Kontributi i dijetarëve të hershëm myslimanë në ekonomi (2)

 


Ky shkrim i shkurtër ka për qëllim të diskutojë në mënyrë shumë të shkurtër kontributin e dijetarëve të hershëm në ekonomi, duke përmendur disa koncepte ekonomike të diskutuara prej tyre pa pretenduar se kjo temë e rëndësishme mund të përfshihet brenda këtyre pak rreshtave.
Tema është shtruar asisoj që të diskutojë në mënyrë kronologjike për disa nga dijetarët e hershëm në kohë të ndryshme. Është bërë një krahasim në mes kohëve dhe koncepteve të politikës ekonomike dhe koncepteve të ndryshme që janë ende aktuale dhe shoqëria e tanishme përballet me të njëjtat probleme. Të gjithë dijetarët e hershëm kanë folur për koncepte ekonomike, sepse ekonomia është pjesë e pandashme e jetës së njeriut dhe në vazhdimësi ka pasur reforma për t'iu përgjigjur nevojave të kohëve të ndryshme. Pas diskutimit të Ebu Jusufit, do të vazhdohet edhe me disa të tjerë që vijnë në vijim.


Muhamed bin el Hasan (750-804)


Sikurse Ebu Jusufi, edhe Muhamed Bin el Hasani ishte nxënës i Ebu Hanifes. Punimet e tij janë të përqendruara në lëmenj të ndryshëm, përfshirë edhe sjelljet ekonomike të myslimanëve si individë dhe si shoqëri. Ai shkroi një broshurë të vogël në lëmin e ekonomisë, gjegjësisht të f itimit (Kesb). Broshura është e titulluar Kitab el iktisab fil rizk el Mustehab (Libri mbi fitimin e një pasurie të pastër). Në këtë libër diskutohet për aktivitetet fitimprurëse dhe mënyrën e kushtet e aplikimit të tyre, siç janë: qiradhënia, tregtimi, agrokultura dhe industria sipas rregullave të Sheriatit. Ai gjithashtu diskuton edhe për vetitë konsumuese të një myslimani të devotshëm dhe i jep rëndësi të madhe inkurajimit të dhënies për bamirësi, në njërën anë, dhe diskurajimit të kërkimit të lëmoshës, në anën tjetër. Ai kritikoi disa sufistë (asketë), të cilët refuzojnë aktivitetet ekonomike me arsyetime të ndryshme, po nuk hezitojnë të pranojnë ushqime nga të tjerët, të cilët duhej ta fitonin atë me ndërmarrje apo aktivitete ekonomike. Sipas tij, secili duhet të fitojë së paku atë që i mjafton për shpenzimet e veta modeste dhe të shpenzojë edhe për të tjerët, sidomos për ata financimin e të cilëve e kemi obligim. Libri i tij Kitabul Asl, diskuton transaksione të ndryshme f inanciare, me të cilat bankat Islame punojnë edhe sot e kësaj dite mbi këto baza; këto transaksione diskutoheshin edhe në atë kohë, sepse sfera ekonomike është shoqëruese e historisë njerëzore. Libri diskuton shitjen në kontratën Selem (parapagim), Sharikah apo Musharakah (partneritet në shoqëri aksionare), Mudarebeh (partneritet me ndarje të humbjes dhe fitimit).


Ebu Ubejd el Kasim (774-837)


Ky autor ka dhënë kontribut në lëmenj të ndryshëm, siç janë shkenca e Hadithit, shkenca e Tefsirit, por edhe në shkencën e ekonomisë. Libri i tij më i njohur në shkencën e ekonomisë është Kitabul emval. Libri, Kitabul emval është një libër shumë i kompletuar në financat publike apo politikën fiskale sipas Islamit. Ky libër është studiuar dhe studiohet ende nga dijetarë të ndryshëm, për të kuptuar më mirë organizimin e politikës fiskale që nga koha e Pejgamberit a.s. e deri në kohën kur jetoi Ebu Ubejdi. Ky libër vë në pah shumë gjëra të rëndësishme rreth jetës dhe historisë ekonomike si pjesë përbërëse e historisë së myslimanëve duke treguar edhe për etapat e ndryshimit të politikës ekonomike në faza të ndryshme. Ky libër diskutimin e fillon me një kapitull të vogël rreth 'të drejtave të udhëheqësit në popullin dhe të drejtat e popullit në udhëheqësin', për të vazhduar me llojet e pasurisë që një udhëheqës mund dhe obligohet t'i menaxhojë sipas rregullave të Kur'anit dhe Synetit. Pjesa tjetër e librit diskuton rreth mbledhjes së shpërndarjes së llojeve të ndryshme të të ardhurave në buxhetin e përgjithshëm të shtetit: Zekat, Fej, Infak dhe të ardhurave tjera që nuk u takojnë kategorive të para, p. sh. pasuri të humbura dhe të gjetura, pasuri e lënë pa asnjë trashëgimtar, etj.. Libri gjithashtu diskuton burimet primare dhe sekondare të buxhetit të shtetit dhe menaxhimin e tyre nga udhëheqësit e shtetit. Ndarjen e buxhetit të shtetit në pjesën për mbulimin e shpenzimeve të administratës shtetërore për të vënë rregull dhe kujdes për mirëqenie shoqërore dhe investime për zhvillim të përgjithshëm.1 Libri, përveç të tjerash, është shumë i pasur me historinë ekonomike të dy shekujve të parë të Islamit si dhe produktet tregtare të asaj kohe. Aty flitet edhe për vende të ndryshme si dhe për burimet ekonomike të tyre.


El - Gazali (1058-1111)


Ebu Hamid Muhamed ibn Muhammed el Gazali, ka lindur dhe ka vdekur në Tus, në provincën e Horasanit të Persisë - Iranit të sotëm. Ai ishte një dijetar që takonte shkollës juridike Shafiite. Kontributi i tij ishte përqendruar në lëmenj të ndryshëm, edhe pse Gazali kontributin më të madh e ka dhënë në fusha të tjera jo të lidhura drejtpërdrejt me ekonominë; ai u ka kushtuar rëndësi të veçantë shkencës dhe problemeve ekonomike. Gazali ekonominë e pati klasifikuar si një shkencë të lidhur me fenë së bashku me metafizikën, etikën dhe psikologjinë. Vëmendje kryesore i ka kushtuar sjelljes së individit, të cilën ai e diskutoi në detaje nën dritën e Kur'anit, Synetit, transmetimeve të cilat u referohen shokëve të Pejgamberit a.s. dhe ata të cilët pasuan gjeneratën e Pejgamberit a.s. dhe gjithashtu thënieve të dijetarëve të deriatëhershëm, të cilët ishin shquar për devotshmëri. Gazali rëndësi të madhe i pati dhënë qëllimit të mirë dhe synimit të aktiviteteve.
Prandaj, sipas tij, një tregtar duhet të synojë që puna apo tregtia e tij të shërbejë për të kryer një prej detyrave a obligimeve shoqërore (furud el-kifajah). Një person duhet të fitojë së paku aq sa i duhet atij për ushqim, veshje dhe banim, për të mos u bërë barrë e askujt në mënyrë të padrejtë. Lista e gjërave bazë përfshin banimin dhe pajisjet që janë të nevojshme për banim, martesën dhe rritjen e familjes dhe disa pasuri. Sipas tij, kur populli ka ndonjë krizë dhe nuk gjen punë për të fituar dhe plotësuar gjërat e nevojshme për jetë, është detyrë e udhëheqësve për t'u ndihmuar njerëzve me ushqime dhe para të gatshme nga thesari i shtetit. Analizat analitike të Gazalit rreth disa problemeve ekonomike, kanë pasuruar literaturën e ekonomisë islame me tematika të veçanta, siç janë ndarja e punës dhe jetës shoqërore, evolucioni i parasë dhe si janë organizuar shoqëritë civile për shkak të nevojës. Ai gjithashtu ka shpjeguar ndalimin e kamatës (riba el-fadl) duke argumentuar se ajo bie në kundërshtim me natyrën dhe funksionimin e parasë dhe e ka kundërshtuar largimin e parasë nga tregu, ngase paraja është e disenjuar për t'i ndihmuar tregtisë si mjet i ndërrimit të mallrave të ndryshme dhe heqja e saj nga tregu, e pengon këtë proces. Gazali ka diskutuar edhe për monetarizimin e ekonomisë dhe nevojën e largimit nga ekonomia bartare (ekonomi e ndërrimit të mallrave) duke e shpjeguar në mënyrë shumë të thjeshtë me një arsyetim ekonomik. Dhe, me të drejtë, ai edhe konsiderohet njëri nga ekonomistët e parë që ka diskutuar këtë problematikë dhe më vonë mendimet e tij janë pasuar nga ekonomistë të tjerë. Njëri prej ekonomistëve të mëdhenj, i cili konsiderohet si baba i ekonomisë moderne, për të shpjeguar nevojën e monetarizimit të ekonomisë, ka huazuar mendimet e Gazalit 6 shekuj më vonë se Gazali. Gazali ka diskutuar për organizimin e këmbimeve, tregjeve dhe tregtisë si dhe funksionin e parasë si mjet i ndërrimit të mallit. Ai gjithashtu ka shpjeguar edhe nevojën dhe organizimin e tregtisë së brendshme dhe ndërkombëtare.2 Dhe, si përfundim, mund të themi se dijetarët, përveç kontributit në shpërndarjen e dijes në fushat e tyre të ngushta, kanë kontribuar edhe në drejtime të tjera, përfshirë këtu edhe lëmin e ekonomisë. Ata, si një njohës të mirë të fikhut në përgjithësi, e në veçanti të fikhut muamelat (ligjit mbi transaksionet), kanë dhënë një kontribut shumë të çmuar në fushën e ekonomisë islame duke diskutuar këto çështje shumë të rëndësishme për shoqërinë njerëzore gjatë gjithë kohëve.



_____________________________________
(1) Ugi Suharto, Kitab al-Amwal: Abu Ubayd's Concept of Public Finance (Kuala Lumpur: International Institute of Islamic Thought and Civilization - ISTAC, 2005) f. 93.
(2) Sabri Orman, 'Abu Hamid al-Ghazali on the Formation and Development of Economic, Social and Political Life', Al Shajarah, Vol. 10 No. 1. 2005. f. 15


Dituria Islame 251


 


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

GJURMË – Dokumentar: Medreseja Alaudin, një histori krenarie