Ramazani dhe bereqeti i tij


Ajo që karakterizon agjërimin apo muajin Ramazan është ngrënia e syfyrit. Syfyri është moto e këtij Ymeti, është prej gjërave që na dallojnë nga ithtarët e Librit.Transmeton Imam Muslimi se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ajo që dallon agjërimin tonë nga agjërimi i ithtarëve të librit, është ngrënia e syfyrit…”.
Çdo muaj, çdo stinë, çdo bimë dhe çdo qenie e gjallë e ka dimensionin e saj të jetës. Të gjitha krijesat janë në shërbim të njeriut - edhe dita, edhe nata, edhe Hëna, edhe Dielli, edhe era, edhe ajri, edhe uji, edhe bimët, edhe kafshët, edhe deti, edhe lumenjtë, madje edhe koha. Pikërisht pasi krijoi njeriun, Allahu i urdhëroi të gjitha melaqet (engjëjt) që të përkuleshin dhe t’i bënin sexhde Atij. Sexhdeja ishte për Allahun si i Vetmi Krijues. Meqë edhe koha është në dispozicion të njeriut, atëherë në të bëjnë pjesë edhe muajt. Ndër muajt më të lavdëruar, sipas besimit islam, është muaji Ramadan. Ky muaj është i veçuar, i lavdëruar, i begatuar dhe i ngritur. Një gjë e këtillë ishte vullnet i Allahut, vullneti i Krijuesit, i Cili krijoi çdo gjë, krijoi edhe kohën (asr). Shenja e parë e bereqetit të muajit Ramadan është ajo që ky muaj kalon nëpër të gjitha stinët e vitit gjatë 30 vjetësh, nga se kuptohet se njerëzit e të gjitha viseve mund të agjërojnë në të gjitha kohët apo stinët. Ndoshta kjo do të paraqiste një mrekulli të Krijuesit dhe mëshirë drejtuar neve si njerëz. Kjo është begati nga Vetë Krijuesi drejtuar krijesës më të zgjedhur - Njeriut. Ajo që karakterizon agjërimin apo muajin Ramazan është ngrënia e syfyrit. Syfyri është moto e këtij Ymeti, është prej gjërave që na dallojnë nga ithtarët e Librit.Transmeton Imam Muslimi se i Dërguari i Allahut ka thënë:“Ajo që dallon agjërimin tonë nga agjërimi i ithtarëve të librit, është ngrënia e syfyrit…”.Thuhet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Bëni syfyr, ngase në syfyr ka bereqet”. Në këtë hadith urdhërohemi që ta hamë syfyrin si përgatitje për agjërim, ndërsa urtësia e tij është zbritja e begatisë dhe bereqetit. Bereqeti është vetëm prej Allahut dhe si i tillë nuk arrihet përveçse me respekt, nënshtrim dhe adhurim ndaj Tij. Bereqet, më konkretisht, do të thotë zbritja e së mirës hyjnore mbi diçka dhe përqendrimi në të. Bereqet po ashtu do të thotë shtim i së mirës, shpërblimit dhe tërë atyre gjërave për të cilat ka nevojë njeriu në këtë botë dhe në Botën tjetër. Bereqeti i muajit Ramazan është shumëdimensional, saqë ndonjëherë njeriut i vjen prej nga as e imagjinon. Sipas historisë së Islamit, mjaft gjëra të rëndësishme kanë ndodhur pikërisht në këtë muaj, ndër të cilat është edhe Shpallja e Kur’anit në Natën Kadër, në natën e 27 të muajit Ramazan. Natyrisht, kjo është begatia më e madhe dhe më e papërshkrueshme nga njeriu. Nata e Kadrit, përveç rëndësisë së madhe si ngjarje historike, në të njëjtën kohë paraqet Natën mjaft të dobishme për çdo besimtar që dëshiron t’I kthehet Allahut dhe të bëjë pastrim shpirtëror.


Nata e bereqetshme 


Kur’ani këtë natë e emërton si Lejletul Kadër që do të thotë nata e vlefshme dhe e rëndësishme, ndërsa në kaptinën ed duhan, këtë natë allahu në kur’an e quan Lejletin Mubareketun, që do të thotë natë e bekuar, natë e dhuratave më të mëdha. Ndër begatitë e papërshkrueshme që bëjnë pjesë në transhendentalen, është edhe fakti se Allahu thotë në kur’an se nata e kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj, si dhe atë natë zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.Të gjitha begatitë dhe bereqetet e muajit të Ramazanit nuk është e mundur as të imagjinohen, e jo më të arrijmë t’i numërojmë. I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., ka thënë: “Sikur Ummeti im të dijë sa të mira ka në Ramazan, do të dëshironte që i tërë viti të bëhet Ramazan”! Imam Ahmedi shënon një hadith, në të cilin i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., ka thënë: “Ymetit tim u janë dhënë 5 cilësi në ramazan, të cilat nuk i kanë pasur popujt e tjerë para ymetit tim: Era e gojës së agjëruesit është më e dashur tek All-llahu sesa aroma e miskut. Melekët luten për faljen e mëkateve të ymetit tim derisa ta përfundojnë agjërimin.Allahu çdo ditë e zbukuron Xhennetin për ta duke thënë: Edhe pak dhe nga robërit e Mi do të mënjanojnë çdo brengë dhe shqetësim dhe ata do të vijnë tek ti. Pengohen të gjitha intrigat e shejtanit dhe ata nuk mund ta bëjnë atë që bëjnë zakonisht. Do t’u falen mëkatet natën e fundit”. - Dikush pyeti: “Mos është Natën e Kadrit, o i Dërguari i Allahut”? Ndërsa Ai u përgjigj: “Jo, por, kur ndonjë punëtor kryen punën e vet deri në fund, atëherë për atë punë i jepet pagesa”.


Agjërimi në muajin Ramazan dhe bereqeti në shumë aspekte 


Bereqeti më i madh për njeriun qëndron në Fjalën Hyjnore (Kur’an); “Ky (Kur’ani) është një Libër i begatshëm, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed)”. (Sad, 29). Po ashtu, bereqeti mund të kërkohet edhe përmes formave konkrete, siç janë dituria, veprimi, lutja, etj., përmes të cilave besimtari mund të arrijë begatinë nga Allahu, por me kusht që ato veprime të jenë në përputhje me Praktikën islame dhe të mos ekzistojë ndonjë pengesë në atë rrugë. Për sa i përket begatisë dhe bereqetit në ngrënie duke përmendur Emrin e Allahut, i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: “Mblidhuni rreth ushqimit dhe përmendni emrin e allahut, që të begatoheni në të”. (Ahmedi, Ebu Daudi) “Bereqeti zbret në mesin e ushqimit. Hani anash tij e mos hani në mesin e tij”. (Ahmedi, Ebu Daudi, Ibn Maxhja). “Mateni ushqimin ( hani me masë), që të begatoheni në të.“ (Buhariu). Sipas Islamit, ekzistojnë disa kohë të caktuara për arritjen e bereqetit, po më së shumti theksohet koha gjatë muajit Ramazan.
Natyrisht, kërkimi i bereqetit nga Allahu në këto kohë arrihet duke ndjekur udhëzimet e të Dërguarit të Allahut a.s.. 
Shkenca bashkëkohore ka arritur të argumentojë shumë dobi për organizmin e njeriut, të cilat vijnë nga agjërimi, e të cilat do të konsideroheshin vetëm si begati dhe bereqet nga Krijuesi. Pra, shkenca e sotme ka zbuluar se agjërimi forcon sistemin imunitar tek agjëruesi, për t’u bërë ballë shumë sëmundjeve, po ne do të përmendim edhe këto: 
Agjërimi është një adhurim i veçantë tek Allahu i Lartësuar. Agjërimi kryen funksionin e kirurgut duke eliminuar prej trupit qelizat e shkatërruara e të dobëta. Uria që shoqëron agjërimin, vë në lëvizje aparatet e brendshme të trupit duke konsumuar qelizat e dobëta, për të përballur këtë uri, kështu që trupit i jepet rrethana e volitshme që të rikthejë gjallërinë dhe aktivitetin e tij. Gjithashtu, agjërimi është mbrojtje për trupin prej shumë tepricave të dëmshme, si për shembull: gurët, shtesat e mishit, gjëndrat dhjamore, madje edhe vetë plagët në fillimin e formimit të tyre. 
Agjërimi është i dobishëm në kurimin e sëmundjeve të lëkurës, pasi ai pakëson përqindjen e ujit në gjak. 
Agjërimi ka ndikim të madh në mbrojtjen prej trombozës së zemrës dhe trurit. Shumë studiues të shkencave të mjekësisë kanë vërtetuar se agjërimi zvogëlon përqindjen e yndyrave në trup, duke zvogëluar kështu kolesterolin.
Agjërimi është një rast i mirë për të zvogëluar përqindjen e sheqerit në gjak në pikën më të ulët të tij. Ai u jep gjëndrave të pankreasit mundësi të mira për pushim, sepse detyra e tij është të prodhojë insulinë, e cila sheqerin e shndërron në yndyra që depozitohen në inde. 
Agjërimi ka një vlerë të madhe për shumë sëmundje të zemrës, pasi 10 për qind e gjakut të pompuar nga zemra shkon në aparatin tretës gjatë procesit të tretjes. Kjo sasi zvogëlohet gjatë agjërimit, sepse gjatë ditës nuk ka proces tretjeje. Kjo do të thotë më pak lodhje dhe më shumë qetësi për muskujt e zemrës. 
Agjërimi ndihmon në kurimin e tensionit të lartë të gjakut, sepse ulja e peshës që shoqëron agjërimin, ul gjithashtu edhe tensionin e gjakut në mënyrë të dukshme, ashtu si edhe lëvizjet f izike në namazin e teravisë ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. 
D. Shahid Et’har, në një hulumtim të botuar në revistën amerikane “Jirir”, saktëson se personi gjatë namazit të teravisë konsumon 200 kalori. Kështu, nëse agjëruesi i përmbahet një ushqimi normal, duke evituar teprimin me yndyra dhe sheqerna, do të gjejë tek Ramazani mbrojtje për zemrën e tij dhe kurim për sëmundjen e saj. 
Bereqet i papërshkrueshëm, apo jo! “Agjëroni që të jeni të shëndoshë.” (Hadith)


 


Dituria Islame 253


Artikulli i kaluar
Agjërimi i Ramazanit
Artikulli radhës
Leximi i Kuranit në Ramazan