Kur Allahu i Gjithëfuqishëm frymëzoi të Dërguarin a.s., me paralajmërimin rreth rrjedhës së asaj beteje, e veçanërisht rreth asaj se Xhaferi do të binte shehid, atij i rrodhën lotët. Në atë çast Pejgamberi a.s. shkoi në shtëpinë e një kushëriri të tij të largët dhe i thirri fëmijët e tij. Derisa i përqafonte dhe i puthte, i rrodhën lotët nëpër faqen e tij.


Përveç dhjetë figurave të njohura të përgëzuara me Xhennet, ka edhe disa ashabë të tjerë, burra e gra, që janë përgëzuar nga Profeti a.s. me Xhennet, por që nuk janë përmendur në mesin e dhjetëve.
Në mesin e të përgëzuarve të tjerë me Xhennet, është edhe Xhafer Ibnu Ebi Talibi. Vetë Muhamedi a.s. thotë në një hadith : "Hyra në xhennet dhe pashë që Xhaferi fluturonte bashkë me melekët". Xhaferit iu prenë të dy duart në betejën Mu`tetes, të cilat All-llahu xh.sh. ia kompensoi me dy krahë fluturues në Xhennet.(1)
Xhafer Ibnu Ebi Talibi kishte kaluar një rini të lulëzuar, kishte një trimëri madhështore, posedonte durim të paparë, dashuri, devotshmëri dhe besnikëri. I Dërguari i All-llahut xh.sh. ia dha epitetin "Babai i të varfërve"dhe llagapin "Dykrahëshi".(2)
Xhafer Ibnu Ebi Talibi ishte ndër të parët që pranoi Islamin dhe ishte shumë i nderuar në mesin e myslimanëve. Në të njëjtën ditë me të, edhe gruaja e tij - Esma bintu Umejsi kishte pranuar Islamin. Si shumë myslimanë të tjerë, edhe ata ishin keqtrajtuar në mënyrat më barbare. Kur Muhamedi a.s. i këshilloi ashabët e tij që të shpërnguleshin në Abisini, Xhaferi dhe gruaja e tij ishin në mesin e atyre që e dëgjuan këshillën e të Dërguarit a.s..Atje jetuan disa vjet dhe, gjatë asaj kohe, u lindën tre fëmijë: Muhamedi, Abdullahu dhe Aufi.
Kur grupi i dytë i myslimanëve bëri hixhretin në Abisini, këtë herë Kurejshët ishin shumë më të kujdesshëm se herëve të tjera. Ata iu vunë mbrapa delegacionit të myslimanëve dhe shkuan në Abisini tek mbreti Nexhashi. Me të hyrë në pallatin e tij, i thanë : "O sundimtar, në atdheun tënd ka arritur një grup të rinjsh, të cilët e braktisën fenë e popullit të vet, por nuk pranuan as fenë tënde. Erdhën me një fe të re, të cilën nuk e njohim as ne, as ti".(3) Por, Nexhashiu ishte më i mençur sesa mendonin ata. Ai e konsideroi të domosdoshëm ta dëgjonte edhe palën tjetër, kështu që situata të ishte krejtësisht e qartë. Andaj i thirri myslimanët që të dilnin para tij. Nexhashiu i pyeti myslimanët: "Për çfarë feje braktisët popullin tuaj, vatrat tuaja dhe të afërmit tuaj? Sa e di unë, as fenë time-Krishterimin, nuk e pranuat, e as fenë e ndonjë populli tjetër". Xhafer Ibnu Ebi Talibi doli para myslimanëve dhe tha: " O sundimtar, i takojmë një populli, i cili jetonte në injorancë dhe në lajthitje. Adhuronin idhujt, hanin mishin e kafshëve të ngordhura, bënin gjëra të ndaluara, i shqetësonin fqinjët, dhe i fuqishmi prej nesh, e shtypte më të dobëtin. Ja, kështu jetonim, gjersa All-llahu xh.sh. nuk na dërgoi Pejgamberin a.s.. Ai është nga populli ynë dhe ia dimë brezin dhe origjinën. E dimë se është i sinqertë, besnik dhe i drejtë. Ai na ftoi që t`i besojmë vetëm All llahut Një dhe Atij t`i mbështetemi".(4) Më pas Nexhashiu e pyeti Xhaferin: "A ke diçka me vete nga Shpallja e Allahut"? Xhafer Ibnu Ebi Talibi u përgjigj: "Po". "Atëherë na lexo atë " - tha Nexhashiu. Xhaferi u ngrit dhe recitoi fillimin e sures Mejrem - "Kaf, Ha, Ja, Ajn, Sad". Mbreti Nexhashiu i Abisinisë, pasi dëgjoi këtë sure, qau, saqë e tërë mjekra iu lag nga lotët.
Pastaj Nexhashiu tha : "Kjo që dëgjova dhe fjalët që i janë shpallur Isait, vijnë nga i njëjti "burim". Shkoni, jeni të lirë ! Unë, Pasha Zotin tonë, nuk do t`ua dorëzojë këtyre të dyve - dhe u kthye nga Amri dhe Abdullahu.(5)


Në Abisini


Xhafer Ibn Ebi Talibi ishte ashab elokuent që i përfitonte zemrat e pasuesve të rinj drejt rrugës së Allahut xh.sh. dhe të Dërguarit të Tij.
Ditën e nesërme, Amri kishte shkuar për t'u takuar me mbretin. Atij i tha: "Madhëria juaj! Këta myslimanë pohojnë fjalë të tmerrshme për Isain a.s.". Sa çel e mbyll sytë, kjo fjalë e shkurtër po e kobshme, i dridhi klerikët. Menjëherë i thirrën myslimanët tek mbreti që të shpjegonin qëndrimin e tyre ndaj Isait a.s..
Kur kuptuan për skenarin e ri të përgatitur nga delegacioni kurejsh, myslimanët diskutuan për mundësitë dhe vendosën të flasin vetëm të vërtetën, ashtu siç i kishte mësuar i Dërguari i Allahut. Përsëri u thirr takimi te mbreti Nexhashi, i cili e pyeti Xhaferin:"Çfarë thotë feja juaj për Isain?" Xhaferi u ngrit si një yll i ndritshëm, e tha: "Ajo thotë atë që i është shpallur të Dërguarit tonë. Pra, se ka qenë rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Fjala e Tij, të cilën Ai e kishte fryrë dhe shpirti që Ai e kishte krijuar". Nexhashiu qau në shenjë pajtimi me Xhaferin dhe tha se njësoj kishte thënë edhe Isai a.s. kur e kishte përshkruar vetveten. Për një moment, dëgjoi zhurmën e ipeshkëve që nuk ishin pajtuar. Mirëpo Nexhashiu i ndriçuar, që besonte drejt, foli: "Ju tani jeni të lirë. Vendi im është strehimi juaj. Kush guxon t'ju keqtrajtojë apo që në një mënyrë të pa hijshme të sillet ndaj jush, do të dënohet rreptë". Ai iu drejtua gardës së tij duke u treguar emisarët kurejshë me fjalët: "Ktheni dhuratat e tyre, sepse ato nuk i dua. Pasha Zotin, Zoti s'ka marrë prej meje ryshfet kur ma përtëriti mbretërinë, për këtë shkak, as unë nuk do të pranoj ryshfet tash kundër Tij"!(6)
Mirëpo, shpërngulja e myslimanëve në Abisini nuk ishte fund i kurejshëve dhe as që e pakësoi urrejtjen e tyre ndaj myslimanëve. Përkundrazi, ata kishin frikë që myslimanët atje të mos organizonin dhe të mos e shtonin numrin e ithtarëve dhe fuqinë e tyre.
Nexhashiu, mbreti i Abisinisë, ishte një besimtar i ndriçuar. Ai thellë në vetvete ishte ithtar i Krishterimit të pastër e të paprishur. Pra, i fesë që ishte e pastër prej rrugëve qorre, fanatizmit dhe shkurtpamësisë. Ai ishte shumë i njohur dhe i çmuar për shkak të drejtësisë së tij. Për këtë shkak, i Dërguari a.s. e kishte zgjedhur vendin e tij si vend për shpërnguljen e ashabëve.
Myslimanët, të udhëhequr nga Xhaferi, vazhduan të jetonin të sigurt në Abisini. Ata ishin vendosur në vendin më mikpritës të popullit më mikpritës derisa Allahu xh.sh. ua lejoi të ktheheshin tek i Dërguari i tyre, që me myslimanët po festonte çlirimin e Hajberit. Kur arritën Xhaferi dhe myslimanët e tjerë që ishin shpërngulur në Abisini, zemra e të Dërguarit ishte përplot gëzim, kënaqësi dhe optimizëm. Pejgamberi a.s. u përqafua me të, e i tha: "Nuk e di se çfarë më bën më të lumtur: çlirimi i Hajberit apo kthimi i Xhaferit".(7) Xhaferi ishte shumë i lumtur kur dëgjoi për trimërinë dhe për përzemërsinë me të cilën kishin luftuar vëllezërit e tij myslimanë krah për krahu me të Dërguarin a.s., në betejat në Bedër, në Uhud dhe në vende të tjera. Sytë e tij u mbushën me lot për ashabët që ishin të vendosur në besën e tyre dhënë Allahut xh.sh., dhe të cilët, si dëshmorë, e kishin kryer detyrën e tyre. Xhaferi dergjej pas Xhennetit më shumë sesa për diçka tjetër në këtë botë. Ai me pa durim e priste çastin e bërjes shehid.


Beteja e Mu'tetes


Kur erdhi koha për betejën e Mu'tetes, Xhaferi e kuptoi se ajo luftë është shansi e tij jetësor: ose të korrte fitore për fenë e Allahut, ose të binte shehid në rrugën e Allahut. Për këtë shkak, e luti të Dërguarin a.s. që t`ia lejonte të merrte pjesë në atë betejë. Xhaferi e dinte se beteja nuk ishte kurrfarë pikniku, nuk ishte as luftë e parëndësishme, por ishte një betejë vendimtare. Kjo betejë nuk ishte precedencë në histori, sepse zhvillohej kundër ushtrisë së perandorisë së madhe e të fuqishme që arabët dhe myslimanët i kishte lënë shumë larg për nga numri i ushtarëve, përgatitja, ekspertët dhe financat. Ai dergjej që në këtë betejë të luante rolin e tij.
Sipas porosisë së Pejgamberit a.s., Xhaferi ishte emëruar komandanti i dytë në atë betejë. Atë ditë të zymtë u përleshën të dy ushtritë. Xhaferit s`do t`i zihej për të madhe edhe sikur ta kishte kapluar frika kur kishte parë 200 mijë ushtarë. Mirëpo, në vend të kësaj, e kishte përfshirë një vullnet i madh, sepse ishte i mbushur me krenarinë e besimtarit bujar dhe me vetëbesimin e trimit, që të luftonte me ata që janë të barabartë me të.
Sa kishte prekur tokën bajraku që kishte rënë prej dorës së djathtë të Zejd ibn Thabitit, Xhaferi vrapoi, e mori atë dhe e ngriti. Pastaj u nis nëpër radhët e armikut me një trimëri mbresëlënëse. Ishte ajo trimëria e njeriut që nuk vraponte aq shumë pas fitores, sa pas asaj që të binte shehid në rrugën e Allahut. Kur ushtarët romakë e ngushtuan me një rrethim nga i cili s`kishte shpëtim, kali i tij nuk mundi të lëvizte dhe ai zbriti të godiste me shpatën e tij nëpër ushtarët e armikut. Atëherë e pa një ushtar të armikut sesi i afrohej kalit të tij për t`i hipur. Ai nuk dëshironte që mosbesimtari i fëlliqur t`i hipte kalit të tij, prandaj kalin e qëlloi me shpatë dhe e mbyti.
Siç e kemi përmendur më lart, Xhafer ibn Ebi Talibi ishte komandanti i dytë i ushtrisë myslimane në betejën e Mu'tetes. Pejgamberi a.s., në krye të ushtrisë në atë betejë, fillimisht kishte caktuar Zeid bin Harithin, e pastaj kishte thënë: "Nëse vritet Zejdi, atë e zëvendëson Xhaferi, e nëse vritet Xhaferi, atë e zëvendëson Abdullah bin Revaha".(8)
Sipas burimeve historike, ushtarët bizantinë ishin frikësuar dhe trishtuar nga trimëria e Xhaferit, i cili luftonte si një ushtri e tërë. Për këtë arsye, ushtarët kishin vendosur ta mbysnin. Për një moment, iu vërsulën me shpatat e tyre dhe i prenë dorën e djathtë. Ai, me të shpejtë e kapi flamurin me dorën e tij të majtë, para se të binte në tokë dhe, kur i prenë edhe dorën e majtë, flamurin e kapi me krahun e tij. Në atë çast, gjëja e vetme e rëndësishme për të, ishte të mos lejonte që flamuri i të Dërguarit të Allahut, të binte në tokë derisa të ishte i gjallë. Edhe pse trupi i tij i pastër ishte shpuar edhe në tokë, krahët e tij ende përqafonin flamurin. Dukej sikur shushuritja e valëvitjes së flamurit e thërriste Abdullah ibn Revahanë, i cili vrapoi me të shpejtë dhe e kapi flamurin.(9)
Në atë moment kishte rënë shehid Xhafer ibn Ebi Talibi, me sakrificë dhe trimëri. Kur Allahu i Gjithëfuqishëm frymëzoi të Dërguarin a.s., me paralajmërimin rreth rrjedhës së asaj beteje, e veçanërisht rreth asaj se Xhaferi do të binte shehid, atij i rrodhën lotët. Në atë çast Pejgamberi a.s. shkoi në shtëpinë e një kushëriri të tij të largët dhe i thirri fëmijët e tij. Derisa i përqafonte dhe i puthte, i rrodhën lotët nëpër faqen e tij. Pas kësaj, u kthye sërish në takim, ku ishte i rrethuar nga ashabët e tij.
Hasan ibn Thabiti, poeti i njohur i periudhës së Islamit, pas vdekjes së Xhaferit dhe të ashabëve të tij, kishte thurur këto vargje:
Në të gdhirë, njeriu me natyrë të bekuar dhe me fytyrë të qeshur
U urdhëroi besimtarëve vdekjen.
Fytyra e tij shndriste si hënë.
Ishte njeri krenar dhe pasardhës i Hashimit.
Ishte njeri i guximshëm që vraponte për ta ndihmuar të shkelurin,
Luftoi derisa ra shehid,
Ndërsa shpërblimi i tij është Xheneti, ku janë kopshtet përplot me gjelbërim,
Xhaferi ishte besnik dhe i dëgjueshëm ndaj Muhamedit.
Nëse Islami e ka humbur një Hashemit,
Ende në mesin e tyre ka njerëz të ndershëm dhe të devotshëm
Që janë krahë dhe krenari e Islamit.


_____________________________
(1)Xhasim Mutava, Të përgëzuarit me Xhenet, Shkup, 2010, f. 231.
(2)Halid Muhamed Halid, Burrat përreth Pejgamberit a.s., Shkup, 2008, f. 209.
(3)Safijurrahman El-Mubarekfuri, Nektari i vulosur i Xhenetit, Shkup, 1997, f. 100.
(4)Po aty, f. 101.
(5) Po aty.
(6)Halid Muhamed Halid, Burrat përreth Pejgamberit a.s., f.213.
(7)Halid Muhamed Halid, Ibid f.213-214.
(8)Sahihul - Buhari, Kaptina, Beteja në Mutete në Sham, II, 611.
(9)Halid Muhamed Halid, Ibid f. 215.


 


Dituria Islame  263


Artikulli i kaluar
Kujdes nga mallkimi!
Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë