Një kthesë e jashtëzakonshme ka ndodhur në jetën e familjes shtatë anëtarëshe Mehmeti nga fshati Gergoc, e cila për vite me radhë ka jetuar në kushte të vështira.
Falë një projekti humanitar, kjo familje sot gëzon një banesë të re, tërësisht të mobiluar dhe të pajisur me të gjitha kushtet e nevojshme për jetë.
Ky ndryshim u bë i mundur përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, e cila funksionon në kuadër të Këshillit të Ba
shkësisë Islame të Gjakovës dhe Komunës së Gjakovës, të cilët, Brenda pak javësh, me mbështetjen e bizneseve lokale, bamirësve vendorë dhe bashkatdhetarëve tanë nga diaspora, u siguruan fondet e nevojshme për blerjen e banesës.
Çelësat e banesës iu dorëzuan familjes sot, në një ceremoni modeste, por të mbushur me emocion. Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës Dr. Valon ef. Myrta, nënkryetari i komunës së Gjakovës Flamur Fetahaj dhe koordinatori i shoqatës “Bereqeti” Abdurrahman Bejtullahu.
“Nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e çdo individi që besoi dhe kontribuoi në këtë nismë. Solidariteti dhe dashuria për njeriun janë fuqitë që na bashkojnë dhe ndryshojnë jetë,” – u shpreh koordinatori i Shoqatës “Bereqeti”.
“Faleminderit të gjithëve që besuan dhe kontribuuan në këtë rrugëtim. Bashkë mund të bëjmë më shumë për shumë familje të tjera në nevojë.”