Kur e kishte bërë hixhretin në Medinë, Aliu r.a. kishte mbushur 23 vjeç. Menjëherë pas hixhretit të Pejgamberit a.s. dhe të ashabëve të tij të tjerë, në vitin e dytë h. filluan konfliktet e para ushtarake mes myslimanëve dhe mushrikëve kurejshë. Beteja e parë luftarake dhe fizike që u zhvillua ndërmjet myslimanëve dhe mushrikëve kurejshë, ishte ajo e Bedrit. Në betejën e madhe të Bedrit, Aliu r.a. luftoi me heroizëm të vërtetë kundër kundërshtarëve kurejshë. Ai në këtë betejë vrau Velid bin Utben (i cili ishte nga armiqtë më të mëdhenj të Pejgamberit a.s.) dhe mori pjesë, së bashku me axhën e tij, Hamzën r.a., në vrasjen e Utbe bin Rebias. Aliu r.a. në betejën e Bedrit, së bashku me Hamzën r.a., kishin pushtuar çdo hapësirë të fushëbetejës, duke marrë pjesë në çdo duel të vështirë me kundërshtarin. Ata luftonin si luanë të vërtetë në çdo betejë të myslimanëve. Në betejën e Bedrit, Pejgamberi a.s. ndanë ushtrinë myslimane në dy çeta, në atë të Muhaxhirëve dhe në atë të ensarëve. komandant i Çetës së muhaxhirëve ishte Aliu r.a., ndërsa i Çetës së Ensarëve - S`ad bin Muadhi. flamurin dhe komandën kryesore e kishte Mus`ab bin Umejr, kurse komanda e përgjithshme ishte në duart e Pejgamberit a.s.. Në betejën e Bedrit pas Pejgamberit a.s. qëndronin edhe dy flamuj, njërin e bartte Aliu r.a., i cili quhej "El-Akab" (flamuri i krenarisë), dhe tjetrin e mbanin Ensarët. Edhe në luftën e Uhudit Aliu r.a. ishte mjaft aktiv si udhëheqës dhe si luftëtar. Në Uhud Aliu r.a. ishte komandant i krahut të djathtë. Hamza, xhaxhai i Pejgamberit a.s., kishte këmbëngulur që ta vriste flamurtarin e mushrikëve Kurejshë, ngase kur vritet flamurtari, zakonisht bie morali dhe ushtria humb betejën. Mushrikët kishin përgatitur njëmbëdhjetë Kurejshë për ta mbajtur flamurin. Gjatë zhvillimit të betejës së Uhudit, Hamza r.a. depërtoi thellë në brendi të ushtrisë kurejshe dhe kishte vrarë katër flamurmbajtës. Kur Aliu r.a. pa se ai donte të vriste edhe të pestin, e përbeu që t`ia linte atij. Pastaj vranë edhe dy të tjerë pas tij. Ende pa përfunduar beteja, kur myslimanët filluan të tërhiqeshin për shkak të largimit të grupit që duhej të qëndronte në kodër, siç i kishte komanduar dhe porositur Pejgamberi a.s., Aliu r.a. kishte qëndruar në ballë të njëzet vetave në krahun e djathtë për të mbrojtur Pejgamberin a.s.. Aty Aliu r.a. u plagos rëndë. Siç është e njohur nga burimet e historisë islame, myslimanët e kishin humbur betejën për shkak se 40 myslimanë nuk kishin respektuar urdhrin e Pejgamberit a.s.. Në betejën e Uhudit ishte ngritur Talha bin Uthmani dhe kishte thënë: "O familja (përkrahësit) e shokëve të Muhamedit! Ju po pretendoni (deklaroni) se me të vërtetë All-llahu me shpatat tuaja do të na përshpejtojë për në Xhehnem, dhe ju me shpatat tona ju përshpejton për në Xhenet, a ka ndonjë nga ju që nga shpata ime All-llahu do ta përshpejtojë për në Xhenet, apo nga shpata e tij Allahu të më përshpejtojë mua për në Xhehenem? Qe ngritur Ali bin Ebi Talibi dhe i paskësh thënë: "Pasha atë në dorën e të Cilit është jeta ime, nuk do të ndahem (largohem) nga ti derisa të të përshpejtoj ty me shpatën time për në Xhehenem, ose të më përshpejtosh mua me shpatën tënde për në Xhenet", dhe e goditi Aliu r.a. e ia preu këmbët e iu zbuluan pjesët intime të trupit. Aliu r.a. i tha: "Të ndihmoftë dhe të mëshiroftë Allahu, o djali i xhaxhait tim", dhe e liroi. Pejgamberi a.s. me këtë rast thirri tekbir, ndërsa shokët tjerë i thanë Aliut: "Ç'të shtyri që e lirove"? Aliu r.a. u tha se qe ndier keq ndaj djalit të xhaxhait.
Roli i Aliut r.a. në Luftën e Hendekut e të Hajberit dhe në Marrëveshjen e Hudejbisë
Në betejën e Hendekut kur kalorësit kurejshë po përgatiteshin për luftë dhe po manovronin përballë Hendekut, për një moment ata kaluan në anën e kundërt të Hendekut në drejtim të ushtrisë myslimane. Pranë tyre papritmas u paraqit Aliu r.a. me disa myslimanë tjerë. Doli njëri prej luftëtarëve më të rrezikshëm arabë kundër myslimanëve që quhej Amër bin Abdu, i cili kishte luftuar në betejën e Bedrit derisa ishte plagosur rëndë, saqë nuk kishte mundur të merrte pjesë në luftën e Uhudit. Në ditën e luftës së hendekut amri, edhe pse i shtyrë në moshë, me kalin e vet doli përballë Aliut r.a. në fushëbetejë. Aliu r.a. kërkoi nga Pejgamberi a.s. që ta lejonte t`i dilte në dyluftim Amrit. Pejgamberi a.s. tha të rrinte ulur, sepse ai (Amri ) ishte luftëtar i denjë. Amri vazhdonte t'i provokonte myslimanët e Aliu vazhdimisht i kërkonte leje Pejgamberit a.s. që të dilte në dyluftim. Pasi Amri nënçmoi dhe provokoi Aliun r.a., ai nuk priti më, u ngrit dhe iu lut Pejgamberit a.s. që t`i jepte leje t'i dilte në dyluftim. Pejgamberi a.s. i tha: "Dil, o Ali!"Kur Aliu r.a. doli në dyluftim, Amri i tha: "Kush je ti?" Ky u përgjigj: "Ali bin Ebi Talibi". Amri ia ktheu: "Babai yt ka qenë shok imi, prandaj nuk dua të luftoj". Aliu ia ktheu: "unë dua të të vras ty, por, para se të të vras, po të jap mundësi të zgjedhësh: ose të pranosh Islamin dhe të deklarosh "LA ILAHE IL-LA LLAH, MUHAMEDIN RESULALLAH", ose të ta pres kokën". Me këtë rast Amri shpërtheu nga hidhërimi duke zbritur nga kali i tij, atë e qëlloi me shpatë, kurse veten me shuplakë. Amri e qëlloi Aliun me një të rënë të furishme, por Aliu r.a. u mbrojt me mjeshtëri me mburojën e tij. Ata vazhduan luftën e ashpër, saqë rreth tyre u ngrit një pluhur i madh dhe nuk shiheshin në mes veti. Papritmas u dëgjua një zë i lartë duke thirrur: "Allahu Ekber!". Nuk u afrua askush në drejtim të zërit nga frika se mos ishte Amri ende gjallë. Kur ra pluhuri, u vërejt Aliu r.a., që në dorë mbante kokën e Amrit, të cilën e gjuajti në drejtim të Pejgamberit a.s.. Ashabët u interesuan përse nuk ia mori mburojën Amrit, meqë mburoja e tij ishte shumë e famshme në mesin e arabëve, por Aliu u arsyetua: "Armiku i Zotit u rrëzua keq, saqë iu zbuluan vendet e turpshme e mua më erdhi keq të afrohesha. Prandaj ia mora kokën".
Në betejën e Hajberit Pejgamberi a.s. ia kishte dhënë f lamurin e ushtrisë myslimane Aliut r.a.. Pejgamberi a.s. flamurin ia kishte dhënë Ebu Bekrit i cili nuk pati sukses. Para Aliut r.a. flamurin e myslimanëve, Pejgamberi a.s. ia kishte dhënë edhe Umerit r.a., por edhe ai nuk pati sukses. Pasi Pejgamberi dyshoi që morali i luftës në mesin e myslimanëve mund të binte, ai vendosi të lartësonte moralin e tyre duke u dhënë fuqi myslimanëve, kur tha: "Nesër flamurin do t`ia jap një burri që E do Allahun dhe Pejgamberin e Tij dhe atë e do Allahu dhe Pejgamberi i tij". Secili nga ashabët filloi të shpresonte se flamuri do t`i takonte atij. Pas faljes së namazit të sabahut, Pejgamberi a.s. pyeti se ku ishte Aliu r.a. "Ja ku është, i thanë, - o Pejgamberi i Allahut, por po ankohet se i dhemb syri". Pejgamberi a.s. ia fshiu sytë me dorën e tij fisnike dhe Allahu xh.sh. ia shëroi sytë. Pas kësaj, Pejgamberi a.s. ia dha flamurin e i tha: "Merre flamurin, se, me ndihmën e Allahut, do të të hapen kalatë. Vazhdo rrugën e mos shiko anash". Aliu r.a., pasi mori flamurin dhe u nis në drejtim të Hajberit e arriti deri te kalaja më e pathyeshme, që quhej "Naim", nguli aty flamurin e tij. Ndërkohë një hebre doli dhe e pyeti: "Kush je ti?" Ai tha: "Ali bin Ebi Talibi". Hebrei atëherë tha: "Kemi humbur pasha atë që i ka zbritur Musait". Në Tevratin e tyre ishte përmendur se ai që do t`i pushtonte kalatë e tyre quhej Ali bin Ebi Talib. Një pjesëmarrës për këtë luftë tregon: "U munduam me shtatë ashabë ta mbanim derën e kalasë, të cilën e mori Aliu r.a., por nuk arritëm dot". Në këtë kohë nga kalaja doli një kalorës çifut me emrin Merhab, i cili mbahej krenar dhe kërkoi dyluftim, por Aliu atë e vrau menjëherë. Pas tij doli vëllai i tij, Harithi, por edhe atë e vrau Aliu. më pas edhe vëllai i tretë, e atëherë Zubejri i tha Aliut: "Për Allahun, ma lër mua këtë!" Zubejri e vrau edhe atë dhe kështu Allahu ua dha fitoren myslimanëve me dorën e Aliut, ashtu siç tha Pejgamberi a.s..
Edhe në betejën me Benu Mustelakët, Aliu r.a. ka treguar trimëri të rrallë. Ai në këtë luftë pati vrarë dy veta - Malikun dhe djalin e tij. Po ashtu Aliu r.a. kishte luajtur një rol shumë të rëndësishëm edhe në rastin e marrëveshjes së Hudejbisë. Pejgamberi a.s. kishte kërkuar nga Aliu që ta shkruante marrëveshjen në mes Pejgamberit a.s. dhe kurejshëve. Kur Pejgamberi a.s. i tha: Shkruaj o Ali: "Bismilahi Rrahmani Rrahim!", në atë moment përfaqësuesi i Benu Mustelakëve Suhejl bin Amr ia ktheu: "Ne nuk njohim Rrahmani Rrahim". Pejgamberi a.s. iu drejtua Aliut: "Fshije, o Ali dhe shkruaj "Bismike Allahume". Kjo është për se u pajtua Muhamed bin Abdullahu, i Dërguari i Allahut…", por Suhejli e ndërpreu: "Sikur të besonim që ti je Pejgamber, atëherë ne do të të pasonim, po shkruaj: "Kjo është marrëveshja në mes Muhamed bin Abdullahut…". Pejgamberi a.s. i tha sërish Aliut: "Fshije Ali", por Aliu nuk pranoi: "Pasha Allahun, nuk e fshij"!- tha ai. Atëherë Pejgamberi a.s. e fshiu vetë. Aliu r.a. ishte prej personave që kishin luftuar personat të cilët e kishin sulmuar apo penguar Pejgamberin a.s. gjatë kryerjes së misionit të tij edhe gjatë periudhës së Mekës, edhe gjatë periudhës së Medinës. Kështu, Aliu r.a. e kishte mbytur Huvejrith bin Nukejdin, i cili nëpërkëmbi pa të drejtë gjakun dhe personalitetin e Pejgamberit a.s. duke e përgjuar atë dhe duke i sajuar shpifje, intriga dhe përqeshje.
Në betejën e Hunejnes, Pejgamberi a.s. e kishte porositur aliun r.a. që të rrinte në Medinë dhe të kujdesej për familjen e tij e të Pejgamberit a.s.. Kur e vërejtën këtë disa mynafikë, shkuan te Aliu r.a. dhe e provokuan duke i thënë se e kishte lënë aty Pejgamberi a.s. nga frika dhe për t'ia lehtësuar. Kur i dëgjoi këto fyerje, Aliu r.a. u ngrit, ngjeshi armët dhe shkoi tek Pejgamberi a.s., i cili tani ndodhej në vendin "Xhurf" tri milje larg Medinës. Aliu r.a. i tregoi Pejgamberit a.s. se mynafikët po e akuzojnë se e paska lënë në Medinë nga frika për të, dhe për këtë shkak erdhi të luftonte krah për krah me myslimanët. Pejgamberi a.s. i tha Aliut: "Kanë gënjyer ata, shko kujdesu për familjen time dhe familjen tënde, a nuk do të veprosh siç bëri Haruni në shtëpinë e Musait, përveçqë pas meje nuk do të ketë të dërguar tjerë".
Në vitin nëntë hixhrij në muajin Rebiul Ahar (prill) Pejgamberi a.s. e ngarkoi Aliun r.a. që të ndërmerrte një ekspeditë ushtarake për shkatërrimin e idhullit Taj. Aliu r.a. udhëhoqi 150 myslimanë nga ensarët dhe 100 deve e 50 kuaj. Në ballë të kësaj ushtrie prinin një flamur i zi dhe një i bardhë. Ushtria myslimane arriti në Al Hatem herët në mëngjes dhe sulmoi shtëpinë e tyre të idhujtarisë, të cilën e shkatërroi.
Për vendosmërinë e Aliut r.a. dhe guximin e tij, tregon edhe ngjarja që ndodhi me rastin e çlirimit të Mekës, në vitin 8 h., kur një nga ashabët gaboi dhe i shkroi Ebu Sufjanit se myslimanët ishin nisur për çlirimin e Mekës. Xhibrili a.s. i tregoi Pejgamberit a.s. për këtë veprim dhe i tha se letrën e cila përmbante informatën, e bartte një grua që po shkonte rrugës për në Mekë. Posa kuptoi Pejgamberi a.s., ai kërkoi nga Aliu dhe Zubejri që të dilnin përpara dhe ta ndalonin atë grua. Ata vrapuan gjatë rrugës dhe e arritën, dhe Aliu i tha: "Na e jep letrën që ke". Ajo nuk pranoi në fillim se e kishte letrën. Aliu i tha: "Po gënjen, nxirre letrën po të them"! Ajo tha prapë: "Pasha atë, që nuk ka Zot tjetër, nuk kam letër"! Aliu tha: "Pasha Allahun, nuk gënjen Xhibrili dhe nuk gënjen as Pejgamberi a.s."! Ajo këmbënguli që nuk kishte letër, por Aliu i tha: "A po na e jep letrën a po të kontrollojmë teshat"? Kur pa këmbënguljen e Aliut r.a., atëherë tha: "Largohu pak sa ta nxjerr nga gërshetat" dhe pastaj ia dha letrën.
Nga gjithë këto ngjarje dhe argumente, shohim se Pejgamberi a.s. kishte shumë besim në Aliun r.a., në vendosshmërinë e tij dhe në guximin e tij. Imam Ahmed bin Hanbeli tregon se nuk ka ndonjë ashab për vlerën e të cilit janë transmetuar aq shumë hadithe, sa për aliun. ndërsa Muhamedi a.s., për Aliun ka thënë: "o Ali, ty nuk të do kush tjetër pos besimtarit, dhe nuk të urren kush tjetër pos mynafikut". Kur ka zbritur ajeti kuranor: "Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin, jepeni zeqatin dhe respektojeni Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Allahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë (së Pejgamberit), të largoj ndyrësinë e mëkateve dhe t`ju pastrojë deri në skaj". (El-Ahzab: 33), Pejgamberi a.s. mori Aliun, bijën e vet - Fatimen dhe dy nipat e tij, Hasanin e Hysenin, u shtroi rrobën e tij dhe tha: "O Allah, këta janë familja ime. O Zot, pastroje nga ndyrësia familjen time!
Dituria Islame 248