Këndvështrimi islam ndaj pasurisë (parasë)

 


Kur flasim për pasurinë dhe Islamin, me të vërtetë duhet të cekim se Islami ka një këndvështrim të drejtë, të gjerë dhe të arsyeshëm rreth pasurisë; ky këndvështrim i drejtë i Islamit ndaj pasurisë është i ndërtuar mbi disa baza fondamentale, mbi të cilat Islami synon të rregullojë jetën e individit, në jetën e tij sociale që jeton. Këto baza, mbi të cilat Islami rregullon këndvështrimin e tij ndaj pasurisë, ndërtohen mbi këto parime: 
1. Feja islame na mëson se pronari i vërtetë i të gjithë pasurisë është Allahu xh. sh..Këtë fakt e bazojmë nga ajetet kuranore: "Dhe jepuni (atyre) nga pasuria që ju ka dhënë All-llahu juve". (En-nur, ajeti 33); "All-llahut i takon trashëgimi i qiejve dhe tokës". (El-hadid,10)
2. Baza e dytë mbi të cilën Islami formon këndvështrimin e tij mbi pasurinë, është që njeriu nuk është asgjë tjetër përveçse mëkëmbës i Allahut xh. sh. në Tokë dhe, duke qenë si i tillë, ai është edhe i autorizuari i vetëm që ka të drejtë të grumbullojë dhe të ketë pronësinë e saj: "Besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që ai ju bëri trashëgues në të, se ata që besuan prej jush, dhanë për hir të zotit, ata kanë shpërblim të madh. "(El-hadid ,7)
3. Islami na mëson se çdo njeri si krijesë e Allahut ka të drejtën e tij të pasurisë së Krijuesit (rrëskun e tij) duke u bazuar në faktin se Allahu është Krijuesi i mbarë njerëzimit dhe, si i tillë, Ai është i ngarkuar me furnizimin e krijesave të tij, siç e vërteton edhe ajeti kuranor: " Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që All-llahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj. " (Hud ,6)
4. Trashëgimia apo mëkëmbësia e Allahut është në formën e përgjithshme, përfshirë gjithë njerëzimin, dhe kjo mëkëmbësi nuk arrihet ndryshe përveçse si shkëmbim i punës së tyre, dhe si e tillë, kjo pasuri e tij është një emanet (trashëgim) nga zoti i tij dhe ai duhet ta ruaj atë, të kujdeset për të dhe ta shtojë atë.
5. Bazamenti i pestë mbi të cilin Islami ndërton këndvështrimin e tij ndaj pasurisë, ka të bëjë me vendojsen e disa rregullave dhe ligjeve, si morale ekonoMI ashtu edhe civilizuese, me të cilat islami synon ta mbrojë individin dhe shoqërinë nga e ashtuquajtura çmenduri e pasurimit dhe ajo çka rrjedh prej saj nga mendjemadhësia që i godet disa pasanikë, të cilët mendojnë se ua kanë kaluar në pasuri të gjithëve, madje edhe furnizuesit të tyre, siç na e përshkruan edhe ajeti kuranor: "Është e vërtetë se ai (njeriu) i kalon kufijtë. Për shkak se e ndien veten të pavarur. (El-alak, 6- 7) Prej këtyre rregullave morale të lartpërmendura që ka vendosur Islami, është edhe tërheqja e vërejtjes ndaj të pasurve duke ua kujtuar se në pasurinë që kanë grumbulluar ata, kanë të drejtë të plotë edhe të varfrit dhe atyre të pasurve u takon që t'ua shpërndajnë pasurinë të varfërve, siç na tregojnë edhe ajetet uranore: "Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtën për lypësin dhe për të ngratin (që ka nevojë por nuk lyp)". (Edh-Dharijat , 19); "Dhe ata që në pasurinë e vet kanë ndarë një pjesë të caktuar. Për lypësin dhe për nevojtarin që nuk lyp". (Miraxh ,24 -25)


Kur'ani obligon zekatin


Gjithashtu prej rregullave që ka vendosur Islami, është edhe obligueshmëria e dhënies së zekatit, të cilën myslimani (i pasur) është i obliguar ta japë në fund të çdo viti, obligueshmëri kjo e cila llogaritet si baza e 3 të prej 5 bazave themelore të Islamit, në të njëjtën anë Islami ka lejuar edhe vrasjen e atyre që nuk e japin atë (zekatin), dhe po ashtu në të njëjtën kohë ka përcaktuar edhe rrugët si duhet të shpërndahet zekati: "Allahu caktoi obligim që lëmoshat (zeqati) t'u takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s'kanë fare), punonjësve (që e grumbullojnë), atyre që duhet t'u përfitohen zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirimin nga robëria, të mbytyrve në borxhe, luftëtarëve në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësis së Vet". (Et-tevbe, 60) Pra, duke u bazuar në atë që është e ligjësuar në Islam prej asaj se e gjithë pasuria është e Allahut dhe se pronari i vërtetë i saj është Allahu dhe se njerëzit nuk janë tjetër përveçse të autorizuarit në shfrytëzimin e saj, do të shohim se, nëse mbështetemi në këto baza dhe punojmë me to, nuk do të ekzistonte as edhe një pëllëmbe toke ku të gjindej një i varfër apo i uritur, kjo sepse Islami nëpërmjet Kuranit fisnik, i ka dhënë rëndësi të madhe dhënies së pasurisë për të varfrit dhe të zekatit, siç edhe mund të shihet në ajetin kuranor: "Dhe jepuni (atyre) nga pasuria që u ka dhënë All-llahu juve". (En-nur 33); "Të pyesin ty se ç'do të japin. Thuaj: "Tepricën" Kështu jua sqaron Allahu juve argumentet, në mënyrë që të mendoni (çka është mirë e çka është keq). (El-bekare,219). Dhe hadithi: "Nuk është musliman i mirë ai që ka kaluar natën me barkun plot, kurse fqinji i tij është i uritur e ai e di për këtë". Mirëpo këtu shpesh-herë parashtrohet pyetja: A e ndalon Islami grumbullimin e pasurisë dhe shtimin e saj? Si përgjigje mund të themi: Përkundrazi, Islami favorizon grumbullimin e pasurisë dhe ndalon përtacinë e mospërpjekjen për grumbullimin e saj, duke e cilësuar si një vepër të urryer. Këtë e themi, sepse Allahu xh. sh. në librin e Tij urdhëron robërit e tij që të punojnë dhe të angazhohen për grumbullimin e saj: "Ai është që juve tokën jua bëri të përshtatshme, prandaj, ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, vetëm tek Ai është e ardhmja". (El-mulk,15) Po ashtu këtë e vërteton edhe fakti se në kohën e Muhamedit a. s. kishte prej ashabëve njerëz që njiheshin për pasuri të madhe, si p. sh. Abdu-rrahman ibn Aufi, Othman ibn Afani, i cili ishte edhe halife i tretë i myslimanëve pas vdekjes se Muhamedit a. s.. Dhe nga kjo mund të konstatojmë se Islami nuk e ndalon pasurimin dhe grumbullimin e saj, po përkundrazi bën thirrje dhe porositë për të. Mirëpor ky pasanik është i lidhur ngushtë me disa rregulla të tjera morale, që kanë të bëjnë me pasurinë që ka grumbulluar, e këto janë: Që pasurinë e tij ta f itojë nga e lejuara (hallalli) dhe ta shpenzojë në atë që është e lejuar, dhe jo që ajo të jetë si rezultat i grabitjes dhe vjedhjes së pasurisë nga të tjerët. Që kjo pasuri e tij të jetë në funksionin e shërbimit dhe kontributit ndaj njerëzve të tjerë, si individëve ashtu edhe të shoqërisë. Që njeriu të mos adhurojë paranë dhe nga kjo që ai të shndërrohet në rob të saj, në atë mënyrë që të bëhet dorështrënguar që të mos e japë atë që është e drejtë e Zotit në atë pasuri, dhe nga ajo që është e drejta e shoqërisë që ka në të.


Pasuria fitohet me hallall


Nga kjo mund të arrijmë në përfundimin se këndvështrimi që ka Islami ndaj pasurisë, është një këndvështrim mbrojtës, i cili ka për synim që edhe pasurinë edhe paranë t'i shndërrojë në mjete si të gjitha mjetet e tjera që ka krijuar Allahu xh. sh. , që kanë për qëllim t'i ndihmojnë njeriut në jetën e tij, duke ia mundësuar atij që të jetë zotërues i tyre dhe shfrytëzues i tyre për nevojat e tij, e jo që ato të shndërrohen në zotëruesit e tij që sundojnë jetën e tij dhe e bëjnë atë që të jetë rob i tyre e t'i adhurojë ato, siç ka ndodhur në shumë sisteme të tjera, si kapitalizmi ku njeriut i lejohet që, për grumbullimin e pasurisë, të okupojë dhe shkatërrojë pronat e të tjerëve, të vrasë njerëz të tjerë dhe t'i shfrytëzojë të gjitha mjetet, qofshin ato të moralshme a të pamoralshme, për grumbullimin e pasurisë dhe shtimin e saj. Me një f jalë, mund të themi se qëllimi i këtij këndvështrimi të Islamit rreth pasurisë dhe parasë, bazohet në lidhjen e njeriut me paranë dhe pasurinë që ta posedojë atë dhe ta mbajë në dorën e tij, por që të mos ia nënshtrojë asaj zemrën e tij.



Fejsal Rr. Spahiu
Dituria Islame 240