Disa njerëz janë të prirur të zënë miq dhe të zgjasin dorën e bujarisë ndaj të tjerëve, duke Adil Salahi Profeti Muhamed Rëndësia e ruajtjes së marrëdhënieve të përhershme shpresuar kështu kultivimin e marrëdhënieve të mira me ta. Por ata shpesh mbeten të pakënaqur dhe ankohen që nuk pranojnë po atë miqësi dhe të tjerët nuk u përgjigjen njësoj. Ata persona posedojnë emocionin e duhur për të zhvilluar miqësi, por këtë emocion nuk e kanë edhe të tjerët. Kjo mund të jetë një veçori negative në personalitetin ose në shprehitë e të tjerëve. Merrni shembull një njeri i cili u përmbahet fuqimisht qëndrimeve të veta dhe dëshiron që pala tjetër t'u bindet po atyre qëndrimeve të tij/saj me çdo kusht. Njerëzit mund të pëlqejnë një person të tillë dhe të kënaqen edhe gjatë shoqërimit me ta, por kjo do të zgjasë vetëm deri në momentin kur qëndrimet të ballafaqohen dhe të përplasen pa kompromis. Ata mund të jenë të plogët ose fare pak fleksibilë. Madje insistimi i tij/saj që ato mendime janë shumë të sakta, të pandryshueshme, mund të shqetësojë të tjerët. Për rrjedhojë, një gjë e tillë do të çonte në tëhuajsim dhe largim, gjë që do të dobësonte dhe asgjësonte miqësinë. Një shkak tjetër që miqësitë i bën të dështojnë, janë shprehitë e këqija. Një person mund të ketë përgjithësisht shprehi dhe veti të mira, por të ketë një apo dy shprehi të liga, të cilat i bëjnë njerëzit të largohen nga ai/ajo. Marrë në përgjithësi, karakteristika kryesore që fuqizon miqësinë deri në atë masë, saqë të vërë themele të palëkundshme, është besnikëria. Kur kuptojmë që një mik, shok a shoqe na qëndron besnik/ besnike, atëherë ne bëjmë gjithë ç' mundemi, që kjo miqësi të zgjasë sa të jetë jeta!
Me emocionin e tij, shprehitë, karakterin dhe besnikërinë e tij, Profeti Muhamed a.s., ka dhënë shembullin që duhet të pasohet. Secili që e njihte aso kohe, kishte dëshirë të flaktë të bëhej mik me Muhamedin a.s.,. Emocionet e tij a.s. të dashurisë ishin gjithmonë shumë të mëdha, të gjallëruara, të shprehura, posaçërisht ndaj atyre që ishin afër tij. Tek ai a.s. shprehjen më të mirë të këtyre emocioneve e gjejmë ndaj personave që ishin kujdesur për të sa ishte i ri dhe fëmijë bonjak. Ishte vetëm 12 vjeç kur ai e pa xhaxhanë e tij Ebu Talib, i cili ishte kujdesur për të që nga mosha 8 vjeç, teksa po bëhej gati për të shkuar për punë në Siri. Ai iu turr dhe nuk dëshironte ta lejonte të nisej vetëm. Axha i tij e kuptoi hallin e tij dhe vendosi ta merrte me vete, pavarësisht nga fakti që udhëtimi asokohe ishte i vështirë. Ky gjest i tij a.s. nuk ishte një gjest i zakonshëm i një fëmije të llastuar, por ishte një tjetër emocion, emocioni i manifestimit të besnikërisë ndaj personit që ishte përkujdesur për të kur ai ishte shumë i ri. Emocioni i tij a.s. është ilustruar edhe në një mjedis tjetër. Ai ishte rreth 60 vjeç kur po qante dhe dëneste tek varri i nënës së tij. Ai nuk e harroi atë ndonëse e ëma e tij a.s. kishte ndërruar jetë për më se gjysmë shekulli më herët, dhe gjatë asaj kohe ai kishte kaluar një periudhë aq të ngjeshur përvojash jetësore, sa do të mund t'i kishte një komunitet i tërë, e jo më një individ i vetëm. Një shembull tjetër besnikërie është shënuar tek marrëdhënia e tij me Halimen, mëndeshën e tij, e cila i kishte dhënë gji sa ishte foshnjë. Kishin kaluar më shumë se 50 vjet kur ajo po e vizitonte atë a.s. në Medinë. Pritja e ngrohtë që i bëri, e rrëqethi Halimen, sepse ai a.s. po qante me lot gëzimi dhe po thërriste: 'Ja tek është nëna ime, kjo është nëna ime"! Në Islam mëndeshat trajtohen sikur nënat. Kur Halimja u largua nga Pejgamberi a.s., ai i dha asaj deve e dele si dhuratë, që do t'i mjaftonin për sa të ishte gjallë. A mund të ilustrohet kjo besnikëri më mirë sesa në trajtimin që ai u bëri grave të zëna e të burgosura pas luftës që bënë fisi dhe shokët e tij? Ishin qindra të burgosura, dhe sipas praktikave të asaj kohe, ato do të duhej të bëheshin robëresha, por një plak që ishte në mesin e palës humbëse, i afërm i Halimes, ia kishte kujtuar atij që ai si foshnjë ishte ushqyer nga ky fis, sepse mëndesha e tij ishte e atij fisi, dhe iu drejtua me fjalët: "Atëherë këto gra janë nënat e tua, tezet tua, të bëj thirrje që t'i lirosh ato", dhe kështu ai a.s. përcolli këtë apel tek shokët e tij, dhe shumica e grave u bënë të lira. Pati të tilla raste që ata refuzonin t'i lironin, por ai a.s. u pagoi hisenë që ata kërkonin, dhe i la të lirë gratë dhe fëmijët e zënë.
Adil Salahi
Përktheu nga gjuha arabe Besa Ismajli
Dituria Islame 237