Esma r.a. ligjëruesja e grave

 


Esma r.a. ishte një zonjë ashare, e cila vinte para Resulullahut a.s. dhe i paraqiste lirisht vështirësitë e saj; ishte transparente dhe kishte një të folur të drejtë….. ...
- Një zonjë e shkathët dhe e guximshme, e quajtur me pseudonimin "Hatibetu-nisa"-"Ligjëruesja e grave". Besonte se edukata dhe turpi nuk duhet të jenë pengesë për të mësuar fenë dhe tregonte zell në mënyrë të paturpshme që ta mësoj fenë, një e dashur e shkencës…. Ishte medinase prej zonjave ensare. Ishte prej bijve të Abdyleshelit prej fisit Evs. Pas hixhretit ishte nderuar me fenë islame. Babai i saj, Jezid ibni Seken, dhe motra e saj, Havva, ishin ashabë. Është transmetuar se vajza e hallës së Muadh ibni Xhebel(r.a)'ut, Esma, ishte gjendur edhe në Bejturidvan.


Esma r.a. ishte një zonjë ndihmëtare, bujare


Dëshironte gjithnjë t'i shërbente dhe të gostiste Resulullahin a.s.. Kur gjente rast, prej ushqimeve dhe pijeve i dërgonte të Dërguarit tonë.. Një ditë në kohën e akshamit, kishte përgatitur pak bukë dhe rrush të thatë. Të dashurin, të Dërguarin tonë, derisa po dilte nga faltorja, e ftoi në shtëpinë e saj. Dielli i dy botëve, i Dërguari ynë, këtë ashabe sakrifikuese nuk e ktheu,sdhe së bashku me shokë e pranuan ftesën. Esma r.a. bukën e përgatitur e solli përpara tij dhe i tha:"Qofshin të flijuar nëna dhe babai im për ty, o i Dërguari i Zotit"!Urdhëroni e hani"!" Pejgamberi i Mëshirës, së bashku me ashabët, filloi me një bisedë miqësore duke thënë: "Hajde bismilah" U ngrëntë me shëndet! Buka dhe rrushi ishin shtuar. Tek po hanin, shtohej. Esma mbeti e habitur. Duke e transmetuar këtë ngjarje, ajo thoshte: "Pasha Allahun, në Dorën e të Cilit është shpirti im, e pashë me sytë e mi. Xhemati i përbërë prej 40 personave, as rrushin e as bukën nuk mundën ta hanin krejt. Dhe pasi pinë edhe ujë, ata u larguan. Ne anëtarët e familjes pimë ujë nga ajo (enë lëkure) e cila shtohej, dhe gjenim shërim. Na erdhi bereqeti në rrëskun tonë".


Zemra e saj ishte e mbushur me dashuri për Resulullahun


Ajo dinte t'i vlerësonte rastet. Kohë pas kohe shkonte në shtëpinë e lumtur të Dërguarit tonë, bisedonte me zonjat dhe nënat e besimtarëve. Në ditën kur Aisheja (r.anha) shkoi nuse në shtëpinë e të Dërguarit tonë, ajo u gjend aty. Njëherë të Dërguarit të Allahut i ishte dhënë qumësht për të pirë. Pas pirjes së qumështit nga i Dërguari, i qe ofruar nënës sonë, Hz.Aishes, po ajo prej turpit si një nuse e re, nuk dëshiroi ta merrte. Pastaj Esma (r.anha) i tha:"Oj Aishe! Mos i kthe ofertën Resulullahut, merre dhe pije". Hz.Aisheja e mori dhe, pasi piu një sasi, përsëri ia ktheu të Dërguarit. I Dërguari ynë (s.a.) këtë herë qumështin ia ofroi Hz.Esmës. Edhe ajo e mori gotën dhe piu prej saj.Esma binti Jezid r.a. ishte njohur në mesin e ashabëve për një të folur të drejtë dhe për fjalë të vërteta. Për këtë shkak asaj i është dhënë pseudonimi ''Hatibetu-nisa" Ligjëruesja e grave".Gratë medinase, kur dëshironin ta pyesnin për diçka Resulullahun a.s., e dërgonin atë si përfaqësuese. Atë e kishin zgjedhur përfaqësuese për të mësuar disa çështje që një ditë kishin preokupuar mendjet e tyre. E lutën që ta pyeste të Dërguarin. Edhe ajo po me atë qëllim erdhi në qetësi dhe mbajti një fjalë lakonike:"Qofshin të flijuar pë ty nëna dhe babai, Ja Resulallah!Unë tek ju erdha si përfaqësuese e grave. Allahu ju ju ka dërguar Pejgamber për të gjitha gratë dhe për të gjithë meshkujt. Ne të besuam ty dhe Zotin tënd. Ne gratë rrimë në shtëpi dhe i kryejmë kërkesat e burrave e i rritim fëmijët tanë. Ndërsa ju meshkujt keni për detyrë të falni namazin e xhumasë, të shkoni në xhami së bashku me xhemat, të vizitoni të sëmurin, të gjendeni në namazet e të vdekurve, më shumë se një herë të shkoni në Haxh, d.m.th. në disa çështje ju është dhënë epërsi. Edhe më e rëndësishme është që jeni nderuar të bëni xhihad në rrugën e Zotit. Nëse një mashkull del në rrugë për të shkuar në haxh a umre ose për të luftuar me armikun në luftë, ne i rritim fëmijët, ruajmë pasurinë, endim penj, pastrojmë rrobat dhe i qepim ato..Edhe ne me këto shërbime tona, a mund të jemi të barabarta me meshkujt në të mirë dhe shpërblime? Dielli i të dy botëve, i Dërguari ynë, dëgjoi me kujdes këto fjalë të Esmës r.a. dhe tek mendimet që shfaqi ajo lidhur me çështjen që kishte shtruar, ai gjeti e vlerësoi inteligjencën dhe të folurit e drejtë dhe ashabëve pranë tij, u tha :"A keni dëgjuar fjalë më lakonike se kjo prej një gruaje në çështje të fesë"? Pastaj, në emër të saj, të gjitha zonjave besimtare u është dhënë sihariqi:"Oj zonjë, dëgjo dhe tregoju atyre zonjave që të kanë dërguar ty përfaqësuese! Urdhëroi dhe i tha: Një grua, nëse kalon mirë me bashkëshortin e saj, e fiton kënaqësinë dhe pëlqimin e tij, kjo është e përputhshme me të gjitha veprat superiore që i numërove, d.m.th. e f iton të njëjtin shpërblim".


81 hadithe të transmetuara nga Muhamedi a.s.


Esma binti Jezid r.a., pas kësaj ngjarjeje, është përmendur me pseudonimin "Hatibetu-nisa". Pasi mori këtë myzhde nga i Dërguari, menjëherë dëshiroi t'ua përcillte shoqeve të saj. Nga ai vend u largua me gëzim. Me hapa të shpejtë shkoi pranë shoqeve me një hare shumë të madhe e me lot gëzimi, u përcolli fjalët që i dëgjoi nga i Dërguari. Të gjitha u sihariquan nga ky lajm dhe këtë e kremtuan sikur një festë. Më pastaj shërbimet në shtëpi ato nuk do t'i konsideronin më si një ngarkesë po si një adhurim, i cili atyre u sjell shpërblim. Ç'tolerancë!....Ç'shembull i sinqertë!..Ç'fe e përsosur!... Njeriun e shpërblen në bazë të qëllimeve! Si punën e burrave, ashtu edhe punën e grave e njeh adhurim! Me sa kujdes e lidh gruan për përkujdesje ndaj familjes!... Allahu ynë, na mundëso edhe neve mirëkuptim, dashuri dhe lumtur.!… O Zot, na bëj ne që zemrat tona të jenë të mbushura me bukuritë e Islamit ne shtëpitë tona!.... Esma r.a. herë pas herë ishte e pranishme në ligjëratat e të Dërguarit s.a.. Një ditë, kur shkoi aty pranë, Resulullahu po u jepte njoftime ashabëve në lidhje me Dexhallin. Ishte ulur edhe ajo dhe kishte filluar të dëgjonte. Lajmet kishin shtuar tmerrin dhe habinë. Filloi të qante me zë, duke mos i mbajtur lotët. Dielli i dy botëve, kur e pa duke qarë, e pyeti e tha:"Oj Esma ! Përse qan"? E ajo tha:"O i Dërguar i Zotit! Kur jemi të heshtur, jemi aq të padurueshëm, saqë nuk e presim as bukën të piqet. Ndërsa në kohën kur Dexhalli do të dalë, nëse do të ketë skamje, si do të jetë gjendja jonë? - ajo kështu shprehu pikëllimin e saj. Pas kësaj i Dërguari i Zotit e ngushëlloi kështu Esmën r.a.: "Nëse E Lartësoni Allahun dhe vazhdoni të mbështeteni tek Ai, atë ditë do të jeni të sigurt nga uria", për të vazhduar: "Nuk ka nevojë të vuani kështu. Nëse unë do të jem në jetë, do të jem mburojë".Por, kur të shfaqet Dexhalli, nëse unë nuk do të jem gjallë, Allahu i Madhëruar i mbron besimtarët, - dhe urdhëroji e këshilloji që ta përmendin Zotin sa më shpesh". Po ashtu Esma r.a. një ditë tjetër shkoi tek i Dërguari dhe e pyeti se si pastrohen gratë nga menstruacionet dhe xhynubllëku. Nëna jonë, Aishja r.a., e lavdëroi atë për këtë gjest dhe tha": Ndjenja e turpit nuk është pengesë për gratë ensare, që ato të mësojnë fenë e tyre". Esma binti Jezid r.a. nga i Dërguari i Allahut ka transmetuar 81 hadithe. Pronarët e Sunenit disa prej haditheve të saj i kanë huazuar. Kuptimi i disa haditheve është si vijon:"Kush ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu i ndërton atij një shtëpi në Xhennet". "A doni t'ju tregoj se cili prej njerëzve është më i miri"? Ashabët i thanë: "Po, o i Dërguar i Zotit". I Dërguari i Zotit tha : "Ata që E përmendin vazhdimisht Allahun" dhe vazhdoi:"A doni t'ju tregoj se cili prej njerëzve është më i keqi ndër ju"? Ata i thanë: "Ata që përgojojnë dhe që bëjnë çrregullime në mes miqve, që duan njëri-tjetrin jo për hir të Zotit. " Esma binti Jezid .b.Seken el-ensarije r.a. ishte një zonjë ashare, e cila kishte një inteligjencë të lartë, të folur lakonik, ishte guximtare dhe e shkathët. Ajo ishte pjesëtare në luftën e Hajberit dhe në çlirimin e Mekës, por veçanërisht tregoi trimëri në luftën e Jermukut.


 


Mustafa Erish
Përktheu nga turqishtja: Esma Morina
Dituria islame 242