Shteti islam gjatë kohës së Aliut r.a.

 


Allahu ju ka ruajtur Ehli Bejtin (Familjen e Pejgamberit) dhe e ka ruajtur Pejgamberin tuaj në mesin tuaj. Allahu e ruajt. Es-selamu alejkum ve rahmetullah!


Kur erdhi në pushtet, aliu r.a. e pa të arsyeshme se vendi ka nevojë për kthimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Në fjalimin e parë që mbajti , ai, ndër të tjera, tha: "Allahu ka zbritur librin urdhërues që qartëson të mirën nga e keqja, prandaj të mirën merreni e të keqen largojeni". Po kështu Allahu e ka bërë të ndaluar (të shenjtë) atë tokë që dihet, si dhe gjithçka që për myslimanin është e tillë. Shenjtëria e myslimanit është mbi çdo shenjtëri (paprekshmëri). Të drejtat e tyre i kërkon me rigorozitet. Mysliman i vërtetë është ai, nga e keqja e gojës dhe e duarve të të cilit, të tjerët janë të siguruar, përveç nëse ka arsye. Askujt nuk i takon ta bezdisë tjetrin, prandaj kujdesuni për çështjen e përbashkët si dhe për atë personale para vdekjes. Njerëzit i keni përpara, kurse ora (çasti) ju rri afër. Jeta e përtejme e pret secilin, prandaj kini frikë Allahun , pasi do të pyeteni për gjithçka. Bindjuni Allahut e mos bëni mëkat. Kur të shihni mirësi, merreni atë, e kur të shihni diçka të keqe, lutuni dhe "kujtoni kur ju ishit të paktë dhe të dobët në tokë" . Aliu r.a., pas zgjedhjes halif i myslimanëve, shpejtoi t`i shkarkonte mëkëmbësit që i kishte caktuar Uthmani e të cilët qenë nxitës të trazirave si dhe shkak që njerëzit të revoltoheshin ndaj tij. Aliu r.a. e filloi udhëheqjen e tij duke i kthyer disa pjesë tokash të cilat Uthmani ua kishte dhuruar të afërmëve të tij në pronësitë e depos së furnizimeve si dhe vazhdoi ndarjen e ndihmave për të moshuarat e të pamundurat, një punë që e kishte filluar më parë uthmani r.a..veprimi i nxituar i aliut r.a. shkaktoi urrejtjen e atyre mëkëmbësve që u pasuruan gjatë kohës së Uthmanit. Ndërkohë, Muaviu, i mbështetur nga banorët e Shamit, refuzoi të pranonte shkarkimin dhe për më tepër ai formoi një krah të fortë për t`i dalë kundër, ndërkohë që i kërkoi Aliut të hakmerrej për vrasjen e Uthmanit, duke i ndjekur vrasësit derisa të ekzekutoheshin një nga një. Aliu r.a. mendoi dhe vendosi që më parë t`i bindeshin e pastaj të vinte i afërmi i Uthmanit e t`i kërkonte gjakmarrje sipas asaj që parasheh ligji, pasi, sipas tij, gjakmarrja pa kërkesë dhe pa argument binte ndesh me Librin e Allahut.


Caktimi i mëkëmbësve nga Aliu


Aliu r.a. mëkëmbës në Jemen caktoi Abdullah ibn Abasin, në Kufë Umare ibn Shejbanin, në Basra Semure ibn Xhundub, në Egjipt Kajs ibn Sad ibn Ubade, në Sham Sehl ibn Hanif - në vend të Muaviut. Sehl ibn Hanif ishte nisur për Sham dhe, kur kishte arritur në Tebuk, i patën dalë përpara kalorësit e Muaviut dhe e kishin pyetur: "Kush je ti?" Mëkëmbës,- tha ai. Për çfarë?- e pyetën përsëri. Për Shamin!- u tha ai. Nëse të ka caktuar Uthmani, mirë se të vish, e nëse (je caktuar) prej tjetërkujt, kthehu nga ke ardhur, - i thanë. Ky i pyeti: A nuk keni dëgjuar për atë që ka ndodhur? Po, si jo,- i thanë ata". Dhe kështu u kthye tek Aliu r.a.. Për sa i përket Kajs ibn Sadit, mëkëmbësit të Egjiptit, edhe kundër tij pati kundërshtime, mirëpo shumica e pranuan, po një pjesë e vogël e refuzuan derisa të hakmerrej për Uthmanin. Njësoj ndodhi edhe me Semure ibn Xhundubin në Basra. Edhe mëkëmbësi i Kufës, Umare ibn Shejbani, u pengua nga Talha ibn Muvejlid, për shkak mllefit për vrasjen e Uthmanit. Ai u kthye tek Aliu dhe i tregoi ngjarjen. Ndërkohë Ebu Musa i shkroi Aliut se banorët e Kufës, përveç një pakice, hynin nën sundimin e tij. Ndërkaq, Aliu r.a. i shkroi disa herë Muaviut, por ky nuk i ktheu asnjë përgjigje. E gjithë kjo situatë ndodhi 3 muaj pas vrasjes së Uthmanit. Pastaj Muaviu e dërgoi një pergamenë (lëkurë të shkruar), që e nisi pas një njeriu. Kur hyri ai tek Aliu, e pyeti: "Ç`ke lënë pas? Kam ardhur nga një popull që nuk presin dot për hakmarrje,- i tha ia. Janë 70.000 veta që qajnë pranë këmishës së Uthmanit, e cila rri varur në minber". Atëherë Aliu tha:"O Allah, distancohem nga vrasja e Uthmanit". kur i dërguari i Muaviut doli prej Aliut, iu vunë vrasësit që ishin në Medinë, me qëllim që ta eliminonin, por ky me shumë mund arriti të shpëtonte. Aliu nga ana e tij vendosi t`i luftonte banorët e Shamit. Ai i shkroi Kajs ibn Sadit të përgatitej nga Egjipti, Ebu Musa El-eshariut nga Kufa, po këshu edhe Uthman ibn Hanifit. Duke u folur njerëzve, ua bëri të ditur vendimin dhe i nxiti të bëheshin gati. Kështu u nis nga Medina, të cilën e la nën kujdesin e Kathem ibn Abasit. Kishte vendosur që atë që nuk i bindej, ta luftonte me atë që i bindej. Hasani, i biri, erdhi dhe i tha:" O babai im! Largoju kësaj, se do të derdhësh gjakun e myslimanëve e do të ketë përçarje midis tyre". Por Aliu nuk pranonte, përkundrazi ngulte këmbë për të luftuar kundër tyre. Flamurin e betejës ia dha Muhamed ibn Hanefiut (që ishte i biri i Aliut dhe të ëmën e kishte nga fisi el-Hanefij). Ibn Abasin e caktoi nga e djathta, ndërsa Amr ibn Ebi Selemen nga e majta. Thuhet se në të majtë vendosi Amr ibn Sufjan ibn Abdul Esedin dhe në pararojë Ebu Lejla ibn Amr ibn Xherrahun, djalin e vëllait të Ebu Ubejdes. Në Medinë la Kathem ibn Abasin, ndërsa gjithkund që ishte për luftë u nis drejt Shamit, porse, para se të nisej, ndodhi beteja e Devesë".


Veprat më të rëndësishme të Aliut r.a.


Na është e njohur se periudha e sundimit të Aliut r.a. ishte e mbushur me shumë konflikte, për shkak se vinte halif i myslimanëve pas vrasjes së Uthmanit r.a.. Prandaj ditët e sundimit të tij ishin përplot parregullsi, konflikte dhe beteja të përgjakshme. Këto rrethana të rënduara politike përkohësisht i kishin penguar myslimanët në përhapjen e misionit të tyre të shenjtë, që kishte filluar që në kohën e Ebu Bekrit r.a. dhe kishte vazhduar gjatë gjithë periudhës së pushtetit të Umerit r.a. dhe pjesën më të madhe të kohës së Uthmanit r.a.. Prandaj Aliut nuk iu dha rasti për vazhdimin e përhapjes së fesë islame dhe për përmirësimin e gjendjes dhe zhvillimin e shtetit. Sikur të kishte jetuar më gjatë dhe sikur në kohën e tij të mos kishte pasur parregullsi, situata do të ishte si në kohën e Umerit-një nga periudhat më të shkëlqyeshme në histori, për sa i përket drejtësisë, bamirësisë dhe të mirave për Islamin, si dhe mëshirë për njerëzimin. Ai e mori pushtetin në kohën kur sundonin shpatat, e zemrat ishin të ndryshueshme; kur metodat e ndryshme të armiqve të Allahut i dhanë fuqi të madhe nxitjes së parregullsive dhe thyerjes së unitetit të myslimanëve.
Kulmi i gjithë kësaj ishte fakti që edhe vetë myslimanët kishin pasur konflikte të ndërmjetvetshme: në tri beteja të mëdha dhe në dhjetra më të vogla, kështu që ishte derdhur gjak në mes myslimanëve. Këto pasoja vazhdojnë të ndihen deri në ditët e sotme. Ato manifestohen në dobësimin e myslimanëve si dhe në kontributin jo të mjaftueshëm në transmetimin e kësaj porosie - te mbarë njerëzimi. Pavarësisht nga këto parregullsi që e shënuan periudhën e tij, Aliu r.a. ishte i prerë në vërtetësi, luftëtar për vendosjen e drejtësisë, i bindur ndaj Allahut xh.sh., dhe këmbëngulës në dhënien e këshillave për Ymetin. Aliu r.a. mëkëmbës vetëm i emëronte më të mirët dhe i merrte në përgjegjësi ata që bënin lëshime. Ai nuk i nënshtrohej së pavërtetës, duke u ruajtur në këtë mënyrë nga çfarëdo qortimi nga ana e allahut xh.xh..
Aliu r.a. ishte modest në këtë botë dhe, siç ishte jeta e tij përplot vuajtje, edhe vdekja e tij qe vdekje shehidësh. Aliu r.a. pasqyron pikpamjen e tij për jetën, të përsiaturit e tij për lidhjet ndërmjet myslimanëve-forcimin e këtyre lidhjeve dhe shpresën e tij për përmirësimin e marrëdhënieve reciproke. Pikërisht ky amanet ka qenë një nga shkaqet që e kishin nxitur Hasanin r.a. të lidhte paqe për të cilën do të bëhet fjalë më vonë. Veprimtarinë e Aliut dhe kontributin e tij e kuptojmë edhe nga amaneti i tij i fundit, që kishte lënë pak para vdekjes. Në tekstin e amanetit që ka shënuar Et-Taberi në "Tarihu-hin" e tij, Aliu ka deklaruar: "Me emrin e Allahut, mëshiruesit, mëshirplotit. ky është amaneti i Ali ibni Ebi Talibit: - U lë amanet që ai dëshmon se vetëm Allahu është Zot, i Vetëm dhe Ai nuk ka shok, dhe se Muhamedi është rob i Tij dhe Pejgamber të cilin Ai e ka dërguar me udhëzimin dhe besimin e vërtetë, për ta ngritur mbi të gjitha fetë, edhe nëse kjo nuk u pëlqen politeistëve. Me të vërtetë namazi im, ibadetet e mia, jeta dhe vdekja ime i përkasin Allahut, Zotit të botëve, i Cili nuk ka shok, kjo më është urdhëruar dhe unë jam mysliman. Ta lë amanet, o Hasan, dhe gjithë fëmijëve të mi e familjarëve, të kini frikë Allahun dhe të mos vdisni ndryshe përveçse si myslimanë. Përmbajuni fort moralit të Allahut dhe mos u përçani, ngase e kam dëgjuar Ebu Kasimin (Muhamedin a.s.) duke deklaruar: - Marrëdhëniet e mira reciproke janë më të mira se namazi dhe agjërimi. Përkujdesuni për familjet tuaja dhe të afërmit tuaj, vizitoni njëri-tjetrin nëse doni të jepni llogari më lehtë. Detyra juaj është të shkëmbeni vizita dhe kontakte reciproke dhe të mos ia ktheni shpinën njëri - tjetrit, duke i ndërprerë marrëdhëniet apo duke u përçarë në mes vete. Ndihmohuni në bamirësi dhe devotshmëri, mos ndihmoni në mëkate dhe armiqësi. Kini frikë Allahun, ngase Ai ndëshkon ashpër. Allahu ju ka ruajtur Ehli Bejtin (Familjen e Pejgamberit) dhe e ka ruajtur Pejgamberin tuaj në mesin tuaj. Allahu e ruajt. Es-selamu alejkum ve rahmetullah"! Pastaj arriti të deklaronte vetëm shprehjen: "La ilahe ilallah" dhe kaloi në Ahiret.


 


Dituria Islame 250


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë filloi trajnimi dyditor me imamë, hatibë dhe muezinë (VIDEO)