Jeta ekonomike sipas Islamit

 


Jeta ekonomike sipas Islamit ngrihet mbi baza dhe instruksione Hyjnore. Fitimi për të jetuar duke bërë një punë të ndershme, jo vetëm që është detyrë, po është edhe një virtyt i lartë i njeriut. Të varurit nga dikush tjetër për dikë që është në gjendje të punojë, të jetojë pa bërë ndonjë angazhim, - në aspektin fetar është mëkat dhe në të njëjtën kohë nënçmim në shoqëri. Myslimani është i udhëzuar nga Zoti që të jetojë i pavarur ekonomikisht dhe të mos mbetet barrë e dikujt tjetër. Islami respekton të gjitha profesionet për të fituar për ta ushqyer familjen, përderisa nuk ka ndonjë element të ndaluar në të. Me vetëdije të plotë dhe me shumë respekt nga shoqëria, myslimani mund të përvjelë mëngët dhe të punojë me krenari çdo punë që të ketë në dispozicion për të siguruar gjërat e nevojshme për të dhe ata që janë nën kujdesin e tij. Pejgamberi a.s. raportohet të ketë thënë se është shumë më mirë për secilin të marrë litarin dhe të bartë dru nga mali për t'i shitur dhe për t'u ushqyer e për të dhënë sadaka, sesa të kërkojë lëmoshë nga të tjerët. Pa marrë parasysh llojin, puna, përderisa është e lejuar, nuk e ul statusin e një njeriu të mirë dhe të drejtë në shoqëri. Sipas sistemit ekonomik, i cili bazohet në ligjet Islame, ndërmarrësi privat është përgjegjës edhe për prosperitetin e shoqërisë dhe zhvillimin e shtetit, dhe shteti është përgjegjës për sigurinë e tyre. Konfliktet ndërmjet klasave, të cilat janë paraparë në ekonominë socialiste, dhe dallimet ndërmjet shtresave në ekonominë kapitaliste, në ekonominë islame janë zëvendësuar me bashkëpunim dhe harmoni; frika dhe dyshimi janë shëruar me sigurim të përbashkët dhe me besueshmëri. sistemi ekonomik, sipas islamit, nuk është ndërtuar vetëm në kalkulimet aritmetike dhe kapacitetin e prodhimit, po është nisur dhe ndërtuar në dritën e një sistemi gjithëpërfshirës të moralit e të parimeve ekonomike. Personi që punon për një person tjetër apo ndonjë kompani ose institucion, është i mbikëqyrur dhe ka përgjegjësi edhe nga Zoti për ta bërë punën e tij me nder dhe efekt. Pejgamberi a.s. ka thënë, nëse dikush merr të kryejë ndonjë punë, Zoti dëshiron ta shohë atë duke e kryer punën mirë dhe me plot zell. Pasi të kryhet puna, punëtori e ka të drejtën e pagesës për shërbimet e tij. Nëse punëdhënësi dështon për ta paguar me një pagesë reale ose tenton t'ia zvogëlojë apo eliminojë komplet, ky është një akt që dënohet nga ligji i Zotit.


Për transaksionet biznesore ka një vëmendje të madhe në Islam


Tregtia e ndershme është e lejuar dhe e bekuar nga Zoti i Lartësuar. Biznesi mund të ndërmerret nga individë, kompani, agjenci e forma të ngjashme, porse të gjitha marrëveshjet duhet të përfundojnë me transparencë dhe sinqeritet. Mashtrimi, fshehja e defekteve të prodhimeve, keqshfrytëzimi i nevojave të klientëve, monopoli i prodhimeve të caktuara për ta ngritur çmimin në mënyrë të padrejtë, - të gjitha këto dënohen me ligjin islam. Nëse dikush dëshiron të bëjë një jetë të ndershme, ajo duhet të bëhet përmes mjeteve dhe metodave të ndershme. Sepse, përndryshe, fitimi në mënyrë të palejuar, jo vetëm që nuk shpërblehet me sukses në këtë botë, po pronarin e tij e pret edhe një dënim më i madh në Botën tjetër. Për t'i eliminuar këto, Islami kërkon sinqeritet në biznes, ua tërheq vërejtjen mashtruesve, inkurajon punë të ndershme dhe ndalon kamatën apo marrjen e normës së interesit vetëm për shkak të dhënies së parave, pa ndërmarrë ndonjë aktivitet tjetër dhe pa u kushtëzuar edhe me bartjen e rrezikut. Kjo është për të treguar se njeriu posedon me të drejtë vetëm atë për se ka punuar, dhe se eksploatimi i nevojave të ndryshme të njerëzve është jofetar, jonjerëzor dhe i pamoralshëm. Allahu i Madhëruar ka porositur në Kuranin famëlartë (Shih: " (El-Bekare, 275-276) Përveç ndalimit të kamatës, si një mjet eksploatimi, Allahu i Madhërishëm ka vendosur rregulla edhe për balancim të drejtësisë për të mos tejkaluar kufirin në njërën apo tjetrën anë. Kjo është për ta udhëzuar njeriun që t'i përmbahet drejtësisë në çdo transaksion ekonomik. Ardhmëria për mashtruesit është pa sukses dhe e hidhur. (Shih: El-Mutaffifinë, 1-6). Ekzistojnë shumë hadithe, të cilat i përjashtojnë mashtruesit, eksploatuesit dhe biznesmenët e pasinqertë nga grupi i myslimanëve të vërtetë. Çdo marrëveshje biznesi, e cila përmban në vete padrejtësi a mashtrim, gjykohet si e pavlerë sipas rregullave ekonomike islame. Qëllimi kryesor i legjislacionit islam rreth ekonomisë dhe biznesit, është që të sigurojë të drejtat individuale dhe të ruajë solidaritetin shoqëror dhe moralin e lartë në botën e biznesit dhe fuqizimin e Ligjit të Zotit në këtë sferë të ndërmarrësisë. Është shumë logjike që infrastruktura ligjore e ekonomisë islame të kujdeset për aspekte si këto që u përmendën, sepse ky ligj duhet të përfshijë patjetër edhe çështjet shoqërore krahas atyre ekonomike.Ndërmarrësve të bizneseve u është bërë me dije vazhdimisht fakti se ata janë agjentë apo kujdestarë të caktuar nga Zoti për të administruar pasurinë e tyre. Nuk ka ndonjë ndalesë në Islam për myslimanët që të përfitojnë dhe pronësojnë gjëra materiale përderisa kjo bëhet përmes punës ligjore dhe të ndershme. Porse është dhe mbetet e vërteta që njeriu vjen në këtë botë duarthatë dhe largohet nga kjo botë në të njëjtën mënyrë. Kjo, jo vetëm që është një realitet i jetës, po ka edhe një rëndësi të madhe në sjelljet e njeriut. Kjo të pasurin e bën të shpenzojë për ato gjëra që është porositur nga Zoti i Madhëruar dhe të kontribuojë në çështjet madhore. E bën njeriun të brengoset dhe të ndiejë përgjegjësi për nevojat e shoqërisë dhe i jep njeriut një rol të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes jo të mirë të shoqërisë në përgjithësi. E ruan njeriun nga egoizmi, zilia dhe padrejtësia. Ky është koncepti rreth pasurisë në ekonominë islame, dhe ky është qëllimi i pasurisë sipas mësimeve islame. kurani pasurinë e konsideron një test dhe obligim të madh ndaj shoqërisë, dhe jo një privilegj ose mjet eksploatimi. (Shih: El-En'am, 165)


Rregulla dhe kufizime në investime edhe në shpenzime


Njeriu është i inkurajuar të punojë, të ndërmarrë aktivitete biznesi dhe gëzon të drejtën për të pasur pronë private. Vetë fakti se njeriu është një i besuar i Zotit për të udhëhequr në tokë, në vete ka masat e nevojshme për të siguruar që ndërmarrjet dhe pronësia e tij të konsiderohen si një amanet për të. Njeriu ka të drejtën e fitimit, investimit dhe shpenzimit, por për të gjitha këto aktivitete ai është i udhëzuar që të mos i bëjë me papërgjegjësi dhe për të gjitha aktivitetet e tij ai është përgjegjës tek Zoti i Madhëruar. Atë që posedon njeriu, nuk ka liri të pakufizuar për ta shpenzuar ose investuar ashtu sikur dëshiron ai. Ekzistojnë rregulla dhe kufizime edhe të investimit, po edhe të shpenzimit të pasurisë private, të cilave duhet t'u përmbahet secili. Në udhëzimet e Kuranit, Zoti e ka obliguar të pasurin që t'i përmbushë obligimet financiare ndaj shoqërisë (p.sh. pagesa e zekatit dhe e sadakasë), dhe të ketë masë në shpenzimet private, për të mos shpenzuar në mënyrë ekstravagante. Njeriut i kujtohet vazhdimisht fakti se Zoti është Furnizuesi dhe Pronari Absolut i tërë pasurisë në këtë botë.(Shih: El-Isra, 26-27 dhe El-Isra: 29 30). Si përfundim mund të themi se Islami ka rregulluar çdo aspekt të jetës, përfshirë këtu edhe çështjet ekonomike. Ka bërë rregulla edhe për punëdhënësin edhe për punëmarrësin. Punëdhënësit i bëhet me dije se pasuria është edhe obligim e jo vetëm privilegj apo e arritur e tij personale, sepse Zoti i Madhërishëm është Ai Që furnizon. Për këtë arsye edhe ka vënë rregulla edhe kufizime në investime edhe në shpenzime. Kurse për punëtorin a punëmarrësin, ka bërë rregulla që ai të punojë me dinjitet dhe me efikasitet në punën e kontraktuar, sepse ajo është edhe emanet nga Zoti, për se secili do të japë llogari para Tij.


 


Dituria Islame 249


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë filloi trajnimi dyditor me imamë, hatibë dhe muezinë (VIDEO)