Të dhëna statistikore:
- Emri ndërkombëtar në anglisht: Guyana.
- Emri zyrtar: Guajana.
- Sistemi i qeverisjes: Republikë.
- Sipërfaqja: 214,999 km².
- Numri i banorëve: 772.298 (2009).
- Dendësia: 3.5 (banorë në 1 km²).
- Feja: Myslimanë 9%( kryesisht sunni), të krishterë 57% (pasues të kishave të ndryshme), hindu 28%, besime të tjera 2% dhe ateistë 4%.
- Kryeqyteti: Xhorxhtaun, që konsiderohet qyteti më i madh i vendit.
- Qytete të tjera: Barima-Waini, Cuyuni-Mazaruni, Mahaica Berbice dhe Potaro-Siparuni.
- Grupet etnike: indianë 43,4%, zezakë 30,2%, multitacialë 16,7%, vendës 9,2%, kinezë 0,2%, portugezë 0,2%, të bardhë 0,1%.
- Gjuhët kryesore: Anglishtja (gjuhë zyrtare), hindi dhe gjuhë indogjene (që fliten nëpër male).
- Njësia monetare: Dollari guajanez (1.00 GYD = 0.0037 EUR).
- Data e pavarësisë: 26 maj 1966.
- Festë kombëtare: Dita e Republikës, 23 shkurt 1970.
Pozita gjeografik
Republika e Guajanës është një shtet i vogël, që bie në veri të kontinentit të Amerikës Jugore. Ky shtet, në të kaluarën, ishte i njohur me emrin Guajana Britaneze, por më 26 maj 1966 fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe. Meqenëse Guajana shtrihet në veri të kontinentit të Amerikës Jugore, ajo nga lindja kufizohet me Surinamin me një gjatësi prej 600 km, nga perëndimi me venezuelën në një gjatësi deri në 743 km, nga jugu dhe jugperëndimi me Brazilin, me gjatësi prej 1606 km, pra kufijtë tokësorë të saj janë të gjatë gjithsej 2949 km, kurse nga veriu kufizohet me oqeanin Atlantik, në gjatësi deri në 459 km. Guajana ka 96 aeroporte, po vetëm 10 prej tyre janë të asfaltuara dhe vetëm njëri është ndërkombëtar. vendi posedon edhe disa porte detare, më i rëndësishmi prej të cilave është ai që gjendet në kryeqytetin e vendit, porti i Xhorxhtaunit. Republika e Guajanës ka disa institucione të larta mësimore, si: Universiteti i Guajanës, Universiteti i Mjekësisë, Kolegji i Mbretëreshës së Guajanës,etj. Xhorxhtaun: Si kryeqytet i Guajanës, konsiderohet edhe qyteti më i madh i vendit. Ka 239,227 banorë (2002). Ky qytet bie në bregun e oqeanit Atlantik, në grykën e lumit Demerara. Qyteti shërben kryesisht si një qendër e shërbimeve financiare dhe administrative. Ky qytet, si një vend i vogël, filloi të ndërtohej që nga shekulli XvIII, kur ishte edhe kryeqyteti i kolonisë "Demerara" (koloni holandeze). Kur këtë qytet, në vitin 1781, e nënshtroi Britania e Madhe, atëherë koloneli britanez Robert Kingston kishte zgjedhur grykën e lumit Demerara që të ishte vendi, pozita e qytetit, që shtrihet në mes të fermave vendore. Francezët ishin të parët që e ndërtuan dhe e zhvilluan këtë qytet, e kur e nënshtruan atë, në vitin 1782, e bënë edhe kryeqytet të tyre dhe e quajtën La Nouvelle ville ('Qyteti i Ri'). Pas marrjes së këtij qyteti, francezët vunë rregulla për përkrahjen e sektorit privat, në mënyrë që t'i mbronin nga përmbytjet e mundshme dhe zjarret eventuale, që mund të përfshinin qytetin. Rruga Barakdam qe rruga e parë që ndërtuan francezët në atë qytet.
Historia e Guajanës
Historia e Guajanës Franceze ishte e pashkruar për shumë shekuj para ardhjes së evropianëve të parë në këtë rajon. Banorët e parë që u vendosën në këtë vend, konsiderohet të kishin qenë amerikanët vendës, që u përkisnin fiseve të shumta, duke përfshirë edhe këto: Carib, Arawak, Algalibi, albalecor, etj.. Evropianët në këtë zonë të botës arritën vetëm pak para vitit 1500, kur Kristofor Kolombo u shfaq në brigjet e dy Amerikave dhe ishujve të tyre, dhe në vitin 1498 zbuloi tokën e Guajanës. Kjo fjalë domethënë "Toka e ujërave të shumta". Pas zbulimit të brigjeve të Guajanës nga Kristofor Kolombo në vitin 1498, që nga vitin 1503 filluan të themeloheshin vendbanimet e para franceve në zonën Cayenne të Guajanës. Kolonizimi francez i Guajanës u rikthye gjatë shekullit XvII, përkatësisht në vitin 1626 , pas rënies së Perandorisë Portugeze,ndërsa në vitin 1643 francezët ishin në gjendje të ngrinin një koloni në Cayenne, krahas formimit të disa fermave të vogla. Mirëpo, kjo përpjekje e tyre dështoi për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga banorët vendës, dhe pikërisht për këtë arsye francezët u detyruan ta braktisnin këtë zonë edhe një herë. Britanezët e pushtuan këtë vend në vitin 1667. Mirëpo, pas përfundimit të Traktatit të Bredas më 31 korrik të të njëjtit vit, Francës iu kthyen përsëri të gjitha ato zona. holandezët u kthyen dhe e pushtuan këtë vend për një periudhë të shkurtër, në vitin 1676, para se ta rimerrnin francezët. Pas një periudhe të sundimit francez në zonat e Guajanës, Britania nënshtroi vendin në vitin 1814, gjatë kohës së luftërave të Napoleon Bonapartës. Ndërsa në vitin 1831, Guajana u bë koloni britaneze, me emrin Guajana Britaneze. Në vitin 1834 u shënua heqja e skllavërisë aty, e cila rezultoi në rrjedhën e punëtorëve me pagesë, që vinin nga India dhe Kina për të punuar në plantacionet e kallamit të sheqerit. Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit XIX, në tokat e Guajanës u zbulua ari. Në vitin 1952 Guajana fitoi autonomi të brendshme nga Britania e Madhe, ndërsa më datën 26 maj 1966 vendi realizoi pavarësinë e tij nga Britania e Madhe, kur ndryshoi edhe emërtimin për të marrë emrin tradicional Guajana.
Historia e përhapjes së islamit në Guajanë
Vendosjet e para të myslimanëve në Guajanë kishin ndodhur nga afrikanët, të cilët u sollën si skllevër nga holandezët, me qëllim të shfrytëzimit të tyre, në kohën kur holandezët e pushtuan Guajanën. Mirëpo, kjo valë e myslimanëve qe zhdukur si pasojë e keqtrajtimit dhe shthurjes sociale ndaj tyre. Kur holandezët u zëvendësuan nga britanezët si pushtues të Guajanës, ata organizuan vendosje të detyrueshme të punëtorëve indianë dhe aziatikë, që të shfrytëzoheshin në bujqësi, e në mesin e tyre ishin përfshirë shumë nga myslimanët, që kishin ruajtur besimin e tyre dhe themeluan bërthamën e parë të pakicës myslimane në Guajanë. Pastaj, numri i myslimanëve filloi të rritej dhe ata arritën të ngrinin institucione fetare për kryerjen e obligimeve fetare, dhe të hapnin objekte të përshtatshme për mësimin e rregullave të Islamit. Myslimanët filluan të ndërtonin xhami, që kur vendosën të qëndronin në Guajanë. Myslimanët në Guajanë, xhaminë e konsideruan jo vetëm vend adhurimi, po edhe vend për tubimin e muslimanëve, si të një tubimi gjysmësekret, nga frika e zemërimit të autoriteteve koloniale. Pakica myslimane në Guajanë mbeti kështu,e ballafaquar me këso sfidash deri në vitin 1860, kur autoritetet koloniale njohën disa nga të drejtat e pakicës myslimane, prej të cilave ishte e drejta e martesës sipas sheriatit islam. myslimanët e vendit kanë shtrirje kryesisht në kryeqytet - Xhorxhtaun - dhe rrethinat e tij, dhe aty jetojnë rreth gjysma e komunitetit mysliman. Shtrirje të komunitetit mysliman ka edhe nëpër qytete dhe fshatra të tjera të vendit, që përgjithësisht kanë të hyra të larta mujore, prandaj kanë kushte të mira jetese.
Klima
Klima në Guajanë është kryesisht tropikale dhe me temperaturë konstante, me minimalen 22 gradë Celsius dhe me maksimalen deri në 36 gradë. Përparësia kryesore e klimës në vend është shkalla relative e lagështisë, e rrallë me më pak se 80%. Në Guajanë mund të dallojmë katër stinë të viti:
1. Stina e të reshurave të shumta atmosferike, që fillon nga muaji dhjetor dhe zgjat deri në muajin shkurt.
2. Stina e verës së vogël, vetëm në muajin mars.
3. Stina e të rreshurave të shumta atmosferike, nga muaji prill e deri në muajin korrik.
4. Stina e thatësisë së gjatë, nga muaji gusht e deri në muajin dhjetor.
Në Guajanë, është e shpeshtë era nga ana lindore, po, megjithatë, uragane aty nuk kanë ndodhur.
Gjendja ekonomike
Ekonomia e Guajanës bazohet në bujqësi dhe në industrinë e nxjerrjes së mineraleve, për se në vitet e fundit ka treguar rritje relative të ekonomisë së vendit. Ekonomia në Guajanë mbështetet gjithashtu dhe në eksportimin e disa mallrave, përkatësisht të sheqerit, arit, drurit dhe orizit, të cilat përfshijnë 60% të vlerës së mallrave vendore të shtetit. mirëpo, këto prodhime në një masë të madhe ballafaqohen me motin e lig dhe me luhatjen e çmimeve në nivelin global. Prej problemeve afatgjata me të cilat ballafaqohet ekonomia e Guajanës, është mungesa e personelit të trajnuar dhe moszhvillimi i infrastrukturës, prandaj, për të realizuar rritjen e mëtejshme ekonomike në periudhën që vjen, është e domosdoshme që qeveria e këtij vendi të vazhdojë përpjekjet për të menaxhuar mirë borxhin e madh të huaj, si dhe për të tërhequr investimet e huaja, nga të cilat do të përfitonte shumë ekonomia e vendit. në Guajanë kryesisht rriten gjedhë, dele dhe zogj pulash.
Mr. Samir B. Ahmeti
Dituria Islame 246