Çka e prish dhe çka nuk e prish agjërimin

 


Agjëruesi nuk do të prishë agjërimin e tij nëse nga harresa ha diç, pi, ose bën marrëdhënie seksuale, në çfarëdo lloji të agjërimit qoftë, në Ramazan apo jashtë tij. Këtë e dëshmon hadithi, i cili ndodhet në përmbledhjet sahih, në të cilin Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari a.s. ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush harron dhe ha ose pi, le ta plotësojë agjërimin e vet, ngase, vërtet, Allahu e ka ngopur dhe ia ka shuar etjen.”
Nëse është konfirmuar kjo dispozitë për ngrënie dhe pirje, është konfirmuar edhe për marrëdhënie seksuale, ngase është njësoj obliguese lënia e tyre gjatë agjërimit dhe nuk ka dallim ndërmjet agjërimit i cili është farz dhe agjërimit vullnetar, për arsye se hadithi nuk e ka bërë këtë dallim.
Nëse agjëruesi, i cili ka harruar, është mjaft i fortë të agjërojë, si ndonjë i ri, ai që e shikon duhet t’ia tërheqë vërejtjen se është duke agjëruar. Është e qortueshme (mekruh tahrimi), ndërkaq të mos i tërhiqet vërejtja, njashtu siç është e qortueshme të mos zgjohet ai që fle kur është frikë se do t’i kalojë namazi. Nëse ky agjërues ka forcë, atëherë është e mirë të paralajmërohet nga mëshira. Nëse agjëruesi paralajmërohet, por nuk reagon, por vazhdon të hajë, agjërimi i tij do të prishet dhe ai duhet ta kompensojë, për arsye se informimi i një personi në fe pranohet. Për këtë ai duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje shqyrtimit të gjendjes së vet, sepse ekziston një person, i cili e ka paralajmëruar.
Polucioni në gjumë nuk e prish agjërimin. Nëse agjëruesi fle dhe në gjumë ka polucion, agjërimi nuk i prishet, për shkak të fjalëve të të Dërguarit të Allahut a.s.: “Tri gjëra nuk e prishin agjërimin: hixhama (lëshimi i gjakut) , të vjellët dhe polucioni.”
Nëse agjëruesi ka pasur kontakt me gruan jashtë organit të saj seksual, ose nëse e puth dhe e ledhaton, duke mos përjetuar ejakulim gjatë kësaj, agjërimi nuk është prishur. Mirëpo, nëse gjatë kësaj ejakulon, agjërimi prishet dhe është i detyruar ta kompensojë, ngase ky veprim është në kuptimin e marrëdhënies seksuale. Dhe ai nuk është i obliguar të bëjë kefaret për këtë, për arsye se ky është sanksioni më i madh për atë që e prish agjërimin e vet dhe me këtë sanksionohet vetëm kur delikti e arrin kulmin. Ndërsa kulmi është marrëdhënia seksuale në formën dhe kuptimin e saj të vërtetë, gjë që këtu mungon.
Ajo që hyn në bark të agjëruesit nëpër pore të trupit të tij nuk e prish agjërimin. Madje, edhe nëse lahet në ujë dhe e ndien freskinë e tij në bark, kjo nuk ia prish agjërimin. Gjithashtu, nëse agjëruesi e lyen lëkurën me ndonjë preparat freskues, nëse nënvizon sytë me surme, agjërimi i tij nuk prishet, qoftë edhe nëse e ndien shijen e asaj në fyt, ose e vëren ngjyrën e saj në pështymë.
Nëse pa qëllim fut në bark diç nga ajo nga çka nuk mund të ruhemi, nuk e prish agjërimin. Nëse në fytin e tij hyn pluhur, tym apo një mizë, agjërimi nuk prishet. Gjithashtu kjo vlen edhe nëse farmacisti e ndien shijen e ilaçeve dhe aromën e tyre. Nëse në veshin e agjëruesit hyn uji, agjërimi i tij nuk prishet, pos nëse këtë e bën qëllimisht do ta prishë agjërimin, ngase uji ka hyrë në barkun e tij me veprimin e tij. Kjo është si në rastin kur dikush në veshin e vet vë ilaç ose vaj, me çka prishet agjërimi. Nëse e pastron veshin me shkopinj, pastaj e nxjerr me papastërti, mandej sërish e vë në vesh disa herë, agjërimi nuk i prishet. Ndërsa kur në fytin e vet fut tym në çfarëdo mënyre ose tymohet me temjan dhe e ndien aromën e tij, ndërsa ka qenë i vetëdijshëm se është duke agjëruar, ky veprim do ta prishë agjërimin, ngase ka mundur të ruhet prej kësaj. Nuk duhet konsideruar që kjo është si erë e trëndafilit ose lëng misku, për shkak të dallimit të qartë në mes ajrit në të cilin ndihet aroma e miskut dhe përmbajtjes së tymit, i cili hyn në barkun e agjëruesit me aktin e tij. Me këtë kuptohet edhe dispozita e pirjes së duhanit, dhe s’ka dyshim se pirja e duhanit ose thithja e tymit të tij në brendi të trupit e prish agjërimin.
Nga veprimet që e prishin agjërimin është edhe vënia e ilaçit në hundë dhe thithja e tij. Agjërimin nuk e prish ajo që mbetet nga lagështia në gojë pas larjes, madje edhe nëse agjëruesi atë e gëlltitë me pështymë. Mirëpo, para gëlltitjes së pështymës, duhet pështyrë një herë pas derdhjes së ujit, për të eliminuar ujin që është përzier me pështymën. Gjithsesi nuk duhet tepruar në këtë, ngase ajo që ka mbetur është vetëm lagështi nga e cila nuk mund të ruhesh.
Nëse në gojën e agjëruesit hyjnë djersa ose lotët që dalin nga sytë, një apo dy pika, dhe përzihen me pështymë, ndërsa agjëruesi nuk e heton shijen e tyre, agjërimi nuk prishet. Mirëpo, nëse është aq shumë sa agjëruesi e ndjen njelmësinë në gjithë gojën, agjërimi është prishur.
Nëse agjëruesi hap gojën dhe ngre kokën dhe në gojë i bie ndonjë pikë shiu, flluskë bore ose ujë që pikon, kjo do t’ia prishte agjërimin, ngase ka mundur të ruhet nga kjo duke vënë dorën në gojë.
Gjaku, i cili del nga dhëmbët e agjëruesit, nuk e prish agjërimin, nëse nuk futët në brendi. Mirëpo, nëse gjaku arrin në brendi me pështymë dhe dominon ngjyra e tij e kuqe në pështymë, ose është në sasi sa pështyma, sipas mendimit të numrit më të madh të dijetarëve, do ta prishë agjërimin. Disa, ndërkaq, mendojnë që kjo nuk e prish agjërimin, ngase njeriu në të shumtën nuk mund të ruhet nga kjo gjë dhe kjo trajtohet si edhe mbeturinat e ushqimit në dhëmbë ose lagështia pas shpëlarjes së gojës. Ky është mendim real, aq më parë nëse i shtojmë edhe kufizimin që agjëruesi nuk e heton daljen e gjakut. Nëse e heton, mund të ruhet duke e nxjerrë jashtë me anë të pështymës me të cilën është përzier.
Agjëruesit nuk do t’i prishet agjërimi nëse e gëlltit ushqimin që mbetet mes dhëmbëve, nëse nuk është më i madh se kokrra e leblebisë, për shkak se është pak dhe nuk mund të ruhet nga kjo, prandaj kjo trajtohet si edhe pështyma. Mirëpo, nëse kjo e arrin madhësinë e leblebisë dhe agjëruesi e gëlltit, agjërimi i tij është i prishur, ngase ka mundur të ruhet nga kjo.
Kur të vjellët e mposht agjëruesin dhe ushqimi del pa dëshirën e tij, agjërimi nuk do të prishet, pavarësisht nga ajo nëse ajo që del është shumë apo pak. Kjo dëshmohet me fjalët e të Dërguarit të Allahut a.s.: “Tri gjëra nuk e prishin agjërimin: çështja e gjakut, të vjellët dhe polucioni, si dhe fjalët vijuese të tij: Atë që e mundon të vjellët në kohën e agjërimit, nuk është i detyruar ta kompensojë, ndërsa ai që e nxit të vjellët duhet ta kompensojë.”
Nëse ushqimi i vjellë ose një pjesë e tij kthehet, nuk prishet agjërimi, pavarësisht sasinë e tij, ngase agjëruesi nuk e ka bërë me dëshirë, as ka pasur qëllim ta bëjë. Mirëpo, nëse ai më veprimin e vet e kthen atë ushqim ose një pjesë të tij në sasi të kokrrës së leblebisë, ndërsa vjellja ka qenë me gojën plot, agjërimi do të prishet, ngase e ka bërë me vetiniciativë.
Kushtëzimi i të vjellit me gojën plot është se me këtë të lidhen rregullat e asaj që del nga trupi, ngase në atë rast goja nuk mund ta mbajë atë ushqim. Ndërsa gjërat që bien nën rregullin e asaj që del nga trupi e prishin agjërimin, nëse kthehen tërësisht apo pjesërisht në brendi. Për dallim nga kjo është të vjellët që nuk bëhet me gojën plot, që hyn në dispozitat e asaj që lidhet me trupin dhe nuk është ndarë nga trupi, dhe për këtë nuk e prish agjërimin, pavarësisht atë nëse kthehet në barkun e agjëruesit me dëshirën e tij, apo pa të.
Hadithi, i cili u përmend më sipër dhe ky sqarim konfirmojnë se agjëruesi, nëse vjell qëllimisht me plot gojën, do ta prishë agjërimin, pavarësisht nëse diçka nga ky ushqim është kthyer prapa vetë apo ai e ka kthyer me veprimin e vet. Nëse agjëruesi në një vend shkakton vjellje disa herë, edhe atë sasi të vogël të ushqimit, por ashtu që, nëse do të bashkohej, është sasi e gojës plot, edhe kjo e prish agjërimin. Krejt kjo vlen nëse ajo që ka vjellë është ushqim, ujë, lëng i hidhët ngjyrë të verdhë, ose gjak. Nëse ajo është jargë, atëherë agjërimi nuk do të prishej.
Ajo që hyn në bark, por nuk mbetet në të, nuk e prish agjërimin. Mirëpo, nëse mbetet në të, ndërsa ka hyrë me veprimin e agjëruesit, ose i ka bërë mirë trupit të tij, agjërimi do të prishet.
Mos mbetja në bark mund të ndodhë në njërën prej dy mënyrave vijuese:
E para: që një pjesë e asaj që ka hyrë të mbetet jashtë barkut.
E dyta: që kjo të dalë direkt nga barku pas hyrjes, para ndalimit dhe tretjes së ndonjë pjese në bark. Në këtë mund të bazohen shumë raste, prej cilave janë edhe:
Agjërimi nuk do të prishet nëse termometri i terur vihet në vrimën anale, ngase një pjesë e tij mbetet jashtë njësoj është edhe kur vihet gishti i terur në të, ose kur femra e vë gishtin në organin e vet seksual. E prish agjërimin gishti i lagur, ngase një pjesë e lagështisë do të mbetet në të.
Nëse gruaja e fut një xhufkë pambuku, të cilin femrat e përdorin në higjienën e tyre, në organin seksual edhe atë të tërën, do ta prishë agjërimin. Nëse mbetet një skaj i saj jashtë, agjërimi nuk do të prishej.
Nëse mjeku e fut një pajisje mjekësore në barkun e agjëruesit, pastaj e nxjerr, agjërimi nuk do të prishet.
Krejt kjo vlen nëse ajo që futet në bark nuk mbetet në të. Nëse do të mbetej në bark, shikohet nëse ka hyrë me veprimin e agjëruesit, apo nëse në këtë ka ndonjë dobi për trupin. Nëse ajo hyn me veprimin e tij ose në këtë ka dobi për trupin, atëherë agjërimi do të prishej.
Nëse njeriu theret me heshtë apo shigjetë dhe në trup i mbetet maja e saj, agjërimi i tij nuk prishet.
Në analogji me këtë, nëse shtihet me armë zjarri drejt agjëruesit dhe plumbi mbetet në barkun e tij, agjërimi nuk do t’i prishet, ngase vet ai nuk e ka bërë këtë dhe as që ekziston dobi nga ky veprim për trupin e tij.
Nëse lëndohet dhe plaga është e thellë (therje e thellë - siç e quajnë dijetarët e fikhut) e kjo është therje e cila arrin deri në brendi, ose si goditja në kokë, e cila arrin deri në pëlhurën trunore, dhe në këtë plagë futet guri, agjërimi nuk do të prishet, ngase kjo nuk ka ndodhur me veprimin e tij dhe as që ka dobi për trupin e tij nga kjo. Nëse në atë plagë do të vihet ilaç dhe ai arrin në brendi, agjërimi do të prishet, ngase ky është veprim i tij dhe në këtë ka dobi për trupin e tij.
Nëse agjëruesi fut diç në brendinë e vet dhe kjo mbetet në të, agjërimi do t’i prishet, qoftë edhe nëse në këtë nuk ka kurrfarë dobie për trupin e tij.
Kapsulat mjekësore, të cilat arrijnë në brendi përmes vrimës anale te mashkulli dhe femra, ose më anë të organit seksual te femra, do ta prishin agjërimin, pavarësisht nëse agjëruesi i ka vënë vetë, ose ia ka vënë dikush tjetër, ngase në këtë ka dobi për trupin e tij.
Nëse pikon ilaç ose ujë në kanalin e urinimit, agjërimi nuk i prishet, ngase kalimi ndërmjet kanaleve të organit seksual dhe brendisë së trupit është i mbyllur dhe hapet vetëm me rastin e daljes së urinës. Prandaj, për dijetarët e fikhut, dispozitat e brendisë nuk vlejnë për kanalin e urinimit. Mirëpo, nëse femra, e cila agjëron, vë diç në brendinë e vet përmes organit seksual, agjërimi do t’i prishet.
Në bazë të kësaj që u tha, konsideroj se ajo që hyn në brendi përmes injeksionit nën lëkurë, brenda muskulit ose në enë të gjakut, e prish agjërimin, ngase mbetet në trup dhe bartet - sikurse kanë dëshmuar hulumtimet laboratorike dhe mjekësore - për një kohë të shkurtër në të gjitha pjesët e trupit, por edhe ngase në këtë ka dobi për trupin. Kjo mund të kontestoj atë që dijetarët e fikhut kanë thënë për prishjen e agjërimit me ilaçin që hyn përmes plagës, që plaga duhet të jetë aq sa të arrijë deri në brendi, ose deri në pëlhurën trunore, gjegjësisht që plaga të jetë aq e thellë sa të bashkohet me rropullitë, ose trurin.
Ndërsa unë them që ata e kanë vënë këtë kusht për të qenë të sigurt se ilaçi ka arritur në brendi të trupit dhe se ka mbetur aty, sepse ata në të kaluarën nuk kanë ditur për këto mjetet moderne, të cilat e fusin ilaçin në brendi të trupit ashtu që për një kohë të shkurtër bëjnë të përhapet në pjesë të ndryshme të trupit.
Prandaj, kompetente është depërtimi i vërtetë, siç pohon dijetari Ibën Abidini. Nëse agjëruesi e di se ilaçi i terur, i cili është vënë në plagë të thellë, ka arritur në brendi të trupit, agjërimi do t’i prishet. Nëse e di se ilaçi i lëngët nuk ka arritur në brendi, agjërimi nuk do t’i prishet.
Duke e marrë parasysh faktin që prishja dhe mos prishja e agjërimit varet nga depërtimi apo mos depërtimi i ilaçit, duhet të themi se agjërimi në këtë situatë do të prishet. Dhe nuk mund të merret me mend të themi se agjërimi do të prishet nëse gishti që është lagur me ujë vihet në anus, e të mos themi se do të prishet për atë të cilit me mjete moderne mjekësore ia hedhin një sasi të serumit ushqyes në trup, ose atij që i jepet gjak tjetër e që qarkullon nëpër pjesët e trupit të tij.
Gjithashtu, duhet bërë dallim mes rastit kur ilaçi vetë arrin prej sipërfaqes së trupit në brendinë e tij dhe rastin e futjes së tij prej sipërfaqes në brendi, përmes injeksionit. Nëse ilaçi vihet në sipërfaqe të lëkurës, mbi plagë sipërfaqësore dhe prej aty thithet në brendi të trupit e përmes gjakut përhapet në të gjitha pjesët e tij, nuk ka dyshim se ilaçi ka depërtuar në brendi. Nëse ai ilaç arrin vetë, sikurse kur njeriu lyhet me mjet freskues dhe lëkura përmes poreve e thith, andaj depërton në brendi të trupit, në këtë rast agjërimi nuk do të prishet, siç kemi theksuar tashmë. Gjithashtu kemi theksuar edhe se dijetarët e fikhut kanë bërë dallim ndërmjet situatës kur uji hyn në brendinë e veshit gjatë larjes ose notimit, kanë deklaruar se kjo nuk e prish agjërimin dhe situatës që uji të piket në brendi të veshit ose ilaçi të piket në brendinë e tij, duke pohuar se në këtë e situata të ngjashme agjërimi prishet. Ajo që depërton vetë përmes poreve ose plagëve sipërfaqësore nuk e prish agjërimin, kurse ajo që depërton me përdorim të lirë të njeriut dhe veprimin e tij, konsideroj se e prish agjërimin.
Në bazë të kësaj, dhënia e injeksionit duhet të shtyhet deri në mbrëmje, ndërsa nëse është e detyruar për këtë gjatë ditës, ai, sipas Sheriatit, do të konsiderohet i sëmurë dhe i lejohet të prishë, por me obligim të kompensimit më vonë.
Kjo është ajo deri ku ka arritur botëkuptimi dhe mendimi im lidhur me këtë çështje, ndërsa i dyti do të ishte që lexuesi e di që shumë prej dijetarëve nuk pajtohen me këtë mendim timin dhe të konsideroj që agjërimi nuk do të prishet, andaj ai mund të veprojë sipas mendimit të tyre, ndërsa kujdesi në ibadet është gjë e pëlqyeshme. Allahu, madhëruar qoftë Ai, e di më së miri!
Agjërimi nuk prishet nëse agjëruesin e kafshon gjarpri, ngase nuk ka ndodhur me veprimin e tij dhe as ka dobi nga kjo për trupin e njeriut.
Ajo që prej gjërave që e prishin agjërimin arrin gabimisht në brendinë e agjëruesit, do ta prishë agjërimin, kurse ai obligohet vetëm ta kompensojë, pa shpagim, sikurse kur shpërlan gojën dhe hundën dhe uji e mashtron dhe depërton në brendinë e tij, ndërsa ai është i vetëdijshëm për agjërimin e vet. Imam Shafiu mbështet mendimin, sipas cilit agjërimi nuk prishet me gabim, në mënyrë analoge me këtë, kush harron për agjërimin e vet, por edhe për shkak të fjalëve të të Dërguarit Allahut a.s.: Umetit tim i falet gabimi, harresa dhe ajo për çka janë të detyruar.
Mirëpo, hanefinjtë këtë analogji e mohojnë, ngase dispozita e Sheriatit që agjërimi nuk prishet për shkak të deliktit nga harresa është në kundërshtim me analogjinë dhe ajo nuk mund të krahasohet me asgjë. Pastaj, ekziston dallimi ndërmjet harresës që ndodh shpesh gjatë agjërimit dhe gabimit, i cili nuk ndodh shpesh. Këtij hadithi i janë përgjigjur se në të mendohet për eliminimin e mëkateve në Ahiret dhe jo në eliminimin e kësaj dispozite në këtë botë.
Siç ndodh gabimi në futjen e gjërave që e prishin agjërimin, ndodh edhe gabimi në caktimin e kohës. Nëse agjëruesi ka marrëdhënie seksuale apo ha, duke menduar se ende nuk ka ardhur agimi, pastaj e kupton se, megjithatë kishte aguar dhe e ndërpret marrëdhënien ose ushqimin menjëherë pasi e ka kuptuar, agjërimi do të prishet. Ai është i obliguar ta kompensojë pa shpagim, ngase nuk e ka prishur me qëllim.
Nëse dyshon në atë nëse ka perënduar dielli dhe ha, pastaj dëshmohet se ka ngrënë para perëndimit, obligohet me kompensim dhe shpagim, ngase ajo që është e sigurt - e ajo është kohëzgjatja e ditës - nuk pushon për shkak të dyshimit. Mirëpo, nëse tek ai dominon mendimi se dielli ka perënduar dhe ai ha, pastaj del se dielli ende s’ka perënduar, obligohet vetëm me kompensim, ngase parësor është mendimi në nivel të bindjes së fortë. Në situata të tilla, nëse nuk i tregohet realiteti i gabimit të tij dhe vazhdon të agjërojë, agjërimi do të jetë i drejtë dhe nuk duhet ta kompensojë.


 


Abdulhamid Mahmud Tuhmaz,
Përktheu: Dr. Selim Sulejmani
Dituria Islame nr. 364


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Urime për muajin e bekuar Ramazan