"Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: "Zoti im! Mëshiroji ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël." (El Isra, 24)
Hyrje
'Legjenda thotë se dikur ishte një djalë i cili kishte një prind (babanë) sepse e ëma kishte vdekur qysh herët. Ky djalë ishte i martuar dhe kishte një fëmijë. Kur babai i tij hyri në një moshë më të shtyrë filluan që t'i dridhen duart dhe mos të ketë stabilitet në qëndrim që dikur kishte. Kështu që shpeshherë gjatë ushqimit edhe pikej me yndyrë, gjë që nevrikoste nusen e të birit. Një ditë prej ditësh nusja i tha burrit të saj që këtë plak nuk mund dot ta durojë më, zgjedhë ose atë (prindin) tënd ose mua. Djali ra në një situatë të pa lakmueshme dhe i tregoi babait të tij e mori dhe e dërgoi në një zonë të caktuar (në një pyll), plaku i tha që djali ta dërgonte më thellë se sa ku e kishte lënë, sepse mu në atë vend plaku kishte lënë babanë e tij të moshuar. Pasi e la plakun në pyll mu t'u kthyer në shtëpi, vërejti një gjë tek i biri i tij që kishte marrë një copë të një druri dhe përgatiste një lugë të drurit. Me habi i ati e pyeti se çfarë je duke bërë? I biri ia ktheu se po përgatiste një lugë dhe një pjatë për të dy prindërit që kur të plaken do t'i dërgonte në pyll së bashku me to, ashtu siç kishin vepruar me plakun. Atëherë prindërit e tij e kuptuan gabimin e bërë dhe shkuan e morën plakun në pyll, i kërkuan falje dhe jetuan më të lumtur. Filozofia e kësaj legjende qëndron në atë se njeriu çka e mbjellë edhe atë do ta gjejë".
Fenomeni i ejxhzimit është një ndër fenomenet më të përhapura sot në shoqërinë bashkëkohore. Ky fenomen ka të bëjë me diskriminimin, veçimin apo dallimet ndaj një moshe më të vjetër, kryesisht ndaj moshës së tretë. Stereotipat dhe paragjykimet ndaj moshave më të vjetra ndikojnë në destabilizimin e shoqërisë dhe i japin kahe tjetër shoqërisë. Te shqiptarët, shohim se respekti dhe sjellja ndaj moshave më të vjetra ka qenë traditë, vlerë dhe normë sociale e cila është trashëguar qysh herë dhe është bartur brez pas brezi deri më tani. Ndërsa, feja në përgjithësi ka pasur një rol pozitiv në këtë segment dhe se parimet fetare si norma sociale kanë ndikuar dukshëm në raportet, sjelljet, fokusin, ndihmën dhe altruizmin ndaj moshave më të vjetra. Mirëpo, ndryshimet dhe zhvillimet sociale të cilat kanë ndodhur në Kosovë pas vitit 1999 e këtej, si dhe ndryshimet tjera në hapësirat shqiptare, kanë bërë që të ketë një konflikt të hapur të gjeneratave dhe kjo ka reflektuar në rritjen e fenomenit të ejxhizmit. Sot, moshat më të vjetra përballen me probleme dhe sfida të shumta, të cilat ndikojnë në aspektin fizik, emocional, psikologjik dhe social të tyre. Ky punim synon që të adresoj analizën e fenomenit të ejxhizmit në shoqërinë kosovare, shkaqet, pasojat dhe rolin e fesë në raport me këtë fenomen. Po ashtu, punimi fokusohet edhe në rolin e moshave më të vjetra në ndërtimin dhe zhvillimin e familjes, komunitetit dhe shoqërisë.
Fenomenologjia e ejxhizmit
Shoqëria bashkëkohore ka evoluuar dukshëm, përfshirë këtu zhvillimin e shkencës, teknologjisë, informatikës, si dhe një sërë çështjeve të tjera të rëndësishme të cilat kanë ndihmuar njeriun modern dhe supozohet se kjo shoqëria është shoqëria më e civilizuar që nga historia e deri më tani. Në anën tjetër, ndryshimet dhe zhvillimet sociale të cilat kanë përcjellë shoqërinë në vazhdimësi, kanë bërë që të ketë një shpërfaqje të një sërë fenomenesh të ndryshme, përfshirë këtu fenomenin e ejxhizmit.
Ky fenomen është pjesë e shoqërisë dhe si i tillë ai zë hapësirë në të gjitha kulturat dhe shoqëritë njëjtë sikurse racizmi dhe seksizmi. Ejxhizmi (në gjuhën angleze ageism) është koncept i cili ka të bëjë me trajtimin jo të drejtë dhe jo të barabartë të personave në një moshë më të vjetër, ndoshta një lloj kategorizimi social. Në fakt, kategorizimi social bëhet shpeshherë edhe në bazë të moshës, qoftë në formë të drejtpërdrejt ose jo. Stereotipat e ndryshme, sidomos ato moshore ndikojnë dukshëm që të ketë shpërfaqje të konflikteve në mes të moshave të reja dhe atyre më të vjetra, në veçanti moshës së tretë. Konsiderohet një lloj diskriminimi i cili ju atribuohet personave të cilët janë në moshë dhe si fenomen zë hapësirë të konsiderueshme në (post) modernitetin në të cilin po jetojmë. Për herë të parë si term është përdorur nga Robert Butler në vitin 1969.
Sipas fjalorit të Sociologjik të Oxfordit të Gordon Marshall, ejxhizmi ka të bëjë me "diskriminimi ose mbajtjen e pikëpamjeve të paarsyeshme dhe paragjykuese për individët ose grupet (e ndryshme), bazuar në moshën e tyre. Ajo përfshin supozime stereotipike në lidhje me aftësitë fizike ose mendore të një personi ose grupi dhe shpesh shoqërohet me gjuhë poshtëruese (nënçmuese)" (Marshall, 2000 - 2003). Mund të thuhet se ejxhizmi "është një grup i marrëdhënieve shoqërore që diskriminojnë (veçojnë ose dallojnë) njerëzit e moshuar dhe i veçojnë ata si të ndryshëm, duke i përcaktuar dhe i kuptuar ata në një mënyrë më të thjeshtuar dhe të përgjithësuar (gjeneralizuar)" (Victor Minichiello, 2000).
Megjithëse si fenomen ka ekzistuar edhe në kulturat dhe shoqëritë tjera, por jo sikurse sot, sepse të vjetrit janë respektuar dhe shpeshherë ka qenë autoriteti dhe respekti ai që ka bërë që këta të vjetër të kenë edhe pushtet faktik apo fiktiv. Shembull, shumë shoqëri para-industriale "vëzhgonin gerontokracinë, si një lloj strukture shoqërore ku pushteti mbahet nga anëtarët më të vjetër të një shoqërie. Sot, në disa vende, të moshuarit kanë akoma ndikim dhe fuqi dhe njohuritë e tyre të mëdha respektohen. Nderimi për të moshuarit është ende pjesë e disa kulturave, por ka ndryshuar në shumë vende për shkak të faktorëve shoqërorë" (OpenStax, 2017).
Studimet tregojnë se në shumë kombe moderne, industrializimi kontribuoi në rënien e pozitës shoqërore të të moshuarve. Sot pasuria, fuqia dhe prestigji mbahen gjithashtu nga ata/ato që janë në grup të moshave më të reja. Mosha mesatare e drejtuesve të korporatave ishte pesëdhjetë e nëntë vjeç në 1980. Në vitin 2008, mosha mesatare ishte ulur në pesëdhjetë e katër vjeç (OpenStax, 2017, p. 289). Kjo për shkak edhe të fuqisë punëtore, problemeve shëndetësore, zhvillimit të teknologjisë dhe kapitalizmit të egër i cili në një mënyrë edhe e ka tjetërsuar njeriun, e ka individualizuar dhe e ka shndërruar në një robot të asaj që e ka ndërtuar vet. Sido që të jetë, ky fenomen vazhdon që të atakoj moshat më të vjetra dhe shpeshherë paraqet edhe probleme qenësore për ekzistimin e tyre, duke i veçuar, trajtuar më ndryshe, shmangur, diskriminuar e kështu me radhë. Si fenomen sot është i përhapur pothuajse kudo dhe ka të bëjë më shumë me perceptimet tona për njerëzit e moshuar dhe me veprimet tona ndaj të moshuarve si kategori sociale.
Me fjalë të tjera ejxhizmi "është i përhapur në fusha të ndryshme të jetës: në punë, në hapësira publike, në dyqane dhe në zyrat e mjekëve. Elementet e tij mund të gjenden në sjelljen e individëve, në rregullat apo normat organizative dhe në vlerat kulturore. Ai është shpesh negativ dhe mund të dëmtojë njerëzit e moshuar" (Liat Ayalon and Clemens, 2018) dhe kjo mund të prodhojë pastaj pasoja në shoqëri.
Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë "2 miliardë njerëz do të jenë mbi 60 vjeç deri në vitin 2050 dhe 80% e tyre do të jetojnë në vendet me të ardhura më të ulëta dhe të mesme deri në vitin 2050" (WHO, 2020). Ndërsa, në rastin e Evropës, sipas të dhënave mosha mesatare sillet rreth 62 vjet, të cilat i kemi paraqitur, si vijon:
Bazuar nga ky diagram mund të shohim se mosha mesatare e vlerësuar e popullatës në Evropë në 27 vende të paraqitura llogaritet të jetë rreth 62 vjeç, megjithëse raporti analitik është realizuar në vitin 2011 dhe deri më tani kanë ndryshuar shumë gjëra. Në rastin e Kosovës, mund të shohim se jetëgjatësia është rritur dukshëm nga e kaluara. Bazuar në vitet e mëparshme, jetëgjatësia e pritur për popullsinë e Kosovës është në rritje. Në vitin 2011 ishte 74.1 vjet për burra dhe 79.4 vjet për gra (ASK, Gratë dhe Burrat në Kosovë 2016 - 2017, 2018). Ndërsa, sa i përket grup moshave janë këto të dhëna: 0-4 vjeç 8.6%, 5-9 vjeç 9.2%, 10-14 vjeç 10.2%, 15-19 vjeç 10.1%, 20-24 vjeç 9.3%, 25-29 vjeç 8.1%, 30-34 vjeç 7.5%, 35 -39 vjeç 7.2%, 40-44 vjeç 6.2%, 45-49 vjeç 5.5%, 50-54 vjeç 4.6%, 55-59 vjeç 3.8%, 60-64 vjeç 3.0%, 65 vjeç e më tepër 6.7%" (ASK, Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës, 2020), gjë që tregon se kjo kategori shoqërore ka një përqindje jo edhe aq të vogël të strukturës së shoqërisë. Së këndejmi ky fenomen vazhdon të jetë prezentë në çdo shoqëri, pavarësisht emancipimit të shoqërisë. Në një shoqëri, që vlerëson shumë rininë, vitalitetin dhe pamjen fizike, ekziston prirja që njerëzit e moshuar të bëhen të "padukshëm" (Giddens, 2004) dhe kjo reflekton në një konflikt social, sepse ky konflikt social fokusohet në konkurrencën mbi burimet e pakta të moshës nga perspektiva e konfliktit. Sipas kësaj teorie, njerëzit e moshuar konkurrojnë me grupet e tjera të moshave më të reja për burimet ekonomike, pushtetin dhe prestigjin. Meqenëse shoqëria industriale zakonisht ka më shumë punëtorë sesa ka nevojë, ajo zëvendëson punëtorët më të vjetër me çmime më të ulëta dhe ato më pak të kushtueshme." (Kamberi, 2019) Nga kjo lë të kuptojmë se ky fenomen vazhdon të krijoj një stratifikim social në mes të shtresave të ndryshme në shoqëri, duke i ndarë njerëzit, duke bërë diferencime mbi bazën e moshës. Disa nga tipat përmes së cilave manifestohet ejxhizmit sot janë:
Ejxhizmi personal - Ide, qëndrime, besime dhe praktika nga ana e individëve që janë të njëanshëm ndaj personave ose grupeve në bazë të moshës së tyre të vjetër,
Ejxhizmi institucional - Misionet, rregullat dhe praktikat që diskriminojnë individët ose grupet për shkak të moshës së tyre të vjetër.
Ejxhizmi i paramenduar ose i qëllimshëm - Ide, qëndrime, rregulla ose praktika që kryhen me dijeninë (me qëllim) se janë të anshëm ndaj personave ose grupeve bazuar në moshën e tyre të vjetër. Ky lloj ejxhizmi, përfshin kryerjen e praktikave që përfitojnë nga dobësitë e personave të moshuar.
Ejxhizmi i paqëllimshëm - Ide, qëndrime, rregulla ose praktika që kryhen pa vetëdije e personit në fjalë se janë të njëanshëm ndaj personave ose grupeve në bazë të moshës së tyre të vjetër." (AATILC, 2005).
Pra, nga kjo mund të konkludojmë se fenomeni i ejxhizmit është fenomen që atakon moshat më të vjetra dhe si i tillë ai mund të paraqitet përmes formave të ndryshme që kanë qëllim veçimin, diskriminimin, atribuimin, shtresëzimin social ndaj një kategorie shoqërore.
Ejxhizmi dhe shoqëria shqiptare
Në librin e tyre "Jeta pas punës", me nëntitull "Ardhja e shoqërisë pa moshë", Michael Yound dhe Tom Schuller argumentojnë "se mosha është bërë një mjet frenues i cili ndan njerëzit në role sterotipike dhe të pandryshueshme" (Giddens, 2004, p. 576), megjithëse një gjë e tillë reflekton në një 'efekt domino' me pasoja të tjera në shoqëri, duke i ndarë shoqërinë sipas kategorive sociale. Në shoqëritë agrare, një çift i martuar kujdesej për prindërit e tyre të moshuar. Kryesisht anëtarët më të vjetër të familjes kontribuonin në familje duke bërë punë, duke gatuar dhe duke ndihmuar në kujdesin e fëmijëve, në këtë mënyrë ndaheshin rolet gjinore dhe moshore në familje. Ndërsa, me zhvillimet dhe ndryshimet sociale të cilat ndodhën, ku edhe ekonomitë u zhvendosën nga ato agrare në ato industriale, brezat e rinj migruan në qytete më të mëdha për të punuar në fabrika. Të moshuarit filluan të shiheshin gjithnjë e më shumë si një barrë e shtrenjtë. Ata nuk kishin më forcë dhe qëndrueshmëri për të punuar jashtë shtëpisë. Mbi bazën e kësaj gradualisht filloi një raport i ri konflikti në mes të moshave më të vjetra dhe atyre më të reja. Ky raport vazhdon në pjesën më të madhe të Evropës, përjashtuar aty-këtu ndonjë shoqëri. Në rastin e shoqërisë shqiptare, historikisht respektimi i më të vjetërve në kulturën dhe traditën shqiptare ka zënë një hapësirë të madhe qysh herët. Madje, prindërit por edhe familjarë të tjerë gjithnjë kanë dhënë porosi (amanet) se personat më të vjetër duhet respektuar, sepse duke respektuar ata, ne do të respektonim vetveten dhe kulturën familjare. Mund të themi se në të kaluarën ka pasur raste të rralla kur persona me moshë të shtyrë janë lënë anash ose diskriminuar. Mirëpo, zhvillimet të cilat kanë ndodhur së fundi, si: moderniteti, procesi i globalizmit, dinamika e jetës, individualizmi tejet i theksuar, dhënia pas materiales, rënia e konceptit të altruizmit, ndryshimet në familje, pastaj migrimet e ndryshme dhe krijimi i mikro dhe makro kulturave të ndryshme, ka bërë që koncepti i ejxhizmit të jetë i shpërfaqur së fundit goxha dhe atë në forma dhe mënyra të ndryshme." (Kamberi, 2019, p.152) Në këtë kontekst, shohim se nuk janë të rralla rastet kur në familjet shqiptare ushtrohet dhunë fizike dhe psikologjike ndaj prindërve ose personave më të vjetër në familje. Të dhëna e Policisë së Kosovës për vitin 2019 në segmentin e dhunës në familje, theksojnë se nga gjithsej 1978 raste të dhunës (janë 365 meshkuj dhe 1557 femra), specifikojnë edhe rastet e dhunës sipas moshës dhe gjinisë, të cilat i kemi paraqitur në tabelën e mëposhtme, si vijon:
Mosha e tretë që në fakt ka një korrelacion me moshën 60 e tutje dhe është mosha e cila ndërlidhet me ejxhizmin. Kështu bazuar në tabelën Nr. 1 shohim se 4 kolonat e fundit të cilat janë të hijezuara pasqyrojnë të dhëna se nga 1978 raste të dhunës në familje 352 raste ose shprehur në përqindje 18% e tyre (133 meshkuj ose 7% dhe 219 femra ose 11.0%) janë manifestuar ndaj moshave më të vjetra ose moshës së tretë, gjë që tregon rritjen e këtij fenomeni në shoqërinë kosovare. Një çështje tjetër e cila ndërlidhet me këtë fenomen, është edhe trajtimi jo i duhur I personave më të vjetër edhe në hapësirat publike. Në të kaluarën në momentin që një i vjetër është futur në një mjet transporti publik, të rinjtë kryesisht ia kanë liruar vendin, si shenjë respekti ndaj moshës dhe kontributit të tij/saj, kurse sot nuk mund të themi të njëjtën gjë, për shkak se gjeneratat e reja nuk e bëjnë një gjë të tillë ose e bëjnë fare pak. Thjesht, në pjesën më të madhe të rasteve të rinjtë kryesisht i shohin moshat më të vjetra si 'pengesë' për arritjen e sukseseve të tyre dhe mendojnë që 'gerentokratët' janë ata/ ato që ua kanë zënë vendin sidomos në punë. Kjo ndërlidhet ngushtë me krizën e vlerave e cila ka shpërfaq një krizë të personalitetit dhe pothuajse edhe pak vlera me të cilat dikur shoqëria shqiptare është krenuar, tashmë ato dalëngadalë janë duke u shndërruar një 'kic/shound'. Diskriminimin ndaj personave më të vjetër e shohim edhe në kuadër të ofrimit të shërbimeve bankare, përkatësisht kreditë nuk iu lejohen personave të cilët janë mbi moshën 65 vjeçare, gjë që jep një sinjal të problemit të ejxhizmit në shoqërinë shqiptare. Personat e moshuar po ashtu përballen me shumë vështirësi, që nga pensionet e ulëta e deri tek mungesa e mjeteve financiare për blerjen e medikamenteve të tyre. Probleme të tilla ka pothuajse në të gjitha hapësirat shqipfolëse dhe ky problem pasqyron një indikatorë të qartë se kjo kategori çdo herë e më shumë po anashkalohet dhe diskriminohet, gjë që dikur një gjë e tillë nuk ka qenë në kulturën dhe traditën shqiptare. Mund të themi se ejxhizmi sot "mund të gjendet në të gjitha dimensionet e ndryshme të tregut të punës, marrëdhëniet e punës dhe strukturat organizative. Kjo fillon me shpalljet e punës, proceset e përzgjedhjes, vendosjet, detyrat e punës, vlerësimet e performancës, zhvillimin e karrierës, pagat dhe përfitimet e tjera të punonjësve. Është gjithashtu i pranishëm në përzgjedhjen e individëve për trajnime dhe vendime për transferime në punë të tjera, ngritje në detyrë, përfundim të punësimit dhe pensione." (UNECE, 2019) Një gjë të tillë mund të hasim edhe në shoqërinë kosovare, sidomos me publikimin e konkurseve të ndryshme ku në pjesën më të madhe të tyre kërkohet gjinia femërore dhe specifikohet mosha. Butler beson se ejxhizmi përfshinë tre aspekte të dallueshme, por të ndërlidhura kryesisht me qëndrime dhe besime, diskriminimi i sjelljes, si dhe politikat dhe praktikat e zyrtarizuara." (Society, 2017) Disa nga format e shpeshta të cilat i shohim se si stigmatizohen personat më të vjetër, diskriminohen, veçohen, dallohen apo diferencohen, janë: abuzimi f izik, seksual, emocional dhe psikologjik, neglizhenca, braktisja, abuzimi financiar, vetë-braktisja, etj.
Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi
Dituria Islame 362