Krijesa e njeriut përbëhet prej dy elementeve, asaj trupore -fizike dhe elementit tjetër mistik, shpirtit. Allahu xh. sh. na e sqaron këtë gjë duke na ofruar shembuj praktikë, të cilët edhe vetë ne i vërejmë në jetën e përditshme. Si Islami, ashtu edhe shkenca na mësojnë se ana fizike e njeriut është e ndërtuar në mënyrën më precize dhe të pashoqe, dhe sikur të imagjinohej çfarëdo forme tjetër, nuk do të mund të krahasohej as përafërsisht me figurën e mrekullueshme të saj. Si të mos jetë kështu, kur dihet mirëfilli se atë e krijoi dhe e përsosi Krijuesi i Pashoq, Allahu xh.sh..
Vërtet që Ne e krijuam njeriun në formën më të përsosur(1)
Duke e analizuar formën e jashtme të njeriut, ne kënaqemi duke shikuar një konstrukt të shkëlqyer dhe të jashtëzakonshëm; kjo krahas anës së brendshme të tij, e cila vërtet na mahnit për mekanizmin dhe saktësinë e paimagjinueshme të organikës në përgjithësi. Po përmendim vetëm një prej mijëra elementeve në trupin e njeriut, të cilat funksionojnë në mënyrë të saktë marramendëse. Vetëm nën lëkurën e njeriut gjenden mbi katër miliardë stacione, të cilat, si zakonisht kanë lidhje direkte me trurin. Ato e mohojnë ekzistencën e shpirtit dhe çdo gjë që ka ndërlidhje me të. Islami na mëson se si na krijoi dhe na krijon Zoti xh . sh. dhe se si na e dha shpirtin. Sado e përsosur që të jetë ana trupore fizike, ajo nuk mund të ketë asnjë vlerë nëse asaj i mungon shpirti. Materialistët njeriun e konsiderojnë njësoj sikurse llojet e kafshëve, veçse njeriu me procesin e evolucionit sikur ka arritur të zhvillohet dhe etapë pas etape arriti në shkallën e vetëdijesimit dhe perceptimit të gjërave në mënyrën e duhur. Ky është opinioni i tyre, edhe pse nuk i qëndron aspak së vërtetës fetare dhe shkencore. Njëri prej studiuesve materialist, pas një studimi dhe analize serioze që bëri rreth elementeve prej të cilave përbëhet trupi i njeriut, erdhi në përfundimin: Nëse marrim një njeri mesatar, që peshon 75 kg, atëherë do të shohim se trupi i tij përmban këto substanca:
1) Sasi të yndyrës që mund të shërbejë për prodhimin e 7 sapunëve;
2) Karbon- që mund të shërbejë për prodhimin e 7 lapsave;
3) Fosfor-që mund të prodhojë 120 fije shkrepseje;
4) Krip të jonizuar - që shërben për një tretje të zakonshme;
5) Hekur- me të cilin mund të prodhohet një gozhdë mesatare;
6) Gëlqere - me të cilën mund të gëlqeroset një kotec pulash;
7) Sulfur- me të cilin mund të pastrohet një qen nga pleshtat dhe
8) Sasi uji rreth 4.5 kg..(2)
Bazuar në këtë studim, edhe pse nuk dyshojmë në përbërjen e vërtetë të këtyre elementeve që përmban trupi i njeriut, mund të përfundojmë se të gjitha këto gjëra në treg kushtojnë vetëm 5 euro. Prandaj trupi konsiderohet vetëm si bartës i një margaritari me vlerë. Vërtet njeriu qetësohet dhe krijon humor të mirë kur e kupton që ai posedon edhe anën shpirtërore, e cila sigurisht nuk mund të gjendet për t'u blerë në treg. Po edhe sikur të gjendej, vallë a do të kishte dikush aq para sa për ta blerë? Falënderuar qoftë Zoti xh.sh., i Cili sendin që nuk paguhet, na e dhuroi pa të holla. Më në fund, trupi vdes, dhe ana fizike e njeriut merr fund, dhe trupi i pajetë i kthehet origjinës së vet, nga e cila është krijuar (dheut), por shpirti kalon në Botën e përjetshme. Duhet ta kemi të qartë se mohuesit e vlerës shpirtërore, si ata para mijëra vjetësh, si këta në kohën tonë e po ashtu dhe ata që do të vijnë, kanë parametra të njëjtë. Thjesht soji i tyre nuk do të pranojë faktin e ekzistencës së shpirtit, për shkaqe, qofshin materiale, sigurisht djallëzore, dhe asnjëherë për shkaqe shkencore. Idhujtarët kurejshitë kishin një armiqësi dhe urrejtje të madhe ndaj Islamit dhe Muhamedit a.s.. Ata mundoheshin ta mposhtnin me çdo kusht dritën e Islamit duke mos kursyer gjuhët dhe as gjymtyrët e tyre. Por, nëse çdo gjë mposhtet me mekanizma të tillë, Islami nuk mund të mposhtet kurrë. Ai është rruga e vetme e zbritur prej Zotit, Krijuesit të qiejve dhe të Tokës, në të cilën përplasen dhe shkatërrohen cytjet dhe intrigat e çdo përbindëshi të egër. Kështu, pas shumë orvatjesh për ta mposhtur Islamin, kurejshitëve iu shpenzuan mjetet. Megjithatë, ata nuk pushuan së kërkuari qoftë edhe të ndonjë intrige të mundshme, e cila do të ishte në favor të tyre. Ata kaluan me qindra kilometra lag dhe shkuan në Medinë, ku u takuan me krerët e fiseve hebraike dhe kërkuan prej tyre ndonjë këshillë a mësim se si të mposhtnin muhamedin a. s. dhe fenë e tij. Klerët jahudinj i mësuan parinë kurejshite që ta pyesnin Muhamedin a. s. për tri gjëra:
1. Ta pyesnin për Dhulkarnejnin;
2. Për banorët e shpellës- A-shabul- Kefin;
3. Për shpirtin.
Dhe më pas u thanë: Nëse u përgjigjet këtyre tri pyetjeve, atëherë dijeni se ai është i dërguar i Allahut. Kurejshitët u kthyen të gëzuar nga Medina dhe e pyetën Muhamedin a. s. , e njëra prej pyetjeve, pra, ishte edhe "Çfarë është shpirti"?.(3) Pejgamberi a. s. iu përgjigj pyetjeve, dhe, lidhur me shpirtin, ua lexoi ajetin e zbritur enkas për këtë çështje: "Të pyesin ty për shpirtin, thuaj se shpirti është prej çështjeve të Zotit tim. Dhe nuk ju kam dhënë prej njohurive vetëm pak". (El Isra 85).(4)
Ç'është shpirti?
Prandaj pyesim - Vallë ç'është shpirti si dhe a mund të argumentojmë se ai ekziston? Fjala shpirt- rruh- në Kuranin fisnik është përmendur në 21 vende, duke aluduar në kuptime të ndryshme. Po i cekim disa në vijim:5
1)Me fjalën -rruh- shpirt, kihet për qëllim çdo gjë tërheqëse, e këndshme dhe abstrakte nëpërmjet së cilës gjallërohen dhe përmirësohen njerëzit, e ajo gjë është shpallja, Kurani ose dërgesa profetike. Thotë Zoti xh.sh. : "Dhe kështu Ne të kemi frymëzuar ty rruhun (frymëzim dhe mëshirë) nga Urdhri dhe Vullneti Ynë." (Esh-shuara, 52).(6) në këtë citat kuranor allahu xh. sh. e quajti shpalljen apo Kuranin fisnik - si shpirt. Kjo, sepse ai e gjallëron njeriun duke e nxjerrë prej vdekjes së injorancës në jetën e diturisë, si dhe prej vdekjes së politeizmit në jetën e Imanit-besimit.
2) Me nocionin shpirti besnik -rruhul emin- quhet Xhibrili a. s. : "Ata të dërguar! Ne i parapëlqyem disa prej tyre ndaj disa të tjerëve, disave Allahu u foli (drejtpërdrejt); të tjerë Ai i ngriti në shkallë të larta nderi, dhe Isait, birit të Merjemes, Ne i dhamë prova dhe dëshmi të qarta dhe e mbështetëm atë me shpirtin e shenjtë - rruhul kuddusin..." (7).
3) Isai a. s. prej Zotit quhet gjithashtu shpirt. "...Mesihu, i biri i Merjemes, nuk ishte asgjë tjetër përveçse i dërguar i Zotit dhe Fjalë e Tij dhuruar Merjemes dhe shpirt (Sikurse shpirtrat e tjerë)..."(8) isai a. s. u frymëzua nga jeta, dhe atij Allahu xh. sh. i dha frymën-spirtin në Merjemen.
4) Quhet shpirt edhe ndonjë melek madhështor, të cilin nuk e njeh askush përveç Allahut, ose edhe një grup engjëjsh, të cilët kanë një trajtim jashtëzakonisht të lartë dhe nder të madh: "Engjëjt dhe rruhu ngjiten tek Ai në një ditë, përmasa e së cilës janë sa pesëdhjetë mijë vjet. " (El -mearixh, 4).(9)
5) Me nocionin (rruh) kihen për qëllim shpirtrat e njerëzve apo faktori i brendshëm, i cili ndikon në funksionalitetin e trupit, duke e bërë atë të lëvizë, të zhvillohet, të ushqehet etj.: "Kështu që, kur Unë t'i kem dhënë plotësisht formën atij dhe t'i kem fryrë shpirtin që e kam krijuar për të, atëherë përkuluni para tij duke rënë në sexhde (si nderim)" (El Hixhr,29).(10) Duhet të përmendim se shpirti i Ademi a. s. iu atribuua Zotit xh. sh. si shenjë nderi dhe respekti për njeriun.
6) Me nocionin rruh- shpirt kihet për qëllim forca, qëndrueshmëria, mbështetja, ndihma, nëpërmjet të cilave Zoti xh. sh. i përkrah dhe ndihmon ata robër që Ai dëshiron: "...Për të cilët Ai ka shkruar besimin në zemrat e tyre dhe i ka forcuar me (rruh), dritë, udhëzim, ndihmë nga Vetë Ai.... " (El-Muxhadeleh, 22).(11)
Përkufizimi i shpirtit
Shpirti është prej krijesave të Allahut xh sh. , që i takon botës së mistertë-të fshehtë, është i padukshëm dhe ka kontroll dhe ndikim të plotë në çdo pjesë të trupit. Sado që të mundohet, mendja nuk është e zonja të njohë materien e shpirtit, por ajo mund të shfaqë opinionin e saj rreth ndikimit të tij në trupin e njeriut. Ekzistojnë përkufizime të ndryshme lidhur me çështjen që po diskutojmë, por duhet të theksojmë se të gjitha këto përkufizime janë përpjekje të dijetarëve të ndryshëm pothuajse të të gjitha fushave shkencore, për të arritur në një përkufizim korrekt. Thotë Imam Xhuwejni:"Shpirtrat janë krijesa të ndjeshme të ndërlidhura me trupa të ndjeshëm. Allahu e caktoi që jeta e trupave të vazhdojë derisa shpirtrat të qëndrojnë së bashku me ta. Në momentin kur shpirtrat shkëputen prej trupave, atëherë si zakonisht vdekja ngadhënjen mbi jetën". Kurse dijetari i njohur Fejruz Abadi, thotë: "Shpirti është butësi hyjnore, si dhe element prej elementeve të botës së lartë, i cili me ndihmën hyjnore ndërlidhet me botën e poshtme në bazë të kategorisë së krijesave, ndryshimit të gjendjeve që ndërlidhen me to. Meqenëse njeriu është i përkryer nga fizionomia, vetitë dhe mendja, ai ndërlidhet me shpirtin më të mirë, prandaj askush në këtë botë nuk di për misterin dhe dukjen e asaj krijese të këndshme (të butë). Mu'tezilja dhe sufinjtë thonë se shpirti është element i veçantë, i ndërlidhur me trupin. Ata madje mendojnë se shpirti nuk qëndron brenda në trup po as jashtë tij, do të thotë është i varur. Disa prej juristëve të malikinjve thonë që shpirti ka formën e trupit . Domethënë shpirti është sikurse trup fluror, i cili ka duar, kokë, këmbë, pra ashtu sikurse trupi i njeriut. Dhe, në qoftë se një pjesë e trupit këputet, atëherë butësia e shpirtit e tërheq pjesën nga vetja prej pjesës së këputur, para se të ndodhë kjo.(13)
Ekzistenca e shpirtit
E marrim shembull një njeri në moshë të shtyrë, trupi i të cilit tashmë është dobësuar dhe i tëri lëngon nga sëmundjet e pleqërisë. Ky njeri i moshuar, me të gjitha ndryshimet që kanë pësuar gjymtyrët e trupit të tij dhe me gjithë sëmundjet e tij të shumta, është në gjendje të tregojë tërë të kaluarën nga fëmijëria dhe rinia e tij. A thua vallë, sikur të mos ekzistonte shpirti, si do të kishte mundësi që tërë të kaluarën e tij ta rrëfejë pa kurrfarë problemi?! Ky dhe shumë shembuj të tjerë praktikë, pa dyshim që na shërbejnë si argumente bindëse për ekzistimin e shpirtit. Sido që të jetë, bota shpirtërore është e gjerë dhe për të dimë fare pak. Një gjë duhet ta kemi parasysh, se ne ushqehemi me gjëra të mira dhe jo helmuese për trupin tonë, që të shpëtojmë nga sëmundjet vdekjeprurëse. Gjithashtu edhe shpirti e do ushqimin e vet të preferuar. Prandaj nuk gabojmë fare nëse e themi, madje para mbarë njerëzimit: Deshëm a nuk deshëm ta pranojmë, kuzhinieri më i mirë i shpirtit gjatë gjithë kohëve ka qenë dhe do të jetë vetëm Islami.
____________
1. Et-tin, 4,
2. Dr. Jusuf Karadawi. EL-Imanu wel-Hajatu f 53. Kajro,
3. Siretu Ibn Hisham- fq 141-142. vëll I-rë Kajro,
4. El-Isra, 85,
5. Dr. Muhamedil-enwer Nadharat fil Akidetil Islamijjeh. f. 235 vëll. III-të Kajro,
6. Esh-shuara, 52,
7. El-Bekaretu, 253,
8. ENisa, 171
9. Elmearixh, 4,
10. El-Hixhr, 29,
11. El Muxhadele, 22,
12.Nadharat fil akidetil islamijh, po aty 237,
13. Ibid. 240
Mr. Adnan Bërbatovci
Dituria Islame 240