Feja islame, e cila u përhap në shumicën e vendeve të botës në shekujt 7 e 8, përmban ligje dhe udhëzime se ç'është e lejuar dhe ç'është e ndaluar të punohet, duke përfshirë edhe sferën e aktiviteteve ekonomike. Paraqitja e bankimit dhe financave islame prezanton një afirmim dhe përkushtim të ligjeve islame në fushën komerciale. Financat islame gjithnjë e më shumë e sfidojnë ligjin komercial konvencional, edhe pse ky i fundit ka një shtrirje më të gjerë dhe është bërë më i pranuar. Ballafaqimi apo sfida vjen në dy gjëra esenciale: e para, në supozimin se tradita komerciale moderne është më efeciente dhe superiore, dhe e dyta, se ideja shekullare e ndarjes së çështjeve komerciale nga çështjet fetare dhe e devotshmërisë janë më produktive. Ligji klasik islam ofron një komplet ligjesh mbi kontratat komerciale, të cilat janë të ndërlidhura ngushtë me bazat fetare. Me termin ligji 'klasik' nënkuptohet ligji i cili është shkruar nga dijetarët e hershëm në shekujt 8 e 9, para se të ndodhte transformimi perëndimor.(1)
Aplikimi i ligjit fetar islam (Sheriatit dhe fikhut) në sektorin komercial modern, u jep një formë bankimit dhe financave islame dhe e dallon atë nga sistemi konvencional. Ligji hyjnor në vetvete, ashtu siç është zbritur në Kuran dhe Synet, quhet Sheriat. Fjala 'sheriat' në kuptimit gjuhësor domethënë 'rrugë', Sheriati është një kornizë ligjore, në të cilën janë të rregulluara aspektet private dhe publike të jetës. Ai merret me të gjitha aspektet e jetës së përditshme, përfshirë ato politike, ekonomike, bankare, biznesore, kontraktuese, çështjet familjare dhe shoqërore. Angazhimi i njeriut për ta kuptuar këtë ligj hyjnor, quhet fikh (jurisprudencë islame) që gjuhësisht do të thotë 'të kuptuarit'. Shumë studiues nuk bëjnë dallim në mes Sheriatit dhe fikhut (jurisprudencës islame); ata mendojnë se fikhu është e vetmja rrugë valide për ta kuptuar Sheriatin. Kur përmendim në këtë punim ligjin islam dhe dallimet në opinione, kemi për qellim fikhun, gjegjësisht të kuptuarit dhe interpretimet e ndryshme të dijetarëve rreth çështjeve të fikut, dhe jo Sheriatin. Bankimi islam nuk do të gjente mundësinë kurrë që të shfaqej si një dukuri, në të cilën është shfaqur me dallime esenciale në botëkuptim dhe aplikim të metodave dhe teknikave financiare në mes të sistemit financiar islam dhe atij konvencional, sikur ligji klasik të mos e kishte autoritetin dhe prestigjin që ka rreth konceptit të këtij sistemi si tërësi. Rritja e zhvillimit të kësaj fushe, interesimi në studim dhe biznes është shtyrë nga dëshira për të mos e zëvendësuar ligjin klasik, po për ta aplikuar atë drejt duke ia përshtatur ligjit modern, pa ndryshuar asgjë nga normat e tij. Interpretimi i drejtë i ligjit të Zotit në lidhje me ligjet financiare, shpie drejt shpërblimit dhe ngritjes morale, financiare dhe shoqërore, duke i ofruar botës qartësi në superioritetin e normave islame duke qenë të përshtatshme dhe konkurrente me kohën bashkëkohore.
Punimet teorike në fushën e ekonomisë dhe financave islame
Bankimi dhe financat islame, ashtu siç është thënë edhe më herët, nuk është një zbulim i shekullit 20, edhe pse bankat e para islame u paraqitën në skenë si biznese të regjistruara për ndërmarrjen e biznesit bankar në këtë shekull. Biznesi i bankimit islam bazohet në rregullat që burojnë nga Kurani dhe Syneti, prandaj paraqitja e bankave islame është shtyrë nga dëshira e myslimanëve për ta aplikuar ligjin e Sheriatit edhe në bankim e financa njësoj si në aspektet e tjera jetësore. Prandaj, sfera financiare tani për tani është fusha me risitë dhe zhvillimet më të shumta në ligjin islam në lidhje me ekonominë islame. Ka pasur shkrime teorike rreth financave islame që nga vitet 1940, përqendrimi nuk ka qenë vetëm në f inanca, po dhe në sistemin ekonomik në përgjithësi. Shkrimet ishin më shumë kritika ndaj sistemit ekonomik kapitalist dhe ndaj atij socialist, duke i numëruar dobësitë e të dyja sistemeve për shoqërinë si tërësi. Kritikat rreth atyre sistemeve janë vazhduar duke përmendur të mirat e një sistemi ekonomik, të bazuar në vlera islame, të cilat përfshijnë moderim në konsumim, prodhim, ndihmë ndaj të varfërve, ndalimin e shpenzimit të tepërt dhe promovimin e drejtësisë.(2)
Aktivitetet ekonomike dhe shoqërore janë bazuar në ligjet hyjnore, teoria ekonomike islame në përgjithësi është zhvilluar nga hipoteza që është nxjerrë nga Sheriati në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi. Rregullat ekonomike duhet t'i dorëzohen testit të rregullave të përgjithshme apo maksimave legale dhe kritereve të caktuara sipas Sheriatit. Të gjithë dijetarët që i takojnë fushës së ekonomisë islame, besojnë se ekonomia, sikurse aspektet e tjera të jetës, mund dhe duhet të nxirret nga ligjet, të cilat burojnë nga burimet e Sheriatit duke i shtuar edhe interpretimin e ekspertëve të kësaj fushe, duke bërë modifikime për t'iu përshtatur nevojave të kohës.(3)
Por, ka edhe të tjerë që limitojnë përfshirjen e arsyes dhe diskrecionit të njeriut, por shumica e juristëve myslimanë argumentojnë se është shumë e nevojshme për interpretimin e ligjeve dhe përdorimin e arsyes (ixhtihadit), sepse burimet kryesore islame nuk përmbajnë informata të mjaftueshme të drejtpërdrejta për ndërtimin e një sistemi ekonomik integrues, që do të ishte në gjendje të zgjidhte problemet aktuale ekonomike, posaçërisht zbulimet a inovacionet në financa. Ligji islam, kur ka të bëhet me çështjen e transaksioneve muamalat dhe marrëdhënieve njerëzore, funksionon në parimin se çdo gjë është e lejuar përderisa gjendet ndonjë argument që vërteton ndalimin. Bazuar në këtë fakt, është bërë zhvillimi dhe ndërtimi i një sistemi ekonomik që operon sipas normave islame, përfshirë këtu edhe financat.
Kontribut të madh në këtë lëmë kanë dhënë juristët myslimanë, të cilët, përveç njohjes së fikut, kanë pasur njohuri edhe rreth transaksioneve ekonomike dhe kanë treguar se ç'është e lejuar të punohet, duke ofruar zgjidhje që nuk bie ndesh me ligjet e Sheriatit. ekonomistët myslimanë dhe ekspertët e sheriatit kanë dhënë një kontribut të madh me shkrimet e tyre rreth financave islame, në përgjithësi, dhe bankimit në veçanti, para fillimit të operimit të bankave islame. Shkrimet e para ishin vetëm një teori, në mënyrë ideale rreth strukturës dhe operimit të bankave islame dhe mundësinë e prurjes së tyre në realitet. Bankimi islam u paraqit si një sistem bankimi me produkte dhe shërbime moderne bankare në fillim të viteve 1960. Zhvillimi i institucioneve financiare islame po vazhdon dhe gjithmonë ndodhin risi në produkte dhe shërbime të ofruara nga bankat islame. Kjo dëshmon nevojën për ixhtihad, për t'iu përgjigjur nevojave dhe sfidave të kohës për myslimanët dhe konkurrencës së këtij tregu.(4)
Islami nuk është rezultat i një procesi evolutiv, i cili ka rezultuar nga ndryshimet prej shoqërisë arabe në kohën paraislame, veçse është një sistem jete i zbritur nga Allahu i Madhërishëm për njerëzit, i cili i ndryshoi a modifikoi të gjitha aspektet e jetës, të cilat kishin ekzistuar deri në atë kohë. aktivitetet e kohës paraislame, të cilat ishin në kundërshtim me mësimet islame, u anuluan dhe u zëvendësuan me të tjera dhe atyre që nuk ishin në kundërshtim, iu dha legjitimiteti dhe mbështetja. Të shtyrë nga këto forca, financat dhe bankimi islam janë sferat në të cilat ligji islam bashkëkohor është duke u zhvilluar me një shpejtësi të madhe dhe të pastër. Avancime të mëdha dhe shumë mbresëlënëse tashmë kanë ndodhur, shpejtësia dhe madhësia e këtyre aktiviteteve është në rritje të vazhdueshme. Ligji islam mbi financat ka një elasticitet dhe mund të zhvillohet edhe më shumë pasi studimet rreth produkteve bankare janë në rritje për shkak të nevojës për t'u përballur me nevojat dhe kërkesat e çdo kohe. Në përfundim, mund të themi se korniza ligjore e sistemit financiar islam është e mbështetur në ligjet të cilat dalin nga burimet kryesore të Islamit, nga të njëjtat burime pa pasur ndonjë ndryshim, por kontribut i dijetarëve të kohës moderne është kuptimi dhe zbërthimi i këtyre ligjeve për t'i bërë të aplikueshme për kohën kur jetojmë.
____________________
(1) Frank E. vogel & Samuel L. hayes, Islamic Law and Finance: Religion, Risk and Return (The hague: Kluwer Law International, 1998), f. 19-22.
(2) Bala Shanmungam & Nafis Alam, "Evolution of Islamic Finance: Prospects and Problems", Islamic Finance: The Challenges Ahead, edituar nga Nafis Alam and Bala Shanmungam, (Serdang: University Putra Malaysia Press, 2007) f. 4-5.
(3) Farhad Nomani & Ali Rahnema, Islamic Economic System, (Kuala Lumpur: Business Information Press, 1995), f. 43-44.
(4) Samir Abid Shaikh, "Islamic Banks and Financial Institutions: A Survey", Journal of Muslim Minority Affairs, vol. 17, No. 1, 1997, f. 117.
Dituria Islame 246