Çmimi i vërtetë i veprës së mirë


Jetonte dikur një burrë i moshuar, i bekuar me pasuri të shumta e me një emër të nderuar në mbarë vendin. Mirëpo, pasuria nuk e kishte mpakur urtësinë e tij; përkundrazi, dëshira më e thellë e zemrës së tij ishte që t'u linte bijve jo vetëm pasurinë e dukshme, por edhe trashëgiminë e padukshme të shpirtit - fisnikërinë.
Një ditë i mblodhi të tre djemtë, dhe me një qetësi solemne u shpërndau gjithë pasurinë, me një përjashtim të një gur të çmuar.
- Ky gur - tha ai me zë që kumbonte si këshillë e lashtë - do t'i takojë atij që do të kryejë një vepër të madhe njerëzore. Shkoni nëpër botë dhe, kur të ndieni se e keni bërë një të tillë, kthehuni tek unë.
Kaloi pak kohë dhe i pari që u kthye ishte djali i madh.
- Baba - tha ai - një njeri të cilin nuk e njihja më besoi gjithë pasurinë e tij, pa më kërkuar garanci e pa dëshmitarë. Unë mund ta kisha përvetësuar të gjithën, por kur erdhi ta merrte, ia ktheva pa hezitim.
Plaku buzëqeshi lehtë, por sytë e tij nuk ndriçuan.
- Bir, ti nuk bëre tjetër, veçse atë që çdo mysliman është i detyruar të bëjë: të kthesh amanetin, ashtu si na urdhëron Allahu në Kur'an.
Më pas erdhi djali i dytë.
- U gjenda pranë një lumi dhe pashë një fëmijë duke rënë në ujë. Nëna e tij klithte e dëshpëruar. U hodha në ujë dhe, duke rrezikuar jetën, e shpëtova dhe ia dorëzova të gjallë.
- Edhe ti, bir - tha i ati - veprove ashtu siç na ka porositur i Dërguari i Allahut a.s.: të shpëtojmë jetën e tjetrit kur kemi mundësi. Është detyra jonë njerëzore.
Në fund, para babait erdhi djali i tretë.
- Duke ecur buzë detit - tha ai - pashë armikun tim më të madh, në gjumë mbi një shkëmb. Një shtytje e vogël do ta hidhte në det, ku do të mbytej. Madje, rreziku që ai të rrëshqiste vetë ishte i madh. U afrova, e zgjova dhe e shpëtova nga vdekja.
Atëherë fytyra e plakut u ndriçua, si të kishte parë diellin pas një stuhie.
- Bir, ti e meriton gurin e çmuar.
Të falësh armikun kur ke fuqinë ta shkatërrosh është maja e vërtetë e fisnikërisë. Sepse më e madhe se hakmarrja është falja, e më e çmuar se fitorja është paqja e shpirtit.


 * * *


Ky tregim na mëson se fitorja më e madhe e njeriut nuk është mbi të tjerët, por mbi vetveten.
Të kthesh amanetin dhe të shpëtosh një jetë janë vepra të mira, por ato lindin nga detyrimi moral. Ndërsa falja e armikut, në momentin kur ke fuqinë ta dënosh, është akt që buron nga madhështia e shpirtit.
Kulmi i fisnikërisë është të vendosësh paqen mbi hakmarrjen dhe dritën mbi errësirën e zemërimit. Vetëm atëherë njeriu bëhet vërtet i pasur - jo me ar, por me një thesar që koha nuk e rrënon kurrë.