Tregim këshillues: Kur zilia shndërrohet në urtësi

 


Na ishte njëherë e një kohë një gomar që jetonte në një fermë. Ditë për ditë i shkreti gomar shikonte se si të gjithë kujdeseshin dhe ia bënin qejfin kalit: i jepnin ushqimin më të mirë, e krihnin, e stolisnin, e ledhatonin, thjesht e shikonin si sytë e ballit.
Ndërsa ai, gomari, ngarkohej me thasë të rëndë, mbante barrë e djersë, dhe askush s'i thoshte një fjalë të mirë.
Një ditë, e morën kalin për një udhëtim të madh. Ia vunë shalën që ndriçonte si ari dhe frenat që shkëlqenin në diell. Fermeri hipi mbi të, me gjoks përpara, plot krenari dhe u largua. Gomari i hodhi një sy me zili e tha me vete:
"Eh, ç'fat i ka rënë këtij! Ç'jetë ka, sa i dashur e i nderuar është. Unë, i shkreti, vetëm punë e lodhje kam."
Por, ditët kaluan e kali nuk po kthehej. Në fermë filloi meraku. Derisa një mbrëmje, disa burra sollën kalin mbrapsht. Jo më i bukur e i fuqishëm si më parë, por i rrëzuar e i vdekur një betejë. Ferma u mbush me lot e zi.
Atëherë gomari uli kokën dhe mendoi:
"Ja pra, e kuptova. Kali kishte bukuri, nder e lavdi, por me to i erdhi edhe rreziku e shkatërrimi. Jeta ime është e thjeshtë, e rëndë ndoshta, por e sigurt dhe e qetë. Nuk më mungon gjë, veç mirënjohjes."
Dhe që nga ajo ditë, gomari s'e pati më zili kalin, por e bekoi jetën e vet të urtë e të qetë.


* * * 


Ji mirënjohës për atë që ke! Shpesh duket sikur të tjerët janë më me fat, por secili mban barrën e vet. Mos i ki zili të tjerët, se pas dukjes nuk i di kurrë sprovat e vuajtjet që fshihen.