Nga pasiguria dhe luhatja e vazhdueshme midis së kaluarës dhe së tashmes, myslimanët duhet të fillojnë të mendojnë edhe për të ardhmen. Nënës së Musait a.s., i vjen lajmi që mos të pikëllohet për atë që kishte ndodhur, as të ketë frikë nga ajo që po përjetonte dhe kalonte, por të ketë në mendje atë që do të vinte pas kësaj, si fryt i të gjitha sakrificave, telasheve, vështirësive, investimeve, heqjeve dore dhe shpresave: "Ne nënën e Musait e inspiruam: t'i japë atij gji, e kur të kesh frikë për të, atëherë atë hidhe në lumë, e mos u frikëso as mos u pikëllo, se Ne do ta kthejmë atë ty dhe do ta bëjmë atë nga të dërguarit." (El-Kassas, 7)
A nuk u shpëtua Jusufi a.s., nga errësira e një pusi të thellë dhe një burgu të ftohtë?
Ata që duan ndryshim për mirë janë të gatshëm të bëjnë kompromis, edhe në situata kur shumë do t'i interpretojnë këto ndryshime si një dështim të dukshëm.
Nuk duhet të ketë kompromis në çështjet e besimit. Domethënë, Kurejshët shkuan aq larg në mosbesimin e tyre sa që thirrën Muhamedin s.a.v.s., për të treguar bindje dhe devotshmëri ndaj idhujve, putave dhe hyjnive të tyre për një vit dhe për të adhuruar Zotin e tij për një vit. Prandaj, Allahu xh.sh., e zbriti suren El-Kafirun, të cilën e lexojmë shpesh, në të cilën urdhëroi Pejgamberin s.a.v.s., të heqë dorë plotësisht nga besimi i tyre i devijuar. Allahu xh.sh. thotë: "Thuaj: "O ju jobesimtarë!" Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni! As ju nuk jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që ju adhuroni! Por edhe ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)!" (El-Kafirun, 1-7)
Në një rast tjetër, kur Kurejshët ishin të vendosur t'i ndalonin myslimanët të hynin në Mekë dhe të kryenin Haxhin, dhe kur myslimanët u ndaluan në Hudejbie, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., priti të dërguarin Kurejsh Suhail ibn Amrin në mënyrë që elementët e marrëveshjes të përcaktoheshin përfundimisht.
Pejgamberi s.a.v.s., i kërkoi djalit të xhaxhait të tij Aliut ibn Ebi Talib t'i shkruante ato. Ai filloi të shkruante tekstin me fjalët "Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit", por Suhejli nuk ra dakord, duke thënë se nuk e dinte se kush ishte Er-Rahmani (Er-Rahimi) dhe se ishte e nevojshme të shkruhej "Në emrin tënd, o Zot", sepse ishte një deklaratë që njihej edhe për politeistët.
Disa sahabë u përgjigjën ashpër se këto ndërhyrje në tekst nuk vijnë në konsideratë. Pejgamberi s.a.v.s., i tha Aliut r.a., të shkruante ashtu siç kishte kërkuar Suhejli të shkruante. Pastaj ai i tha atij të shkruante më tej: "Këto janë pikat e armëpushimit të nënshkruar nga Muhammedi, i Dërguari i Allahut dhe Suheil ibn Amri." Suhejli prapë nuk ra dakord dhe tha: "Nëse do të ishim të sigurt se ti ishe i Dërguari i Zotit, nuk do të luftonim me ty. Shkruaj: 'Muhamed ibn (djali) i Abdullah (u).'" Ali r.a., nuk donte të bënte siç kërkoi Suhejli, veçanërisht pasi veç e kishte shkruar. Pejgamberi s.a.v.s., i kërkoi atij t'i tregonte se ku ishte shkruar teksti, pastaj ai e fshiu vetë fjalinë dhe i kërkoi Aliut të shkruante atë që kishte kërkuar Suhejili.
Sahabët ishin në një gjendje tronditjeje dhe mosbesimi kolektiv. Ata së shpejti do të kuptojnë se frika e tyre për të ndryshuar tekstin e marrëveshjes dhe zgjidhjet e kompromisit ishte e pabazë. Muhamedi s.a.v.s., ra dakord të fshijë nga fleta "Muhamedi, i Dërguari i Allahut", por menjëherë pas kthimit të tij në Medinë, do të zbriteshin ajetet e sures El-Fet'h ("Fitorja"), të cilat do të lexohen deri në Ditën e Gjykimit, të shkruara në të gjithë Mus'hafët dhe të bartura në gjoks dhe mendje nga miliona myslimanë. Ajeti i fundit i sures El- Fet'h është: "Muhamedi është i Dërguari i Allahut!"
Kështu, Muhamedi s.a.v.s., në një kontekst specifik, qetëson një sahabë, i cili, për të shmangur torturat dhe vdekjen e mundshme, mohoi besimin e tij në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Muhamedi s.a.v.s., i përdori shërbimet e një udhërrëfyesi jo-mysliman kur largohej fshehurazi nga Meka dhe u zhvendos në Jethrib, si dhe në situata të tjera në të cilat ai nuk e kishte problem të bashkëpunonte me njerëz që nuk ndanin pikëpamjet e tij të besimit.
Megjithatë, pragmatizmi duhet të ketë kufij. Muhamedi s.a.v.s., nuk ra dakord për asnjë pazar në misionin e tij kur kundërshtarët e tij në Mekë i ofruan atij pozicion dhe pasuri, duke propozuar që adhurimi i hyjnisë "tonë" dhe "tuaj" të ndërroheshin çdo ditë.
Gatishmëria për ndryshime, kompromise, planifikime afatgjate, investime, përkushtime dhe fleksibilitet janë një shenjë e një komuniteti të shëndetshëm. Askush nuk dëshiron të pijë ujë të të ndenjur e të ndotur. Rrethanat dhe planet ndryshojnë. Në të vërtetë, njeriu nuk duhet të ndryshojë kurrë qëllimin, që është kënaqësia e Zotit dhe Xheneti. Humbja më e madhe e njeriut është që të mos ketë vend për të në Xhenet, i cili është "i gjerë si qiejt dhe toka, i përgatitur për ata që kanë frikë nga Allahu".