Më shumë se tetë mijë pako ushqimore dhe nga një thes miell kanë filluar të dhurohen sot në kuadër të një aksioni humanitar të organizuar nga Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” në bashkëpunim me Qendrën e Mbretit Selman për Ndihmë dhe Punë Humanitare të Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Shpërndarja e ndihmave është fokusuar te kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, në prag të muajit të shenjtë Ramazan dhe ka filluar në Prishtinë, për të vazhduar më pas me qytetet e tjera. Në këtë ceremoni hapëse mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili gjatë ceremonisë së shpërndarjes, e vlerësoi këtë aksion si një ndihmë të rëndësishme për ata që kanë më së shumti nevojë.
Nga ana tjetër, ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, Feisal Hefzi, tha se një iniciativë e tillë është e domosdoshme për të mbështetur familjet e cenueshme në këtë periudhë të vitit.
“Komuna e Prishtinës ka përzgjedhur pjesën më të ndjeshme të shoqërisë për të përfituar nga ky aksion humanitar,” tha Gentiana Hasani, duke nënvizuar rëndësinë e ndihmës për familjet në nevojë.
Ky aksion humanitar realizohet tradicionalisht në prag të Ramazanit, duke synuar të lehtësojë kushtet e jetesës për familjet që përballen me vështirësi ekonomike.