Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, qëndroi sot për vizitë në Gjakovë, ku u prit nga kryetari i Këshilli të Bashkësisë Islame të Gjakovës, Dr. Valon ef. Myrta me bashkëpunëtorë.
Ata së bashku panë për së afërmi Qendrën e Trajnimeve, e cila tashmë së fundi është mobiluar, si rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë.
Myftiu Tërnava edhe me këtë rast falënderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë për këtë donacion, duke thënë se tashmë ky objekt do të shërbejë për mbajtjen e trajnimeve dhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme.
Ata vizituan edhe disa objekte të tjera vakëfnore, si: objektin në ndërtim e sipër të ish-stacionit të veterinarisë, dyqanet vakëf përbri Xhamisë së Sofës, objektin vakëf gjashtë katësh në Çarshi të Vogël, si dhe institucionin parashkollor - çerdhen në kuadër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës.