Milingonat janë një nga llojet e insekteve sociale. Janë në çdo vend dhe në çdo kohë. Ekzistojnë më shumë se nëntë mijë lloje milingonash. Disa milingona jetojnë një jetë të qëndrueshme në vendbanime të tyre të rregulluara dhe përforcuara shumë mirë. Disa të tjera jetojnë një jetë nomade duke u transferuar në çdo kohë dhe duke mos qëndruar në një vend ashtu si bëjnë edhe beduinët. Disa prej tyre ushqimin e tyre e fitojnë me mund dhe sakrificë, kurse disa prej tyre fitojnë duke bërë tradhti e duke sulmuar dhe zotëruar e kontrolluar rivalë të tjerë. Milingona është nga lloji i insekteve sociale dhe në rast izolimi, ato vdesin. Edhe në qoftë se kanë ushqim të mirë e të bollshëm dhe një vend të mirë e kushte të mira, mu ashtu si një qenie njerëzore, në qoftë se izolohet në një vend larg nga drita, zëri, koha, ora, nata dhe dita për njëzet ditë, insekti humb ekuilibrin mendor. Milingonat i japin njeriut një mësim shprehës për bashkëpunim, në rast se një milingonë e uritur takohet me një tjetër të ngopur, milingona e ngopur i jep së uriturës sasi ushqimesh nga trupi i saj. Në sistemin e saj të tretjes ka një pompë ushqyese. Milingonat kanë mbretëreshë të madhe, e cila ka për detyrë prodhimin e vezëve dhe të japë udhëzime. Ajo ka një vend të sigurt në vendbanimet e milingonave dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë anëtarët e Mbretërisë.
Jeta shoqërore
Milingonat punëtore kanë një sërë detyrash të ndryshme, nga detyrat e punëtoreve janë rritja dhe edukimi i pasardhësve të tyre, dhe kjo është e ngjashme në jetën e njeriut me sektorin e arsimit. Në mesin e milingonave ka ushtarë më të mëdhenj, që i kanë kokat sikur të kishin mbi to kapela ushtarake, dhe ky sektor është i ngjashëm me atë të ushtrisë në shoqërinë e njeriut. Detyra e tyre është ruajtja e Mbretëreshës dhe sigurisë, si dhe për t'ju kundërvënë agresionit.
Nga detyrat e punëtoreve është edhe pastrimi i shtëpive e korridoreve, dhe kjo është e ngjashme me sektorin komunal tek njeriu. Nga detyrat e tyre është tërheqja e trupave të të vdekurve në shtëpi dhe varrosja e tyre në tokë, e kjo ngjan me zyrat për varrosjen e të vdekurve. Nga detyrat e punëtoreve është sjellja e ushqimit nga jashtë mbretërisë, dhe ky sektor është i ngjashëm me sektorin e importimit. Nga detyrat e punëtoreve është mbjellja e kërpudhave, dhe kjo është e ngjashme me sektorin e bujqësisë. Nga detyrat e punëtoreve është mbarështimi i insekteve femra, nga të cilat milingonat jetojnë nga lëngu i tyre, dhe ky sektor është i ngjashëm me sektorin e bagëtive. Milingonat ndërtojnë qytete dhe hapin rrugë e gërmojnë tunele, ruajnë dhe depozitojnë ushqimin në magazina. Disa lloje të milingonave mbjellin kopshte e bimë të kultivuara, e disa lloje milingonash zhvillojnë luftëra ndaj fiseve të tjera, për të marrë peng të burgosurit nga milingonat e sulmuara.
Shpirt komuniteti dhe përkushtimi
Allahu xh.sh. në ajetin kuranor thotë: "Deri atëherë kur arritën mbi luginën e buburrecave, një buburrec tha: "O ju buburreca, hyni në vendet tuaja që të mos ju copëtojë Sulejmani dhe ushtria e tij duke mos ju vënë re". ( En-Neml,18)Allahu xh.sh. me këtë ajet vërteton ekzistencën e komunikimit dhe një lloj diturie te milingonat, si dhe shpirtin shoqëror, sikur u cek në ajet; ku milingona nuk mendoi vetëm për shpëtimin e saj por nxitoi të paralajmëronte shoqërinë e saj nga shkatërrimi, i cili mund t'i godasë nga Sulejmani dhe ushtria e tij.E tëra kjo tregon për shpirtin shoqëror dhe bashkëpunimin e ndërsjellë si dhe sakrificën në rrugë të saj. Milingonat kanë një tru të vogël dhe qeliza nervore e nerva, për të vlerësuar të dhënat dhe hartat e ndryshme, të cilat i dërgojnë ato deri tek ushqimi dhe vendndodhja e tyre. Milingonat kanë një lloj sjelljeje mendore dhe milingona është një nga insektet me të mençura. Ajo gjithashtu sheh me rreze të dritës, të cilat njeriu nuk mund t'i shohë. Milingonat kanë një gjuhë kimike, e cila ka dy detyra: komunikimin dhe alarmimin. Në rast se vritet ose shkatërrohet një milingonë, ajo lëshon një erë, përmes së cilës ajo alarmon milingonat e tjera nga ky rrezik. Asnjë milingonë nuk mund të hyjë në mbretërinë e saj pa treguar fjalëkalimin e saktë. Milingona posedon një organ tretës, i cili përbëhet nga goja, lukthi, zorrët, organi thithës dhe organi pompë.
Sjellje mendore
Shkencëtarët kanë hulumtuar mënyrat e të jetuarit të milingonave. Ata i befasoi puna e tyre serioze dhe e mundimshme në sigurimin e ushqimit të tyre duke bashkëpunuar në mes tyre dhe duke i ndarë detyrat dhe obligimet në mes tyre, me një saktësi e vendosmëri. Milingonat kanë një sistem shumë preciz në jetën e tyre. Kanë një komandues, i cili i urdhëron dhe udhëzon; kanë vendbanimet e tyre, që janë të ndara në dhoma dhe magazina ushqimi, të cilat kanë një sistem roje të ashpër gjatë gjithë kohës. Në disa raste këto vendbanime janë fshatra të tëra sikur të ishin koloni të ndërtuara, të cilat lidhen në mes tyre me rrugë dhe korridore, përmes të cilave orientohen për të dalë mbi sipërfaqen e tokës. Në mesin e milingonave ka lloje që vendbanimet e tyre i ndërtojnë mbi sipërfaqen e tokës, nga gjethet dhe degët, dhe kjo ndodh më shumë nën lisat e bredhit. Po ashtu, ato gërmojnë lisat e mëdhenj dhe ndërtojnë vendbanimet e tyre, ashtu sikur edhe njeriu kur i gdhendte kodrat për të banuar. Megjithëse milingonat nuk kanë mjete për të punuar, ato ndërtojnë godina me një saktësi shumë të lartë, duke përdorur gërshërët që i kanë në gojën e tyre, me të cilat përtypin atë thërmojnë e pastaj ndërtojnë. Ndoshta ato që ndërtuan egjiptiasit nga godinat e banimi dhe piramidat, ishte një imitim i milingonave. Milingona ka një kokë, mes dhe bisht, ka gjashtë këmbë me të cilat vrapon shumë shpejt. Disa lloje kanë edhe krahë që i ndihmojnë të kërcejnë. Milingona ka pesë sy: dy sy anash kokës, që përbëhen nga mijëra sy të vegjël të bashkëngjitur e të renditur me saktësi të lartë dhe i japin mundësinë për të parë, dhe të gjithë shohin si të ishin një sy, kurse tre sy të tjerë janë të vendosur në formën e trekëndëshit mbi të dy sytë, ata janë sy të thjeshtë. Sytë e mashkullit janë më të mëdhenj se ata të femrës dhe janë më të afruar në mes tyre për shkak të detyrave dhe obligimeve që kanë meshkujt. Çdo milingonë ka dy brirë të gjatë, të cilët kryejnë funksionin e duarve dhe këmbëve për bartjen e ushqimit.
Kujdestar dhe edukator
Milingona femër i vë vezët në afërsi të vendbanimeve të të rriturve, dhe ato caktojnë edukatoret, të cilat kujdesen ditën e natën për vezët e tyre, duke siguruar temperaturën e duhur, derisa të hapen vezët dhe të dalin ato si mana të vegjël të cilët nuk kanë as krahë e as këmbë. Për to kujdesen edukatoret që i ushqejnë, e të vegjlit ushqehen me oreks të madh për disa javë, pastaj, me gojën e tyre formojnë një top të mëndafshit, në të cilin flenë. Pas kalimit të disa ditëve, ata zgjohen dhe me gojën e tyre shpojnë mbulesën e dalin jashtë me krahët dhe këmbët; në këtë veprim i ndihmojnë edukatoret e tyre që i pastrojnë. Milingonat e pëlqejnë pastërtinë shumë. Milingonat punojnë në fshatrat e tyre me një disiplinë të mahnitshme e shumë të rreptë, dhe nën mbikëqyrjen e milingonave që janë me kokat dhe këmbët më të rritura. Të vegjlit mbeten në vendbanimet dhe dhomat e tyre duke gërmuar dhe duke u rritur nën mbikëqyrjen e edukatoreve. Milingonat, po ashtu, bëjnë me përgjegjësi edhe sigurinë, pastrimin, ose mbajtjen e furnizimeve të mbushura nën mbikëqyrjen e milingonave; ata refuzojnë t'u zbulojë ndokush sekretet e tyre, ose depërtimin në bazën e tyre të mahnitshme për ta parë mënyrën e jetesës.
Lëndë kimike dhe programim i mrekullueshëm
Shkencëtarët gjetën se, kur dalin jashtë fshatit, milingonat lëshojnë një lëndë kimike me erë të vogël në çdo distancë të caktuar, kështu që milingona mund të identifikojë rrugën për t'u kthyer prapa. Dhe, në rast se dikush largon efektin e kësaj lënde kimike, milingonat nuk mund të gjejnë rrugën dhe mënyrën për t'u kthyer prapa. Nëse një milingonë sheh diçka dobishme dhe nuk është mjaft e fortë për ta bartur, ajo shpërndan rreth saj erë, dhe merr një pjesë e kthehet tek milingonat e tjera për t'u treguar dhe për të kërkuar ndihmë, e pastaj organizohen në grupe të mëdha për të shkuar tek vendi dhe për ta bartur atë dhe për ta depozituar në vendin e tyre. Duhet ditur se milingonat kanë një muskulaturë shumë të fortë që mund të matet me muskujt e shumë sportistëve dhe mundësve, në mënyrë që një milingonë të mund të bartë një peshë më të rëndë se pesha e saj tre mijë herë, pa probleme, përmes grykës së saj. Shkencëtarët kanë gjetur se, kur ngordhin, milingonat shpërndajnë një erë të veçantë, duke alarmuar pjesën tjetër të milingonave për të shpejtuar që ta varrosin, në mënyrë që të mos arrijë ndonjë nga insektet e huaja për ta ngrënë. Kur shkencëtarët vunë një pikë të kësaj ere mbi trupin e një milingone të gjallë, milingonat e tjera nxituan dhe e varrosën atë ashtu të gjallë.
Instinkt për të ruajtur ushqimin
Milingonat janë nga insektet e pakta, të cilave Allahu u dha instinktin për të ruajtur ushqimin. Milingona i mban kokrrat në shtëpinë e lagësht dhe të ngrohtë nën tokë, pa u shkaktuar dëme. Milingonat kanë krijimtari të aftë për mënyrat e ruajtjes së ushqimeve: milingona e ndan kokrrën e grurit në dy pjesë , ndërsa kokrrat e perimeve të tjera ajo i qëron për të mos lejuar rritjen e tyre të sërishme, ose e lë të thahet disa javë në ajër e temperature të caktuar, për ta bërë mbjelljen e saj kur ajo lulëzon dhe rritet derisa të formojë trup e pastaj e pret dhe e lë për t'u tharë duke u bërë e gatshme për depozitimin e saj si ushqim gjatë stinës së dimrit. Milingonat fekondojnë gjethet e copëtuara me një lloj jashtëqitjesh të fluturave të veçanta, dhe atëherë ajo rritet e mbuluar me një lloj kërpudhash, që quhet - buka e sorrave - me të cilën ushqehen milingonat; disa milingona sjellin vezë të (aphideve) një morr bimësh në folenë e tyre, për t'i mbajtur derisa të zhvillohen dhe pastaj i vënë mbi gjethe, të cilat qesin një lloj lënde e në mbrëmje i sjellin prapë në folenë e tyre, pastaj milingonat i mjelin duke u ushqyer me të. Çdo morr jep afër dyzet e tetë pika nga kjo lëndë gjatë 24 orëve. Duhet ditur se këtyre insekteve u ndërtohen dhoma të veçanta për të banuar në to.
Si e njohin milingonat njëra-tjetrën
Milingonat njohin njëra-tjetrën pa ndonjë shenjë. Mirësia në mes milingonave ekziston në mesin e një foleje ose fshati të milingonave, ndërsa me të tjerat qëndron armiqësia e ashpër, ku në çdo kohë mund të zhvillohen luftëra në mes fshatrave të milingonave, ku rreshtohen për t'u luftuar. Ato luftëra sjellin viktima të shumta, ku fituesit zënë rob humbësit dhe i dërgojnë si shërbëtorë për të punuar në fshatrat e tyre. Ata luftëtarët e tyre i varrosin në varreza të ndara si dhe pastrojnë vendbetejën nga kufomat. Të gjitha këto veprime bëjnë të thuhet se milingonat janë më të ngjashmet me njeriun. Milingonat mund të jenë një forcë shkatërruese dhe shumë të rrezikshme edhe për njeriun. Milingona mund t'i shkatërrojë shtyllat nga druri nga se mund të rrëzohet shtëpia, si dhe mund të shkatërrojë biblioteka të tëra duke ngrënë letrat e tyre. Transmetohen nga Adi bin Hatem r.a., se doli një ditë në një piknik në një bahçe, dhe, kur u kthye në shtëpi, ai gjeti një milingonë të ngjitur në rrobat e tij. Kur e vërejti atë, u kthye tek bahçja dhe e ktheu milingonën duke thënë: "E kemi larguar shumë nga vendi i saj". Imam Aliu r.a. thotë: " Shikojeni milingonën sa e vogël është dhe sa forcë ka, ajo me vështirësi vërehet me sy, shikoni si ushqehet dhe lëviz ajo mbi tokë, ajo bart kokrra në folenë e saj, depoziton ushqimin për ta ruajtur e për t'u ushqyer. Atë nuk e harroi Krijuesi as nën gur, dhe, po të shikosh trupin e saj me organet që ka dhe sytë, dhe me organin e tretjes së ushqimit nga goja e barku, do të shikosh mrekullinë e krijimit të saj, i Lartësuar qoftë Allahu, Që e ngriti atë në këmbë, duke mos e ndihmuar askush. Allahu i Madhëruar thotë: "Nuk ka asnjë gjallesë në tokë dhe as shpendë që fluturojnë me dy krahë e që nuk janë të ndara në grupe (të ndryshme), sikurse edhe ju (Zoti i krijoi, i pajisi si ju). Asgjë nuk kemi lënë pas dore nga evidenca. Më në fund, te Zoti i tyre do të tubohen".(El- En'am 38).
Muhamed Ratib En-Nablisi
Përktheu nga gjuha arabe Besim Mehmeti
Dituria Islame 249