Në pellgun historiografik shqiptar, shquhen përpjekje kolosale të atdhedashësve të mëdhenj: intelektualë të ndritur, prijës fetarë islamë dhe jo vetëm, pastaj edhe rilindës dhe mendimtarë, të gjithë të bashkuar në një mision të shenjtë - të ngulisin dashurinë për atdheun thellë në zemrat e popullit tonë. Prijësit fetarë, me ndërgjegje të pastër dhe vizion të lartë, e injektuan këtë ndjenjë të shenjtë pa lënë asnjë vend për urrejtjen ndaj tjetrit, dhe duke e shndërruar dashurinë për vendin në një flakë që ndriçon shpirtin, ndërton karakterin dhe forcon identitetin kombëtar. Gjatë predikimit fetar, këta prijës s'patën kurrë kompleksin që të proklamonin binomin fe-atdhe si shtyllë të diskursit islam në trojet tona dhe njëherësh si një platformë të veprimtarisë së tyre nëpër mejtepe, xhami, medrese, e kudo gjetiu. Hafëz Ali Korqa, krejt troç e thoshte: "Feja dhe atdheu janë dy amanete që njeriu i ndershëm s'mundet t'i ndajë: pa njërin humbet morali, pa tjetrin humbet nderi." (A. Korça, "Feja dhe Atdheu:' Zani i Naltë, nr. 6, Tiranë, 1937). Ata pra, u treguan të zellshëm në këtë detyrë, sepse e morën si amanet hyjnor, andaj s'pritej që do ta nëpërkëmbnin atë ndonjëherë.
Mirëpo, kjo atdhedashuri e çiltër, nuk u injektua njëjtë as në format e as në qëllim, nga ata që hapësirën shqiptare tentuan ta mbulojnë me hijen ideologjike marksiste-leniniste, e me gjasë as nga këta që sot, atdhedashurinë e përvijojnë si projekt të kulluar antagonist me Islamin. Po të lexohej me pak kujdes ideologjia enveriste, vihet re qartazi që shqiptarit i kërkohej të shndërrohej në një qenie të re, të ribërë e të riformatuar nga fillimi, një sajesë krejt ndryshe nga çfarë ai pati qenë deri atëherë. Duket paradoksale, veçse edhe sot, ngjashëm, kemi tentativa që dashuria ndaj atdheut të disenjohet në një format të ri, që pikënisje të vetë ka arratisjen nga feja. "Ftesën e përzemërt" për braktisjen e Islamit e bëjnë me pretekstin se pranimi i tij nga ne, ishte çasti më i skëterrshëm në historinë tonë, andaj ecjen tonë përpara patjetër duhet korrigjuar. Për këtë qëllim lëshohen komunikata e lexohen "manifeste", dhe në sinkron të çuditshëm godasin pamëshirshëm gjithnjë dhe vetëm këtë pikë.
Kërkesa është që t'ia japim lamtumirën kësaj feje, profeti i së cilës, për mërinë e tyre, na thoshte: "Kush vdes duke mbrojtur pasurinë, nderin ose shtëpinë e tij, është dëshmor." (Tirmidhiu, 1421; Ebu Davudi, 4772). E, t'ua kërkosh njerëzve që ata të braktisin fenë që ua bënë detyrë sakrificën për atdhe, dhe atë që vdes në këtë rrugë e gradon me gradën e dëshmorit, është njësoj sikur në emër të moralit, t'ia kërkosh fëmijës në shkollë mosdëgjimin ndaj prindit në shtëpi, i cili përherë ua kalitë atyre virtytet morale në shpirt, dhe pa asnjë interes. E po, më së miri e tha A. Lincoln: "Mund t'i mashtrosh disa njerëz përherë dhe shumë njerëz ndonjëherë, por kurrë nuk mund t'i mashtrosh të gjithë njerëzit, e përherë." Propaganda ka efekt shurdhues, e ndonjëherë edhe merr rolin dominant në ndonjë vend, veçse ajo nuk i mbijeton dot ndërgjegjes së zgjuar njerëzore dhe të vërtetave të patundshme të historisë. Duke qenë e brishtë, lehtësisht edhe shembet. Saktësisht siç tha Allahu: "...Kështu, Allahu sqaron shembullin e të së vërtetës dhe të pavërtetës. Për sa i përket shkumës, ajo hidhet si e pavlerë, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve, ajo mbetet në tokë. Kësisoj Allahu i sjell shembujt..." (Err Rrad, 17).
Nuk është çudi, dikujt edhe mund t'i duhet tjetërsimi e tëhuajësimi ynë, që pastaj shpirti i njeriut 'të ri' të jetë i gatshëm të përthithë "frymën e re" të injektuar në gjenin e kulluar shqiptar, dhe atë nën tutelën e tyre ideologjike. Na duan të ndryshëm nga koka e gjer te këmbët, që të bëhemi vetëm një pasqyrë e deformuar e ambicies së tjetrit, një krijesë e konstruksioneve të tyre, që mohon natyrën dhe identitetin tonë të vërtetë.
Shqiptarët, në rrugëtimin e gjatë me Islamin, mbi gjasht shekullor, patën kohën e mjaftueshme që të shoshitin idetë dhe manifestet e tilla që klithnin prore, dhe ua dhanë gjithnjë përgjigjen e duhur tellallëve të tillë. Një përgjigje të tillë e artikuloi mendjendrituri me gjen të kulluar atdhedashës, Mit'hat Frashëri kur tha: "Dashuria për atdheun nuk është me fjalë, me britma e me betime, por me punë, me mundim, me sakrifica e me ndershmëri." (Mit'hat Frashëri, "Plagët tona", f. 47, Toena, Tiranë 1999). Ato tiparet e para që u demaskuan nga lapsi frashërian, po ua lejmë atyre që edhe u kanë hije, ndërsa shqiptarëve që ruajnë bashkë fenë e atdheun, u mbesin t'i ruajnë ato që i kanë ruajtur gjithnjë, pra ato të fundit.
Editorial
Dituria Islame 420