Të dhëna statistikore:1
* Emri ndërkombëtar në anglisht: Republic of Uzbekistan.
* Emri zyrtar: Republika e Uzbekistanit.
* Sistemi i qeverisjes: Republikë.
* Sipërfaqja: 448,978 km².
* Numri i banorëve: 30.185.000 (2013).
* Dendësia: 61.4 (banorë në 1 km²).
* Feja: myslimanë 90%, ortodoksë 5% besime të tjera 5%.
* Kryeqyteti: Tashkent (llogaritet qyteti më i madh i vendit).
* Qytete të tjera: Namangan, Andijan, Samarkand, Fergana, Çarshi, Nukus, Jizzax, Bukhara, Xorazm etj..
* Grupet etnike: Uzbekë 80%, rusë 5.5.%, Taxhikë 5%, Kazakë 3%, Karkalbakë 2.5%, Tatarë 1.5%, dhe etni të tjera 2.5%. (sipas vlerësimeve të vitit 1996).
* Gjuhët kryesore: Uzbeke (gjuhë zyrtare), Ruse, Taxhike, etj..
* Njësia monetare: Somi uzbekistanez (1.00 UZS = 0.00033 EUR).
* Data e pavarësisë: më 1 shtator 1991 (nga ish-Bashkimi Sovjetik).
* Festë kombëtare: 1 tetori (Dita e Pavarësisë së vendit).
Pozita gjeografike
Republika e Uzbekistanit si një nga shtetet aziatike bie në pjesën qendrore të kontinentit të Azisë, përkatësisht në mes të pesë shteteve fqinje dhe pa dalje në det. Uzbekistani nga veriu dhe perëndimi kufizo het me Kazakistanin me një gjatësi prej 2203 km, nga lindja me Kirgizistanin në një gjatësi deri në 1099 km dhe me Taxhikistanin me një gjatësi prej 1161 km, nga jugu me Afganistanin në një gjatësi deri në 137 km dhe me Turkmenistanin me një gjatësi deri në 1621 km. Ndërkaq, pjesa jugore e liqenit Aral bie në territorin e Uzbekistanit, me një vijë bregdetare, e cila ka gjatësinë deri në 420 km, kurse pjesët e tjera të liqenit Aral të gjitha bien në territorin e Republikës së Kazakistanit.(2) Klima e Republikës së Uzbekistanit i takon zonës kontinentale të Azisë, me thatësi të madhe dhe me temperatura të larta. Mesatarja vjetore e temperaturave në jug të vendit sillet rreth 9 e 16 gradë celsius, me dallime të vogla të nxehtësisë. Përderisa gjatë stinës së dimrit temperaturat në vend ulen dukshëm, gjatë verës në shumicën e rajoneve të vendit temperaturat ngjiten deri në 44 gradë celsius. Në zonat malore të vendit, të cilat arrijnë lartësinë mbi 3000 metra, temperaturat sillen në mes 23 e 25 gradë celsius. Temperaturat mesatare të vendit në korrik janë 32 gradë, e më të ulëtat zbresin deri në -10 gradë. Rrethanat klimatike në Uzbekistan kryesisht ngërthejnë dy sisteme:
1. Rajonet e larta të vendit, të cilat karakterizohen për klimë të stepave fushore, me të reshura mesatare; gjatë verës klima aty është mesatarisht e nxehtë, kurse në dimër cilësohet nga moti shumë i ftohtë.
2. Pjesët qendrore dhe veriore të vendit, të cilat janë kryesisht fusha të gjera, kanë klimë gjysmë-shkretinore dhe me të reshura të pakta.(3)
Tashkenti: Kryeqyteti i Republikës së Uzbekistanit dhe qyteti më i madh i vendit, shtrihet në mes të lumenjve Sejhun (Syr Darya) dhe Xhejhun (Amu Darya), përkatësisht në verilindje të Uzbekistanit e në perëndim të krahinës Fergana. Tashkenti llogaritet si njëri nga qytetet më të vjetra në Azinë Qendrore. Emri i qytetit, pra fjala Tashkent në gjuhën turke domethënë "Qyteti i gurit". Qyteti Tashkent në periudhën paraislame ka qenë i njohur me emrin Shash, që në atë kohë ishte një oazë dhe pas shekullit XVI ka filluar të quhet me emrin Tashkent. Tani numri i banorëve të këtij qyte ti arrin afërsisht deri në 2.200.000 (sipas statistikave të vitit 2008).(4)
Përhapja e fesë Islame në Uzbekistan
Nga të dhëna historike, konstatohet se Feja Islame në rajonet e Republikës së Uzbekistanit kishte arritur atëherë kur myslimanët çliruan territoret e Perandorisë Persiane. Sipas këtyre vlerësimeve theksohet se njëri nga komandantët e mirënjohur të myslimanëve në kohën e emevitëve ishte edhe El Ahnef ibn Kajsi, i cili, në krye të një ushtrie myslimane, kishte përparuar drejt zonave të larta të lumit Xhejhun, përkatësisht më 30 h / 650 m. Pastaj, në vitin 55 h / 675 m, përkatësisht gjatë sundimit të Shtetit Emevit (41 - 132 h / 661 - 750 m) u çlirua Buhara (qytet në Uzbekistanin e sotëm), në mënyrë paqësore, një qytet prej qyteteve më të rëndësishme të atyre rajoneve. Mandej gjendja në rajonet në fjalë ishte stabilizuar gjatë udhëheqjes së Kutejbe ibn Muslim El Bahilijut në krahinën e Horasanit(1), gjegjësisht në vitin 88 h / 706 m, ngase paraprakisht popullata e atyre rajoneve kishte prishur marrëveshjen e lidhur me myslimanët, kështu që çdo gjë ishte vënë nën kontroll, madje sundimi islam kishte shtrirë ndikimin e vet edhe nëpër zonat përreth lumenjve Xhejhun (Amu Darya) dhe Sejhun (Syr Darya). Pastaj, më 94h / 712m, u ndërtua xhamia e parë në Buhara, e cila llogaritet ende prej gjurmëve më të rëndësishme islame të Buharasë. Mandej, në kohën e sundimit të kalifit më të drejtë të Dinastisë Emevite, Umer ibn Abdul Azizit (99 - 101h / 717 - 720m), shumë prej mbretërve të zonave përtej lumit Sejhun përqafuan Fenë Islame, bile në mënyrë vullnetare.(5) Kurse në kohën e sundimit të Shtetit Abasit (132 - 656h / 750 - 1258 m), përkatësisht në kohën e udhëheqjes nga kalifi El Mu'tesim (218 - 227h / 833 - 842 m), shumë prej fiseve të Turkistanit përqafuan Islamin. Më vonë, kalifi Mu'tesim inkuadroi turq si ushtarë të ushtrisë së tij, kështu që në fushën e përhapjes së Fesë Islame nëpër rajonet e Uzbekistanit kishin kontribuuar edhe myslimanë të tjerë joarabë, si turqit selxhukë dhe mongolët. Kjo ndodhi gjatë sundimit të tyre në viset e Uzbekistanit të sotëm, dhe kishte ndikuar në shtimin e përhapjes së Islamit në vend.(6)
Historia e Uzbekistanit
Territoret e Uzbekistanit të sotëm në të kaluarën e hershme historike ishin pjesë e Perandorisë së lashtë Persiane. Pastaj, ato territore i kishte pushtuar Aleksandri i Madh, në shekullin IV para erës sonë dhe, shumë më vonë, në shekullin VIII të erës sonë, fiset turke që jetonin nëpër zonat e Uzbekistanit, përqafuan Fenë Islame, përmes kontributit të forcave të ushtrisë islame, të cilat në atë kohë kishin shtrirë kontrollin e tyre në rajonet e sipërpërmendura. Ndërsa në shek. XIII mongolët, nën komandën e Xhingiz Kanit pushtuan rajonet e Uzbekistanit e më gjerë, dhe kështu zëvendësuan sundimin e turqve selxhukë. Më pastaj Uzbeki stani dhe rajonet përreth u bënë pjesë e Perandorisë së Tejmur Lenkut mysliman dhe të pasardhësve të tij, deri në shekullin XVI. Tejmur Lenku për kryeqytet të Perandorisë së tij kishte zgjedhur Samerkandin, njërin prej qyteteve të Uzbekistanit të sotëm.(7) Kurse në fillim të shek. XVI uzbekët pushtuan vendin dhe, duke u bashkuar me banorët e tij, u përzien me ta. Pastaj, Perandoria e uzbekëve u shpartallua në disa principata uzbeke, të ndara nga njëra-tjetra, si: Khiva, Buhara, Kokand etj.. Këto vilajete apo qytete (të cilat sundoheshin nga një Khan (që ishte titull i zyrtarëve të lartë në Iran dhe Afganistan) i rezistuan zgjerimit rus në rajon. Mirëpo trupat ruse, nga mesi i shek. XIX, mposhtën rezistencën e vilajeteve të sipërpërmendura uzbeke, ndërsa më 1868 Rusia cariste i aneksoi territoret, siç ishin principatat Buhara, Samer kand, Khiva dhe Kokand. Pas Revolucionit bolshevik në Rusi, u formua Tashkenti Sovjetik (d.m.th. Kuvendi Popullor i Tashkentit), dhe u shkarkuan Emiri i Buharasë dhe prijësit e principatave të tjera.(8) Pastaj, në periudhën në mes viteve 1918 - 1922 në Uzbekistan u mbyllën xhamitë dhe prijësit fetarë u ndoqën, si pjesë e një fushate të shekullarizimit të vendit, që e udhëhiqnin sundimtarët e rinj komunistë, me synimin për ta nxjerrë popullatën nga feja. Mandej, më 1925 Uzbekistani u bë një nga republikat përbërëse të Bashkimit Sovjetik, dhe mori emrin Republika Socialiste Sovjetike e Uzbekistanit. Ndërkaq, në fund të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, tek popullata e Ubekistanit qe shfaqur dëshira e përtëritjes së fesë Islame, e cila kishte ndikuar dukshëm në zgjimin e vetëdijes islame në vend. Kurse në vitin 1991 Republika Socialiste Sovjetike e Uzbekistanit shpalli pavarësinë e vendit nga Rusia.(9)
Gjendja ekonomike
Republika e Uzbekistanit është një vend bujqësor, i cili prodhon grurë, oriz, misër dhe pesë milionë tonë pambukë të papërpunuar. Krahas këtyre prodhimeve, vendi merret edhe me blegtori, kultivon dhjeta miliona dhensh. Në vend mbillet orizi me lloje të ndryshme, panxhar sheqeri, rrushi, shega dhe shumë pemë të tjera frutore. Krahas këtyre kulturave, në vend mbillen edhe perime, veçanërisht në zona luginash, si dhe nëpër disa kodra të ulëta, po dhe në periferi të qyteteve të vendit. Prej këtyre perimeve veçohen shalqiri me dy llojet e tij - i kuq e i verdhë, duhani, fiku, dardhët, pjeshkët, kumbullat, kajsitë, qepët dhe lakrat.
Uzbekistani është i njohur për rritjen e bagëtive, veçanërisht të dhenve, dhive, kuajve dhe deveve. Në fushën e kultivimit të bagëtive, ndiqen rrugë e mënyra bashkëkohore, për të dhënë sasi më të mëdha mishi, qumështi e të lëkurëve dhe të leshit. Uzbekistani është bërë i famshëm sidomos për prodhime të leshit, përkatësisht për lloje shtrojash, qilimash dhe batanijesh të leshit. Uzbekistani në fushën e industrisë është i njohur për përpunimin e ushqimit të konservuar, siç janë industria ushqimore në kënaçe dhe e pijeve të përpunuara nga rrushi, si dhe tharja e frutave, si kajsive dhe fiqve. Republika e Uzbekistanit zë vendin e parë në Azinë Qendrore në prodhimin e veshjeve nga pambuku. Në vend, më tutje, prodhohen mjete të makinerisë, tekstilit dhe letrës. Në Uzbekistan ka më shumë se 15 degë të industrisë metalike, siç janë makineritë bujqësore, industria elektronike, industria e xhamit, etj.. Uzbekistani zë një vend të rëndësishëm në industrinë e nxjerrjes së gazit natyror.(10)
___________________________
1) Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame, f. 74, 75. Logos-a, 2009, Shkup. Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 250, 251. Dasara, 2007, Tiranë. Muhammed Atris; Muxhem Buldanil Alemi, f. 14. Mektebetul Adabi, 2007, Kajro. www. wikipedia.org. (Qasja më datën: 21.11.2014). www.xe.com. (Qa sja më 21.10.2014). www.moqatel.com (Qasja më 21.11.2014). (2)Muhammed Atris; f. 14. www.moqatel.com. (Qasja më 22.11.2014). 3) www.marefa.org. (Qasja më 23.11.2014). 4)www. marefa.org. (Qasja më datën: 23.11.2014). 5) Dr. Muhammed Mahmud Es-sirjani; El Vexhiz fi gjugrafijjetul Alem El Islami, f. 146. Daru Alemil Kutubi, 1997, Rijad. 6) Dr. Muhammed Mah mud Es-sirjani; f. 146. 7) Muhammed Atris; f. 14, 15. 8) Po aty, f. 15. 9) Po aty, f. 15. 10) www.marefa.org. (Qasja më 30.11.2014).
Mr. Sc. Samir b. Ahmeti