Kurbani, ibadet që na afron pranë Allahut


Qëllimi këtu është që njeriu të perceptojë këtë ngritje dhe afrim të tij me zotin, dhe të krijojë një lidhje me jetën dhe botën nëpërmjet kornizës së kësaj lidhjeje afrimi me Allahun. Ibadetet (adhurimet), si namazi, agjërimi, haxhi, zekati dhe kurbani, janë ibadete të cilat njeriu është ngarkuar që t’i kryejë për t’u ngritur dhe për t’u afruar tek Allahu.
Allahu i Madhëruar në këtë tokë gjithçka e ka krijuar në formën më të bukur, ndërsa njeriun e pajisi me veti dhe mirësi të shumta, i dha talent të rrallë, por më pastaj e bëri të obligueshëm që kjo qenie të mbajë përgjegjësi ndaj këtyre begative. E gjithë kjo u bë meqë njeriu është qenia më e përsosur dhe më e shkëlqyer e Tokës, ku me obligimet dhe përgjegjësitë e veta arrin të ngrejë autoritetin e ekzistimit të tij, e njëkohësisht të fitojë dhe të krijojë edhe një afërsi të veçantë pranë Krijuesit të vet. 
Këtë afërsi të njeriut me Krijuesin e vet, Allahu e përshkruan në Kur’anin famëlartë, me një përshkrim alegorik: “Ai ndodhet më afër se damari i qafës (vena kryesore) (Kaf, 16.)”, dhe në një ajet tjetër, ku na bën me dije se: “Kudo që të jetë, Ai është së bashku me të”.(El Hadid, 4.). 
Qëllimi këtu është që njeriu të perceptojë këtë ngritje dhe afrim të tij me Zotin, dhe të krijojë një lidhje me jetën dhe botën nëpërmjet kornizës së kësaj lidhjeje afrimi me Allahun. Ibadetet (adhurimet), si namazi, agjërimi, haxhi, zekati dhe kurbani, janë ibadete, të cilat njeriu është ngarkuar që t’i kryejë për t’u ngritur dhe për t’u afruar tek Allahu, por në të njëjtën kohë këto ibadete përmbajnë edhe qëllimin e edukimit të tij. 
Të gjitha këto ibadete janë simbole që myslimanin e mbajnë në një ndërgjegje dhe vetëdije të vazhdueshme e të pastër, meqë forma dhe mënyra e praktikimit të tyre përmban dhe ngërthen në vete një kuptim më të thellë. Prandaj, kur shpirti dhe zemra fitojnë një ngritje të tillë, atëherë afrohen dhe arrijnë pranë afërsisë së Mëshiruesit. Të arrish në piedestalin e afërsisë me Allahun, të fitosh lidhjen që të afron me Zotin, kjo domethënë që një njeri në jetën e vet ka arritur qëllimin e misionit të dërgimit në tokë, ka zbatuar detyrën me të cilën e ngarkoi Allahu në tokë. Një gjë duhet ta kemi gjithmonë në mendje: veprimi i çdo ibadeti që na është urdhëruar, është një hap që na dërgon tek Allahu. 
Në të vërtetë, njohja dhe dashuria ndaj Krijuesit, në Islam nënkupton fitimin e një ndërgjegjeje të lidhur në mes Allahut dhe njeriut, dhe krijon një disiplinë e cila mundëson që koha e besimtarit (mu’min) të jetohet e të ringjallet shpirtërisht. Një formë që krijon lidhshmëri shpirtërore në mes Krijuesit dhe njeriut, është të përmendurit e Allahut, “dhikrullah”, ku, sipas një analize më të gjerë, të gjitha ibadetet e tjera do t’i fusim në llogarinë e kësaj përmendjeje të Allahut, që e quajmë “dhikrullah”, sepse çdo ibadet fillon me shqiptimin e Emrit të Tij të Lartë. 
Përmendja e Allahut “dhikrullah”, është një fushë që futet në të gjitha sjelljet e besimtarit (mu’min), që nënkupton se asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet harruar Allahu, Ai duhet përmendur gjithmonë, në çdo hap dhe frymë që marrim dhe nxjerrim, sepse e gjithë kjo është një simbol i Fuqisë dhe Madhërisë së Allahut. Një ibadet i tillë është edhe Kurbani. 


shkrirje e ndërgjegjes njerëzore në robëri ndaj Allahut 


Në thelb, Kurbani nënkupton ekzistencën dhe vlerën e njeriut besimtar, që është simbolikë e afrimit dhe kërkimit të tij nga Allahu në formën që mësoi se si dhe në çfarë mënyre të afrohet dhe të fitojë shpërblim tek Allahu.
Kurbani është afrim tek Krijuesi, shkrirje e ndërgjegjes njerëzore në robëri ndaj Allahut, koha e afrimit kulminant tek Allahu, flijim i njeriut ndaj urdhrave të Allahut, rifreskim dhe përkujtim i të qenit rob i Allahut. 
Kurbani është një sakrificë që nënkupton afrimin dhe mundimin e njeriut për t’u afruar tek Allahu, ai plotëson dëshirën e tij që të flijohet duke u bërë rob i devotshëm. Kurbani është një ibadet ndërmjetësues ndërmjet robit dhe Allahut, që arrihet me sabër dhe me fitimin e gradës së devotshmërisë. 
Kurban nënkupton: afrim, lidhje shpirtërore, dëshirë për afrim ose devotshmëri (takva) me afrim tek Allahu, dorëzim (teslimijjeh) në devotshmëri (takva). Prandaj, Kurbani na bën të devotshëm, e devotshmëria na afron me Allahun. Allahu i Madhëruar përmend shumë kurbane, që nënkupton dhe ka si qëllim madhërinë dhe falënderimin ndaj Allahut. Allahu në Kur’an thotë:“As mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve) nuk do të arrijnë tek Allahu. Por tek Ai do të arrijë devotshmëria (takvaja) juaj”.(El Haxh, 36-7)
“Andaj pastroni shpirtrat tuaj (nefs) me anë të kurbaneve tuaja”!(1) 
Nga kjo nënkuptohet se, përveç gjakut dhe mishit, kurbani përmban edhe diçka tjetër, që d.m.th. se nuk janë mishi dhe gjaku, por: “Kthimi tek Allahu, respekti i thellë ndaj Allahut dhe lidhshmëria e robit me Allahun!” Prandaj, therja e kurbanit është një perceptim që të dërgon në lartësi, dhe nuk është vetëm ngrënia e mishit të tij. Një porosi të tillë Pejgamberi a.s. na e jep edhe për ibadetet e tjera, si për namazin dhe agjërimin (savm), kur na tërheq vërejtjen për namazin dhe agjërimin e mbajtur pa u thelluar shpirtërisht (ruhijjen), kur kryerja e këtyre veprave humb lidhjen me thellësitë shpirtërore, dhe na thotë se nga ai namaz nuk arrihet asgjë tjetër përveç lodhjes (zahmeh)(2). 
Në të njëjtën formë Pejgamberi a.s. na bën me dije edhe për agjërimin duke thënë se nuk ka asgjë prej atij agjërimi pos urisë dhe etjes(3). 


Pastrimi i shpirtit me kurban 


Të njëjtën rëndësi ka edhe ibadeti i Haxhit, kur dalim nga vendi ynë dhe marshojmë drejt rrugës së gjatë për t’u veshur me ihramet e bardha, dhe për të kaluar më pas në kodrën triumfuese dhe legjendare të Arafatit, ku një rob me gjithë këtë shumicë veprash të mos i drejtohet madhërisë dhe fuqisë së Allahut me një ndjenjë ndërgjegjeje të pastër, e të mos pranojë që në fund t’i mbetet një udhëtim i lodhur! Kjo është e pamundur për njeriun i cili posedon ndërgjegje, ndjenja dhe mendje!Në Kur’anin famëlartë kjo përshkruhet në këtë mënyrë: “Atë ditë nuk bën dobi as pasuria (mall) e as fëmijët! Por vetëm një zemër që vjen e pastër tek Allahu”.(Esh-Shuara, 88-89). Atë ditë, në Ditën e Madhe të Gjykimit, në çiltërsinë e kësaj Dite, do të kërkohen vetëm gjërat dhe veprat e pastra, shumë të pastra dhe të kulluara mirë, të cilat në esencën e veprës së tyre përmbajnë afrimin e një zemre të pastër ndaj Allahut. Prandaj, me anë të kurbaneve, kryerjes së Haxhit, namazeve dhe ibadeteve të tjera në përgjithësi, njeriu duhet të mundohet të arrijë kulmin dhe piedestalin e arritjes së asaj pastërtie dhe çiltërsie që na shpie më pas në devotshmëri (takva), ku pastërtia dhe çiltëria e veprave sjell afrimin tonë tek Allahu. 
Poeti i njohur Fuzuli thotë: 
Një herë në vit populli pret kurban për Kurban Bajram, në çdo moment dhe në çdo orë bën kurban në rrugën e Allahut, të bësh kurban shpirtin (nefsin) tënd, ta pastrosh atë nga egoja, për kokë të secilit të bëhet kurban, të afrohet, të afrohesh me kurban, kurbani na bën të ekzistojmë nga hiçi, ai përmbledh njëmijë e një begati (ni’mete), ai rrethon rahmetin, dijen, forcën dhe çdo imtësi (zerre), ky është një ibadet i lartë që na afron tek Allahu... 
Duhet të dimë se ibadetet që kryejmë, janë gjithmonë simbol për të dëshmuar robërinë tonë ndaj Allahut. Të gjitha ibadetet duhet t’i kryejmë me një ndërgjegje të thellë dhe të pastër, duke pasur si synim gjithmonë “lidhjen tonë me Allahun”. Lidhja me Allahun kërkon flijim dhe sakrificë, e këto duan sabër, vullnet dhe mbështetje tek Allahu, ndërsa mbështetja tek Allahu nuk mund të fitohet pa pastërtinë dhe çiltërinë e shpirtit. 
Kurbanin duhet ta presim duke qenë të bindur dhe të përqendruar (hushu’), si dhe me dashuri dhe duke plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme. 
Kurbani nënkupton afrim, të qenët afër; vetë emri i tij nënkupton afrim, që të afron, të bën të afërt, të thërret të afrohesh, dhe i gjithë ky afrim është afrim tek Allahu, aty ku gjejmë qetësinë e përhershme dhe absolute. Gjithashtu ky është një ibadet që simbolizon ndarjen e ni’metit (begatisë) në mënyrë të përbashkët në mes njerëzve, meqë Allahu u ka dhënë atyre që e bëjnë atë. Kjo ndarje, kjo barazi dhe kjo dhuratë në mes tyre krijon lidhje afërsie dhe miqësie. Kur ta dërgosh për ta prerë kafshën, duhet ta kapësh nga bishti apo nga brirët e saj dhe ta tërheqësh, po njëkohësisht edhe kafsha të tërheq ty duke të shkaktuar mundim, dhe duke e ndotur ambientin, kjo është një vepër e cila ngërthen me vete një atmosferë të papërshkruar shpirtërore. 
Për kurbanin, i cili zgjat kokën që ta presim ne, qoftë ai dele, lopë apo deve, njeriu i cili do ta presë atë, duhet të jetë i gëzuar e të mos ndiejë as hidhërimin më të vogël apo një njeri që e ka këtë profesion? Patjetër që, kur kërkojmë afërsinë, në këtë rast do të kujtojmë lindjen dhe perëndimin, prandaj a nuk do të mendojmë edhe për distancat më të largëta? Pra, që të gjitha këto duhet t’i mendojmë thellësisht...
Kurbani është një ibadet që nga koha e Ibrahimit a.s. dhe Ismailit a.s., kur që të dy këta njerëz të zgjedhur të Allahut, babë e bir, me gjithë dashurinë e madhe që kishin mes tyre, pranuan dhe lanë anash ndjenjat e tyre, në mënyrë që të lidheshin me Allahun e t’i afroheshin Allahut gjatë gjithë kësaj dynjaje, edhe pse kuptohet, sado e shkurtër që është kjo botë, në ato momente një jetë e tillë do të bëhej e gjatë dhe e gjerë. 
Njerëzit besimtarë, kur e presin kurbanin, kujtojnë me ndjenja të posaçme këtë ngjarje me peshë të madhe dhe të veçantë në Islam. Kur e therin kurbanin, ata kujtojnë Pejgamberin e tyre - Ibrahimin a.s. i cili qe urdhëruar të bënte kurban birin e tij, Ismailin a.s., por mëshira dhe dhembshuria e Allahut ndaj mëkëmbësit në Tokë ia zëvendësoi therjen e të birit me therjen e kafshës, respektivisht deles. Asnjëherë nuk duhet të afrohemi dhe të therim kurban në gjendje të mllefosur, po përkundrazi - me dashuri dhe në vend që ta mbysim, atë duhet ta konsiderojmë si një dhuratë, duke e respektuar dhe duke shfaqur respekt ndaj tij. Prerja e kurbanit na mëson se si të fitojmë, të ruajmë dhe të kujdesemi ndaj ndjenjave që janë bazë për ekzistencën e njeriut dhe që janë: respekti ndaj kafshës e cila është shtrirë të pritet, respekti ndaj njeriut që meriton një dhuratë të tillë, ruajtja e ambientit, shmangia e shpenzimeve të tepërta etj.. 


Ibadet që manifeston një sërë gëzimesh 


Kur kujtojmë ngjarjen e parë të therjes së kurbanit, atë të dy njerëzve të zgjedhur, Ibrahimit a.s. dhe të birit të tij - Ismailit a.s., asnjëherë nuk duhet të harrojmë durimin (sabrin) dhe mbështetjen (teslimijjeh) që pati Ismaili a.s. kur i tha babait të tij: “o babai im, vepro atë për se je urdhëruar (nga Allahu), inshaAllah mua do të më gjesh prej atyre që bëjnë durim (sabër)”.(Es- Saffat, 102) Por, në të njëjtën kohë, kujtojmë hapin edhe më të rëndë të Ibrahimit a.s., i cili kishte një madhështi dhe vendosmëri (nijjet) të fortë me urdhrat e Allahut. Pra, në momentin që themi: “Bismil-lahi, Allahu Ekber - Në emër të Allahut, Allahu është më i Madhi”, ne vendosemi në rolin e Ibrahimit a.s. dhe të birit të tij - Ismailit a.s., të cilët respektuan urdhrin e Zotit të tyre dhe patën sukses të shkëlqyeshëm në kalimin e provimit të tyre. 
Pas gjithë kësaj sakrifice duhet të bëjmë dua (lutje) duke thënë: “Pa dyshim namazi im, ibadetet e mia, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Krijuesin e botëve.”( El En’am, 162.) Therja e kurbanit, së bashku me festën e Kurban Bajramit, bëhen që të rriten dhe të madhështohen dy gëzime në një kohe. Ky ibadet manifestohet me një sërë gëzimesh që vijnë njëri pas tjetrit, kështu që së pari do të gëzojmë zemrat dhe shpirtrat tona, pastaj do të zbusim dhe kënaqim zemrat dhe shpirtrat e nënave dhe baballarëve tanë, do të kënaqim dhe lulëzojmë zemrat dhe shpirtrat e fëmijëve tanë, fëmijëve jetimë që kanë nevojë për dhembshuri (sheukah) dhe mëshirë (merhameh), të atyre që janë të varfër dhe të pambështetur nga askush, vizitorët që shkojnë (zijaret) tek të sëmurët duke i gëzuar në shtretrit e tyre, aplikimi në mënyrë parësore i ndjenjave dhe dukuritë pozitive njerëzore me ndihmë ndaj gjithë njerëzimit në përgjithësi, duke ua shndritur fytyrën njerëzve, - e kjo është një vepër e një kohë e ndarë dhe që dallon shumë nga kohët dhe veprat e tjera. 
Kurbani është model dhe aplikim i një modeli të dy njerëzve të shquar, Ibrahimit dhe Ismailit a.s., të cilët treguan dorëzim dhe bindje (teslimijjeh) të pakushtëzuar ndaj urdhrave hyjnorë. Ky është një simbol i sakrificës dhe flijimit në rrugën e Allahut, dhe nënkupton se, meqë Allahu na mëshiron (merhameh) ne në çdo hap në këtë botë, atëherë dhe ne duhet të sakrifikojmë që ta bëjmë Atë të kënaqur me anë të një vepre, e cila bëhet me mund dhe me trup, vepër që kryhet në të njëjtën kohë me anë të shpirtit (ruh) dhe trupit (hal). Nëna jonë, Aisheja r.a., na shpjegon kështu: “Kishim prerë një dele, dhe i Dërguari i Allahut na pyeti: “Sa u shpërnda prej kësaj deleje dhe sa ngeli pa u shpërndarë? - Ne i thamë: “Mbeti vetëm një pjesë e kofshës së saj, ndërsa e gjithë pjesa tjetër, përpos kësaj cope, u shpërnda”! Atëherë, Pejgamberi a.s. u përgjigj: “(Thuaj, o Aishe) gjithçka është jona, përveç asaj cope të kofshës”!(4) 
Prandaj, kur të therim kurban, duhet të mendojmë se i tërë mishi i shpërndarë është yni. Kurbanet tona le të jenë shteg afërsie me Krijuesin tonë, le të bëhen shkas që kurbani të na afrojë me Allahun ashtu si damari i qafës. o Allahu ynë, na rikthe largësinë në afërsi, ikjen në arritje, na jep neve një afërsi me Ty, jepu një shpejtësi shpirtrave tona që të afrohen tek Ti, kurbani të na marrë dhe të na afrojë pranë mëshirës dhe strehimit Tënd. Ne me të vërtetë kemi nevojë të jemi pranë Teje, të bëhemi kurban në rrugën Tënde, të lutemi tek Ti, o Zot, na jep afërsinë Tënde...
 Lebbejk Allahumme Lebbejk - Të përgjigjemi ty, o Allahu ynë, të përgjigjemi... 
InshaAllah kurbanet tona na pranohen (kabul), dhe duatë tona na përgjigjen (makbul) nga Ai që i lutemi për afërsi. 


________________
1. Koleksioni: Tirmidhiu, kap. “Edahi”, hadithi nr. 1. 
2. Bejhekiu, Shu’abul-Iman, kap. 4 hadithi nr. 275. 
3. Koleksioni: Ibn Maxhe, kap. Sijam, hadithi nr. 21. 
4. Koleksioni Tirmidhi, kap. “Sifatul-Kijameh”, hadithi nr. 35.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

KBIGJ priti përfaqësues të institucioneve lokale dhe politike me rastin e urimeve për Kurban Bajram (VIDEO)