëm, i cili udhëtonte nëpër vende të shumta. Ai kishte udhëtuar në Sham së bashku me Ebu Talibin, në një karvan tregtar dhe prej andej kishin pasur fitime të mëdha dhe të pastra, nga të cilat furnizonte dhe ndihmonte të afërmit, shokët dhe të varfrit, të cilët e respektonin shumë Ebu Bekrin r.a.. Nga Ebu Neimi transmetohet se Aishja r.a. ka thënë: “Ebu Bekri r.a. ia kishte ndaluar vetes përdorimin e alkoolit qysh në periudhën e injorancës”.(7) Sipas të gjitha burimeve relevante, Ebu Bekri r.a. nuk e kishte përdorur alkoolin as në periudhën e Xhahilijetit dhe as në periudhën e Islamit. Ai nuk i adhuronte as idhujt në periudhën para islamit. Ai në një tubim ku ndodheshin Pejgamberi a.s. dhe disa ashabë, kishte thënë: “Nuk u jam përulur idhujve asnjëherë”.(8)
Jeta e Ebu Bekrit në Islam
Çdo figurë dhe personalitet që kishte pranuar Islamin sidomos në fillim të Shpalljes, ka peshën dhe autoritetin e vet, mirëpo, autoriteti i personalitetit të Ebu Bekrit nuk është i njohur vetëm për faktin se ai e kishte pranuar Islamin nga të parët, por personaliteti i tij është ndër më të njohurit dhe për shkak të sakrificave dhe kontributit të madh që ka dhënë për Islamin, që nga fillimi i përhapjes së tij. Arsyeja pse Ebu Bekri, pa hezituar fare dhe që në fillim, kishte pranuar Islamin, është se ai ishte shoku më i ngushtë dhe më i afërt i të Dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s., dhe atë e njihte gjithmonë si njeri të sjellshëm, të edukuar dhe me moral të lartë. Arsyeja tjetër e pranimit të Islamit nga Ebu Bekri r.a., ishte edhe njohuria që ai kishte pasur për fenë e paraardhësit të tij dhe të arabëve të tjerë, Ibrahimit a.s. (fenë e drejtë dhe të vërtetë), dhe njohuritë që ai kishte nga librat e mëparshëm, të cilët kishin paralajmëruar ardhjen e një të dërguari nga mesi i arabëve, madje nga mesi i vetë fisit Kurejsh, nga i cili rrjedh edhe Ebu Bekri r.a..
Në lidhje me këtë që u tha më sipër, të përmendim edhe ngjarjen që lidhet me Ebu Bekrin, i cili vetë në një rast kishte thënë: “Mora rrugë për në Jemen para Shpalljes, dhe gjatë rrugës takova një të moshuar nga banorët e Ezdit, i cili kishte lexuar nga librat qiellorë dhe posedonte shumë njohuri. Kur më pa, më tha: A jeni nga haremi (vendi i Qabesë-Meka)? I thashë: Po jam nga familja e Qabesë.Më tha: Kurejsh? I thashë: Po nga Kurejshët. Më tha: Nga Tejmët (kabile e Ebu Bekrit)? I thashë:Po jam nga Abdullah bin Uthmani bin Tejme bin Merres, dhe e lajmëroi atë se së shpejti do të jetë shok i një të dërguari (Pejgamberi) të shpallur në Harem(Qabe-Mekë ).(9) Edhe Rebia bin Ka`be i kishte thënë në një rast Ebu Bekrit se nga populli i tij (i Ebu Bekrit) do të vinte një i dërguar, këshilltar i të cilit do të bëhej dhe pas vdekjes së atij (të Dërguarit), do të bëhej ai (Ebu Bekri) Halif (udhëheqës)... dhe këtë gjë Ebu Bekri r.a. e kishte mbajtur të fshehur në vetveten e tij.(10)
Bazuar në lidhjet e afërta që kishte Ebu Bekri me Pejgamberin a.s., shumë prej kurejshëve në fillim të Shpalljes shkonin tek Ebu Bekri dhe e pyetnin se ç`po ndodhte me shokun e tij. “Ebu Bekri ua kthente: Ç`po ndodh? Ata i përgjigjeshin: Shoku yt (Muhamedi) po bën thirrje për besimin në një Zot të vërtetë dhe po e quan veten pejgamber! Ebu Bekri u përgjigjej: Po, ashtu është”. Pas qarkullimit të këtyre fjalëve në mesin e mushrikëve kurejshë, Ebu Bekri doli dhe shkoi te Muhamedi a.s. dhe i tregoi për atë që flitej në popull. Pejgamberi a.s. i pati thënë Ebu Bekrit: “O Ebu Bekër, me të vërtetë Zoti im më ka bërë mua përgëzues dhe udhëzues, më ka bërë ndjekës të rrugës (thirrjes) së Ibrahimit , mua më ka dërguar për mbarë njerëzit”. Ebu Bekri r.a. i tha Pejgamberit a.s.: “Ti asnjëherë nuk ke gënjyer dhe je zotërues i kësaj Shpallje madhështore dhe unë do të vihem në përkrahjen tënde”.(11)
Përsa i përket pranimit të Islamit nga Ebu Bekri r.a., disa historianë konsiderojnë që ai është i pari që e kishte pranuar Islamin. Sipas Ibni S`adit, nja grup ashabësh në një rast kishin thënë: “I pari që ka kaluar në Islam, është Ebu Bekër Es-Siddiku”.(12)
Ndërsa Ibni Hishami konsideronte se para Ebu Bekrit Islamin e kishin pranuar Aliu r.a. dhe Zejd Ibni Harithi. Ebu Bekri mund të ishte i pari që kishte pranuar Islamin nga të rriturit, kurse Aliu r.a. i pari nga të rinjët, e Zejdi i pari prej robërve.
Është me rëndësi të përmendim se Ebu Bekri r.a. iu përgjigj shumë shpejt thirrjes islame. Sipas transmetimit të Ibni Hishamit, Pejgamberi a.s., në lidhje me pranimin e Islamit nga Ebu Bekri, kishte deklaruar: “Askënd nuk e kam ftuar në Islam e që tek ai të mos është vërejtur një mëdyshje dhe pavendosmëri, përveç Ebu Bekrit, që nuk kishte shfaqur kurrfarë hamendjeje”.(13)
Veçoritë e Ebu Bekrit
Veçoritë fizike të Ebu Bekrit më së miri i ka përshkruar e bija, Aishja. Këto veçori ajo i ka përshkruar me këto fjalë: “Ka qenë burrë me ten të bardhë, thatim, me faqe të lëshuara, i kërrusur, veshur me gunë të vjetruar, e cila i varej lirshëm në belin e tij për shkak se ishte shumë i dobët, me eshtra të fytyrës të dala, me sy të thelluar, ballë qitur, e duar në të cilat nuk kishte asnjë qime”.(14) Ebu Bekri imanin e kishte më të lartin dhe më të plotin prej të gjithë njerëzve, siç e ka dëshmuar Pejgamberi a.s. kur kishte theksuar se, sikur të matej imani i Ebu Bekrit me imanin e tërë Ymetit, imani i Ebu Bekrit do të peshonte më shumë”! Kishte ashabë që ishin më trima se Ebu Bekri dhe më të ditur se ai, por nuk kishte me iman më të plotë se ai. Kurani dëshmon për shumë rrethana lidhur me të, si p.sh. në ajetin: “Atij që i jap lëmoshë - edhe është i devotshëm dhe atë më të mirën e konsideron të vërtetë, atij do t`ia lehtësoj rrugën”.(15) Ngjashëm sinjalizon edhe ajeti vijues: “Zoti ynë është All-llahu, pastaj janë të vendosur u zbresin melekët: Mos kini frikë dhe mos u pikëlloni e gëzohuni për Xhenetin, i cili është premtuar”.(16) Dhe fjala tjetër e All-llahut xh.sh. në Kur’an: “Kur në të ndodhej vetëm miku i tij, kur ata të dy ishin në shpellë dhe kur ai i tha mikut të vet: “Mos ki frikë, Allahu është me ne!”.(17) Kur ndodhi El-Isra (nata e udhëtimit prej Mekës në Jerusalem), mushrikët kurejshë Pejgamberin a.s. e shpallën gënjeshtar dhe donin ta bindnin Ebu Bekrin r.a. që ta braktiste fenë e tij, prandaj nxituan t`i thoshin: “Dëgjo si flet miku yt!” Mirëpo, ai u përgjigj: “Për Allahun, nëse ai e thotë këtë, e ka thënë të vërtetën, ngase ai më ka treguar se lajmi vjen prej qiellit në tokë në çfarëdo pjese të natës e të ditës dhe unë i besoj”.
Përqafimi i Islamit si rezultat i thirrjes së Ebu Bekrit
Pas përqafimit të Islamit nga ana e tij, Ebu Bekri filloi t’i thërriste njerëzit në fenë e Allahut të Madhërishëm. Ai ishte shumë i popullarizuar në mesin e popullit të vet dhe ishte njeri që e njihte më së miri gjenealogjinë e Kurejshëve. Ebu Bekri r.a. filloi t`i thërriste në Islam ata të cilëve u besonte, që e vizitonin dhe me të cilët rrinte së bashku. Si rezultat i thirrjes së tij, Islamin e përqafuan Zubejr ibn Avam, Othman ibn Afan, Talha ibn Ubejdull-llahu, S`ad ibn Ebi Vekas, Abdurrahman ibn Auf, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë këta. Të gjithë emrat e përmendur, të shoqëruar nga Ebu Bekri, kishin shkuar te Pejgamberi a.s. dhe ai u kishte prezantuar Islamin, u lexoi pjesë nga Kur’ani dhe i informoi për të vërtetat e Islamit, dhe ata besuan. Një ngjarje transmetimi i së cilës fillon nga Muhamed ibn Amr El-Vakidij, Talha ibn Ubejdull-llahu ka thënë: “Isha në tregun e Basrës, ku takova një murg në manastirin e tij, i cili thoshte:
“Shikoni a ka ndonjë njeri nga Meka”? “Po, - i thashë, - unë jam prej atje”, tha Talha: “A nuk është paraqitur ende Ahmedi, a?” -tha ai. Unë e pyeta se kush ishte Ahmedi, e ai më tha: “Ai është i biri i Abdullahut…dhe do të jetë i fundit i pejgamberëve.
Ai do të paraqitet këtë muaj në Mekë…”. Mua kjo gjë më bëri shumë përshtypje dhe shkova në Mekë e pyeta mos kishte diçka të re. Ata më thanë: “Po, Muhamedi është bërë i dërguar, kurse Ebu Bekri është bashkuar me të”. Atëherë shkova te Ebu Bekri dhe e pyeta: “A me të vërtetë e pranove fenë e tij”? Ai tha: “Po dhe që të dy shkuan te Pejgamberi a.s. dhe Talha deklaroi se e pranoi Islamin në prani të Muhamedit a.s.”
Kur e kishte pranuar islamin Talha, Neufel ibn Huejlid ibn El A`devie, i cili quhej edhe Luani i Kurejshëve, i kishte lidhur Talhan dhe Ebu Bekrin me një litar. Për këtë arsye, ata i quajtën “El Karnejn” (dy shokët).(18) Ebu Bekri r.a. ishte nga të parët që kishin përjetuar vuajtje dhe presion nga mushrikët kurejshë gjatë përhapjes së Islamit. Kur ai kishte kërkuar nga Pejgamberi a.s. që Islamin ta përhapnin haptazi dhe pasi këtë kërkesë e kishte pranuar Muhamedi a.s., Ebu Bekri r.a. doli përpara të gjithëve dhe filloi të fliste, kurse i Dërguari ishte ulur dhe dëgjonte. Në ato rrethana pabesimtarët iu vërsulën njeriut që mbajti publikisht fjalimin e parë për Islamin, dhe të gjithë myslimanëve që ishin në xhami, të cilët i rrahën pa mëshirë. U`tbe ibn Rebia i qe afruar Ebu Bekrit dhe kishte filluar ta godiste me sandale të riparuara dhe t`ia shkonte fytyrën me, derisa erdhën të afërmit e Ebu Bekrit, të cilët i larguan pabesimtarët e pamëshirshëm.
_____________
1. (Et-Tevbe, 100).
2. Hadith i transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi.
3. Eduard Thartori, Islami në kohë trazirash,Prishtinë, 2008,f.5.
4. Muhamed Shakir, Tarihul islami, Bejrut.
5. Katër Halifët e drejtë, vepër e përkthyer nga Flori Kola dhe Alban Kodra, Shkup, 2003, fq.13. (Titulli origjinal: El-Hulefau, R-R-Rashidin, Hasan Ejub).
6. Po aty f.30,
7. Po aty f.30.
8. Po aty f.31.
9. Po aty f.34,
10. Ali El-Tantavi, Ebu Bekër Es-siddik.
11. Muhamed Shakir, Tarihul Islami f.34-35.
12. Et-Tabakatul Kubra; nga Ibën Sa`di, 3.170-171; El-Isabe, 6/156-157.
13. Es-Siretun-nebevijje”, 1/23.
14. “Tabekat” nga Ibni Sa`di, 3/188.
15. (Kur-an: El-Lejl, 5-7.
16. (Fussilet, 30).
17. (Et-tevbe, 40).
18. Katër halifët e drejtë, f.14.
Dituria Islame 233