Kush është “Ebu Bekri” yt?! 

 


Në historinë e njerëzimit kanë jetuar numër aq i madh i njerëzve, saqë këtë e di vetëm Ai që i ka krijuar dhe tek Ai i cili janë kthyer. Në këtë numër të jashtëzakonshëm, a kemi menduar ndonjëherë se emrat e atyre që kanë mbetur të skalitur në histori janë pothuajse të papërfillshëm, në krahasim me numrin e atyre që kanë jetuar, të cilët është detyruar historia që t’i përmend e të shkruajë për ta. 
E në mesin e tyre s’ka dyshim se në majat e tyre qëndrojnë të përzgjedhurit e Zotit. 
Të jesh i përzgjedhuri i Zotit nuk është në dorën tënde, por të shoqërohesh me njerëzit e përzgjedhur nga Zoti, të jesh në shërbimin e tyre, të kujdesesh për ta, t’i ndihmosh e t’i duash ata, e që kjo dashuri të përkthehet në përkrahje të pakursyer, kjo që po është në dorën tënde. 
Një rast të tillë të një njeriu madhështor historia e kishte parë nga afër, e të cilit ajo i ka borxh për arsyen se i tregoi asaj se çka mund të ofrojë njeriu kur beson dhe e do dikë. 
Madje, edhe të jesh i Dërguar i Zotit do të thotë të kesh nevojë për një Ebu Bekër, e kjo është mrekullia e funksionimit të kësaj bote, ku i vetmi që ka pavarësi absolutet është Allahu, Zoti i botëve. Të gjithë nën Arshin e Tij kanë nevojë për dikë, e që ky dikush të jetë i veçantë e të mbetet në histori duhet të jetë një “Ebu Bekër”, edhe nëse është në miniaturë. 
Por, kush është “Ebu Bekri” yt?! Para se ta pyesim vetën se a kemi ne një “Ebu Bekër” në jetë, duhet ta shohim vetveten se sa jemi ne në jetësimin e shëmbëlltyrës së të Dërguarit a.s., që ta kemi dikë që na beson e na do, ashtu siç ishte shembulli i Ebu Bekrit. 
Ajo çfarë bëri Ebu Bekri është një produkt i pa kopjuar nga dikush tjetër. Të ndalemi pak e ta mendojmë shoqërimin e tij me të Dërguarin para shpalljes! A mund ta imagjinoni kur dy shokë të pandashëm ndajnë të gjitha momentet bashkë dhe për një çast njëri prej tyre deklaron se është graduar me gradën më të madhe që mund të gradohet dikush, pra deklaron se është i përzgjedhuri i Zotit dhe se përfundimisht do të mbetet njeriu më i veçantë në historinë e njerëzimit?! Pa dyshim se sfida më e madhe për shokun e tij është që ta pranojë këtë dallim dhe këtë gradim. E sikur të kishte vetëm sa grimca e atomit xhelozi, mendjemadhësi, apo sikur edhe vetëm një herë në jetë të ishte mashtruar nga shoku i tij, apo të ishte gënjyer, pa asnjë dilemë se do të kishte shumë arsye të mos i besonte e ta kundërshtonte. 
Por, ai dha shembullin e papërsëritshëm të asaj se çfarë bën forca e besimit dhe njohja e mirë e shokut. Pa asnjë mëdyshje e pa asnjë hezitim, ai i tha se të pranojë për të Dërguar të Zotit, dhe jo vetëm kaq, por vendosi në shërbim të tij jetën, familjen, pasurinë, pozitën, duke mos ju ndarë asnjëherë e duke u bërë modeli e shembulli më i mirë se si duhet të jetë një “Ebu Bekër” në jetë, madje edhe për të Dërguarin e Zotit. 
Nëse i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s., kishte nevojë për një të dërguar, nuk vihet në dyshim se ne kemi nevojë shumë më të madhe për një “Ebu Bekër”.
Kush është “Ebu Bekri” yt, që jeta, sfidat, ndryshimi i pozitave e angazhimet në jetë nuk e lënë ta zbehin dashurinë e pozitën tënde në zemrën e tij?! 
Kush është “Ebu Bekri” yt, tek i cili pasuria nuk ka ndikuar në largimin e tij, por pasurinë e ka vendosur si mjet të qëndrimit afër dhe afrimit edhe më të madh pranë teje, ashtu siç bëri Ebu Bekri, i cili jo në pak raste, por gjithherë mendjen e kishte tek i Dërguari a.s.. Kjo vërehet qartë edhe në ekspeditën e Tebukut, kur Omeri r.a., kishte marrë gjysmën e pasurisë dhe kishte thënë se sot po ia tejkaloi edhe Ebu Bekrit. Por, kur erdhi, ai gjeti atë, Ebu Bekrin, me tërë pasurinë e tij para të Dërguarit a.s.. Kur e pyeti për këtë, se çfarë u la familjes, Ebu Bekri r.a., tha se ua kam lënë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Këtu Omeri r.a., sikur ngrehi flamurin e dorëzimit se asnjëherë nuk ia kaluar Ebu Bekrit në shpenzim dhe në shërbim të të Dërguarit të Zotit. 
Kush është “Ebu Bekri” yt, tek i cili mjafton që dikush t’i thotë atij se ti ke thënë diçka dhe ai, duke të njohur ty, e di se ti nuk flet gënjeshtra, madje edhe nëse nuk të ka takuar, e beson një veprim tëndin, duke qenë i bindur se ti nuk bën asgjë për vetën tënde, por vetëm atë që Zoti është i kënaqur me të?! 
Kur i kumtuan lajmin se shoku i tij, i Dërguari a.s., po thoshte se ka shkuar në një pjesë të natës nga Qabeja në Jerusalem, e nga aty në qiellin e shtatë në takim me Allahun, për kurejshit ky ishte një moment i favorshëm që të fusnin dyshime tek Ebu Bekri. Por, ende pa e takuar të Dërguarin a.s., që ta pyeste për një gjë të tillë, Ebu Bekrit i mjaftoi dëshmia se ka thënë ai, dhe e besoi atë. Ngase ai tha se, unë i kam besuar se ai është i Dërguar i Zotit, e kjo më mjafton. Pra, ai e njihte atë dhe e dinte se ai nuk fliste dhe nuk bënte asgjë veçse të vërtetën, prandaj edhe e mori nofkën “i sinqerti” dhe “i vërteti”. Për një të tillë “Ebu Bekër” kemi nevojë në jetë. 
Kush është “Ebu Bekri” yt, i cili për shoqërimin me ty, jo që do të gjejë arsye për të mos shoqëruar, por madje do të sakrifikonte gjithçka, e madje do të rrinte i gatshëm, ashtu siç bëri Ebu Bekri në Hixhëret, ku ishte përgatitur me muaj, madje edhe pa e ditur se do ta shoqëronte të Dërguarin a.s., apo jo, por me rëndësi për të ishte që kur t’i vinte momenti mos t’i ikte një gjë e tillë?!
Aisheja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se kur i Dërguari a.s., erdhi për ta përzgjedhur Ebu Bekrin r.a., për rrugëtimin e Hixhëretit, ajo nuk ishte një përzgjedhje e rastësishme, ngase Zoti kishte parë se Ebu Bekri r.a., ishte përgatitur me zemër dhe në praktikë për këtë. E kur Pejgamberi a.s. ia dha lajmin e Hixhëretit, Aisheja r.a., thotë se nuk kam parë njeri të qajë ashtu nga gëzimi. Ai ishte i gatshëm për atë udhëtim, madje i përgatitur qysh kohë më parë, ani pse nuk e dinte se a do ta shoqëronte atë apo jo, duke sakrifikuar familjen e rrezikuar jetën. Por, kjo e bëri që ai të mbetet i përmendur në Kuran: “Mos u mërzit, Allahu është me ne!” (Et Teube, 40). 
Kush është “Ebu Bekri” yt, për të cilin ti, para vdekjes do t’u thuash trashëgimtarëve se është një njeri që s’ke arritur t’ia kthesh mirësitë në këtë botë, por e pret Ditën e Llogarisë për të dëshmuar para Madhërisë së Zotit për mirësitë e tij, e pastaj të kënaqesh kur Zoti do ta shpërblejë atë me xhenetet mahnitëse?! 
A e ke në jetë ndonjë “Ebu Bekër”, që nuk imagjinohet të përmende emri i tij e të mos asociojë me ty, dhe e kundërta, sa herë që përmendsh ti, ai të jetë pjesë e jotja?! 
Ebu Bekri ishte i tillë nga njerëzit e parë që pranuan Islamin dhe njeriu që më shumë se gjithçka shpenzoi nga koha. Përmendja me krenari e Pejgamberit a.s., se e donte shumë Ebu Bekrin, shoqërimin me të në Hixhëret, e deri te falja pas tij si imam, sikur bëhen emër i pandarë nga ai i të Dërguarit a.s.. 
Eh për sa “Ebu Bekrat” kemi nevojë ne në jetë? 
E për të pasur një “Ebu Bekër”, ti duhet të jesh me moral, edukatë, sjellje e butësi si i Dërguari i Zotit a.s.. 
Nuk është e pamundur, mjafton të bashkohen ambiciet në jetë, e rrugëtimi i përbashkët të shihet si mundësi e jo si konkurrencë, ngase Pejgamberi a.s. ishte i përzgjedhur, por Ebu Bekri nuk humbi asgjë kur u rreshtua krah tij me gjithë atë çfarë kishte, për dallim prej Ebu Lehebit, i cili ishte xhaxhai i tij, por mbeti në faqet e errëta të historisë. 
Afërsinë dhe largësinë shpesh nuk e përcakton gjaku dhe familja, por besimi dhe mirëbesimi, të cilat kurorëzohen me dashuri e ambicie të përbashkëta.
Ne, një ditë nuk do të jemi, por edhe për ne dhe për shoqëruesit tanë diçka do të thuhet. 
Zgjidh të bëhesh ti “Ebu Bekri” i dikujt, nëse për ty ende nuk u bë askush “Ebu Bekër”!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme