Fëmija i epruvetës - Alternativa bashkëkohore për furnizim me fëmijë?!

 


Ruajtja e llojit njerëzor, synim i Ligjvënësit Fuqiplotë


Është natyrshmëri e mbjellë në intuitën e njeriut, dëshira dhe aspirata jetësore për të lënë pas vetes pasardhës e trashëgimtarë. Me këtë intuitë njeriu ka lindur dhe është krijuar nga Krijuesi i Gjithëdijshëm. Madje, sa më shumë që i afrohet moshës së pjekurisë, njeriu një gjë të tillë e shpreh të fuqizuar më tepër në personalitetin e tij. Këtu nuk kemi kurrfarë dallimi në mes të gjinive, racave, ose shtresave sociale. Që të dy: mashkulli e femra, pastaj: i pasuri e i varfri e kanë të fiksuar këtë natyrshmëri në shpirtin e tyre. Por, ajo gjë që provokon dhe ngjall gjithnjë e më tepër këtë ndjenjë, është fakti se të gjithë janë të bindur se kanë për të vdekur dhe këtij realiteti i dorëzohen të gjithë njerëzit, pa dallim. Prandaj, asnjëri nuk do të dëshironte të vdiste dhe t'i këputej zinxhiri gjenealogjik i tij, respektivisht të mos linte pas vetes asnjë trashëgimtar. Përkundrazi, njerëzit dëshirojnë që edhe pas vdekjes, të mbetet dikush që bart sado pak tipare të tyre në këtë botë. Këto cilësi, a priori, i ruajnë pasardhësit e njeriut.
Për të realizuar këtë ëndërr jetësore, Allahu i Lartmadhërishëm përcaktoi që rrugë e vetme e shëndoshë dhe legjitime të jetë martesa legjitime. Me anë të martesës njeriu arrin të shijojë, përveç të tjerash, edhe kënaqësinë e fëmijëve, kënaqësi që është konstatuar edhe në shumë citate kuranore. I Lartmadhërishmi në Librin e Tij fisnik thotë: "Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë." (Kehf, 47).
Zoti i Plotfuqishëm synoi që me këtë citat, po dhe me të tjera të ngjashme, të na e aprovojë këtë intuitë njerëzore, si dhe të vërë në pah ngazëllimin tonë që kemi për pasurinë dhe fëmijët. E konstatoi kësisoj, ngase Ai Vetë na kishte krijuar të tillë. Porse na e tërhoqi vëmendjen se punët e tjera, të mbara e të mira, kanë më shumë peshë tek Ai, prandaj le të jemi racionalë në këtë analogji.


Steriliteti dhe rrugët shëruese të tij 


Megjithatë, jo të gjithë bashkëshortë Allahu u mundësoi të përjetojnë kënaqësinë e të pasurit fëmijë. Ai tërheq vëmendjen e thotë: "... Ai krijon çka të dojë; Ai i fal vetëm femra atij që do; e i fal vetëm meshkuj atij që do. Ose u fal çift, meshkuj e femra, por atë që do, e lë pa fëmijë (steril); Ai është i dijshëm, fuqishëm". (Esh-shura, 49-50).
Këtu vihet në spikamë që steriliteti, ose paaftësia e ndonjërit prej bashkëshortëve për të pasur fëmijë, edhe nëse nuk është parim ose gjendje normale, nuk nënkupton se ajo s'ka mundësi të ndodhë. Njeriu i gjendur përballë një sfide të tillë, gjithnjë ka hulumtuar që të gjejë shtegdalje e të realizojë aspiratën e tij intuitive, ta dëgjojë qoftë edhe vetëm një herë në jetë- thirrjen "Baba "ose" Nënë".
Në kohën bashkëkohore shkenca mjekësore ka regjistruar të arritura të paimagjinuara në këtë rrafsh. Ajo tanimë ka tejkaluar fazën që këtë problematikë ta konsiderojë enigmë të pazgjidhur ose kod të padeshifrueshëm. Alternativa që ofroi shkenca sot, është ajo që quhet "fekondim-mbarsim artificial", që është bërë i mundshëm dhe realizohet jashtë mitrës së nënës. Ndërsa fëmija që lind në këtë mënyrë, meqenëse nuk është mbarësuar në barkun e nënës, quhet "fëmijë i epruvetës". I atribuohet epruvetës, ngase i tërë procesi i fekondimit ose mbarësimit zhvillohet në laboratore, respektivisht jashtë mitrës së nënës.
Realizimi i parë i mbarësimit artificial që dha rezultatet e para tek njerëzit,daton nga viti 1977, dhe kjo qe arritur në Britaninë e Madhe, kurse "fëmija i parë epruvetës" quhej Luisa Broun. Menjëherë pas kësaj ndodhie, mjetet e informacionit shpërndanë këtë lajm bombastik dhe, shumë shpejt, u mor vesh anekënd botës. Pastaj proceset e tilla vazhduan papeshuar dhe, shumë prej tyre, madje mundësuan lindjen e binjakëve, trinjakëve, po dhe më shumë foshnja përnjëherë.
Meqenëse në realizimin e këtij "progresi" shkencor, myslimanët nuk dhanë hisenë e mundit të tyre, doemos detyrohemi të krijojmë një botëkuptim të qartë kundrejt tij, e më pastaj të kristalizojmë qëndrimin sheriatik në lidhje më të.
Besoj që një gjë e tillë nuk duhet të ngjallë asnjëlloj naiviteti tipik tek ndokush, e këtë të arritur shkencore ta kuptojë se është sfidim ose përngjasim i cilësisë së krijimtarisë, për se veçohet i Lartmadhërishmi Allah. "Fëmija i epruvetës" nuk është tjetër veçse kombinim e mbarësim artificial i farës së dy bashkëshortëve, të cilat, nuk ka asnjë dilemë, janë të krijuara nga i Gjithëfuqishmi dhe Krijuesi ynë. Ndërhyrja e tillë njerëzore në procesin e mbarësimit artificial, ka të bëjë më shumë me shfrytëzimin e mundësive mendore, që të përfitojmë nga ajo që ka krijuar Zoti, e jo me natyrën e krijimit. Këtë e kuptojmë edhe më mirë kur të konstatohet se tërë bashkëngjizja e tillë ndërlidhet me Dëshirën dhe Vullnetin e Zotit: do apo s'do Ai t'ia dhurojë jetën farës së tillë nëpërmes frymëzimit të tij me shpirt. E këtë, është e ndershme dhe reale ta kenë të qartë edhe ata të cilëve u solli kokëçarje të kuptuar- it e mirëfilltë të klonimit të njeriut ose edhe të çfarëdo gjallese tjetër.
Megjithatë, do të ishte joracionale për ne, nëse çdo të arritur nga duart e huaja ta refuzonim vetëm për faktin se një gjë e tillë nuk është realizuar nga ne myslimanët. Ashtu siç do të ishte jokonsekuente nga pikëpamja islame, nëse çdo prodhim bashkëkohor që na servohet prej kujtdo qoftë, ta konsumonim pa e vënë fare nën thjerrën e së drejtës së Sheriatit. Do pasur parasysh kjo, veç- mas kur e dimë fare mirë që aspektet e nderit, ruajtjes së gjenealogjisë dhe vijës trashëguese të njeriut, - që të gjitha këto janë prej gjërave të ndjeshme në konceptin islam, që Allahu synon t'i ruajë me përpikëri dhe kujdes të madh. Ndoshta kjo është edhe specifikë për ne myslimanët, kjo që të tjerëve ndoshta as u bënë shumë përshtypje.


Nocioni "fëmijë i epruvetës" dhe mënyra e realizimit të tij 


Shprehja "fëmijë i epruvetës", ose "fekondimi artificial-jo i natyrshëm-" ose "nëna alternative", - që të gjitha kanë kuptimin e "përdorimit të mitrës së një gruaje tjetër për ta bartur farën e fekonduar(zigotën) nga spermatozoidi i mashkullit dhe vezorja e femrës, të cilët kryesisht janë bashkëshortë. Gruaja e tillë e bart foshnjën dhe e lind, e më pastaj e marrin bashkëshortët, e rrisin dhe kujdesin për të, duke e konsideruar si fëmijë legjitim të tyre”.
Në këtë mënyrë mund të përfundojmë se për herë të parë ka ndodhur që nëna të mos e ketë lindur fëmijën e vet.
Çështja e "fëmijës së epruvetës", do theksuar se, në Perëndim, është ngritur mbi parimin makiavelist që trumbetohet: "qëllimi e arsyeton mjetin", gjë që në konceptin islam nuk qëndron, sepse, përveç synimit që duhet të jetë i çiltër, edhe mekanizmat duhet të jenë të pastër.
Kjo çështje, meqenëse ka lindur në shekullin e kaluar, s'do mend se konsiderohet diçka e re dhe kërkon qasje juridike nga dijetarët bashkëkohorë islamë. Një gjë të tillë ata edhe e kanë bërë, mirëpo, për të mos u thelluar në mendimet individuale të ndonjërit prej tyre, është më e arsyeshme t'u referohemi vendimeve të dala nga akademitë gjegjëse të fikhut islam.
Paraprakisht, duhet ta bëjmë të qartë se "fekondimi-mbarësimi artificial" realizohet në mënyra dhe forma të ndryshme, dhe ne do të mundohemi të përmbledhim ato kryesoret, duke u shtuar edhe vendimet e "Akademisë së Fikhut Islam", që vepron në kuadër të Organizatës së Ligës Islame, me seli në Mekë. Mënyrat e "mbarësimit artificial" dhe dispozitat e dala përkitazi me to:
E para: Është mënyra sipas së cilës bëhet bashjkëngjizja -fekondimi i spermatozoidit të marrë nga bashkëshorti me vezoren e marrë nga një grua, e cila nuk është bashkëshorte e tij, e më pastaj të bëhet mbjellja e farës së bashkëdyzuar (zigotës) në mitrën e bashkëshortes së vet.
E dyta: Të merret spermatozoidi i një mashkulli të huaj, e më pastaj të bëhet mbjellja e tij në mitrën e gruas së atij që dëshiron të ketë fëmijë.
E treta: Të bëhet mbarësimi -bashkëdyzimi jashtë mitrës, i farës së dy bashkëshortëve, e më pastaj të mbillet ajo farë e bashkëdyzuar në mitrën e një gruaje tjetër, e cila pranon vullnetarisht një shtatzëni të tillë.
E katërta: Të bëhet bashkëdyzimi i farës së një burri dhe një gruaje të huaj jashtë mitrës, e më pastaj ajo farë e bashkëdyzuar të mbillet në mitrën e bashkëshortes së atij që dëshiron të ketë fëmijë.
E pesta: Të bëhet mbarësimi bashkëdyzimi i jashtëm i farës së dy bashkëshortëve, e më pastaj të mbillet në mitrën e bashkëshortes tjetër, të të njëjtit burrë (nëse burri ka më shumë se një grua).
Të gjitha këto pesë mënyra janë të ndaluara me konsensus të të gjithë dijetarëve pjesëmarrës në seancën e mbajtur nga kjo Akademi.
Arsyeja është e qartë: në të gjitha këto raste bëhet përzierja e gjenealogjisë, e farës dhe fëmija realisht humb lidhjen me prindërit e vërtetë të tij, gjë që në konceptin islam është absolutisht e papranueshme.
E gjashta: Të merret spermatozoidi (fara)e bashkëshortit e të bashkëdyzohet jashtë mitrës, nëpër laboratore-epruveta me vezoren e bashkëshortes së tij, e më pastaj ajo farë e bashkëdyzuar të mbillet në mitrën e së njëjtës bashkëshorte.
E shtata: Të merret spermatozoidi i bashkëshortit e të mbillet në vendin adekuat të mitrës së gruas së tij, që ndryshe quhet "fekondim- mbarësim artificial i brendshëm".
Këto dy forma të fundit janë të lejuara, sipas vendimit të dalë nga Akademia e Fikhut Islam, nëse janë të nevojshme, por domosdoshmërisht duhen marrë të gjitha masat parandaluese, që në ndonjë mënyrë ose tjetër mund të shpien në përzierjen e farës ose në humbjen e gjenealogjisë së vërtetë të foshnjës.
Këto ishin vendime unanime të kësaj Akademie eminente, nga të cilat shihet qartazi se hapja e rrugës në këtë rrafsh, pa kurrfarë kriteresh e standardesh morale, etike e fetare, mund të sjellë pasoja negative, nga të cilat Sheriati islam synon t'i ruajë njerëzit. Pasoja të tilla mund të ketë në aspektin e trashëgimisë, në kontekst të faktit se kë do të trashëgojë ai fëmijë që lind në këtë mënyrë: cilin baba e cilën nënë? Prej kujt do të kërkonte përkujdesje fëmijërore dhe nën amë- nga moskujdesi në çështje të tilla, për se sigurisht në Sheriatin islam merren masa preventive tejet të përpikta, që do të pengonin ndodhjen e tyre.


Fëmija i epruvetës "alternativë humane" apo rrugë fitimprurëse 


Sigurisht që në shikim të parë, ose nëse gjykojmë a priori, do t'i shkonte ndër mend ndonjërit prej nesh se objektiv i tërë mundit njerëzor mjekësor në këtë fushë, është përmbushja e kërkesës intuitive të çdo çifti bashkëshortor, për të gëzuar kënaqësinë e pasjes fëmijë. Pra, kjo e arritur të komentohet si një akt human, që synon lumturimin e njerëzve. Ne nuk mund të mohojmë prerazi që një gjë të tillë ndoshta edhe të mos ketë synuar ndonjëri prej atyre që kanë hapur këtë rrugë. Por, realiteti i sotëm dëshmon se shumë prej klinikave anekënd botës, të cilat janë ngritur për këtë qëllim, sinë e kujt do të rritej? Këto janë vetëm përfitojnë nga një veprimtari e këtillë pak nga problemet e shumta që lindin shuma të majme të hollash dhe përfitime financiare marramendëse. 
Kompania e parë që u ngrit në Evropë, ishte "Kompania Ndërkombëtare Evropiane" me seli në Frankfurt. Një e ngjashme me të, në Amerikë u ngrit në shtetin Miçigan, por sot më e njohura në këtë rrafsh, konsiderohet "Kompania Storks".
Në fillim, një veprim i tillë kushtonte me dhjetëra mijëra dollarë (afro 50 mijë dollarë), por, falë konkurrencës e cila nuk kurseu as këtë fushë, gjejmë se kostot për realizimin e një procesi të tillë (i cili tashmë nuk është tepër i komplikuar dhe kushtues), çmimet tani i janë afruar paksa racionales. Duhet ditur se hisenë e madhe të këtyre shumave e marrin kompanitë e formuara enkas për këtë synim "human", të cilat kanë vërshuar të gjitha qendrat botërore, ndërsa një shumë tejet simbolike marrin, normalisht, edhe ato gra "vullnetare" që kanë pranuar që fëmija i huaj të rritet në barkun e tyre. Atje, përkitazi me këtë janë formuar edhe kompani ndërmjetësuese, madje në këtë sferë janë të angazhuar edhe avokatë. S'është çudi se kohët e fundit klinika të kësaj natyre janë përhapur edhe ngado në Botën Islame, dhe ato kryejnë veprimtari të tillë pa pushim. Nga ajo për se jemi dëshmitarë e që praktikohet në shumicën e klinikave të kësaj natyre, marrim vesh se kriteret morale e fetare në klinika të tilla nuk kanë edhe aq shumë vlerë, dhe gjërat për të cilat ne po flasim, atyre nuk u bëjnë edhe aq shumë përshtypje. Ndërsa lajmet që na zgjuan kërshërinë para pak kohe në lidhje me klinikat e tilla edhe në Kosovë, sinjalizojnë se nga një amulli e tillë nuk jemi kursyer as ne si qytetarë të Kosovës. Për një të vërtetë duhet të bindemi thellë, se Islami nuk mbyll rrugë para njerëzve e t'i privojë ata nga të mirat dhe kënaqësitë e kësaj bote, por ai hap kanale alternative, të cilat janë të ligjshme dhe absolutisht më të shëndosha.


 


Dituria Islame 226


Artikulli i kaluar
Pasojat e kamatës
Artikulli radhës
Besimi ndjenjë e parëlindur

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme