Hudhejfes i kishin treguar për një njeri i cili bartte fjalë, e ai kishte thënë: "Kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: Ai që bart fjalë, nuk do të hyjë në Xhenet"(1)


Përgjegjësia për atë që themi


Nga synimet esenciale të Islamit është përmirësimi i moralit të besimtarit, duke e udhëzuar atë për çdo të mirë dhe duke e ndaluar nga çdo e keqe. Transmetohet nga disa prej tabiinëve, se vetëdijen mbi adhurimin (el ibadetu) nuk e matnin me shkallën e kryerjes së namazit apo agjërimit, veçse atë e matnin me vlerat morale dhe ndikimin e islamit në këtë aspekt. islami i myslimanit identifikohet nga sjelljet e tij dhe ato janë dëshmia konkrete. Shumë herë obligimet bazë, si namazi e të tjera, nuk kalojnë rrethin e ndikimit individual. Në këto raste mund të mos reflektojë ndonjë veprim të caktuar dhe të mos njihet karakteri i tij, por cilësia e Islamit të tij do të bëhej publike kur bashkëvepron e bashkëpunon me të tjerët. Tani bëhet e qartë sa është i përkushtuar ndaj parimeve të besimit dhe sa ndikojnë ato në jetën e tij, sa e respekton kodin moral islam, mbi të cilin ngrihet e tërë feja. Është e vërtetë se shumë herë, mund ta ndalim lehtë dorën apo këmbën e gjymtyrët e tjera nga e keqja, po përkundrazi, gjuha është shumë e zonja dhe shpesh reagon pa vend e pa rend. Aliu r.a. kishte thënë se, po të ishte e mundur, gojën do ta trajtonte si një keqbërës i cili, si i burgosur, është më i sigurt. Të tjerët, në aspektin e sigurisë, gojën e përshkruajnë si një mekanizëm që është sforcuar me dy nofulla, me eshtër, që mbyllen fort, dhe, po nuk i hape vetë, këtë vështirë se mund ta bëjë dikush tjetër. Shtesë të kësaj, buzët paraqesin një mbyllje të dyfishtë. Kjo tregon për nevojën e kontrollit të asaj që kalon nëpërmes një daljeje të tillë. Mbylle gojën, shtrëngo nofullat, bashko buzët dhe kurrsesi mos fol shkel e shko. Njeriu nuk mund të flasë asnjë fjalë e të mos ketë përcjellësin nga melekët, që nuk i ndahet kurrë. Pastaj, Ditën e Gjykimit do të habitet nga libri i tij, ku ka shënuar çdo detaj dhe nuk ka lëshuar asgjë.


Morali i atyre që nuk kanë moral


Me gjithë argumentet e qarta, porositë e shumta dhe këshillat shumë domethënëse, përgojimi (el gijbetu) dhe bartja e fjalëve (en nemijmetu) thyejnë kodin moral dhe individi e bën të veten duke përlyer të tjerët me karakterin e ulët të tij. Bartja e fjalëve me qëllim keqbërjeje është morali i atyre që nuk kanë moral, dhe pasuria e atyre që nuk kanë vlera njerëzore, që kanë shpirt të prishur, dhe fjalët e bartura nga njëri tek tjetri, u përngjajnë fekaleve që shpërndahen gjithandej e kundërmojnë erëra të pakëndshme. Masa minimale e kësaj shujte është t'i thuash dikujt se filani ka thënë për ty kështu e ashtu, pa marrë parasysh nëse e ka dëgjuar vetë apo e bart nga dikush tjetër. Edhe në këtë rast Islami konfirmon ndalimin e masës minimale të së keqes dhe asaj që është haram, e paraqitur si një nga arsyet kryesore për vuajtjen e dënimit shumë të rreptë në Botën tjetër.


Ndenjjet dhe sekretet e tyre


Është e natyrshme që njerëzit të tubohen dhe të bisedojnë së bashku për çështje e probleme të ndryshme, duke trajtuar tematika me interes, qofshin ato të karakterit individual ose shoqëror. Është e sigurt se gjithmonë kemi hapësirë të mjaftueshme për biseda produktive, pa pasur nevojë të hapim derën e përgojimit ndaj të tjerëve, dhe bartjes së fjalëve me qëllim keqbërjeje. Por, në shumë raste, është e mundur të marrim pjesë në biseda kur merret në shenjë personaliteti i dikujt që nuk është i pranishëm dhe f litet rreth tij në përmasa të ndryshme, duke vlerësuar punën, sjelljen dhe karakterin e tij. Këto komunikime ndonjëherë ndoshta edhe janë të nevojshme? Nuk mund të themi se ky është veprim i mirë, ngase, në çfarëdo situate, kjo formë e vlerësimit paraqet përgojimin e dikujt që nuk është i pranishëm dhe kjo është e ndaluar. Por, në anën tjetër, ndodh shkelja e sekreteve të ndenjjes dhe bisedave rreth çështjeve të caktuara, të cilat ndoshta i përkasin një rrethi me interes të veçantë. Nëse është biseduar në një zonë të ndaluar, kurrsesi nuk bën të thyhet ndalesa tjetër dhe të përhapen sekretet e biseduara, po gjithsesi duhet të mjaftohemi me masën e parë. Shumë herë biem viktimë e asaj që dikujt i themi diçka në besim, e më pastaj ballafaqohemi me të në mënyrë të hapur, dhe vuajmë pasojat. E tëra ngjan ngase dikush nuk ka ruajtur sekretet, ka bartur në pabesi fjalë tek të tjerët. Gjithsesi, mexhliset kanë amanetet e tyre që patjetër duhet të ruhen, dhe sekretin duhet ta mbajmë në besë.


Gibet e vasalitet


Kjo e keqe nuk është dukuri e një shtrese të caktuar njerëzish, të pashkolluar e të pa arsimuar, por, në këtë ngushticë gjenden edhe shtresa intelektuale që përdhosin dinjitetin e tyre. Ndoshta nuk e teproj nëse konstatoj se bartja e fjalëve dhe përgojimi, krijojnë viktima të shumta, që pësojnë pa fije mëkati. Bartja e fjalëve reflekton moralin e ulët dhe besimin e dobët, që nuk mund të ngrihet në masën e ndikimit dhe të aktivizohet me qëllim të ndalimit nga e keqja që dëmton atë. Këtë mekanizëm të keq e përdorin shumëkush për të arritur qëllimet e veta. Ushqehen me të ata që nuk ngopen me të këqijat e të tjerëve, gjallërojnë mbi baza të përgojimit e bartjes së f jalëve. Vlera e tyre ndërtohet mbi pushtetin e përgojimit. Përfoljet në vesh ndërtojnë imazhin e njerëzve dhe rezultojnë qëndrimet ndaj tyre. Praktika të tilla nuk u lënë vend njerëzve të devotshëm, ngase në parim paraqesin konceptin e gabuar mbi ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, ku vlerat formojnë kriteret. Kjo nuk mund të arrihet në rastet kur veprohet mbi baza të përgojimit, ngase, vesi i tillë krijon vasalitet dhe rreth pa vlera, duke i menduar të gjithë hyzmeqarët si njerëz të devotshëm të tij, e në realitet ata janë hunjtë e kalbur që prezantojnë rënien e gardhit në çdo rast. Është dobësi e madhe nëse mendojmë që përgojuesi na e do të mirën dhe është duke bërë punë të ndershme. Pa dyshim që pushteti duhet të ketë "veshin e vet", por kurrsesi ky nuk mund të jetë përgojuesi apo ai që bart llafe. Askush nuk mund të ngrihet duke shkelur mbi moralin dhe dinjitetin e të tjerëve; këto janë shtigje shumë afatshkurtra. Nuk ka dyshim se kjo paraqet praktikën e mentaliteteve totalitare. Nga jeta e përditshme jemi dëshmitarë se shumë njerëz ndryshojnë karakterin e sjelljes dhe qëndrimit ndaj të tjerëve vetëm në bazë të njohurive që u servohen nga prapaskena, ku hukatja e përgojimit i ngre temperaturën e veshit. Të pafajshmit dëmtohen nga "ecejaket e mizës", e cila, duke shëtitur nga një ndyrësirë në tjetrën, bart mikrobet shkatërruese. Gjithnjë, në jetën e përditshme, shohim se shtresa përgojuese ushtron ndikimin në masë të madhe duke mbyllur rrugën e sinqeritetit. Është shumë vështirë që para dikujt të paraqitesh me një mendim tjetër, ngase mund të dalësh në anën e kundërshtarëve. Po nuk e pate të njëjtën mendje, nuk mund të jesh i vijës së njëjtë, prandaj mund ta pësosh. Përgojimet e përfoljet e shumta kanë krijuar një imazh të paragjykuar, i cili në situata të mendimit tjetër rrëshqet edhe më poshtë. Fitohet përshtypja se ky lloj ushqimi i ndaluar, për shumëkënd është bërë idare, pa të cilën assesi nuk mund të jetohet.


Ethet e përgojimit


Kur dikë e kapin ethet e frikës nga përgojimi, nuk mund t'i besojë askujt dhe karakterizohet nga një shkallë e lartë e pasigurisë. Nuk mund t'u besojë as ndenjjeve të zakonshme familjare, ngase e shoqëron ndjenja se janë tubuar për të folur kudër tij. Apo, në mendjen e vet gjithmonë i sillet paragjykimi se dikush është duke i kurdisur ndonjë të keqe. Jeton në stres të vazhdueshëm dhe kurrsesi nuk bëhet rehat. Kjo ndjenjë na dëmton shumë. Dëmton marrëdhëniet familjare, zbeh shoqërinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Shumë herë, njëri tjetrin nuk mund ta shikojmë drejt në sy, ngase kemi bartur një mal fjalësh dhe tashmë ai nuk na duket njeri i rëndomtë. Dashakëqijtë shkatërrojnë miqësinë dhe respektin në mes njerëzve, bëhen shkak për urrejtje e mosbesim, krijojnë përçarje dhe ngatërresa.


Shembuj të frikshëm


Allahu në Kuran ka sjellë si shembull për ata që nuk besojnë, gratë e Nuhut dhe Lutit, të cilat kishin tradhtuar burrat e tyre.(2) Është interesant se në komentin mbi tradhtinë që bënë ato, ndër të tjera është cekur fakti se ato bënë tradhti, ngase tregonin, përgojonin burrat e vet e bartnin fjalë jashtë shtëpisë, për ato që bisedoheshin në shtëpitë e tyre, dhe komunikonin me pabesimtarët. Gruaja e Lutit, kur vinte ndonjë njeri për të besuar, ndizte zjarrin dhe tymi e njoftonte publikun se kishte ardhur dikush.(3) Ai që bart f jalë, hyn në dosjen e mynafikut, të spiunit, dhe rangohet në kategorinë e atyre që punojnë për masivizimin e së keqes në shoqëri. Bartja e fjalëve shkatërron ndërgjegjen e njerëzve, dëmton nderin dhe karakterin e individit dhe shoqërisë. Përgojimi (el gijbetu) dhe bartja e fjalëve (en nemijmetu) paraqesin dy fragmentet e një të keqeje dhe ato Islami i radhit në kategorinë e mëkateve të mëdha. Përgojuesi dhe ai që bart fjalë, janë të zhveshur nga vlerat njerëzore dhe, para se t'i shërbejnë dikujt nga njerëzit, i shërbejnë djallit dhe qëllimeve të tij. Andaj, me të drejtë, të parët e këtij Ymeti, atë që bartte fjalë me qëllim keqbërjeje, e quanin postieri i djallit.


____________
1)Muslimi vëllimi 1 f. 101.
2) Et Tahrimë 10
3) Tefsiri i Taberiut vëllimi 18 f. 201-202


Artikulli i kaluar
Umer ibn Hatabi r.a.