(Adhurimi i saktë, formë dhe përmbajtje)
S'ka dyshim se ata që janë pranë (afër) Zotit tënd (melekët) nuk tërhiqen nga adhurimi ndaj Tij nga mendjemadhësia, Atë e madhërojnë dhe vetëm Atij i bëjnë sexhde." (El A'raf, 206).
Adhurimet në fenë islame i sistemojnë marrëdhëniet ndërmjet njeriut dhe Krijuesit të tij, dhe robi me anë të adhurimit e shpreh përuljen e sinqertë ndaj Allahut të Lartësuar. Andaj, duhet pasur shumë kujdes për zbatimin e këtyre adhurimeve dhe në thirrjen e të tjerëve për praktikimin e tyre, e kurrsesi nuk lejohet të nënvlerësohen, por që të gjitha adhurimet në përgjithësi ta forcojnë besimin dhe mbjellin atë thellë në shpirt.(1)
Me saktësinë në adhurim kemi për qëllim, zbatimin e adhurimit (ibadetit) në formën e kërkuar, të pastër nga shtesat dhe mangësitë e qëllimshme dhe të dëmshme.
Adhurimi nënkupton përuljen dhe nënshtrimin, gjë e cila meriton t'i bëhet vetëm Allahut të Madhëruar. Kjo vepër merr kuptimin kur dihet se është qëllim i krijimit të njeriut: (Edh Dharijat, 56).
Të gjithë profetët kanë thirrur në maksimën: "Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojë ndihmë."
Të gjithë, prej të parit e deri tek i fundit, kanë thirrur në besimin në njëshmërinë e Allahut dhe në sinqeritetin e robërimit për Të.(2)
"Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t'u thotë: "Adhurojeni vetëm Allahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!" (En Nahl, 36).
Me adhurim u Veçuan edhe engjëjt: (El A'raf, 206).
Si cilësi meritore për të përjetuar të mirat e Xhenetit po ashtu përmendet adhurimi i Allahut xh.sh: (El Insan, 6).
Edhe Muhamedi a.s. është përmendur në Kuran me këtë cilësim në momentet më të çmuara të jetës së tij, me rastin e udhëtimit të Israsë dhe Mi'raxhit: (El Isra, 1).
Definicioni i adhurimit
Dijetarët e kanë përkufizuar adhurimin si: "Çdo vepër apo fjalë, e shfaqur apo e fshehur, të cilën Allahu xh.sh. e do dhe është i kënaqur me të."
Nga veprat e shfaqura p.sh. namazi, leximi i Kuranit, dhikri etj., apo të fshehura si frikërespekti, mbështetja në Allahun xh.sh., dashuria dhe urrejtja për hir të Tij etj.
Edhe pse adhurimi nënkupton nënshtrimin, kur është fjala për adhurimin në Islam ai nënkupton edhe dashurinë edhe respektin njëkohësisht. Pra, kërkohet nga adhuruesi që ta dojë Allahun dhe të jetë Ai më i respektuari në zemrën e tij mbi çdo gjë tjetër, dhe ky adhurim ta përcjellë atë deri në fund të jetës: "Adhuroje Zotin tënd deri kur të të vijë e vërteta (vdekja)!" (El Hixhr, 99).
Adhurimi nuk kufizohet vetëm në atë që njihet botërisht i tillë si: namazi, agjërimi, zekati, haxhi, por dyert e adhurimit janë shumë të gjera, ku në të bëjnë pjesë edhe të gjitha veprat e mira si: sadakaja, mirësia ndaj prindërve, ruajta e lidhjeve farefisnore, përmbushja e premtimit, mbajtja e besës, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, luftimi i së keqes, mirësia ndaj fqinjëve, jetimëve dhe të ngratëve, po ashtu edhe mirësjellja me njerëzit përgjithësisht, gjallesa dhe çdo gjë që ka krijuar Allahu i Lartësuar, Prandaj, kufizimi i ibadetit vetëm në adhurimet e njohur nga fikhu është keqkuptim i synimeve islame, sepse Islami është sistem i plotë dhe gjithëpërfshirës, që përmban në vete çështjet e Dynjasë dhe Ahiretit: (El Bekare, 177).
Së këndejmi, sipas Islamit e gjithë veprimtaria hyn në kuadër të ibadetit (adhurimit), i cili është vlera më e çmuar dhe më e lartë, e që e ngrit robin në Dynja dhe Ahiret.
Kushtet e adhurimit të saktë
Për të qenë adhurimi i sakët ka dy kushte esenciale:
I pari: Të mos adhurohet askush tjetër përveç Allahut xh.sh., që nënkupton sinqeritetin me të cilin jemi të obliguar. Pra, përmes adhurimit të synohet vetëm Ai: (El Bejjine, 5). I Dërguari a.s. thotë: "Ka thënë Allahu i Lartësuar: Unë jam më i Pavaruri për shoqërim. Kush vepron një vepër duke më shoqëruar në të të tjerë, e lë atë dhe shirkun e tij (shoqërimin që më bën)".
Nga besimtari kërkohet që përkushtimin jetësor tërësisht t'ia dedikojë Madhërisë së Tij: "Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime, janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve." (El En'amë, 162).
Bazë për pranimin e cilitdo adhurim është sinqeriteti i zemrës i përkushtuar ndaj Allahut xh,sh.
Njëmend realiteti i adhurimit nuk është forma që ka të bëjë me pamjen, e as figurativja që lidhet me trupin përkundrazi, fshehtësia ka të bëjë me zemrën, dhe sinqeriteti buron nga shpirti.(3)
Omeri r.a. thoshte: "O Allah, më bëj veprën time të tërën të vlefshme, dhe bëje të sinqertë vetëm për Ty, mos ndaj në të asnjë pjesë për tjetër kë."
I dyti: Të adhurohet Allahu xh.sh. ashtu siç ka urdhëruar dhe kodifikuar Ai, jo sipas dëshirave dhe pasioneve: (Esh Shura, 21).
Po ashtu Allahu xh.sh. thotë: "...e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askë." (El Kehf, 110).
Muhamedi a.s., në lidhje me këtë ka thënë: "Kush sjell risi në çështjen tonë atë që nuk është e saj, (një gjë e tillë) është e refuzuar." (Buhariu dhe Muslimi).
Ajetin: "... për t'ju sprovuar se cili prej jush është më vepërmirë" (El Mulk, 2), Fudajl bin Ijadi e ka komentuar, "më e sinqertë" dhe "më e saktë". I thanë: "O Eba Ali, çka nënkupton me "e sinqertë" dhe çka "e saktë"?" Iu tha: "Nëse vepra është e sinqertë, por jo e saktë, nuk pranohet (te Zoti), por edhe nëse është e saktë por jo e sinqertë, për Zotin, nuk pranohet deri sa të jetë e sakët dhe e sinqertë njëkohësisht. E sinqertë d.m.th. të jetë për Allahun xh.sh., kurse e saktë d.m.th. të jetë sipas synetit."
Transmetohet se një njëri rrinte në këmbë përderisa Pejgamberi a.s. mbante hytbe. Ai i pyeti sahabët se çka ishte qëllimi i tij. l thanë: "Është Ebu Israili, dhe është zotuar se do të rrijë në këmbë dhe nuk do të ulet, nuk do të rrijë nën hije, nuk do të flasë dhe do të agjërojë". I Dërguari a.s. iu tha: "Urdhërojeni që të flasë, të qëndrojë nën hije, të ulet e mos të qëndrojë në këmbë dhe ta vazhdojë agjërimin" Pra, ia ndaloi tri veprime të pavlefshme dhe të papranueshme në Islam, kurse ia lejoi atë që është e bazuar në ligjin islam.
E lejuar është ajo që e ka lejuar Allahu xh.sh, dhe i Dërguari i Tij, dhe e ndaluar është ajo që e ka ndaluar Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij, kështu që njerëzve nuk u mbetet hapësirë për riformulim të ligjit sipas tekeve dhe apetiteve të tyre, qofshin ato qëllimmira apo qëllimkëqija. Çdo shtesë, mungesë ose devijim nga adhurimet e caktuar është i papranueshëm, sepse mënyra e kryerjes së adhurimeve obligative është e përcaktuar dhe e përmbyllur brenda Kuranit dhe Synetit, Pejgamberi a.s. tha: "Faluni ashtu si më shihni mua të falem!", dhe; "Merrni nga unë mënyrën e kryerjes së riteve të haxhit!"
Llojet e adhurimit ndaj Allahut xh.sh.
1. Adhurimi i imponuar; nga i cili nuk mund të shmanget besimtari e as jobesimtari, i miri e as i keqi, ajo që është e gjallë dhe ajo që është e ngurtë: (El Isra, 44); "A nuk e di për Allahun se Atij i nënshtrohet (i bën sexhde) kush është në qiej, edhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe kodrat, edhe bimët edhe shtazët, e edhe shumë njerëz, po shumë janë që dënimi është meritë e tyre. Atë që e poshtëron Allahu nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm, Allahu punon atë që dëshiron." (El Haxhxh, 18), Të gjithë janë të nënshtruar ndaj Tij në këtë pikë. Ajo që ka caktuar Allahu xh.sh. do të ndodhë, e ajo që nuk e ka caktuar Ai nuk do të ndodhë: (Ali Imran, 83).
2. Adhurimi i obliguar; i cili është sipas ligjit islam, e që nënkupton respektimin e Allahut xh.sh. dhe të Dërguarit të Tij. Ky është adhurimi që e do Allahu dhe kënaqet me të. Edhe ky lloj adhurimi nuk del jashtë vullnetit (kaderit) të Allahut, por në të ka vend edhe për vullnetin dhe lirinë e zgjedhjes nga ana e njeriut: e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë." (El Kehf, 29), kurse kthimi i të gjithëve është tek Allahu xh.sh., I Cili do t'i llogarit për veprat e tyre. Pasi që një pjesë e adhurimeve janë obligative (farze), pa të cilat nuk përmbushet Islami tek individi, njohja me këto obligime, si edhe mënyra e kryerjes së tyre po ashtu është obligim. Pesë shtyllat e Islamit: shehadeti, namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi, kanë formën, kohën, sasinë dhe veçoritë e caktuara, për të cilat duhen njohuri elementare. Ato nuk ndryshojnë me kalimin e kohës e as me ndryshimin e vendit, në to nuk ka vend për ndërhyrjen njerëzore, Ajo që është e rëndësishme sot dhe ka të bëjë me mësimin e ibadeteve është mënyra e interpretimit të tyre, Qëllimi ynë përmes këtij mësimi dhe kulturimi duhet synuar që njerëzve t'ua bëjmë të dashur Zotin e tyre, që ta adhurojnë me adhurim dashurie, falënderimi dhe pranimi, e jo adhurim ceremonial, shabllon dhe forme. T'i orientojmë ata drejt shpirtit të adhurimit, e jo vetëm formës së tij.(4)
Duke iu përkushtuar anës formale të adhurimit, duke e komplikuar, rënduar dhe stërholluar, shpeshherë ndodhë që të lihet anash përmbajtja e tij, madje debatet rreth formës kanë bërë që mes besimtarëve të lindin edhe mosmarrëveshje dhe pakënaqësi, e të cilat i kanë irrituar disa të tjerë tërësisht nga praktikimi i adhurimit, gjë kjo që nuk ka të bëjë as për së afërmi me qëllimin për të cilin njeriu obligohet me të.
Gjurmët e adhurimit në shoqërinë njerëzore
Kryerja e adhurimeve obligative paraqet respektimin e urdhrave të Krijuesit, si dhe falënderim për të mirat që Ai na dhuroi, prandaj kjo nuk tërheq pas vetes detyrimisht edhe të mira materiale të kësaj bote. Nganjëherë këto të mira edhe shfaqen në jetën tonë, por ndodh që ato edhe të mos i njohim apo të mos i kuptojmë. Disa popuj devijuan në përpjekjet e tyre për të kuptuar urtësitë në çdo detaj të ibadeteve dhe, në rastin kur nuk i kuptuan fshehtësitë e disa imtësirave të adhurimit, si te haxhi, u ankuan dhe dyshuan...(5)
Tek e fundit, ne jemi robër dhe Ai është Krijues, ne kemi nevojë për adhurimin ndaj Tij, kurse Ai nuk varet nga veprat tona të mira apo të liga: (Ali lmran, 97).
Megjithëkëtë adhurimi ndaj Allahut xh.sh. lë gjurmët më të mëdha në përmirësimin e njeriut, shoqërisë dhe tërë gjithësisë. Ndikimi i mirë në shoqëri dhe gjithësi vjen si rezultat i rregullit të cilin e ka Vënë Allahu xh.sh., dhe koordinimi dhe harmonizimi i këtij rregulli bashkë me individin e kompleton dhe e perfeksionon tërë sistemin e jetës. Kurse, e kundërta sjell të kundërtën: (Merjem, 59). Nëse njeriu largohet nga adhurimi dhe bën gjynahe e të liga, atëherë kjo sjell çrregullime mbi Tokë, për çka edhe fundi i kësaj ekzistence vjen si pasojë e të ligave të njeriut dhe mospërmendjes së Allahut xh.sh. Nisur nga ky fakt, namazi i sinqertë luan rol përmirësues dhe sigurues te njeriu, edhe nga veprimet e dëmshme dhe të pa pranueshme: (El Ankebut, 45).
Adhurimi është shkaktar edhe i stabilitetit ekonomik dhe sjell begatinë e Allahut xh.sh. mbi krijesat e Tij: "E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t'ju hapnim begati nga qielli e toka..." (El A'raf, 96).
Gjurmët e adhurimit në individin
1. Qetësia dhe kënaqësia shpirtërore: "Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun zemrat e tyre u qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen" (Err Rra'd, 28). Njëri nga të parët kishte thënë: "Për Zotin, janë të ngratë të pa vëmendshmit Dolën nga kjo dynja pa shijuar gjënë më të mirë në të". l thanë: "Ç'është më e mira në këtë botë?" Tha: "Dashuria ndaj Allahut xh.sh. dhe afërsia me Të".
2. Ushqimi i shpirtit: Është pyetur Shafiu: "A është shpirti bartës i trupit, apo trupi e bart shpirtin?" Tha: "Pa dyshim se shpirti e bartë trupin, sepse kur ai e le trupin dhe del prej tij, trupi bie si një kufomë e ngurtë dhe e pavlerë, aq sa nëse nuk varroset, ai qelbet dhe kundërmon." Ne adhurojmë Allahun xh.sh., sepse ky është ushqimi i shpirtit. Kush e njeh Atë, e do dhe i gëzohet shpirti e madje edhe trupi. Muslimani nuk ndien afërsi dhe lumturi përpos në shoqëri me Allahun xh.sh. përmes dhikrit, namazit dhe devocionit, pastaj përmes sexhdeve arrin kulmin e gëzimin.
3. Ndriçimi i fytyrës: Në fytyrat e tyre shihen (ndriçimi) shenjat e gjurmës së sexhdes..." (El Fet'h, 29).
4. Shpërblimi në botën tjetër: "S'ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra te mira, falën namazin dhe dhanë zekatin i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre, ata nuk do të kenë kurrfarë frike as brengosje." (El Bekare, 277).
Përfundim
Në fund, përgjegjësia e muslimanit të vërtetë ndaj Zotit të tij është të ketë besim të thellë dhe të sinqertë, të bëjë punë të mira dhe vazhdimisht të kërkojë kënaqësinë e Tij, të jetë rob i vërtetë i Tij, të përmbush qëllimin e ekzistimit të tij, siç e ka përkufizuar Allahu: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që te më adhurojnë." (Edh Dhariat, 56).(6)
____________________
(1) Dr. Abdulkerim Zejdan, "Bazat e Thirrjes", Botues: "Fondacioni i Rinisë Islame", Zurich. f. 47.
(2) lbn Kajjim el-Xheuzije "Rrugët e njerëzve të devotshëm", Shkup, 2008, f. 125.
(3) Dr. Jusuf Kardavi, "El lbadetu fil Islam", Bejrut, 1993, t. 157, Botimi 24.
(4) Po aty, f. 300.
(5) Po aty, f. 209.
(6) Dr. Muhammed Ali El-Hashimi, "Muslimani ideal", Prishtinë, 2008. f. 36.
Dituria Islame 295