Ali bin Ebi Talib bin Abdulmutalib bin hashim bin Abdul Menaf (600-661), djali i axhës së Pejgamberit a.s. , kishte lindur në vitin 600 m. në Mekë. Nëna e Aliut ishte Fatimja e bija e Esed ibni hashim ibni Abdu Menafit. Aliu ishte i njohur me ofiqin Ebu-el-hasan. Pas lidhjes së krushqisë me Pejgamberin a.s. (martesës së tij me të bijën e Pejgamberit a.s.), ai njihej edhe me epitetin "Ebu Sebtejn" (babai i hasanit dhe hysenit). Pejgamberi a.s., Aliut i kishte dhënë edhe një epitet tjetër - "Ebu Turab" ('njeri i dheut'). Sipas asaj që transmeton Buhariu, një ditë Aliu kishte hyrë te Fatimja, pastaj kishte dalë dhe ishte shtrirë në xhami. Pejgamberi a.s. e kishte pyetur Fatimen: "Ku është djali i xhaxhait"?. "Në xhami"-ishte përgjigjur ajo. Ai kishte shkuar dhe kishte gjetur veshur me gunë, e cila i kishte rënë nga shpina, kështu që i ishte ngjitur dheu për shpine. Atëherë kishte filluar ta pastronte nga dheu me fjalët: "Rri i qetë, o njeri prej dheu".(1) Aliu r.a. ishte i pari hashimit me origjinë të dyanshme nga hashimitët, dhe i pari halif nga beni-hashimët e i katërti me radhë nga Katër halifët e drejtë myslimanë. Aliu r.a. ishte njëri nga dijetarët dhe ligjëruesit e njohur trima. Islamin e kishte pranuar pa arritur fazën e pjekurisë. Ibni Is'haku ka thënë: "Ai atëherë kishte dhjetë vjeç, dhe ishte më i ri se Xhaferri, Akili dhe Talibi".(2) Aliu qe takuar me Pejgamberin a.s. te gjyshi i parë, Abdulmutalibi. Babai i Aliut, Ebu Talibi, e mbronte Pejgamberin a.s. nga kurejshët. Një ditë kurejshët kishin shkuar tek Ebu Talibi dhe i kishin kërkuar që t'ua dorëzonte Muhamedin a.s., e ata në vend të tij do t'i jepnin një djalë tjetër. Ebu Talibi kishte shprehur çudinë dhe kishte thënë: "Ju më jepni djalin tuaj që ta ushqej e ta rris dhe kërkoni të ma merrni djalin tim e ta vrisni?!" Ebu Talibi u qëndroi fjalëve të veta deri në vdekje, duke e përkrahur dhe mbështetur Pejgamberin a.s. gjithnjë. I dërguari i Allahut xh.sh. kishte kërkuar prej tij të thoshte një fjalë për ta ndihmuar atë tek Allahu, duke i thënë: "Thuaj një fjalë me të cilën të mundohem të të ndihmoj tek Allahu. Thuaj "La ilahe il-la Allah, Muhamedu Resulullah". Ebu Talibi tha: "Jo, pasha Allahun, se mos do të thonë arabët që kam lënë fenë e të parëve të mi".Nëna e Aliut ishte Fatime bint Esed bint hashimi. Ajo u takua me Pejgamberin a.s. te gjyshi i dytë.
Aliu, sikur e thamë, ishte halifi i parë nga beni hashimët. Fatime bint Esedi kishte pranuar Islamin dhe kishte emigruar në Medinë dhe atje vdiq. Namazin e xhenazes së saj e pati falur Pejgamberi a.s.. Ai vetë kishte zbritur në varrin e saj, e kishte mbështjellë me këmishën e tij dhe e kishte lëshuar në varr e kishte thënë:
"Pasha Allahun, nuk kam parë ndonjë njeri që më ka bërë mirë si kjo grua, pas Ebu Talibit". Ajo e kishte rritur Pejgamberin a.s. dhe ishte shumë e dashur. Para se t'i vinte Shpallja, Pejgamberi a.s. ishte përkujdesur për Aliun, sepse Kurejshët në atë kohë jetonin në kushte të vështira ekonomike, dhe sidomos Ebu Talibi, i cili kishte familje të madhe dhe shumë fëmijë, sa kohë që kishte fare pak pasuri. Kjo ishte arsyeja pse Pejgamberi a.s. e kishte marrë nën përkujdesje Aliun, kurse Abasi e kishte marrë Xhaferrin derisa të përmirësohej gjendja ekonomike e tij. Aliu r.a. ishte prej të parëve që kishte bërë emigrim në Medinë. Ai përjetoi luftërat e Bedrit, Uhudit, hendekut, Bej`atu Ridvan, Tebukun, etj., të gjitha këto ngjarje të rëndësishme në të cilat kishte marrë pjesë në krah të Pejgamberit a.s., shpesh duke qenë edhe bartës i flamurit islam. Pejgamberi a.s. ishte shumë i vëllazëruar me Aliun, ashtu siç ishte vëllazëruar me muhaxhirët e tjerë dhe me ensarët, kur ishte shpërngulur në Medinë. Ai a.s. në një rast i kishte thënë Aliut: "Ti je vëllai im në këtë botë dhe në Botën tjetër".(3) Aliu r.a. ishte prej dhjetë besimtarëve, të cilëve u ishte premtuar Xheneti, dhe është një prej shkruesve të Shpalljes dhe personi që ka transmetuar më se 580 hadithe të Pejgamberit a.s..


Bashkëshortet e tij


Aliu r.a. gjatë jetës së vet kishte gjithsej 10 gra. Ato ishin: E para ishte Fatimja, e bija e Pejgamberit a.s., pastaj havletul bint Xhafer bin Kajs bin Mesleme, Lejla bint Mes`ud bin halid , Ummu Benin bint hazam bin halid, Umu veled, Esma bint Umejse El-huthejmije, Sehba umu habib bint Rebiatu, Emametu bint Ebi El-As bin Rr-ebi bin Abdul Aza, Umu Seid bint Urvetu bin Mes`ud, dhe Muhaja bint Umul-Kajs bin Udej.
Për sa i përket Fatimes, bijës së Pejgamberit a.s., ajo ishte zonjë e të gjitha grave të botës, ashtu si dhe Merjemja, bija e Imranit. Fatimja dhe vajza tjetër e Pejgamberit a.s., Ummu Kulthum, ishin ndër vajzat më të reja të Pejgamberit a.s.. Kur u martua Aliu me Fatimen, ajo kishte 15 vjet e 5 muaj.(4) Bejhekiu në "Delail" transmeton nga Aliu r.a., dhe thotë: "Dikush e kishte kërkuar Fatimen për fejesë tek i Dërguari i Allahut (a.s.). Një shërbëtore imja më tha: A e di se e kemi kërkuar Fatimen për fejesë, e unë i thash - jo. Ajo tha: Përse nuk shkon ta kërkosh për vete? I thashë: Po unë s'kam pasuri. Ajo tha: Nëse do ta kërkosh, ai do të ta japë Fatimen. Ajo vazhdoi të më nxiste, derisa shkova te Pejgamberi a.s. dhe, kur u ula, m`u mbyll goja e nuk munda të flas nga respekti ndaj tij. Pejgamberi më pyeti: Ç`të ka sjellë, a mos ke ndonjë nevojë? Unë heshta, kurse ai tha: Ndoshta ke ardhur të kërkosh Fatimen? I thash: po po. Ai tha: A ke ndonjë pasuri? I thashë - jo. Ai tha: Ku e ke mburojën që ta kam dhënë, se vallahi ajo thyen shpata dhe vlen 400 dërhemë! I thashë - e kam. E ai më tha: Ta dhashë Fatimen dhe këtë jepja si mehër. Ky ishte mehri i Fatimes, bijës së Pejgamberit a.s., në fillim". Këtë hadith e transmeton gjithashtu ed-devlabi në Edhurie Et-Tahire, siç është në Kenzul-ummal.Taberaniu transmeton se Burejde thotë: "Disa nga ensarët i thanë Aliut r.a. që të fejohej me Fatimen dhe ai shkoi te Pejgamberi a.s., i cili i tha: "Çfarë nevoje ka Ali ibn Ebi Talibi"? Tha: "O i dërguar i Allahut, unë përmenda Fatimen, bijën e të dërguarit të Allahut". Pejgamberi a.s. tha: "Mirë se ke ardhur". Pasi ia dha Fatimen, i tha Aliut se duhej të bënte dasmë. Seadi r.a. tha: Kam një dash dhe ensarët i shtuan një sasi misri. Natën e dasmës Pejgamberi a.s. i tha Aliut: "Mos bëj asgjë derisa të më takosh mua". Ai kërkoi të sillnin pak ujë, nga i cili mori abdes e pastaj ia hodhi Aliut duke thënë: "O Zot, bekoji të dy dhe bekoje martesën e tyre".(5)
Sipas hajdhemiut, këtë hadith e transmetojnë edhe Taberani dhe Bezari. Po ashtu sipas tij, një grup ensarësh i thanë Aliut: "Sikur të martohesh me Fatimen", e në fund të hadithit thotë: "O Zot, bekoji ata të dy dhe bekoje bashkimin e tyre". Transmetues janë po ata të Sahihut, vetëmse Abdul Kerim ibn Selit ibn hibani e forcon përafërsisht në të njëjtën mënyrë. hadithin e transmetojnë edhe Ruvejani dhe ibn Asakiri, siç transmetohet në "Kenz", por hadithi thotë: "O Zot, bekoji ata të dy, bekoje martesën e tyre dhe bekoji pasardhësit e tyre". Kur u martua Fatimja me Aliun, nuk kishin në shtëpi përveçse një rrogoz të shtrirë dhe një jastëk. Pejgamberi a.s. dërgoi dikë dhe i tha të mos vepronte asgjë, derisa të shkonte vetë Pejgamberi a.s. aty. Erdhi Pejgamberi a.s. dhe tha: "A është këtu vëllai im?" Ummu Ejmen r.a., e cila ishte nëna e Usame ibn Zejdit r.a. nga Etiopia, dhe grua e mirë, tha: "O I dërguar i Allahut. Ky është vëllai yt dhe gruaja e tij është vajza jote". Pejgamberi a.s. tha: "Po, ashtu është, o Ummu Ejmen". (Pas migrimit Pejgamberi a.s. dhe Aliu ishin vëllazëruar.) Pastaj kërkoi një enë me ujë, tha ç`deshi të thoshte dhe, me dorën e tij fshiu gjoksin e fytyrën e Aliut r.a. dhe pastaj bëri një dua"...e pastaj me të fërkoi kraharorin e Aliut dhe fytyrën e tij. U lut përsëri e pastaj drejt tij shkoi Fatimja, e cila ecte e ndrojtur. Edhe asaj i hodhi ca ujë përsipër, u lut për të dhe tha: "Unë vetë nuk kam lënë gjë mangu, sepse të kam dhënë për t'u martuar me njeriun më të dashur të familjes sime". Pas perdes pa diçka të zezë dhe pyeti: "Kush është"? "Esma jam"!- u dëgjua një zë. "Esma bin Umejs"?-pyeti i Dërguari (a.s.). "Po, o i Dërguar i Allahut",- iu përgjigj ajo. "A paske ardhur për respekt të Pejgamberit"?- e pyeti Muhamedi s.a. "Po- i tha ajo. - Natën e martesës vajza ka nevojë që të ketë afër një grua. Ta ndihmojë, nëse i nevojitet diçka". Esma tregon:"Dhe i dërguari u lut për mua, gjë që më bëri edhe më të fortë në punë. Pastaj i tha Aliut: Afroje pranë shoqen tënde"! Duke u larguar, lutej për ta dhe kështu bëri derisa arriti në shtëpi". Në një transmetim po nga Esma bint Umejs, shënohet se ajo ka thënë: "Isha në dasmën e Fatimes r.a., bijës së të Dërguarit (s.a.). Kur u zbardh, erdhi i Dërguari (s.a.), trokiti te dera dhe Ummu Ejmen u ngrit për t`ia hapur. I Dërguari (s.a.) i tha: Ummu Ejmen! Ma thirr vëllain tim! Ajo e habitur pyeti: vëllai yt, e ti e ke martuar vajzën me të?! Po i Dërguari i tha përsëri: O Ummu Ejmen! Ma thirr! Gratë e dëgjuan zërin e të Dërguarit (s.a.) dhe lëvizën. Ai u ul në një skaj dhe pas pak erdhi Aliu r.a.. I Dërguari u lut për të dhe e fërkoi me ujë. Pastaj tha: Ma thirrni edhe Fatimen. Ajo erdhi e mbledhur e ndrojtur. I Dërguari iu drejtua: hesht, se të kam zgjedhur për burrë njeriun më të dashur për mua!" hejthemiu thotë: "Të gjitha i transmeton Taberaniu". Transmetuesit e hadithit të parë janë transmetues hadithesh të sakta. Fatimja r.a., e bija e Pejgamberit a.s., konsiderohet njëra ndër zonjat më të mira nga të gjitha gratë e tjera, duke e krahasuar me Merjemen, të bijën e Imranit. Fatimja dhe vajza tjetër e Pejgamberit a.s. - Umu Kulthum, ishin më të rejat nga vajzat e Pejgamberit a.s.. Fatimja r.a. ishte më e dashura nga të gjithë njerëzit tjerë edhe për vetë Pejgamberin a.s.. Martesa e saj me Aliun r.a. kishte ndodhur pas luftës së Uhudit. Sipas transmetimeve më të sakta, Fatimja kishte vdekur 6 muaj pas Pejgamberit a.s. dhe varri i saj ishte i pari në Islam. Pas vdekjes, Aliu r.a. ishte lutur për të dhe kishte rekomanduar që varrimi i saj të bëhej në mbrëmje, dhe ashtu kishte ndodhur. Fatimen r.a. në varr e kishin lëshuar Aliu, Abasi dhe Fudel bin Abas. Ajo kishte vdekur në moshën 29 vjeç.(6) Transmetohet se Aliu r.a., kur bashkëshortja e tij Fatimja, ishte varrosur afër Pejgamberit a.s, i qe drejtuar me këto fjalë: "Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë për ju, o i Dërguari i Allahut, nga unë dhe nga bija jote e varrosur pranë teje, e cila të pasoi shumë shpejt në Botën tjetër... Ne jemi të Zotit dhe tek Ai do të rikthehemi..."(7)


Fëmijët e tij


Ndërkaq, fëmijët e Aliut r.a. ishin: hasani, husejni, Zejnebja (e madhja), Umu Kulthum e (madhja). Këta i kishte lindur me Fatimen r.a.; Muhamedin (e madh) me epitetin "Ibn hanefi" e kishte me havle; Ubejdullahun dhe Ebu Bekrin me Lejlen; Abasin (e madh), Uthmanin dhe Xhaferrin (e madh) dhe Abdullahun - me Umu Benine; Muhamedin (e vogël) me Umu veled, Jahjain dhe Avniun - me Esma bint Umejsen; Umerin (e madh) dhe Rukijen - me Suhbanë; Muhamedin (e mesëm) me Emamen; Umu hasan dhe Remlen (e madhe) me Umu Seiden; Umu hanae, Mejmunetu Zejneb (e vogla), Remletu (e vogla), Umu Kulthum (e vogla), Fatimja, Emameh, hatixhja, Umul Kiram, Umu Selve, Umu Xhafer, Xhemaneh, Nefise dhe Lemtesen - me Muhjah. Sipas ibni Seadit, Aliu r.a. kishte gjithsej 14 djem e 19 vajza.(8)


Veçoritë e Aliut


Ibni Mes`ud nga ibni S`adi Ed-Dabiu r.a. transmeton: "Ishte burrë trupmesëm, shpatullgjerë dhe mjekërgjatë. Ai që e shikonte, mendonte se ishte ngjyrë esmere, mirëpo, kur afrohej, e kuptonte se ishte më afër ngjyrë hiri". Pamjen e tij fizike e kanë përmendur edhe shumë historianë, të cilët deklarojnë se muskujt e duarve të tij ishin jashtëzakonisht të mëdhenj dhe se në pjesën e kokës përpara ishte pa flokë, si dhe kishte mjekër të bardhë, e cila mbulonte hapësirën midis krahëve. Përshkrimin më të mirë për aliun e hasim te Dirar Es-Suddai, të cilit një ditë Muaviu i kishte thënë: "Ma përshkruaj Aliun!" Ai ishte përgjigjur: "Më kurse prej kësaj, o prijës i besimtarëve"! Muaviu i tha: "Duhet ta përshkruash"! Dirari pastaj tha: "Ishte trupmadh, shumë i fuqishëm, fliste qartë dhe gjykonte drejt, kurse prej tij buronin dituria dhe urtësia. Nga kjo botë dhe bukuritë e saj ka ikur si pa kokë, kurse donte natën dhe pagjumësinë në të. Kishte marrë shumë mësime duke përsiatur gjatë, duke u penduar dhe duke bërë dua. I parapëlqente rrobat e shkurtra dhe ushqimin modest; ishte si çdonjëri prej nesh. Kur i afroheshim, na afrohej, nëse e pyesnim - përgjigjej, e nëse kërkonim ndonjë informacion - na informonte. Për Allahun, mezi mund të flisnim me të për shkak të afrisë së tij me ne dhe nga respekti ndaj tij. Kur qeshte, i shfaqeshin dhëmbët si xhevahire të renditura. I donte njerëzit e ditur dhe ishte i afërt me të varfrit. I forti nuk kishte shpresë se do ta tërhiqte nga e pavërteta dhe padrejtësia, kurse i dobëti nuk ndihej i humbur para Aliut, kur ishte fjala për drejtësinë. Allahun e kam dëshmitar se një herë e kam parë të përkulur në mihrab duke mbajtur mjekrën, ndërsa nata kishte lëshuar perdet e veta dhe yjet ishin fshehur, duke pëshpëritur dhe duke qarë si ai që është kapluar nga pikëllimi. Ai pati deklaruar: "O dynja, mashtro ndonjë tjetër! Pse më ke zgjedhur mua? Pse më josh mua? Larg qofsh! Të kam shkurorëzuar tri herë dhe nuk ka kthim prapa. Koha jote është e shkurtër, shoqërimi me ty nuk ka vlerë dhe ti je fare e parëndësishme. Mjerë unë, i mjeri, për shkak të mungesës së furnizimit, gjatësisë së udhëtimit dhe vështirësisë së rrugës"! Pasi dëgjoi këtë, Muaviu ia plasi vajit dhe tha: "Allahu të mëshiroftë, o ibni hasan, për Allahun, ashtu ka qenë! O Dirar, sa është pikëllimi yt për të"? Ai u përgjigj: "Pikëllimi im për të është sa i nënës, së cilës ia kanë prerë fëmijën e vetëm në prehrin e saj, lotët e së cilës kanë shteruar e pikëllimin nuk e duron dot".(9) Aliu r.a. kishte dhe shumë veçori të tjera. Në rend të parë ai ka qenë i afërt i Pejgamberit a.s., edhe nga farefisi edhe nga shpirti e zemra dhe kauza. Në vazhdim do të përmendim disa nga veçoritë e karakterit të tij, të theksuara në sahihun e Buhariut.(10) Pejgamberi a.s. në një rast i kishte thënë: "Ti je imi, unë jam yti". Umeri r.a. i kishte thënë: "Pejgamberi a.s. ka vdekur duke qenë i kënaqur me të (Aliun)". Në një rast tjetër, Pejgamberi a.s. i kishte thënë: "Ti je vëllai im në këtë botë (dynja) dhe në Botën tjetër (Ahiret)"(11). Gjithashtu na është e njohur se Aliu ishte prej grupit të dhjetë personave të cilëve u ishte premtuar Xheneti, dhe prej shkruesve të Kuranit e prej transmetuesve të haditheve. Ai ka transmetuar më se 580 hadithe të Pejgamberit a.s.. Kur Pejgamberi a.s. e kishte emëruar prijës të Medinës, para luftës në Tebuk, Aliut i kishte ardhur shumë rëndë që nuk mund të merrte pjesë me ashabët, prandaj Pejgamberi a.s. i tha: "A nuk je i kënaqur të kesh pozitë tek unë, sikur kishte haruni te Musai"?
_______________________________
(1). Hajrullah Tilfah, Ali bin Ebi Talib, botimi i 115, Bagdad,1982, f.9.
(2). Fet'hul-Bari, 7/70.
(3). hajrulla Tilfah, ibid, f.10.
(4). Po aty.
(5). hasan Ejub, Katër halifët e drejtë, ShB "Furkan ism"- Shkup, 2003. (titulli origjinal: El-hulefaur-rashidin).
(6). hajrulla Tilfah, ibid, f.11.
(7). Po aty.
(8). Po aty. f.12.
(9). "Udhamauna fit-tarih", f.186.
(10). Fet-hul-Bari, 7/70.
(11). hajrullah Tilfah, f.10.


 


Dituria Islame 246