Gënjeshtra ves i shëmtuar

 


Përmbajuni sinqeritetit, sepse sinqeriteti të udhëzon për në mirësi, ndërsa mirësia të udhëzon për në Xhenet dhe nëse një njeri vazhdon të thotë të vërtetën derisa të shkruhet tek Allahu i sinqertë. Ndërsa gënjeshtra, të çon drejt së keqes dhe e keqja të qon në xhehenem, dhe nëse një njeri vazhdon të gënjejë ai do të shkruhet tek Allahu gënjeshtar” (hadith)


Gënjeshtra është një ves i urryer, një cilësi e keqe, një vepër e ulët, por fatkeqësisht edhe dukuri e përhapur pothuajse në të gjitha mjediset shoqërore si: në biseda, takime, punë, marrëdhënie të ndryshme ndërnjerëzore, tek mediet elektronike e të shkruara, tek artistët dhe humoristët etj.. Është bërë e pamundur që asaj t`i shpëtojnë i vogël a i madh, mashkull a femër, dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi, përveç atyre që i begatoi Allahu me mirësinë e Tij.
Gënjeshtër llogaritet çdo fjalë që nuk është e vërtetë, qoftë duke e thënë për shaka ose seriozisht, kur je i nevrikosur, apo për t’i bërë të tjerët që të qeshin.
Gënjeshtra bën pjesë në mëkatet e rënda dhe të mëdha, mëkate të cilat mund të shkaktojnë pasoja të paparashikueshme negative. Kjo është një prej vesevenegative të gjuhës. Në këtë shkrim do të përmendim vetëm disa
anë negative të gënjeshtrës.
Se sa është e dëmshme gënjeshtra, më së miri na vërtetojnë ajetet kuranore dhe hadithet e Pejgamberit a.s., në të cilat gjykohet ashpër ky mëkat i madh. Kështu, Allahu u Lartmadhëruar, në një ajet në librin i Tij, thotë se nuk do ta udhëzojë në rrugë të drejtë atë që gënjen: “...S’ka dyshim se Allahu nuk udhëzon në rrugë atë që e tejkalon dhe është rrenës”. (Gafir, 28.)
Nga cilësitë e besimtarëve të vërtetë dhe të sinqertë, Allahu xh.sh. numëron edhe largimin nga gënjeshtra dhe dëshmia e rrejshme. Ai thotë: “(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet”. (El Furkan, 72)
Mjafton të shikojmë ajetin, në të cilin Allahu i Mëshirshëm, në një shkallë vendos idhujtarinë dhe të folurit e rrejshëm, me qëllim që ta kuptojmë se sa mëkate të mëdha janë gënjeshtrat, premtimi i rrejshëm dhe dëshmia e rrejshme: “...pra largohuni nga ndytësitë e idhujve dhe largohuni prej fjalëve të rrejshme”. (El Haxhxh, 30)1


Si shihet gënjeshtra në hadithet e Pejgamberit a.s.


Pejgamberi a.s. ka qenë njeriu më i vërtetë, më i drejtë dhe më i mirë, i plotësuar në dituri, vepra, besim e bindje. Të gjithë e kanë njohur si njeri të vërtetë, saqë
në mesin e popullit të vet ka qenë i njohur si “El Emin” - “Njeri besnik”. Është i njohur rasti kur Herakliu, nga pyetjet që ia parashtroi Ebu Sufjanit, ishte edhe kjo: A e akuzonit (Muhamedin a.s.) për gënjeshtër më parë? Tha: Jo. Herakliu tha: Njeriu që nuk i gënjen njerëzit, si ka mundësi të gënjejë për Allahun. Pasojat e gënjeshtrës janë të rënda, shpesh mund të jenë edhe tragjike, katastrofale si për gënjeshtarin po ashtu edhe për atë që e dëgjon. Nga kjo arsye dhe të tjera Muhamedi a.s gënjeshtarët i vë në radhën e mynafikëve. Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Shenjat hipokritit janë tri: kur flet gënjen, kur premton nuk e realizon, dhe kur diçka i besohet tradhton” Në transmetimin e Abdullah b. Amrit r.a. përmenden katër cilësi. Në atë transmetim Pejgamberi a.s. tërheq vërejtjen duka na thënë: “Te ai te i cili gjenden katër cilësi, do të jetë në të vërtetë hipokrit, ndërsa te i cili gjendet njëra prej tyre, ai ka një cilësi të hipokritit derisa nuk largohet prej saj, ato janë: kur flet gënjen, kur të merret vesh për diçka tradhton, kur premton nuk e plotëson dhe në zënka e tepron”.
Në transmetimin e Abdullah ibn Mes’udit r.a. Pejgamberi a.s. na e tërheq vërejtjen për këtë mëkat të madh, duke thënë se ai është shkaktar i mëkatimit ndërsa me mëkat arrihet deri te zjarri i xhehenemit. Në këtë transmetim Muhamedi a.s. qartë afirmon të folurit e vërtetë ndërsa tërheqë vërejtjen për rrezikun e të folurit të rrejshëm duke thënë: “Përmbajuni sinqeritetit, sepse sinqeriteti të udhëzon për në mirësi, ndërsa mirësia të udhëzon për në Xhenet dhe nëse një njeri vazhdon të thotë të vërtetën derisa të shkruhet tek Allahu i sinqertë. Ndërsa gënjeshtra, të çon drejt së keqes dhe e keqja të qon në xhehenem, dhe nëse një njeri vazhdon të gënjejë ai do të shkruhet tek Allahu gënjeshtar”.


Gënjeshtra dëmton edhe individin edhe shoqërinë.


Ajo nxjerr në pah shpirtligësinë e gënjeshtarit, qëllimet e ulëta të tij dhe devotshmërinë e pakët që ai ka. Gënjeshtra është prej sëmundjeve më të rënda që mund të përfshijnë një shoqëri, është vesi me pasoja negative më të mëdha, sepse nuk mund të imagjinohet një shoqëri e mirëfilltë dhe e bazuar në marrëdhënie të shëndosha ndërnjerëzore - me gënjeshtra. Sa urrejtje dhe armiqësi në mes njerëzve kanë shkaktuar gënjeshtrat?! Sa e sa njerëz kanë humbur besueshmërinë e tyre tek njerëzit e tjerë vetëm për shkak të gënjeshtrave që bëjnë?!
Islami e ndalon gënjeshtrën, këtë sëmundje të keqe, veti të shëmtuar dhe të urryer nga çdo njeri me mendje dhe arsye të shëndoshë. Ajo ka pasoja të këqija. Shpeshherë edhe fatale. Allahu në Kuran thotë: “Mallkuar qofshin gënjeshtarët!” (Edh- Dharijat, 10)
Gënjeshtari është njeri i padëshiruar nga të gjithë dhe, në të njëjtën kohë, edhe njeri i pabesueshëm. Pejgamberi a.s. ka mohuar kategorikisht se besimtari mund të jetë rrenacak! Një ditë, tek po qëndronte me shokë, Muhamedi a.s. u pyet prej njërit prej të pranishmëve: “A mund të jetë besimtari frikacak?” Ai u përgjigj: “Po”. Ai pastaj u pyet: “A mund të jetë besimtari koprrac?” “Po”, - u përgjigj ai. Pastaj u pyet: “A mund të jetë besimtari gënjeshtar?” “Jo”, - u përgjigj ai.
Se sa janë të urryer gënjeshtarët tek Allahu nesër në Ditën e Gjykimit na tregon Ebu Hurejre r.a., i cili e kishte dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: “Allahu në Ditën e Gjykimit nuk do të shikojë tre persona, as që do të flasë me ta, nuk do t’i pastrojë nga mëkatet, ata do të marrin dënimin e ashpër: plaku zinaqar, udhëheqësi që gënjen, dhe i varfri mendjemadh”. (Muslimi) Edhe Pejgamberi a.s. e urrente këtë ves, për se na tregon më së miri Aisheja r.a. që thotë: “I Dërguari i Allahut asnjë ves nuk e ka urryer më shumë sesa gënjeshtrën. Kur dikush gënjente në prezencën e tij, Pejgamberi a.s. ndaj atij personi ndiente një lloj pakënaqësie, derisa nuk e kuptonte se ai njeri, për shkak të asaj gënjeshtre, të ishte penduar”.
Kur gënjen njeriu, largohen edhe melekët, sepse me gënjeshtër përhapet edhe një erë e keqe dhe e pakëndshme në një largësi të madhe. Abdullah b. Omeri r.a. transmeton fjalët e Pejgamberit a.s.: “Kur njeriu gënjen, melekët, për shkak të erës së keqe të asaj rrene, largohen në një largësi të madhe”. Nëse melekët largohen prej nesh, si do të jetë puna jonë ? Dhe sa vlen gënjeshtra?


A ka ditë të caktuar kur lejohet rrena


Për fat të keq, sot ekziston një ditë, të cilën e festojnë shumë njerëz në botë, 1 Prilli, apo, siç është e njohur tek ne, “dita e rrenave”. Në këtë ditë gënjeshtra është e lejuar pa ndonjë kufi. Viktima e kësaj dite nuk duhet të hidhërohet, edhe pse në disa raste pasojat e gënjeshtrave mund të jenë katastrofike dhe ta dëmtojnë atë seriozisht. Më e keqja është se kjo “festë” ka zënë vend edhe në mesin e disa muslimanëve. Ata e festojnë atë, edhe pse e dinë se gënjeshtra në Islam është e ndaluar.
Ndërsa të tjerët kanë bindjen se kjo ditë është një ditë e veçantë dhe dallon nga ditët e tjera. Për muslimanët, gënjeshtra është haram. Nuk ka dallim në mes 1 Prillit dhe 2 Prillit, prandaj i këshillojmë të gjithë besimtarët që të mos marrin pjesë në këto gjeste të dobëta dhe vese të shëmtuara e të ruhen nga hidhërimi i Allahut xh.sh..


Po në humor, a lejohet gënjeshtra


Shumë njerëz gënjejnë dhe trillojnë tregime me qëllim që të tjerët t’i bëjnë të qeshin dhe t’i argëtojnë. Duhet të theksojmë se qeshja dhe relaksimi në Islam lejohen, por me kusht që në këtë rast të mos përdoret gënjeshtra.
Pejgamberi a.s. kurrë, madje as në mahi, nuk ka gënjyer. Përkundrazi, ai katërhequr vërejtjen në mënyrë të rreptë që të jemi të kujdesshëm edhe në rastet e tilla të humorit. Në transmetimin e Behz b. Hakimit tregohet se Pejgamberi a.s. ka kritikuar ashpër gënjeshtrën me rastin e përqeshjes së shoqërisë, duke thënë: “Mjerë ai që flet e me atë rast gënjen, me qëllim që shoqëria të qeshë. Mjerë ai, mjerë ai”. (Ebu Davudi, dhe Tirmidhiu, hadithi Hasen). Pejgamberi a.s. ka thënë: “Unë bëj shaka, mirëpo edhe atëherë e them të vërtetën”. (Taberaniu, Hadithiështë sahih).


Gënjeshtra ndaj fëmijëve


Duhet të kemi kujdes që mos t’i gënjejmë fëmijët, edhe kur jemi duke luajtur me ta. Shumë prindër i gënjejnë fëmijët e tyre të vegjël duke u premtuar dhurata apo gjësende të tjera për qëllime të caktuara, duke mos e mbajtur fjalën. Këto sjellje dëmtojnë moralin e fëmijës, sepse fëmija më pastaj pason prindërit me këtë veti të keqe. Abdullah ibn Amr r.a. thotë: “Një ditë më thirri nëna kur Pejgamberi a.s. ishte në shtëpinë tonë. Ajo më tha: “Eja se do të të jap diçka”. Atëherë Pejgamberi a.s. tha: “Çfarë deshe t’i japësh”? Ajo u përgjigj: “Desha t’i jap ca hurma”. Pejgamberi a.s. tha: “Po të mos ia jepje, do të të regjistrohej si gënjeshtër”. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Gruaja që i thotë fëmijës - eja merre këtë gjë, e nuk ia jep, është gënjeshtare”.
Kurse në transmetimin e Ebu Hurejres qëndron: “Kush e thërret fëmijën e vet - eja të të jap diçka e nuk i jep, kjo konsiderohet gënjeshtër”. (Ebu Davudi dhe të tjerët, hadithi është hasen).


Ndalohet të flitet çdo gjë që dëgjohet


Pejgamberi a.s. thotë: “Mjafton për një njeri t’i regjistrohet gënjeshtër nëse flet çdo gjë që dëgjon”. (Muslimi). Neveviu thotë: “Domethënia e hadithit dhe thënieve të tjera që gjinden në këtë kaptinë, japin të kuptojmë qortimin - që të mos flitet çdo gjë që dëgjon njeriu, sepse njeriu dëgjon zakonisht edhe gjëra të vërteta, po edhe gënjeshtra.
Dhe kështu, po foli çdo gjë që dëgjon, sigurisht se do të gënjejë, sepse do të lajmërojë edhe gjëra që s’kanë ndodhur. Tek ne përdoret fjala: “A rrenë - jo. Po akallëzon ç’dëgjon - po, mos e ço më larg”. Si dhe: “Syri është sahih e veshi jo”.


Gënjeshtra e lejuar


Para se t`i përmendim rastet në të cilat lejohet gënjeshtra, dëshirojmë të bëjmë një vërejtje të rëndësishme në këtë drejtim. Shkaku pse Islami e lejoi gënjeshtrën në këto raste, nuk është pa ndonjë qëllim, po ajo sjell objektiva mjaft të rëndësishëm, disa nga të cilët edhe do t`i përmendim. Gënjeshtra lejohet në tri raste: në luftë, për të pajtuar dy të kacafytur dhe bashkëshortët me njëri-tjetrin, për të vazhduar bashkëjetesën dhe dashurinë. Në transmetimin e imam Muslimit, në të cilin Ummu Kulthumi r.a. të: “Nuk e kam dëgjuar Pejgamberin a.s. të ketë lejuar diçka nga gënjeshtra që përdorin njerëzit, përveçse në tri raste: në luftë, në pajtimin ndërmjet njerëzve dhe në tregimet e njeriut ndaj gruas së tij për ta kënaqur apo gruaja ndaj tij”.


Prej dëmeve të gënjeshtrës:


1. Gënjeshtra e shkatërron thënësin e saj dhe shoqërinë.
2. Gënjeshtra të shpie në zjarr.
3. Gënjeshtari është i nënçmuar.



________________
1) Dr. Shefik Kurdiq, Gjuha shpatë me dy teha. Shkup, 2008. f.57
2) Po aty. Hadithin e shënon Buhariu në Sahih hadithi nr.34.
3) Samir Bulku, Melhemet e zemres. Botimi i dytë, Tiranë-2004. Buhariu, Muslimi. 4) Dr. Muhammed Abdurrahman El-Arifi.Kënaqu me jetën tënde. Prishtinë, 2009.f.324. (El-Muvetta, hadithi mursel).
5) Dr. Shefik Kurdiq, Gjuha shpatë me dy teha. Shkup, 2008. Hadithin e shënon. Tirmidhiu në Sunen; Kitabu-l-birri ve sileti. Hadithi nr. 1973. Hasen.
6) Po aty. Tirmidhiu, Hasen.hadithi nr.1972.
7) Dr.Muhammed Abdurrahman El-Arifi. Kënaqu me jetën tënde. Prishtinë, 2009. (Ebu Davudi)


 


 


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme