Diskriminimi gjinor në vendin e punës 


E drejta për punë nuk është vetëm një e drejtë bazë me natyrë social-ekonomike, por edhe një nga të drejtat themelore të njeriut. Ndonëse në aspektin e legjislacionit, Republika e Kosovës ka ligje që e rregullojnë të drejtën e punësimit dhe të drejtën e trajtimit të barabartë në çështjet që lidhen me punën, situata në jetën reale është shqetësues. 
Krahas zhvillimeve të hovshme teknologjike dhe sfidave nga trendet e shpejta ekonomiko-sociale, shoqëria po përballet me një pengesë të vazhdueshme: diskriminimin gjinor në vendin e punës. Kjo gjë, jo vetëm që minon parimet e drejtësisë dhe barazisë, por gjithashtu mbyt inovacionin, rritjen ekonomike dhe përparimin shoqëror në përgjithësi. Është për t’u studiuar fakti se praktikat të tilla ndodhin shpesh edhe pa u vënë re, dhe mbesin edhe të pa adresuara. Në këtë artikull, paraqesim efektet e diskriminimit gjinor në dinamikën e fuqisë punëtore dhe implikimet e kësaj dukurie me stagnimin e zhvillimit socio-ekonomik dhe edukativ në mbarë shoqërinë. 


Ndarja gjinore në vendin e punës 


Pavarësisht hapave drejt barazisë gjinore në dekadat e fundit, pabarazitë vazhdojnë në aspekte të ndryshme të jetës së punës. Sipas hulumtimit të UNMIK-ut, nga viti 2014, gratë janë të përfshira në sistemin politik me rreth 30% pjesëmarrje, ndërsa burrat janë dukshëm më të përfaqësuar, rreth 70%.1 Përfaqësimi i grave prej 30% pjesëmarrje është një përmbushje e kushtëzuar nga ligji, por ky nuk është një indikator matës, sepse kjo pjesëmarrje nuk siguron se zëri i tyre është i dëgjuar, përveçse në një masë më të vogël. Sipas Agjencisë së Statistikave të Republikës së Kosovës, shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 18.5 %, krahasuar me 51.5 % për meshkujt.(2) 
Pabarazia gjinore është sfidë globale, ndonëse është më e theksuar në vendet e pazhvilluara, ani pse kjo sfidë është edhe për vendet e zhvilluara. Një nga manifestimet më të dukshme është hendeku i pagave gjinore në shumë vende të botës, ku gratë vazhdojnë të fitojnë më pak se homologët e tyre meshkuj për punë ekuivalente. Kjo pabarazi në paga jo vetëm që i privon gratë nga siguria financiare, por gjithashtu thellon pabarazinë ekonomike brenda komuniteteve. Sipas një raporti nga Byroja e Statistikave të Punës në Shtetet e Bashkuar, paga e një gruaje, është 83.8% e pagës së një burri për pozicionin e njëjtë.(3) 
Sipas raportit ‘Global Gender Gap’ të Forumit Ekonomik Botëror 2021, gratë në nivel global fitojnë 77% të asaj që fitojnë burrat, duke treguar një hendek të vazhdueshëm pagash gjinore.(4) 
Diskriminimi gjinor manifestohet në mënyra delikate, por me ndikim, siç janë mundësitë e kufizuara të avancimit në karrierë për gratë, nën përfaqësimi në rolet drejtuese dhe paragjykimet në proceset e rekrutimit dhe promovimit. Këto barriera, jo vetëm që pengojnë rritjen individuale të karrierës, por gjithashtu i privojnë organizatat nga perspektivat dhe talentet e ndryshme, duke penguar përfundimisht inovacionin dhe përparimin. 


Ndikimi i familjes në diskriminimin gjinor


 Dinamika e familjes luan një rol kyç në formësimin e qëndrimeve, besimeve dhe sjelljeve të individëve në lidhje me rolet dhe pritjet gjinore. Familjet mund të jenë një burim fuqizimi dhe mbështetjeje për barazinë gjinore, por ato gjithashtu mund të jetësojnë dhe përforcojnë pa dashje diskriminimin gjinor.
Që në moshë të re, fëmijët brendësojnë normat shoqërore dhe pritshmëritë për rolet gjinore nga familjet e tyre. Prindërit, kujdestarët dhe anëtarët e familjes së gjerë, shpesh ndikojnë në perceptimet e fëmijëve për atë që konsiderohet sjellje e përshtatshme ose e pranueshme bazuar në gjininë e tyre. Këto procese të hershme socializimi mund të sfidojnë ose të përforcojnë stereotipat dhe paragjykimet tradicionale gjinore. 
Sjelljet dhe qëndrimet e shfaqura nga prindërit brenda njësisë familjare formësojnë ndjeshëm kuptimin e fëmijëve për rolet gjinore. Komunikimi i hapur dhe i sinqertë që vlerëson diversitetin dhe gjithëpërfshirjen është thelbësor për promovimin e një mjedisi familjar më të barabartë. 
Familjet mund të jenë një forcë e fuqishme për të ushqyer vlerat e barazisë dhe respektit, ato gjithashtu mund të përforcojnë diskriminimin gjinor. Roli i edukatës familjare është kyç në adresimin e drejtë të barazisë gjinore. Familja mund të bëhet katalizator për ndryshime pozitive, duke rrënjosur vlerat e drejtësisë, gjithëpërfshirjes dhe fuqizimit në brezat e ardhshëm. 


Pse kompanitë hezitojnë punësimin e punonjëseve të gjinisë femërore 


Ka arsye të ndryshme pse disa kompani mund të hezitojnë të punësojnë staf femra. Këtu janë disa faktorë të mundshëm, që kryesisht janë stereotipa:
Stereotipat gjinore – Disa kompani mund t’i përmbahen stereotipave tradicionale gjinore, që supozojnë se gratë janë më pak të afta ose të përkushtuara për karrierën e tyre në krahasim me burrat. Kjo mund të çojë në paragjykime në vendimet e punësimit. 
Përgjegjësitë familjare – Ekziston një stereotip se gratë kanë më shumë gjasa t’i japin përparësi përgjegjësive familjare mbi punën, duke i bërë disa punëdhënës të supozojnë se punonjëset femra mund të jenë më pak të besueshme ose të përkushtuara. 
Paragjykimi gjatë rekrutimit – Paragjykimet e pavetëdijshme mund t’i bëjnë menaxherët e punësimit të preferojnë kandidatët që u përshtaten nocioneve të tyre të paramenduara se si duhet të duket një punonjës “tipik”, i cili shpesh përputhet më afër me karakteristikat mashkullore në industri të caktuara.
Shqetësimet rreth pushimit të lehonisë – Disa punëdhënës mund të kenë shqetësime për kostot e mundshme ose ndërprerjet që lidhen me pushimin e lehonisë, duke i bërë ata të preferojnë punësimin e kandidatëve meshkuj sesa kandidatëve femra në moshë riprodhimi. 
Shqetësimet e ngatërresave ndërgjinore – Shumë përgjegjës të kompanive, preferojnë të shmangen punësimit të stafit të gjinisë femërore, me arsyetimin se ‘mund t’iu dalin probleme të ngacmimeve seksuale’, apo ngatërresave me familjarë të të punësuarve. 


Pasojat e diskriminimit gjinor 


Diskriminimi gjinor në vendin e punës, është si rezultat i diskurseve të hershme, sfidave sociale, rrethanave edukative-ambientale nëpër të cilat kalojnë gjinia femërore që nga lindja. Pengesat të tilla, gjininë femërore e bëjnë të ndihet inferiore dhe lehtësisht të konsiderojnë edhe normë të pranueshme diskriminimin që i bëhet asaj vetë. Por cilat janë pasojat e diskriminim gjinor? 
Diskriminimi gjinor vepron si një pengesë për gratë që të hyjnë në industri të caktuara ose të ndjekin edukim që do sillte ato në pozita pune të nivelit më të lartë. Diskriminimet që gjinia femërore përballen, shndërrohen në norma të pranuara në heshtje, të cilat norma mbysin ambiciet dhe motivin për angazhim në rritje të talenteve dhe edukim. Kjo humbje e talenteve dhe e kontributeve të mundshme, jo vetëm që mbyt aspiratat individuale, por gjithashtu pengon rritjen kolektive të industrive dhe sektorëve. Kur individët e aftë anashkalohen në bazë të gjinisë dhe jo meritës, është shoqëria në tërësi ajo që vuan nga mungesa e aftësive, ideve dhe inovacioneve të ndryshme.(5)
Përtej dimensioneve sociale dhe etike, diskriminimi gjinor ka një ndikim të konsiderueshëm ekonomik. Studimet tregojnë vazhdimisht se mbyllja e hendekut gjinor në paga dhe promovimi i barazisë gjinore në fuqinë punëtore, mund të rrisë produktivitetin, të nxisë inovacionin dhe të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike. Anasjelltas, praktika diskriminuese rezulton me kapital njerëzor të pashfrytëzuar dhe mundësi të humbura për avancim dhe prosperitet. 
Diskriminimi i vazhdueshëm gjinor, heshtazi shndërrohet në një ‘normë të pranuar’, e cila heshtazi jo vetëm që pamundëson barazi sociale, por vret edhe motivin për të bërë ndryshime në këtë drejtim. Si rezultat, rastet e diskriminimit në punë, në vend që të adresohen drejt, çorientojnë veprimet e individëve, veçanërisht gjinisë femërore, të cilat në heshtje e pranojnë pozicionin e tyre inferior, heshtin për abuzimet e mundshme, apo edhe preferojnë të mos punojnë fare. 
Është e njohur thënia ‘një nënë e demotivuar, do rris një fëmijë pa ambicie’. Kjo qëndron fuqishëm sidomos për vajzat e reja, të cilat në padrejtësitë sociale të së ëmës, shohin veten e tyre. Edukimi i vajzave të reja në frymë depresive është me pasoja afatgjata. 


Barazia gjinore në aspektin fetar 


Kurani trajton barazinë gjinore në disa mënyra, duke theksuar vlerën dhe të drejtat e barabarta të burrave dhe grave, duke njohur gjithashtu rolet dhe përgjegjësitë e tyre të dallueshme. Këtu janë pikat kyçe në lidhje me barazinë gjinore siç përshkruhet në Kuran: 
Statusi i barabartë shpirtëror – Kurani thekson se si burrat, ashtu edhe gratë janë të barabartë në vlerën e tyre shpirtërore dhe kanë mundësi të barabarta për të arritur kënaqësinë e Zotit. Për shembull, në suren El Huxhurat (49:13), thuhet se “O njerëz, me të vërtetë Ne ju krijuam nga mashkulli dhe femra dhe ju bëmë popuj dhe fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Vërtet, më fisniku prej jush tek Allahu është më i devotshmi prej jush.” 
Përgjegjësi e barabartë – Si burrat, ashtu edhe gratë janë përgjegjës për veprimet e tyre përpara Zotit. Kurani nuk cakton përgjegjësi apo llogaridhënie më të madhe bazuar në gjini. Surja El Ahzab (33:35) thotë: “Me të vërtetë, myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit dhe gratë e bindura, të sinqertët dhe gratë e sinqerta, burrat dhe gratë e durueshme, burrat e përulur dhe gratë e përulura, burrat bamirës dhe gratë bamirëse, agjëruesit dhe gratë agjëruese, burrat që ruajnë pjesët e tyre intime dhe gratë që e bëjnë këtë...” 
Mundësitë arsimore – Kurani inkurajon si burrat, ashtu edhe gratë që të kërkojnë dituri dhe arsimim. Surja El Zumer (39:9), thekson rëndësinë e marrjes së njohurive dhe ky urdhër nuk është i veçantë për gjininë. 
Respekti dhe dinjiteti – Kurani thekson dinjitetin dhe respektin e qenësishëm për çdo individ, pavarësisht nga gjinia. Surja En Nisa (4:1), thotë: “O njerëz, kini frikë Zotin tuaj, i cili ju krijoi prej një shpirti dhe prej tij krijoi shoqen e tij dhe prej tyre shpërndau shumë burra dhe gra. Dhe kini frikë Allahun me të cilin kërkoni njëri-tjetrin dhe mitrat, me të vërtetë, Allahu është mbi ju, mbikëqyrës.” 
Këto pika nga Kurani pasqyrojnë parimet e barazisë dhe drejtësisë gjinore, duke inkurajuar një shoqëri ku burrat dhe gratë mund të jetojnë në harmoni, të kontribuojnë në komunitetet e tyre dhe të përmbushin potencialin e tyre në përputhje me mësimet islame. 


Përfundim 


Për të parandaluar diskriminimin gjinor në vendin e punës, është thelbësore të promovohet një kulturë e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes. Një ambient i shëndosh punë, ku secili dhe secila pjesëtare ndihet i trajtuar drejt, është tregues kyç për kredibilitetin e një kompanie. 
Është shumë më rëndësi që mbikëqyrja e shtetit të jetë e kujdesshme në zhvillimin dhe zbatimin e politikave të qarta që ndalojnë diskriminimin gjinor në të gjitha aspektet e punësimit, duke përfshirë punësimin, promovimin, kompensimin, trajnimin dhe përfundimin. Kompanitë duhet të sigurojnë që këto politika t’u komunikohen në mënyrë efektive të gjithë punonjësve dhe ofrojnë trajnime mbi diversitetin, barazinë dhe përfshirjen për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar të kuptuarit e sjelljes së pranueshme.
Shteti duhet të promovojë diversitetin gjinor në rolet e lidershipit dhe vendimmarrjes, në radhë të parë duke garantuar zbatimin e barazisë gjinore dhe meritokracisë në institucionet publike, duke siguruar auditime të rregullta të barazisë së pagave dhe zbatimin e praktikave transparente dhe të drejta të kompensimit, me kritere të qarta për përcaktimin e pagave dhe avancimeve, për të siguruar pagë të barabartë për punë të barabartë. 
Shteti si dhe shoqëria civile duhet të angazhohet që të ofrojnë akçes të barabartë në mundësitë e zhvillimit të karrierës, programet e trajnimit, mentorimin dhe iniciativat e rrjetëzimit për të gjithë punonjësit, pavarësisht nga gjinia. Fokus të veçantë duhet të ketë krijimi i shtigjeve për avancim që bazohen në aftësitë, performancën dhe potencialin, në vend të gjinisë ose faktorëve të tjerë të parëndësishëm. 
Promovimi i një kulture respekti, civilizimi dhe përfshirjeje, ku të gjithë punonjësit ndihen të vlerësuar, të dëgjuar dhe të mbështetur është domosdoshmëri, ashtu siç është edhe formimi i mekanizmave mbikëqyrës të komunikimit dhe reagimit për të adresuar shqetësimet që lidhen me diskriminimin, ngacmimin ose paragjykimin menjëherë dhe në mënyrë efektive. 
Sfiduese për shumicën e grave është gjetja e balancës punëjetë. Andaj, shteti dhe shoqëria civile, duhet të punojnë në drejtim të mundësive sa më fleksibile të punës, politika të lejes prindërore dhe programe mbështetëse që u ndihmojnë në angazhimin e tyre, por gjithnjë duke u kujdesur për balancën e meritokracisë. Duke marrë masa proaktive për të parandaluar diskriminimin gjinor dhe për të promovuar barazinë gjinore, organizatat mund të krijojnë një vend pune më gjithëpërfshirës, të drejtë dhe mbështetës për të gjithë punonjësit. 
_____________________________________________ 
1 Agjencia e Statistikave të Kosovës, 2017. 
2 Anketa e Fuqisë Punëtore, TM1, 2023. 
3 Bloomberg News, 18.01.2024. 
4 Global Gender Gap Report, 2021. 
5 Pew Research Center, 2023 www.pewresearch.org


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Hajrullah Bega ?