Themelet e personalitetit mysliman (1)


(Besimi i shëndoshë, bazë esenciale e formimit të personalitetit mysliman)


Besimi-Imani, është dallimi themelor në mes besimtarit dhe jobesimtarit në formimin e botëkuptimit ndaj jetës dhe filozofisë së saj. Nëse personaliteti përbëhet nga intelekti dhe shpirti, personaliteti islam përbëhet nga intelekti islam dhe shpirti islam.1 Ky besim është i mbjellë në natyrshmërinë e njeriut që nga lindja e tij, por edhe i kultivuar dhe përsosur përmes ndërhyrjes hyjnore me shpalljet dhe të dërguarit e Zotit. E vërteta-haku është gjendja më e përsosur dhe më e volitshme në të cilën Allahu xh.sh. i ka krijuar të gjitha krijesat, andaj prej tyre kërkon që edhe ato të jenë të tilla.(2)
Bazat e besimit janë ato në të cilat ftuan të gjithë të dërguarit e Zotit në fillimin e ftesës së tyre, në mënyrë që mbi këtë besim të vendosen karakteristikat tjera që e plotësojnë personalitetin e njeriut. Ky besim duhet të jetë i bazuar dhe i drejtë, i argumentuar dhe i plotë, përndryshe pasojat e devijimit të besimit janë të pa falshme: "S'ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t'i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do..." (En Nisa, 48).
Gjithashtu ky besim duhet të luajë rol aktiv në jetën e njeriut. Çdo mendim, çdo ndjenjë dhe çdo moment i përjetuar duhet të jetë i udhëhequr dhe i harmonizuar me ligjet që i ka urdhëruar Allahu xh.sh.(3) Ky ishte besi mi që solli ndryshimin në historinë njerëzore, brez pas brezi, ashtu siç ngjau edhe me ndryshimin e arabëve të cilët i reformoi nga barinj delesh e devesh, dhe fise të ndara e përçara mes vete, në udhëheqës dhe liderë. Kurse ymetin mysliman për trembëdhjetë shekuj me radhë e bëri prijatar të njerëzimit.
Imani i paraprinë të gjitha cilësive të mira të njeriut, pa të cilin nuk do të sillte dobi tek ai edhe po të mblidhej e gjitha mirësia dhe virtytet që kanë njerëzit në tërësi. Kjo sepse besimi pa vepra është si bima pa frute, aq sa ve prat pa besim janë si bima pa rrënjë. Veprat dhe cilësitë e mira kanë vlerë vetëm atëherë kur kanë bazë besimin: "E veprat e atyre që nuk besuan janë si valët (nga rrezet e diellit) në një rrafshinë, ku i etshmi mendon se është ujë derisa kur t'i afrohet atij nuk gjen asgjë, por aty e gjen Allahun dhe ai do t'ia japë llogarinë e tij. Allahu është i shpejtë në llogaritje." (En Nur, 39).
Nuk kërkohet që besimi të konceptohet si njohuri teorike, si një shkencë që studiohet, apo rregull që duhet të mbahet në mend, as deklarim verbal, e as rite që e kryejnë besimtarët, por që nuk përmban esencë. Gjithashtu besimi nuk është vetëm njohuri dhe pranim logjik i të vërtetave të tyre, por menjëherë pas kuptimit teorik dhe logjik të tyre, duhet të pasohet me bindje dhe realizim praktik drejtë përsosjes së cilësive të nje riut. Ky besim duhet të jetë i ngulitur thellë në shpirtin dhe mendjen e njeriut, pastaj t'a shoqërojë atë në të gjitha etapat dhe gjendjet e tij në jetë, pa u lëkundur dhe pa devijuar asnjëherë.


Bazat e besimit dhe roli i tyre në jetë


Gjashtë bazat themelore që e përbëjnë besimin (akiden islame) janë përmbledhur në hadithin e njohur si "hadithi i Xhibrilit",(4) ku edhe renditja e tyre vjen në bazë të rëndësisë, por gjithsesi që mbeten të pandara nga njëra-tjetra.


Besimi në Allahun


Besimi i shëndoshë nënkupton bindjen në Zotin Kri jues, Pronar dhe Veprues mbi çdo gjë që ekziston, që jep jetën dhe vdekjen. I Vetmi që meriton adhurimin përmes namazit, agjërimit, lutjeve, frikërespektit, përuljes dhe përkushtimit. Ai pra nuk pranon asnjë oponent dhe bashkëpunëtor në veprën e Tij, përndryshe rrëmuja dhe kaosi do të ishin "rregull" i ekzistencës, siç edhe thotë Kurani Famëlartë: "Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota pos Allahut, ato të dyja do të shkatërro heshin. Larg asaj që i përshkruajnë është Allahu, Zot i Arshit." (El Enbija, 22).
Fjala "La ilahe il-lall-llah" qe adresa dhe emri i një programi të ri, të cilin nuk e ngriti apo shpalli ndonjë njeri i urtë, apo filozof. Ai ishte programi dhe rruga që ngriti Allahu, të Cilit i nënshtrohen dhe i përulen fytyrat, që i binden zemrat dhe i nënshtrohen dëshi rat dhe vullnetet.(5) Të gjithë njerëzit janë robërit e tij, qofshin ata pejgamberë, evlija, mbretër, udhëheqës, apo të udhëhequr, dhe nuk posedojnë as ndaj vetes së tyre dëmin apo dobinë, as jetën e as vdekjen. Kushdo që bie në grackën e përkuljes dhe adhurimit të dikujt tjetër pos Tij, ka përbuzur veten e vet dhe ka dalë nga natyra me të cilën është krijuar.
Besimi në Allahun xh.sh. duhet të jetë i pastër nga përngjasimet e paqëna që nga respekti mund t'i mvishen Atij, e as nga të meta që nga padiuria mund t'i adresohen Atij. "Thuaj: Ai, Allahu është Një! Allahu është mbështetja (Atij i mbështetet çdo krijesë). As s'ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë." (El Ihlas, 1-4). Përngjasimi i Tij me krijesat është shëmti në të gjykuar për Krijuesin: "Asnjë send nuk është si Ai; Ai është Dëgjuesi, Shikuesi." (Esh-Shura, 11).
Gjithashtu, ky besim duhet të ketë efektin e vazhdue shëm tek besimtari dhe atë në çdo gjendje, ashtu siç ishte porosia e Pejgamberit a.s. drejtuar ibn Abasit r.a.: "O djalosh! Do të të mësoj disa fjalë. Kije ndërmend (ruaje) Zotin, se Ai do të të ruajë ty! Kije ndërmend Zo tin, do ta gjesh para teje! Kur të kërkosh diçka, kërkoje prej Zotit! Nëse kërkon ndihmë, kërko prej Zotit! Dije se sikur tërë populli të mblidhej për të të ndihmuar për diçka, nuk do të të ndihmonin dot, përveç asaj që të ka caktuar Zoti yt, e nëse do të mblidheshin që të të bënin dëm, nuk do të dëmtonin, përveç asaj që të ka caktuar Zoti yt. Janë ngritur lapsat dhe janë tharë faqet (fletët)!" (Tirmidhiu).


Besimi në engjë


Bindja se Allahu xh.sh. me fuqinë e Tij ka krijuar krijesa të pastra dhe të nënshturara plotësisht ndaj urdhrit të Tij, njeriun e ndërgjegjëson për një botë të tërë që është ndryshe nga bota që ai e njeh. Duke pasur parasysh se engjëjt janë të pranishëm dhe shohin e regjistrojnë veprat tona, bëhet edhe më e afërt ndjenja e përgjegjësisë së njeriut. Besimi në engjëj duhet të jetë i pastër nga mveshjet dhe mangësitë që mund t'i atribuohen atyre, pra ata kanë cilësi që janë përmen dur në Kuran dhe hadithe, prandaj edhe devijimi në këto cilësi, siç është ideja se janë "bijat" e Zotit, e cenon besimin e pastër, dhe për pasojë shpien edhe në shirk-politeizëm. Kurse mosbesimi në ekzistimin e tyre është mohim-kufër: "E ai që nuk beson Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, pejgamberët e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai me të vërtetë ka humbur larg prej udhës së drejtë." (En Nisa, 136)


Besimi në Librat e shpallur


Allahu xh.sh. disa të dërguarve u ka shpallur libra, me të cilat ka ardhur edhe ligji. Prej tyre me emër disa janë përmendur edhe në Kuran, e disa jo: "Ne kemi shpallur Tevratin, në të cilin është udhëzimi dhe drita." (El Maide, 44). "Pastaj vazhduam pas tyre me të dërguarit Tanë, e pas tyre dërguam Isain, të birin e Merjemes, dhe atij ia dhamë Ingjillin..." (El Hadidë, 27). "...dhe Davudit i kemi dhënë Zeburin." (El Isra, 55). Jemi të obliguar edhe të besojmë se gjithë këto libra kanë ardhur me të vërtetën, dritën, udhëzimin dhe teuhidin (njëshmërinë) e Allahut xh.sh. E çdo gjë që është shkru ar më vonë në to dhe kundërshtohet me këto baza, është falsifikim që e kanë bërë njerëzit.(6)
Jemi të obliguar të besojmë se Kurani është shpallja e fundit që iu dedikua njerëzimit, duke përmbledhur atë që është e saktë në librat e mëparshëm, duke vërtetuar ato dhe duke siguruar se vetë është i mbrojtur nga Allahu xh.sh., është i pandryshuar deri në fund të botës: "Ne, me të vërtetë e kemi shpallur Kuranin dhe, Ne me të vërtetë do ta ruajmë atë." (El Hixhr, 9). Besimi në Librat e Zotit na sjell ndërmend kujdesin e Allahut xh.sh. ndaj nesh, për të na rrëfyer rrugën që të mos mbetemi të humbur në jetë.


Besimi në pejgamberët


Është i domosdoshëm ky besim në të dërguarit e Allahut xh.sh., në përgjithësi, kurse në ata që janë të përmendur me emër në Kuran, në veçanti. Ata ishin të zgjedhurit nga mesi i popujve të tyre, krijesat më të përkryera përnga dituria dhe veprat, për të bartur mbi supe mesazhin hyjnor, duke sakrifkuar dhe vënë në shpërblim çdo gjë për të udhëhequr njerëzimin drejt besimit. Nuk bëjmë dallim në mes tyre përnga be sueshmëria, se ata ishin të zgjedhurit e Zotit, por disa prej tyre kanë grada më të larta: "(Kujtoje ti, o Mu hamed!) kur nga pejgamberët Ne morëm zotimin, edhe prej teje, edhe prej Nuhut, prej Ibrahimit, Musait dhe prej Isait, të birit të Merjemes. Ne, prej tyre kemi marrë zotimin e fortë." (El Ahzabë, 7).
Besimi në të gjithë pëjgamberët e Zotit është edhe argu- ment se te Allahu xh.sh. feja është një dhe zingjirore. Muhamedi a.s. thotë: "Shembulli im dhe i profetëve para meje është si shembulli i dikujt që ka ndërtuar një shtëpi, e të cilën e ka përsosur, përveç se asaj i mungon një gur në një nga qoshet e saj. Njerëzit e shohin dhe mrekullohen me të, mirëpo prapë thonë: "Ah, sikur të ishte vendosur edhe ai gur!" Dhe unë pra jam ai gur, dhe unë jam vula e profetëve." (Buhariu, 3342).
Pejgamberët njëherit janë edhe shëmbëlltyrë për besi mtarët, se si ta jetojnë jetën mbi parime të besimit me të cilat është i kënaqur Allahu.


Besimi në Botën Tjetër


"...Kushdo që beson Allahun dhe jetën tjetër, bën vepra të mira, për ata me të vërtetë ka shpërblim te Zoti i tyre; për ta nuk ka kurrfarë droje, e as mërzie!" (El Bekare, 62).
Përshkrimi i jetës tjetër, ndodhive dhe fenomeneve atje, xhenetit dhe xhehenemit, kanë marrë një mori ajetesh kuranore dhe hadithe, aq sa të mos mbetet asgjë e panjohur për njeriun duke qenë ende në këtë jetë.
Të besuarit se kjo jetë nuk është qëllim final në vete, por vetëm një vend i sprovës dhe stacion kalimtar pas të cilës pason jeta e vërtetë, e bënë njeriun të bëhet i kujdesshëm për veprat e veta, duke u munduar të përfitojë sa më shumë nga kjo botë, për të siguruar lumturinë në jetën e ahiretit. Gjithashtu krijon një stabi litet në rastet e pakënaqësisë dhe halleve, duke llogaritur se ato janë të përkohshme dhe kalimtare, por edhe të moskrekosjes me të mirat që posedon, pasi edhe ato një ditë kanë përfundim për të.


Besimi në kadanë (vendimin) dhe kaderin (caktimin)


"Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime (libër-Lehvi Mahfudh) para se të ngjajë ajo, e kjo për Allahun është e lehtë." (El Hadidë, 22).
Se çdo gjë në jetë ndodh me dijen dhe vullnetin e Krijuesit, është pjesë e pandashme e besimit në Allahun xh.sh., i Cili ka njohuri dhe përcakton çdo gjë, (s'ka fare dyshim). Pushteti i Tij absolut nuk lë gjë jashtë vullnetit dhe dijes së Tij, pasi Cilësitë e Tij janë të përkryera. Por nga ana tjetër kjo nuk e zvogëlon lirinë dhe veprimin e vullnetshëm të njeriut, në saje të të cilit ai pret shpërbli- min apo ndëshkimin për angazhimet e tij në jetë. Me këtë besim njeriu do të jetojë një jetë të përgjegjshme, i kujdesshëm dhe stabil, ku me çdo rast do të mundohet ta projektojë dhe ndërtojë këtë jetë me idenë e botës tjetër, kënaqjen e Krijuesit të Tij dhe përmbushjen e amanetit me të cilin ka ardhur në këtë botë. Natyrisht që edhe besimi duhet të kultivohet, të forcohet me bindje të vazhdueshme në Krijuesin, në meditim të asaj që na rrethon e që është vepër e Tij, në falënderim për të mirat që posedojmë falë mirësisë së Tij, në shpresë për shpërblimin që na pret në saje të veprave tona të mira dhe bujarisë së Tij, por edhe në frikë nga dënimi që mund të na gjejë si shkak i të ligave tona. Besimtari vazhdon të begatohet me njohuri që ia shtojnë edhe më shumë këtë bindje, të shoqërohet në vazhdimësi me njerëz që kanë të njëjtin preokupim, por mbi të gjitha, të përkujtojë Allahun xh.sh., i Cili është burimi i të gjitha të mirave në jetë.


________________________________
(1) Fet'hi Jeken. Lëvizja islame, porblemet dhe persektivat. Prishtinë, 2006, f. 144.
(2) Dr. Muhammed Naim Jasin. Besimi, baza, esenca, negacioni. Shkup, 1998, f. 5.
(3) Muhammed Kutub. Sa jemi myslimanë. Shkup, 1999, f. 9.
(4) Transmeton imam Muslimi nga Umeri r.a.
(5) Dr. Jusuf Kardavi. Besimi dhe jeta. Shkup, 2010. f. 29.
(6) Dr. Muhammed Naim Jasin. Besimi, baza, esenca, negacioni. Shkup, 1998, f. 64.


 


Dituria Islame 294