Guineja - përhapja e Islamit në Guineja


Të dhëna statistikore:(1)


- Emri ndërkombëtar në anglisht: Guineja.
- Emri zyrtar: Guineja.
- Sistemi i qeverisjes: Republikë.
- Sipërfaqja: 245,857 km².
- Numri i banorëve: 9.370.000 (2009).
- Dendësia: 30.4 (banorë në 1 km²).
- Feja: Muslimanë 95%, besime lokale dhe të krishterë 5%.- Kryeqyteti: Konakri, qyteti më i madh i vendit.
- Qytetet e tjera: Boke, Fria, Kankan, Kindia, Labe, Macenta dhe Siguiri.
- Grupet etnike: Peuhl 40%, malinke 30%, soussou 20%, grupe të tjera etnike 10%.
- Gjuhët kryesore: Frëngjishtja (gjuhë zyrtare), 37 gjuhë - dialekte - rajonale (prej tyre pular, susu, toma, etj.).
- Njësia monetare: Frank Guinean (1.00 GNF = 0.00010 euro).
- Data e pavarësisë: 28 shtator 1958.
- Festë kombëtare: 2 tetor 1958.


Pozita gjeografike


Republika e Guineas, si një shtet i vogël, ndodhet në bregun perëndimor të Afrikës, konkretisht në pjesën perëndimore të kontinentit, ku ka dalje në oqeanin Atlantik. Guineja shtrihet në një territor me këneta bregdetare dhe në vise malore e fushore jeshile, kurse kodrat e saj janë të mbuluara me pyje. Guinea është një vend i varfër, por ka potencial të madh për të përmirësuar kushtet ekonomike, si rezultat i burimeve të pasura natyrore. Guineja fitoi pavarësinë nga Franca më 2 tetor 1958, kur u quajt Guineja Konakri, për ta dalluar nga pjesët e tjera të vendeve që mbajnë të njëjtin emër. Kjo republikë, sikur u tha, shtrihet në perëndim të kontinentit afrikan, kurse nga veriu kufizohet me Senegalin me një gjatësi 330 km, nga verilindja me Malin në një gjatësi deri 858 km, nga juglindja me Bregun e Fildishtë me gjatësi 610 km, nga jugu me Liberinë në gjatësi deri 563 km dhe me Sier-Leonen me gjatësi 652 km, ndërsa në perëndim bie bregdeti i vendit në një gjatësi deri 320 km, e deri në veri të republikës, aty ku gjendet kufiri me Guinea-Bisau në gjatësi 386 km. Territor i saj përbëhet nga katër rajone kryesore:
1. Guineja e Poshtme, që përfshin zonën bregdetare, aty ku shtrihen kënetat. 2. Guineja Qendrore, që posedon kodra gurore, ku ka vise të gurta.
3. Guineja e Epër, që përfshin fusha të gjelbra, të cilat në veri të vendit quhen Savannah.
4. Guineja malore, që është një zonë me pyje e kodra, në juglindje të vendit.
Pika më e ulët e territorit të Republikës së Guineas ndodhet në nivelin e detit, në brigjet e oqeanit Atlantik, ndërsa maja më e lartë e vendit është në malin Nimba, që arrin lartësinë deri në 1752 metra mbi nivelin e detit.
Konakri: Si kryeqytet i Guineas, konsiderohet edhe qyteti më i madh i vendit. Aty gjendet edhe porti më i madh i Republikës, i cili ka shtrirje në jug të Guineas, buzë brigjeve të oqeanit Atlantik. Statistikat për numrin e banorëve të këtij qyteti nuk janë të konfirmuara, por mendohet të jenë afro 2 milionë. Sipas mitit që mbizotëron në vend rreth domethënies së emrit të këtij qyteti, rezulton se emri "Konakri" vjen nga bashkimi i emrit "Kuna" - që domethënë "prodhues i verës dhe djathit", me emrin tjetër "Nakiri" - që domethënë "ana tjetër". Në fillim, Konakri ishte pjesë e ishullit Tombo, pastaj u zgjerua, u shtri sa të përfshinte gadishullin Kaloum, të cilin e kishin themeluar francezët, pasi e kishte braktisur Britania, në vitin 1887. Ndërsa në vitin 1904 ky qytet u bë edhe kryeqyteti i Guineas Franceze. Me kalimin e kohës, ky qytet u zhvillua si një port për eksport, sidomos pas ndërtimit të rrugës hekurudhore deri në qytetin Kankan.


historia e Guineas


Afërsisht rreth vitit 900 të erës së re, një grup i familjes Sus, që i përkiste fisit Malinki, emigroi nga verilindja në Guine. Kjo familje e këtij fisi, banorët autoktonë të vendit i kishte dëbuar në drejtim të brigjeve të oqeanit Atlantik. Në shekullin XIII qe themeluar Mbretëria Susi, e cila shtriu pushtetin e saj deri në brigjet e oqeanit Atlantik. Gjatë kësaj kohe, verilindja e Guineas ishte pjesë e Perandorisë Muslimane të Malit. Duke u mbështetur në fqinjësinë e Guineas me Malin dhe Senegalin, ajo pati histori të pëbashkët me këto shtete. Për një periudhë të gjatë historike Guineja ishte krahinë e Mbretërisë së Ganës, pastaj e Mbretërisë së Malit dhe, në fund, edhe e Mbretërisë së Sungajit. Për këtë arsye edhe jeta shkencore në Guineja ishte e zhvilluar, pikërisht ashtu siç ishte edhe në mbretëritë e sipërpërmendura, të cilat kryesisht njiheshin si mbretëri myslimane. Diku nga mesi i shekullit XV, tregtarët portugezë vizituan zonën e brigjeve të Guineas, kështu që, me kalimin e kohës, përmes tyre bëhej edhe tregtia me skllevër. Që nga ajo kohë, Guinea njohu kolonializmin tregtar portugez, meqë brigjet e saj u bënë burim i eksportimit të sheqerit, pambukut, plastikës dhe të skllevërve. Pikërisht për këtë arsye, evropianët gjatë shekujve XVIII e XIX sfidonin njëri-tjetrin rreth kolonializimit të të mirave të Guineas dhe bartjes së tyre në shtetet e tyre evropiane. Kjo luftë interesash vazhdoi derisa rruga luftarake u pastrua dhe situate politike u përshtat për kolonializimin francez të vendit, bile vetëm pas dëbimit të holandezëve dhe britanezëve nga këto territore. Në vitin 1849 u formua një protektorat francez mbi zonën bregdetare përreth brigjeve të lumit Nunez, kurse në vitin 1895 kjo zonë u quajt Guinea Franceze, duke u bërë pjesë e Afrikës Perëndimore Franceze. Ndërkaq, në vitin 1946 Guinea Franceze u bë një nga territoret franceze përtej deteve. Më pastaj, më 2 tetor 1958 Guinea arriti pavarësinë e plotë, kur populli, pas një referendumi popullor, refuzoi të mbetet në kuadër të popullit shtetit francez, dhe po atë vit letrari i njohur mysliman Ahmed Sekou Toure, u zgjodh kryetar i Republikës së Guineas.


historia e PërhaPjes së islamit në Guine


Pas themelimit të shtetit të Murabitëve në veri të Afrikës, tregtarët dhe thirrësit myslimanë filluan orientimin e tyre drejt jugut, duke lëvizur nëpër Shkretëtirën Afrikane dhe brigjet perëndimore të kontinentit të Afrikës dhe përhapnin Fenë islame te banorët idhujtarë të këtyre rajoneve. Fiseve berbere që përqafuan Islamin, meqë dhanë kontribut madhështor dhe sakrifikuan shumë për përhapjen e Islamit, u takon merita e madhe për përhapjen e Islamit në ato rajone dhe në vendet përreth tyre. Prandaj, edhe si rezultat i kontributit të tyre në këtë drejtim, Guinea u bë zonë islame. Sipas vlerësimit të disa historianëve, Feja islame në Guinea u përhap përmes tri rrugëve:
1. Përmes luftëtarëve të Mbretërisë së Malit. Kjo Mbretëri përfshinte Malin dhe pjesë të shumta të Ganës, Nigerit, Bambias dhe Senegalit.
2. Përmes tregtarëve myslimanë, të cilët me mallrat e tyre udhëtonin nga veriu i kontinentit të Afrikës e deri në Jugun e saj.
3. Përmes thirrësve myslimanë nga banorët vendës të Mbretërisë Manding, të cilët ishin ndikuar nga mirësjellja e tregtarëve myslimanë, që vinin nga Veriu i Afrikës.


Klima


Klima e Guineas në përgjithësi është klimë tropikale, gjatë verës me reshje të mëdha shiu në brigjet dhe në pyjet e vendit. Por, nëse shikojmë zonat e Guineas, mund të thuhet se, në disa prej tyre klima është tropikale, e në disa të tjera është subtropikale. Temperaturat përgjatë bregdetit të vendit sillen në mes 23 e 29 gradë Celsius. Rajoni Fouta Djallon në vend konsiderohet më i ftohtë se bregdeti. Gjithashtu janë regjistruar dallime të mëdha të temperaturave në Guinean e epër dhe në zona të larta, në krahasim me zonat bregdetare.


Gjendja ekonomike


Guineja llogaritet nga vendet të zhvilluara më së paku në botë. Pavarësisht nga kjo, ky vend ka burime shumë të vlefshme natyrore, përmes të cilave mund të shndërrohet në një vend të pasur. Guinea posedon afërsisht një të tretën e rezervave botërore të boksitit, i cili është një mineral që përdoret në industrinë e aluminit. Për këtë arsye minerali i boksitit është nga degët kryeore të industrisë në Guine; eksportet kryesore të kontribuara kontraktuara nga boksiti dhe alumini kapin vlerën më shumë se 95% të eksporteve të Guineas. Importet kryesore përfshijnë materiale ndërtimi, ushqim, makineri, prodhime të naftës, pajisje të transportit dhe mallra të konsumit. Guinea importet më të mëdha i bën kryesisht nga Kina, Japonia, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe nga disa vende të tjera evropiane.


___________________________
(1) Vladimir Zoto, Enciklopedi gjeografike e botës, f:75. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame f: 52,53. Logos-a, 2009, Shkup.



Mr. Samir B. Ahmeti
Dituria Islame 247


 


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë filloi trajnimi dyditor me imamë, hatibë dhe muezinë (VIDEO)