Historianët përmendin versione të shumta lidhur me zgjedhjen dhe dhënien e betimit për halif të Uthmanit r.a.. Pasi Abdullahu, i biri i Umerit, kishte marrë vesh prej njerëzve se Umeri nuk dëshironte të caktonte vetë halifin që do ta pasonte, prandaj ai shkoi te Umeri r.a. dhe i tha: "O baba, a nuk më ke thënë se, nëse do të thërrisja një bari për të biseduar me mua, do të dëshiroja prej tij sikur të kishte caktuar një zëvendës të tij për tufën, për sa kohë do të mungonte? Po, i tha Umeri r.a., është e vërtetë, bir. -Abdullahu i tha: "Kam dëgjuar prej njerëzve se ti nuk ke ndërmend të caktosh një halif që të të zëvendësojë". -Umeri uli kryet mendueshëm, sikur në ato momente t'i kishte rënë mbi kokë e gjithë bota, pastaj i tha: "Biri im! Sikur të caktoj një halif, ose të mos e bëj këtë gjë, unë për të dyja rastet kam justifikim. Pejgamberi a.s. nuk ka caktuar halif kur vdiq, ndërsa Ebu Bekri e bëri këtë gjë. Kështu, unë në të dyja rastet kam baza të forta, ku të mbështetem. Në ato çaste Abdullahu e kuptoi se Umeri tashmë e kishte marrë vendimin tij. Ai do të ndiqte shembullin e Pejgamberit a.s.. Umeri r.a. më pastaj këtë qëndrim ua kishte treguar të gjithëve duke thënë: "Unë do ta vendos këtë çështje në mesin e gjashtë vetave, të cilët Pejgamberi a.s. i ka përgëzuar me Xhennet dhe i numëroi që të gjithë me radhë: Uthman ibn Afanin, Ali ibn Ebi Talibin, Talha ibn Ubjedullahun, Zubejr ibn Avamin, Sa`d ibn Ebi Vekasin, Abdurrahman ibn Aufin dhe të birin e tij, Abdullahun, por me kusht që ky i fundit të mos jetë ai që do të zgjidhet si halif, sepse mjafton një njeri për fisin e Hatabëve që të merret në llogari përpara Zotit për këtë përgjegjësi".(1)


Ashabët mbështesin Uthmanin për halif


Pas kësaj Umeri r.a. i thirri anëtarët e komisionit dhe u tha: "Ju të gjashtë, së bashku me tim bir, Abdullahun, do të mblidheni që të përzgjidhni halifin ndërmjet jush. Im bir do të jetë me ju, por me kusht që të mos jetë i zgjedhur halif". Pastaj iu drejtua Aliut: "Nëse do të zgjidhesh ti halif, atëherë mos i jep përparësi fisit tënd ndaj të tjerëve"! Pastaj iu drejtua Uthmanit dhe Abdurrahman ibn Aufit dhe u tha të njëjtën gjë. Më pastaj iu drejtua të gjithëve: "Nëse do të caktoni S`ad ibn Ebi Vekasin, do të jetë mirë, por nëse jo, atëherë halifi i ardhshëm duhet ta mbaj atë si këshilltar të tij. Nëse votimet tuaja do të dalin të barabarta, atëherë vota e Abdullah ibn Umerit do të jetë ajo që do të vendosë. Derisa ta keni zgjedhur halifin, namazeve do t`u prijë Suhejb ibn Sinani (Er-Rrumi)". Pasi mbaroi me ta, i tha Ebu Talha el Ensariut: "Ti do të marrësh pesëdhjetë burra dhe së bashku do të ruani shtëpinë ku do të mblidhet komisioni. Nuk do të lejoni të hyjë dhe as të dalë kurrkush. ata do të kenë tri ditë kohë për të zgjedhur halifin. Pas tri ditësh, nëse nuk do ta zgjidhni, caktoni gjykues Abdullah ibn Umerin, të cilit i rekomandoj të jetë me mendimin që do të ketë Abdurrahman ibn Aufi, dhe, nëse as kështu pjesa tjetër nuk do të pajtohen, atëherë vrajini"!(2) Në fund Umeri r.a. dha porositë e tij për halifin që do të vinte pas tij, duke kërkuar respekt për muhaxhirët e parë, sepse ata janë bërthama e Islamit. Pastaj porositi halifin që do të vijë pas tij, që të respektojë ensarët dhe gjithë myslimanët, në të gjitha qytetet islame, sepse ata janë trupi i Islamit dhe mburoja e tij. Umeri r.a. halifin që do të vijë pas tij, e porositi dhe për sjellje të mira e të drejta me pjesën tjetër të popullatës së shtetit islam, që nuk janë myslimanë. T`i mbrojë ata dhe t`i respektojë, sepse janë nën besën e Pejgamberit a.s. dhe nën besën e shtetit mysliman! Në një përmbledhje versionesh, të cilat i transmeton Buhariu në "Sahihun" e tij nga Amr ibni Mejmuni r.a., thuhet: "Meqë Umeri ishte plagosur dhe kishte dhembje të mëdha, myslimanët deklaruan: "Na e lër amanetin, o prijës i besimtarëve, zgjidhe halifin pas teje!…" Ai ishte përgjigjur: "Lidhur me këtë çështje, nuk shikoj dikë më të merituar se grupin me të cilët ka qenë i kënaqur Pejgamberi a.s. kur vdiq" dhe i numëroi: Aliun, Uthmanin, Zubejrin, Telha-n, S`adin dhe Abdurrahmanin. Pastaj u lut për çdo të mirë për ensarët dhe muhaxhirët. Kur u varros Umeri r.a., ky grup u mblodh dhe Abdurrahmani foli: "Ngushtojeni rrethin në tre prej jush". Zubejri, nga ana e tij, deklaroi: "Unë po i lë të drejtën time Aliut", ndërsa Talha deklaroi: "Unë do t'ia lë të drejtën time Uthmanit", e S`adi tha: "Unë po ia lë të drejtën time Abdurrahman ibn Aufit". Atëherë Abdurrahmani tha: "Cili prej jush do të heqë dorë nga kandidatura në mbështetje të tjetrit"? As Aliu e as Uthmani nuk deklaruan gjë, prandaj Abdurrahmani pyeti: "A më lini të vendos unë"? Ata u përgjigjën: "Po". Atëherë ai e mori Aliun për dore dhe i tha: "Ti je farefis i Pejgamberit të Allahut dhe, siç e di, ke vend të lartë në Islam. Të lutem për Allahun (të përgjëroj për Allahun), të jesh i drejtë nëse të emëroj si prijës, e nëse unë vendos për Uthmanin, ta dëgjosh dhe t`i bindesh. Po këto fjalë ia tha edhe Uthmanit, prandaj, kur e mori besën e të dyve, foli: "Ngrije dorën, o Uthman", dhe ia dha betimin, pastaj këtë e bëri edhe Aliu. Më pas hynë edhe të tjerët dhe ia dhanë betimin Uthmanit r.a.. Abdurrahman ibni Aufi para kësaj ngjarjeje, pasi ishte bërë tebdil, tashmë kishte informacione lidhur me opinionin publik. Nga secili që kishte pyetur se kush do të duhej të vinte halif në vend të Umerit, përgjigjja ishte: Uthmani.(3) Kadi Ebu Bekr ibn El-Arebi, duke folur për tentimin e Abdurrahmanit për ta zgjedhur më të përshtatshmin, deklaron: "Umeri këtë zgjedhje ia la në duar kësaj shu`re (këshilli), prandaj Abdurrahmani që në fillim e kishte hequr veten nga zgjedhja, e pastaj kishte menduar dhe propozuar se cili të zgjidhej, duke vendosur për Uthmanin. Kështu, ditën e fundit të vitit 23 h., iu dha betimi Uthmanit, si halif i tretë mysliman pas Pejgamberit a.s.. Kjo do të thotë se pushtetin e kishte marrë në duar ditën e parë të Muharremit të vitit 24 h.


Dyshimet rreth përçarjes


Disa dijetarë që janë marrë me këtë çështje, këshillimin e ashabëve të Pejgamberit a.s. lidhur me zgjedhjen e halifit të ri, e kanë paraqitur si grindje fisnore ndërmyslimane. Ata pohojnë se myslimanët, apo së paku krerët e tyre, ishin ndarë në dy tabore: Emevinj dhe në Hashiminj. Dr. Sejjid Abdulaziz, në librin e tij "Tarihu devletil-arabijje", pasi ka theksuar atë që transmetojnë burimet e ndryshme historike për amanetin e Umerit lidhur me zgjedhjen e halifit të tretë, thekson: "Ata dolën, kurse Ali ibni Ebi Talibi qëndroi në bindjen se halifati u kishte dalë nga dora hashiminjve. Umeri kishte lënë amanet që të zgjidhen ata kandidatë në anën e të cilëve do të ishte Abdurrahman ibn Aufi, ngase Uthmani ishte i lidhur me Abdurrahmanin përmes vjehrrit, njësoj si S`ad ibn Vekasi që ka qenë kushëri i Abdurrahman ibn Aufit…"(4) Më pastaj, në vendin ku përmendet tërheqja e tre kandidatëve dhe mbetja e tre të tjerëve, thuhet dhe interpretohet: "Njerëzit u ndanë në dy grupe, njëri që mbështeste Uthmanin r.a., dhe tjetri që përkrahte Aliun r.a., domethënë u ndanë në dy tabore, në atë të emevinjve dhe të hashiminjve. Kështu së paku interpretohen nga dijetarë të ndryshëm rrethanat e krijuara lidhur me zgjedhjen e Uthmanit r.a. halif të myslimanëve. Paraqitja e këtillë e kësaj ngjarjeje është e gabuar dhe paraqet opinione që nuk janë të mbështetura në argumente, ngase nuk burojnë nga rrethanat e historisë në të cilën kanë jetuar ashabët e Pejgamberit të Allahut, kur emigrantët (muhaxhirët) ishin përkrah me ensarët (mikpritësit e Medinës) dhe vëllazërimi në mes tyre ishte ndërtuar në bazë të imanit (besimit) dhe fesë e jo në baza fisnore, familjare, vëllazërore, sepse në periudhën e hershme të Islamit, në emër të fesë dhe të fjalës së lartësuar të Allahut xh.sh., shpeshherë kishte luftuar vëllai kundër vëllait, babai kundër të birit ose i biri kundër babait. Gjithashtu botëkuptime të tilla që kanë të bëjnë me përçarjen e myslimanëve, nuk burojnë nga botëkuptimi i ashabëve të cilët kishin hequr dorë nga të gjitha të mirat e kësaj bote në mbrojtje të fesë së tyre, dhe as nga njohja e drejtë e këtyre personave të zgjedhur, në mesin e të cilëve kishte edhe të atillë të cilëve u ishte premtuar Xheneti që në këtë botë. Ngjarje të shumta që janë transmetuar lidhur me ta, dëshmojnë se ata kanë qenë në shkallë shumë më të lartë nga ajo që pikënisja për problemet e tyre të ishte e ulët dhe tokësore. Prandaj ky rast nuk paraqet mbrojtje interesash familjare apo fisnore, veçse ata ishin anëtarë të këshillit për shkak të pozitës dhe posteve në Islam dhe jo për diçka tjetër. Pas kësaj, autori Sejjid Abdulaziz Salim bie në kundërshtim me vetveten, ngase, pasi ka përmendur këtë dyshim të rrezikshëm, ai thekson mënyrën e zgjedhjes së halifit, duke u mbështetur me këtë rast në tekste të cilat konfirmojnë se halifi është zgjedhur nga këshilli prej të gjithë njerëzve-dijetarë e njerëz të zakonshëm. Madje ai citon: "Mirëpo, ai nuk deshi të publikonte zgjedhjen e halifit para se të mësonte mendimin dhe ndjenjat e njerëzve, pa e kuptuar këta fare. Prandaj doli i maskuar, në mënyrë që të mos e njihte kush, duke takuar njerëz të ndryshëm në rrugët e Medinës, nuk la asnjë prej muhaxhirëve, ensarëve dhe të tjerëve, qoftë edhe nga rangu më i ulët, pa e pyetur dhe pa kërkuar mendimin e tij. Kërkoi këshillë nga më të diturit e edhe ata që nuk ishin të tillë, i pyeste: "cilin e sheh si halif pas Umerit"? Nga secili që takonte dhe e pyeste, përgjigjja ishte: "Uthmanin". Kur e pa se njerëzit ishin të një mendjeje lidhur me zgjedhjen e halifit, u kthye në xhami". Ky fakt paraqet zhvillimin e vërtetë të ngjarjes, prandaj zgjedhja e Uthmanit halif nga ana e Abdurrahmanit për shkak të lidhjes së tij nga ana e vjehrrit, nuk ishte ide vetëm e Abdurrahmanit. Kjo ishte ide e të gjithë myslimanëve-atyre me pozita më të larta dhe që ishin në këshill, por edhe e popullatës më të thjeshtë. Mund të thuhet me bindje se një hulumtim i këtillë i gjerë dhe objektiv hedh poshtë dhe mohon tërësisht çdo dyshim lidhur me Abdurrahman ibn Aufin. Madje jo vetëm kaq, por gjithashtu konfirmon edhe dëshirën e fortë për ta kryer detyrën që i ishte besuar, si dhe për të përmbushur amanetin që i kishte rënë mbi supet e tij.


Uthmani ligjëron si halif


Përsa i përket Abdurrahmanit, ai kishte mbajtur qëndrim të drejtë në krejt këtë proces dhe në asnjë mënyrë nuk ishte lakmitar. Për këtë tregon edhe fakti tjetër se ai kishte pasur mundësi të madhe të zgjidhej vetë halif i myslimanëve, meqë e donin të gjithë për shkak të vlerave që posedonte. Duke e vërejtur këtë gjë, ai kishte hequr dorë nga kandidatura, edhe pse S`ad ibn Ebi Vekasi dhe shumë të tjerë i kishin sugjeruar që ta merrte halifatin. Abdurrahmani, si njeri i drejtë që ishte, këtyre kërkesave u ishte përgjigjur me këto fjalë: "Askush nuk do të kishte mundësi të mbante shtetin, ashtu siç e mbajtën Ebu Bekri dhe Umeri, prandaj njerëzit nuk do të jenë ndoshta të kënaqur me të". Rreth datës apo vitit të zgjedhjes së Uthmanit r.a. halif i myslimanëve, në literaturën islame mund të hasim mendime që bien në kundërshtim me njër tjetrin. Përveç mendimit të përmendur më lart, se Uthmani halifatin e kishte marrë në drë ditën e parë të muajit Muharrem të vitit 24 h., ekziston edhe mendimi tjetër se Uthmani r.a. udhëheqjen e shtetit mysliman e kishte marrë në ditën e mërkurë, më 5 Muharrem 24 h. (10. XI. 644).(5) Namazi i parë që Uthmani r.a. do ta falte si halif i myslimanëve, ishte namazi i pasdites, pas të cilit ai mbajti ligjëratën e Hilafetit, në të cilën tha: "O njerëz, ju jeni në një botë të shkurtër dhe shumë shpejt do të dilni prej saj! Prandaj, shpejtoni në punë të mira, para se t`ju gjejë vdekja. Kjo botë është mashtruese, prandaj mos u mashtroni prej saj dhe të harroni premtimin e Allahut! Nxirrni mësim nga e kaluara e popujve, mos E harroni Zotin, sepse Ai nuk ju harron ju! Hidheni këtë botë atje ku e ka hedhur Allahu dhe kërkojeni Ahiretin, për të cilin ju ka premtuar Allahu. Shembulli i kësaj bote, është si ai që Allahu jua sjell në Kur'an: "Jepu atyre shembullin e jetës së Dynjasë si një ujë që e zbresim prej qielli dhe me të përzihet bimësia në tokë. Pastaj, ajo bimësi thahet shumë shpejt dhe e merr era. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Pasuria dhe fëmijët janë zbukurim i kësaj bote, kurse ato që qëndrojnë tek Allahu, janë punët e mira që i vlerëson Zoti ynë, me shpërblime shumë të mëdha dhe me shpresë të madhe".(6)
_______________________
(1) El-Bidaje, 7/137,cituar sipas Eduart Thartori, Islami në kohë trazirash, Prishtinë, 2008, f.73.
(2) Taberiu, 2/581 cituar sipas Eduart Thartori, Ibid, f.73.
(3) El-Imametu ves-sijase, Ed-Dejnuni, f.30.
(4) Tarihul-Devletul arabijje", Dr.Sejjid Abdulaziz Salim, f.275.
(5) Eduart Thartori, Ibid, f.76.
(6) El-Kehf, 45-46.


 


Dituria Islame 241